“Çako, përgjegjës për shkeljet e Albautorit”

Valeria Dedaj

p-cakoZyra për të Drejtën e Autorit konstaton shkelje të ligjit. Nestor Kraja, anëtari i kryesisë së Albautorit: “Agjencia i konsumon fondet në mënyrë të jashtëligjshme”

-T’i pezullohet licenca për një periudhë 6-mujore Agjencisë “Albautor”. Ky propozim i Zyrës Shqiptare të së Drejtës së Autorit bërë publik dje, është depozituar në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Propozimi është jo vetëm për agjencinë “Albautor” po edhe për simotrën e AKDIE, të cilat janë licencuar nga kjo ministri me qëllim administrimin e të drejtave të autorëve dhe të drejtave të lidhura me to, grumbullimin dhe shpërndarjen e të ardhurave nga përdoruesit e veprave me objekt pronësinë intelektuale tek titullarët e së drejtës.

Drejtori ZShDA-së, Mujë Buçpapaj bën të ditur se të dyja agjencitë e administrimit kolektiv nuk kanë përmbushur detyrimet ligjore që parashikon Ligji “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me të”. ZDShA vëren se “Albautor” dhe “AKDIE”:

nuk kanë përmbushur detyrimin për të mbledhur nga përdoruesit të ardhurat dhe shpërndarjen e tyre titullarëve të së drejtës së autorit dhe të drejtave të tjera të lidhura me të, në përputhje me dispozitat statutore dhe tarifat e deklaruara;

nuk kanë përmbushur detyrimin për të depozituar në ZShDA informacionin e kërkuar në lidhje me ushtrimin e veprimtarisë së tyre;

nuk kanë depozituar  në ZShDA çdo autorizim të lëshuar me faturë tatimore;

nuk kanë depozituar listë të tarifave të miratuara nga agjencitë;

nuk kanë përmbushur detyrimin për thirrjen çdo vit kalendarik të mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme, e cila duhet të miratojë buxhetin e Agjencisë dhe listën e shpërndarjeve.

“ZShDA bën me dije se Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ka shprehur angazhimin e tij për shqyrtim të vëmendshëm të dokumentacionit të veprimtarisë së agjencive të licencuara, si dhe mbështetjen e ZSHDA-së për t’i dhënë zgjidhje ligjore problematikës së përvitshme të agjencive të menaxhimit kolektiv, si rezultat i mospërmbushjes së detyrimeve ligjore dhe statutore.” Nga ana tjetër, Zyra Shqiptare për të Drejtat e Autorit, shpreh mbështetjen ndaj agjencive të menaxhimit kolektiv të të drejtave të autorit dhe të drejtave të lidhura, në luftën e përbashkët kundër piraterisë, por duke i kërkuar agjencive të përmbushin detyrimet ligjore kundrejt autorëve.

“Shekulli” kontaktoi një nga anëtarët e Kryesisë së Albautor-it, Prof. As. Nestor Kraja, i cili konfirmon keqfunksionimin e agjencisë, dhe njëherësh paralajmëron një skenar jo të mirë shtetëror për të drejtën e autorit në Shqipëri.

Zoti Kraja, duke qenë pranë kryesisë së Albautorit, keni ndonjë koment për shkeljet që ZShDA i numëron agjencisë?

Si anëtar i kryesisë së “Albautor”, ka shumë kohë që Drejtori i Albautorit nuk na ka vënë në dijeni për veprimet e agjencisë dhe nuk ka thirrur asnjë mbledhje me Kryesinë apo me aktivin. Ndërkohë me anëtarët e tjerë Shpëtim Saraçi e Jorgo Papingji kemi qenë shumë të shqetësuar për këtë fakt, dhe mendoj se përgjegjësia i mbetet Presidentit aktual të Albautorit, Pirro Çako i cili sipas marrëveshjes së vendosur që me krijim e Kryesisë së re pas zgjedhjeve do të duhej të ishte me rotacion, çdo një vit. Si duket zotit Çako nuk ka pëlqyer rotacionin dhe prandaj po e mban peng agjencinë, në bashkëpunim të ngushtë me drejtorin aktual. Kam deklaruar edhe më parë për shqetësimet e mija rreth funksionimit të Albautorit dhe gjykoj se gjendja ka arritur në atë pikë sa nuk mban më. Më e keqja është se fondet që mbledh Albautori i konsumon në mënyrë të jashtëligjshme si shpenzime administrative, ndërkohë që asnjë fond nuk shkon në drejtim të të drejtës së autorëve në vend. Personalisht kam depozituar në bankën e Albautor një shumë jo të vogël si taksë e një koncerti me vepra të kompozitorëve të rinj dhe në emër të tyre nuk ka arritur asnjë e ardhur nga agjencia. Pra, agjencia aktualisht është vetëm një ent që konsumon për Drejtorin dhe për punonjëset që ai zgjedh të punojnë atje dhe jo për artistët dhe kontributin e tyre artistik në Shqipëri. Ose e thënë më direkt, z. Bistri përvetëson çdo gjë që hyn në Agjenci si shpenzime administrative, ndërkohë që ligji e lejon të shpenzojë maksimumi deri në 25 % të tyre.

I janë dorëzuar Zyrës lista të faturave tatimore apo lista të tarifave të miratuara nga agjencia juaj?

Nuk kam asnjë informacion, i cili mbetet gjithnjë pronë e z. Idar Bistri.

A jeni thirrur për mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme e cila miraton buxhetin e agjencisë?

Jo.

Këto vonesa kanë qenë gjatë gjithë vitit, apo nuk ekzistojnë fare?

Ka dy vjet që vazhdon kjo gjendje.

A keni pasur ndonjë paralajmërim paraprakisht?

Unë jo personalisht, por nga ana tjetër, në mbledhjen e fundit i kam kërkuar z. Bistri të tregohet i hapur për veprimet administrative e ekonomike dhe të mbledhë aktivin.

I shikoni të drejta këto akuza, aq sa të merren masa për pezullimin e licencës, apo ka diçka tjetër?

Në gjendjen aktuale, kur shteti nuk interesohet aspak për të drejtën e autorit, edhe pse kërkon të futet në Evropë, kur Ministria nuk ka asnjë strategji për stabilizimin e drejtë të këtij ligji të rëndësishëm për gjithë krijimtarinë në vend, pasi sipas mendimit personal nuk ka respekt për krijimtarinë artistike (gjë që duket në financimet minimale që ka dhënë vitet e fundit) kur historikisht të gjithë drejtorët e Albautorit e kanë parë dhe shfrytëzuar këtë agjenci si instrument për të përfituar individualisht, kur ndërgjegjja e krijuesve nuk është në nivelin e kërkuar për të reaguar me forcë të bashkuar kundër vjedhjes dhe padrejtësisë, a nuk do të ishte më mirë të deklaronim hapur se në Shqipëri nuk ka dhe nuk ruhen të drejtat e autorit?

Nuk është çudi që skenari të ketë programuar rrënimin e Albautorit, për të ngritur një tjetër agjenci private e për të vjelë gjithë krijimtarinë në vend sipas ligjit ekzistues, njëlloj siç bënë me rrënimin e fabrikave produktive dhe blerjen më pas të tyre me çmime qesharake. Përse të mos na shkojë mendja për skenarë të tillë, kur këto gjëra kanë ndodhur dhe të gjithë ne i kemi komentuar e i komentojmë akoma?

Unë do të isha për një ballafaqim me Ministrinë e Kulturës, me ZZHDA-në dhe me Albautorin, drejtorin dhe kryesinë, për të vënë përpara përgjegjësisë atë që provohet me faj dhe që ka shkelur ligjin dhe jo shkatërrimin e një institucioni të rëndësishëm në vend, pikërisht në periudhën kur pretendohet të njehsojmë shtetin me vendet europiane.

Prej vitit 2008, BE ka dhënë rreth 7.7 milionë € për të drejtat e pronësisë intelektuale, për trajnimin e specialistëve dhe ndërgjegjësimin e njerëzve në këtë fushë.

 

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s