Moralisti i natës

Enkel Demi

e-demiNuk ka gjë më të keqe sesa një gazetar që vendoset në pozicionin e moralistit. Një njeri që punon në media, veçanërisht në mediat komerciale, e ka të vështirë të dallojë cakun e qartë ku mbaron kufiri dhe fillon etika. Arsyeja është e thjeshtë dhe quhet “audiencë”. Për hir të saj, ndodhin kompromise, sajohen situata, krijohen heronj të rinj, dëmtohen mite të vjetra, kërcehet, këndohet, përdoret joshja e seksit, nuk kursehet fëmija, atdheu, familja, nderi, perversioni.
Kështu mund të vazhdojë pa fund, por e gjithë kjo bëhet thjesht për të nxjerrë në dritë një numër të lartë ndjekësish. Audienca është kali ynë i betejës dhe aty maten muskujt e moderatorit, producentit, vetë stacionit radiofonik apo televiziv. Duke patur parasysh këtë realitet që nuk e kemi shpikur në Shqipëri, bëhet gjithmonë dhe më e vështirë të ruash disa vlera etike, të paktën ato bazike. Megjithatë, ka gjithmonë një varkë shpëtimi, e cila quhet ora e vonë e natës. Nëse thyhet mesnata dhe nëse vendos lajmërime sinjalistike në ekran, edhe goja mund të shthuret pak, edhe personazhet mund të jenë më të pranueshëm në ekstravagancën e tyre. Problemi qëndron te ritransmetimi, i cili është një zakon që e kemi fort për zemër, ndërsa në Perëndim pothuaj e kanë lënë në harresë. Megjithatë, le t’i marrim programet e natës në një renditje deri diku kronologjike.
Ne vijmë nga një periudhë izolimi, ku i vetmi program nate mund të konsiderohej program i zgjatur për Vitin e Ri i Televizionit Shtetëror. Megjithëse thyhej mesnata, humori vazhdonte të ishte brenda sinoreve të përcaktuara fort mirë, kurse komikët, megjithëse vonë, ishin “kokëfortë” në veshjen e tyre me kostume bezhë apo gri të stilit kinez. Një pjesë e audiencës priste me padurim të mbaronte punë zhurmuesi për të kapur ndonjë film erotik në televizionet e Jugosllavisë fqinje.
Pas vitit ’90 prova e parë serioze për një program nate në radio u bë në vitin 1994 në Radio Tirana, i cili quhej “Heshtje jo!”. Në orën 03.00 të mëngjesit më kujtohet që ishte kulmi i lirisë së bashkëbisedimit, pasi pranonim telefonues në studio, flisnim si ndihet njeriu i pagjumë dhe lexonim poezi apo, ndryshe nga vija editoriale e radios, lëshonim muzikën e Jim Morrison. Mbaj mend që në at’botë merrnim letra pa fund të të pagjumëve, letrarëve të rinj apo pesimistëve mendimtarë. Drejtuesit nuk para e pëlqenin këtë lloj dekadence, por ishin të ndërgjegjshëm që kohët kanë ndryshuar dhe mund t’i hapej krahu edhe romantikëve, të dëshpëruarve apo të pafatëve. Ishte koha, kur njerëzit nuk na njihnin nga portreti, por zëri.
Pas do vitesh në Shqipëri nisën fillimisht radiot dhe pastaj televizionet private e bashkë me to u thyen disa korniza thelbësore. Fjala vjen, në Radio Klan nisi një program tejet ekstravagant, i cili sot e kësaj dite nuk është arritur për llojin e komunikimit, lirinë, banalitetin, por edhe veçantinë. E kam fjalën për “Klanin e natës”. Kur e kam dëgjuar për herë të parë jam skandalizuar. Nuk mund ta kuptoja sesi ka mundësi që në një radio mund të lejohen të marrë që nuk i lënë gjë pa thënë drejtuesit të programit. Personazhet e programit ishin njerëz që rrëfenin pjesën e tyre më skandaloze, historinë e tyre perverse ose që shanin me rrënjë e degë folësin.
Nëse do të më pyesnin në atë kohë për këtë program, do të isha i idesë për ta ndaluar me ligj, sepse pas vitit 1997 unë mendoja që ky lloj komunikimi agresiv nxit edhe më keq dhunën, kurse Arian Çani mendonte se ishte një valvul shkarkimi që i bënte mirë gjaknxehtëve shqiptarë, të frustruar prej dhjetëra vitesh. Megjithatë, kur ky program krijoi një lloj tradite në Klan, unë mora drejtimin e Radio Koha. Ishte vitit 1998. Pronari i saj, Nikollë Lesi, një ditë më vjen në zyrë dhe më hedh një kontratë, në të cilën shkruante që unë merrja radion në përdorim, ai nuk do të më jepte më kryq leku dhe do të më duhej t’i nxirrja të gjitha paratë vetë, për shpenzimet e radios, pagat, antenat, muzikën. Me një fjalë, më hodhi në det të hapur. Reklama kishte, veç me çmime të ulëta, por mbi të gjitha më duhej audiencë. Bëmë lajmet më të shpejta në treg, transmetonim drejtpërdrejtë ngjarjet aq shumë të dhunshme dhe të ashpra të asaj kohe, realizuam studion e hapur me telefona nga publiku, transmetonim muzikën më të mirë në treg, bëmë programet e para të debatit politik në studio, ku ndërhynin edhe dëgjuesit dhe në fund, unë moralisti bleva programin e Arian Çanit. Nga “Klani i natës”, klonuam “Kohën e natës”. Fitova audiencën, reklamat dhe nisa madje të derdhja fitim në arkat e kompanisë. Programi i natës nuk u reformua, etika ishte një fjalë që e lamë pas dere, por fituam audiencë dhe pranuam njëzëri teorinë e Arianit për punën e valvulës. Kaq mirë po ecte ky program, sa arritëm deri aty sa të shisnim bileta që njerëzit të vinin në studio dhe ta shihnin Arianin të gjallë, teksa bënte programin. Shpesh madje mendoj që idenë e programit televiziv “Zonë e lirë”, duhet ta ketë ngjizur në atë pallat afër gjimnazit “Petro Nini…”, ku ishte vendosur studioja. Televizionet në atë kohë ishin ende në hapa fillestarë, por e kishin kuptuar që audienca e natës ishte e rëndësishme, prandaj jepnin filma erotikë, derisa e liruan dorën fare dhe jepnin filma pornografikë. Edhe në këtë rast audienca ka qenë e lartë, por gjetja ishte me të vërtetë e varfër. Kaq keq ngjante, sa kur realizonim “Luftë apo paqe në Kosovë” te TV Arbëria, qëllonte që konkurrenca na “dilte ballas” me porno, por falë Zotit kjo ka qenë periudhë e shkurtër. Me zhvillimin e medias, nisi edhe nevoja e prodhimeve të orëve të vona. Në Top Channel kishim idenë që duhet të bënim diçka që ngjante me programin e Maurizio Costanzo-s në Itali, por mosha jonë ishte ende e re për të marrë përsipër një peshë të tillë, ndaj u përpunua një variant i ngjashëm, i cili drejtohet sot e kësaj dite nga Alban Dudushi. Mbrojtësit e etikës me këtë program nuk kanë përse qahen, pasi ajo është patur parasysh që në krye të herës.
Sot, është ende në treg Arian Çani dhe ankesat janë zakonisht për programin e tij. Por ai ka vendosur sinjalistikën e duhur dhe thyen kufijtë, pasi është ende i teorisë së valvulës. Moderatori pasi kalon njëfarë ore, puth vajza të lirshme në buzë, lejon poetë të lexojnë vargje me fjalë të ndyra, kërkon që mysafirët të flasin hapur për devijimet seksuale, fton një galeri njerëzish si mitomanë, artistë të çuditshëm, vajza kërcimtare me pako gjë në trup, DJ gjijashtë, poetë që të tregojnë se masturbimi është i shëndetshëm, parashikues fati dhe moti, vagabondë që bëjnë muzikë rap, fantazia nuk njeh kufi. Moralistët mund të flasin për shthurje mediatike, degjenerim publik dhe kanë të drejtë. Por, audienca prej shumë vitesh na tregon që është e shumtë, ndaj dilema është në e kemi të keqen te realizuesi i emisionit apo te qytetarët e këtij vendi. Unë mendoj se janë të dyja. Media, sipas meje, nuk është vetëm transmetuese pa kufij, por ka edhe mision edukues, ndaj jo çdo gjë thuhet apo jepet në televizor. Por, a mund t’ia kërkojmë këtë gjë një programi të orëve të vona, ku të gjitha programet komike të mbrëmjes së parë e arrijnë kulmin e ilaritetit, kur komediani bën qyfyre me organet gjenitale në orën 21.30? Por, a mund të kërkojmë të përmbahen të pagjumët e natës, kur në debatet politike të mbrëmjes së parë lirohet gjuha dhe veç fyerjeve me libër shtëpie, shprehjet apo fjalët janë zhdoganuar? A mund të kërkojmë nga programe të veçanta të respektojë etikën, teksa në megambrëmje televizive, njerëz të mbyllur në kafaz grinden me rrënjë dhe me degë, ndërsa familja shqiptare qëndron e gozhduar nga gjyshi deri te nipi apo mbesa motake?
Por, a mund të ankohemi, kur telenovelat e pasdites dhe mbrëmjes kanë për personazh pozitiv një killer?
Po kështu, në anën tjetër të barrikadës është publiku. Burra zotërinj sot të flasin me batutat e komikëve banalë, ndërsa mitomanët e Arianit apo personazhet e Big Brother janë të famshëm në gazeta, rrjete sociale apo media elektronike më shumë se kushdo tjetër.
Ka pedantë që flasin për rolin e Këshillit Kombëtar të Radio Televizionit, por shumë nga ne e dinë që gjobat e KKRT-së nuk e ndërrojnë dot realitetin, pasi ligji nuk i jep pushtet institucionit në fjalë, por ia lë hapur derën e shpëtimit medias komerciale. Kjo e fundit është biznes dhe me të drejtë ka vetëm një hall, hallin e numrit që quhet audiencë, numër që përkthehet në reklamë, para që arkëtohen, fitim.
Megjithatë, situata nuk është dramatike. Dikur televizionet apo radiot do të kthehen te korniza, sepse publiku lodhet nga e njëjta gjellë. Kjo është arsyeja që në mediat e mëdha komerciale të huaja nuk prodhohen më programe të orëve të vona të ngjashme me vitet ’70 – ’80. Nuk ka më lakuriqësi të plotë si në kohët e vjetra. Tashmë ka “pay TV” dhe publiku paguan për seksin apo perversionin dhe shkallën e tij e ka vetë në dorë ta zgjedhë. Por, meqë izolimi na la vite mbrapa, edhe në këtë fushë, që të kapim kohën duhet të ecim në hapat e shkelur më parë nga të tjerët, ndaj nuk mendoj se një leksion moral edukon programet e natës.
Tek e fundit kodin e etikës e ka vetë në dorë publiku. Nëse diçka e kalon cakun, shtyp telekomandën dhe mund të ndjekësh një film te Tirana, bisedën e Mustafa Nanos apo një ndeshje të NBA te Telesporti.

 

*Komenti është botuar fillimisht në revistën online Medi@Link të Institutit Shqiptar të Medias.

 

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s