Mujë Buçpapaj: Si do e mbrojmë të drejtën e autorit në Shqipëri

m-bucpapaj3Intervistë me drejtorin e Zyrës Shqiptare për të drejtat e Autorit

Intervistoi: Albert Zholi

Cila është puna e Drejtorisë që ju drejtoni për të drejtën e autorit. Kur ka filluar punën ky institucion në mënyrë ligjore?
Puna e Zyrës Shqiptare për të drejtat e Autorit ka një objekt mjaft të gjerë për monitorimin dhe mbikëqyrjen e respektimit të të drejtave të autorit dhe të drejtave të tjera të lidhura me të në Shqipëri. Nuk do pyetje, se nuk ekziston asnjë njeri në tërë botën, që nuk ka shijuar muzikë në vende publike ose në Radio, që nuk ka parë televizion, ose nuk ka blerë një libër apo një pikturë, dhe që nuk ka ndjekur një interpretim baleti apo teatri. Pranë këtyre veprave qëndron gjithmonë një krijues, i cili jo vetëm siguron jetën e tij dhe të familjes nga përdorimi i kësaj vepre, por edhe më tepër, ai kërkon të realizojë njohjen morale dhe respektin që ai meriton nga shoqëria për kontributin e tij kulturor dhe edukativ. Zyra Shqiptare për të Drejtat e Autorit është institucion qendror, publik, në varësi të Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, e krijuar me Ligjin Nr. 9380 të vitit 2005 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me të” që i referohet mbrojtjes ligjore që i garantohet autorëve, apo mbajtësve të së drejtës për çdo krijim letrar, artistik, shkencor të tyre. Zyra Shqiptare për të Drejtat e Autorit është institucioni shtetëror përgjegjës për monitorimin dhe mbikqyrjen e respektimit të të drejtave të autorit dhe të drejtave të tjera të lidhura me të në Shqipëri, e krijuar si rezultat i nevojës emergjente në luftën kundër piraterisë dhe shkeljes së pronësisë intelektuale që ekziston në Shqipëri. ZSHDA-ja e ushtron veprimtarinë në mbështetje dhe në zbatim të Kushtetutës, të legjislacionit shqiptar për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me të, në dispozitat e tjera ligjore e nënligjore në fuqi, si dhe në konventat e marrëveshjet e tjera ndërkombëtare, ku Republika e Shqipërisë është palë. Zyra mbart gjithashtu detyrime që rrjedhin nga neni 73 i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, në të cilin palët konfirmojnë rëndësinë e sigurimit të nivelit të posaçëm të mbrojtjes dhe vendosjes së të drejtave të pronësisë intelektuale në Shqipëri në nivel të ngjashëm me atë të Bashkimit Europian. Kompetencat e (ZSHDA) janë përcaktuar qartë ne Vendimin e Këshillit të Ministrave, Nr. 232, date 19.04. 2006 “Për krijimin dhe funksionimin e Zyrës Shqiptare për të Drejtën e Autorit”. Zyra ka filluar funksionimin e saj të plotë në Prill të vitit 2007, në ditën Botërore të Pronësisë Intelektuale, ditë kur u bë dhe prezantimi i saj tek faktori ndërkombëtar që vepron në Shqipëri dhe tek të gjitha institucionet e tjera shtetërore dhe organizata të huaja dhe vendase.
ZSHDA, luan rolin e saj, për të qenë pjesë e Strategjisë Kombëtare për mbrojtjen e pronësisë intelektuale (2010-2015), për sa më sipër, realizon detyrimet ligjore që rrjedhin prej MSA. Monitorimi dhe mbikëqyrja e respektimit të këtyre vlerave është detyrë sa funksionale, aq edhe ligjore në nivelin më të lartë në RSH. Njohja dhe respektimi i të drejtave të krijuesit janë arritur shkallë-shkallë gjatë këtyre viteve, pavarësisht problemeve të mëdha që hasim në këtë fushë. ZSHDA është institucioni kryesor i sistemit të pronësisë intelektuale. Si një faktor shumë i rëndësishëm i këtij sistemi, ZSHDA duhet te jete aktiv dhe efektiv dhe duhet te marre ne konsiderate hollësi të gjendjes aktuale dhe përmirësimin e parashikueshëm të kësaj fushe ne Shqipëri, sipas kësaj strategjie dhe në përputhje me detyrimet e MSA. Si pasojë, ZSHDA është duke rishikuar strategjinë e saj ne zbatim te politikave qeverisëse dhe planet e veprimit baze te derivuara prej saj, si edhe ka përfunduar një projektligj të ri të të drejtave të autorit i cili është plotësisht i harmonizuar me standardet e BE-së si dhe të organizatave ndërkombëtare ku Shqipëria është palë. ZSHDA, është e fokusuar në disa çështje kryesore si: kontroll dhe mbikëqyrje të rreptë të tregut për shkëmbimin dhe qarkullimin civil të produktit intelektual, në të gjithë territorin e RSH. Regjistrim dhe çertifikim të drejte të çdo produkti intelektual vendas ose i huaj. Në shprehjen e autoritetit të forcës së ligjit nëpërmjet konstatimit të kundërvajtjes administrative, dënimin dhe ndalimin e përsëritjes së saj. Në shprehjen e autoritetit të Zgjidhjes Administrative në një kohë sa më të shkurtër, si një proces gjyqësor administrativ, duke gëzuar cilësitë që i njeh ligji, vendimit të ZSHDA-së. Të koordinojë, sipas një organizimi në përputhje me legjislacionin në fuqi, të të gjithë institucioneve shtetëror ekzekutues të ligjit, siç janë KKRT, organet tatimore dhe doganore, organit të akuzues etj, të operatorëve ekonomikë si prodhues dhe përdorues, që gëzojnë të drejtën e shfrytëzimit, të operatorëve përfitues të mbrojtjes së të drejtave të produktit intelektual.
A është ruajtur deri më sot e drejta e autorit dhe ku ka patur më shumë abuzime?
E drejta e autorit në ditët e sotme operon në një botë në të cilën kanë ndodhur ndryshime drastike, si rezultat i teknologjisë digjitale, e cila ka përfshirë çdo aspekt të jetës sonë të përditshme. Modeli i shekullit të kaluar është duke ndryshuar vlerën e kanaleve të prodhimit dhe konsumimin e veprave krijuese, hyrjen apo paraqitjen e vlerës ekonomike të aseteve të të drejtës së autorit për të mbizgjeruar gjeneratat e krijuesve te rinj. Duke patur parasysh këto zhvillime ZSHDA është duke punuar për të siguruar një mbrojtje të të drejtave të pronësisë intelektuale (e drejta e autorit) në nivel te ngjashëm me standardet e Bashkimit Evropian. Nga njëra anë qeveria shqiptare ka kryer të gjitha detyrimet e saj ndaj çështjes së mbrojtjes të të drejtave të autorit dhe të të drejtave të tjera të lidhura më të, ka krijuar legjislacionin e nevojshëm dhe vendimet përkatëse përfshirë edhe krijimin e ZSHDA-së, mbi të cilat është siguruar një mbrojtje adekuate e të drejtave të autorit dhe të drejtave të lidhura, por nga ana tjetër zhvillimet në terren janë të pavarura dhe kundërthënëse. Ka një sensibilitet të vogël të operatorëve përdorues të të drejtave të autorit dhe shpesh refuzues ndaj tarifave të përdorimit, ka një ndjeshmëri të dobët të sistemit gjyqësor ndaj çështjeve që mbërrijnë në dyert e gjykatave, si dhe një sistem të administrimit kolektiv të pazhvilluar mirë dhe problematik në shumë aspekte. ZSHDA gjatë këtyre viteve ka dështuar në vjeljen e gjobave të vëna ndaj shkelësve të të drejtëve të autorit dhe të drejtave të lidhura, duke bërë të nevojshëm hartimin e një projektligji të ri, i cili parashikon t’ia kalojë sektorin e Inspektimit, Inspektoratit Qendror të Shtetit. Këto hallka janë të lidhura me njëra-tjetrën dhe bëjnë që të drejtat e autorit të mos mbrohen siç dëshirojmë të gjithë, pavarësisht se qeveria shqiptare ka kryer detyrimet e saj. Pas instalimit në vend të demokracisë, qeveria shqiptare pati miratuar ligjin e parë të plotë për mbrojtjen e të drejtave të autorit në vitin 1992 i cili ka qënë një ligj shumë i mirë dhe larg influencimit nga grupet e interesit. Ky ligj reflektonte standardet ndërkombëtare të mbrojtjes të të drejtave të autorit, sillte më shumë liri në marrëdhëniet e tij kotraktuore me të tretët si dhe të ardhura dhe fitime pasurore të liberalizuara nga mekanizmi kërkesë-ofertë. Ky ligj, zgjeronte objektin e të drejtës së autorit duke përfshirë një gamë të gjerë veprash, të panjohura më parë, siç ishin programet kompjuterike etj. Në fakt legjislacioni për mbrojtjen e të drejtave të autorit zë shprehje qysh me Statusin Themeltar të Mbretërisë Shqiptare, të datës 1 dhjetor 1928. Në nenin 198 të këtij dokumenti thuhet: ”E drejta e pronësisë, për çfarëdo lloj pasurie që të jetë, është e padhunueshme; pa të qënit e vërtetuar rregullisht nevoja e interesit botëror dhe pa mos pagasën e vlerës së arsyeshme, sipas ligjit të posaçshëm nuk mund të shpronësohet pasuria e askujt.” Mbrojtja e të drejtave të autorit u trajtua më me detaje në kodin civil të vitit 1929. Ky kod i referohej legjislacioneve perendimore të përparuara të kohës. E drejta e autorit parashikohej një nga objektet e së drejtës së zotërimit. Kjo e drejtë sanksionohej si e drejtë e autorit dhe e shpikësve mbi veprat dhe shpikjet e tyre. Objektet e këtyre të drejtave quheshin sendet e patrupëzuara. Gjatë sistemit komunist sido që legjislacioni mbronte të drejtën e autorit me ligj, siç ishin Kodi i Civil i aprovuar në vitin 1955, i ndryshuar në vitin 1981 etj, në praktikë fryma ideologjike e pengonte atë të ishte i drejtë dhe i ndershëm për të gjithë. Për shembull, përkthimet e romaneve të Kadaresë në frëngjisht botoheshin pa shënimin e emrit të përkthyesit të mirënjohur Jusuf Vrioni, për shkak të problemeve politike që ai kishte me regjimin, shumë këngëve lirike nuk u përmendej emri i kompozitorit apo shumë tekste qarkullonin si anonimë për të njëjtat shkaqe etj. Shkelja më e rëndë e të drejtave të autorit shënohej gjatë diktaturës kur veprat e autorëve të ndryshëm hiqeshin nga qarkullimi, dërgoheshin në karton, apo edhe vetë autorët dënoheshin me burgime të gjata thjesht për shkak të veprës së tyre. Për fat të mirë, sot autori i një vepre gëzon të drejtat vetjake jopasurore të vendosë nëse, në ç’mënyrë dhe kur vepra e tij do t’i paraqitet publikut, si dhe vendin, ku vepra e tij do të paraqitet për herë të parë në publik, të kërkojë që t’i njihet autorësia mbi veprën, veçanërisht e drejta që emri i tij të shkruhet në kopjet e veprës dhe, kur e lejon praktika e sipas traditës, t’i bashkëngjitet veprës, kur ajo përmendet publikisht, të vendosë në emrin e kujt do të paraqitet vepra e tij te publiku, si dhe të drejtën që të mbetet anonim, të kërkojë respektimin e tërësisë së veprës dhe të kundërshtojë çdo heqje ose ndryshim, që cenon nderin dhe emrin e tij, të tërheqë lejen e shfrytëzimit të veprës, nëse është e nevojshme, duke siguruar moscenimin e të drejtave dhe të interesave të ligjshëm të titullarëve të të drejtës së shfrytëzimit të veprës, të cilat mund të dëmtohen nga ky veprim i autorit etj. Nëpërmjet garantimit të të drejtave ne lejojmë krijuesit të përfitojnë prej saj, duke i nxitur në këtë mënyrë të vazhdojne dhe të krijojnë dhe në të ardhmen, të cilët na sigurojnë ne në vazhdimësi vepra të rëndësishme të kultures. Pirateria është armiku më i egër i krijimtarisë dhe risisë, por edhe i zhvillimit të asaj që thirret si industri krijuese. Në Shqipëri nuk ka një studim rreth shkallës së piraterisë në vend, por sipas një studimi të kryer në fund të viti të kaluar rreth 72 % e shqiptarëve shkelin të drejtën e autorit në internet, me shkarkime përmbajtje online pa lejën e mbajtësit të të drejtës së autorit. Qytetarët tanë gjithnjë dhe më shumë përvetësojnë muzikë, filma, seri televizive, e-libra-audio direkt nga interneti pa lejen e mbajtësit të të drejtës së autorit. Por kjo situatë është problematike në të gjithë botën përfshirë edhe vende si Gjermania dhe Franca. Për shembull, në Greqi kjo e dhënë është rreth 66 %. Pirateria është duke njohur lulëzim sidomos në industrinë e përdorimit të programeve kompjuterike dhe softëare-ve. Kjo pirateri është duke prishur konkurrencën në treg, si dhe demtuar kompanitë e mëdha serioze në vend si Microsoft, që respektojnë të drejtën e autorit. Nga vëzhgimet tona del se kjo pirateri ndeshet në kompanitë e sigurimeve, lojrave elektronike, call centrave, spitaleve private, kompanitë celulare etj. Ndërkohë që shumë përdorues të të drejtës së autorit si hotele, restorante, kafe, bare, disko, pube, qendra biznesi, nuk kanë ndjeshmëri ndaj detyrimeve që kanë nga përdorimi për qëllime fitimi i produkteve artistike që mbrohen nga e drejta e autorit apo të drejtat e lidhura. Qëllimi i Zyrës Shqiptare të të drejtës se autorit përfshijnë natyrisht jo vetëm inspektimin dhe masat administrative ndaj shkelësve, por edhe promovimin e mjedisit kulturor dhe artistik. Mendoj, se ky qellim realizohet më mirë permes mbrojtjes të të drejtës së autorit si dhe duke ndaluar të tjeret për të shkelur këtë të drejtë.
Cilat janë dokumentet që duhet të paraqesë një autor për regjistrimin e të drejtës së autorit?
Ka një procedurë të qartë dhe transparente për regjistrimin e të drejtës së autorit i cili është elektronik dhe dokumentar i krijuar për të mbajtur të dhënat e të gjitha aplikimeve , regjistrimeve, depozitave, çertifikimeve dhe të çdo veprimi të ndërmarrë nga ZSHDA. Ligji aktual “për të drejtat e autorit” 9380 datë 28.04.2005 parashikon regjistrimin vullnetar vetëm për të drejtën e autorit, ndërsa sanksionon një sistem të detyrueshëm për kontratat me objekt “kalim të drejtash. Procedura që ndjek sektori për regjistrim-çertifikim për çdo të drejtë është:Autori, interpretues-ekzekutues: Kërkesë me shkrim, me datë dhe objekt : “Regjistrim të drejte”, Fotokopje pasaporte, Formulari i ZSHDA-së, sipas klasës i plotësuar. Deklaratë noteriale, përmbajtja e të cilës të theksoj qartazi dhe pa asnjë dyshim se deklaruesi është autori/interpretuesi/ekzekutuesi i veprës/ veprave të regjistruara. Vepra, në formë të shkruar ose e hedhur në mbajtëse zëri/ figure/ose e lexuar në mënyrë elektronike. Kontrata që ka kaluar të drejtat me subjektin prodhues/përdorues (nëse ka një kontratë të tillë), origjinale ose fotokopje e noterizuar e tri muajve të fundit.Pajisja me çertifikatë ose refuzimi i kërkesës, sipas afatit ligjor, 30 ditë. Lista e dokumentave për regjistrim-çertifikim objekt veprimtarie: Kërkesë me shkrim e subjektit për regjistrim të objektit të veprimtarisë, vendim i regjistrim në gjykatë ose në QKR, fotokopje e noterizuar e tri muajve të fundit, NIPT ose çertifikatë tatimore, fotokopje e noterizuar e tri muajve të fundit, vërtetim që nuk ekzistojnë detyrime të pashlyera tatimore. Liçencë nga KKRT (nëse është subjekt që ushtron veprimtari në fushën radiotelevizive). Fotokopje pasaporte. Pajisja me çertifikatë ose refuzimi i kërkesës, sipas afatit ligjor, 30 ditë. Lista e dokumentave për regjistrim-çertifikim i kontratës për kalim të drejtash sipas klasave: Çertifikata e të drejtës së autorit. Çertifikata e të drejtës së interpretuesit/ekzekutuesit. Çertifikata e regjistrimit të objektit të veprimtarisë. Kontrata për kalimin e të drejtës.Pajisja me çertifikatë ose refuzimi i kërkesës, sipas afatit ligjor, 30 ditë. Projektligji i cili pritet të miratohet në Kuvend në këtë fillim viti parashikon mbrojtjen e të drejtave të autorit pa formalitete, duke parashikuar po kështu edhe një system vullnetar të regjistrimit të veprave dhe kontrateve me objekt “kalim të drejtash.” Dokumentat që duhet të paraqesë një autor për regjistrimin e të drejtës së autorit janë të ekspozuara edhe në portalin e ZSHDA-së, e cila mund të konsultohet nga çdo i interesuar (ëëë.zshda.gov.al ).
Në bazë të ligjit aktual, Inspektimi është një nga funksionet më të rëndësishme të Zyrës Shqiptare për të Drejtat e Autorit si është realizuar ky proces?
Inspektimi është një nga funksionet më të rëndësishme të Zyrës Shqiptare për të Drejtat e Autorit dhe realizohet nga inspektorët e Zyrës qendrore dhe inspektorët e zyrave rajonale. Inspektorët e ZSHDA-së përgjatë punës së tyre synojnë rritjen e ndërgjegjësimit të subjekteve përdorues të veprave, objekt të pronësisë intelektuale, nëpërmjet informimit të vazhdueshëm të tyre mbi detyrimet ligjore. Gjithashtu, inspektorët monitorojë zbatimin e Ligjit Nr. 9380, datë 28.04.2005 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me të”, si dhe janë përgjegjës për marrjen e masave administrative në rast mospërmbushje të detyrimeve ligjore nga subjektet përdorues. Sigurisht për arritjen e rezultateve të pritshme në zbatim dhe përmbushje të detyrimeve që burojnë nga Ligji për të drejtat e Autorit, nevojitet funksionimi i të gjitha hallkave të institucioneve përgjegjëse për zbatimin e këtij Ligji. Ndërsa në terren janë informuar, zyrtarisht dhe drejtpërdrejtë, monitoruar e rimonitoruar, subjektet përdorues, problematika ka qenë po e njëjtë, që nga viti 2008 kur ndryshoi ligji për procedurat tatimore, ekzekutimi e vjelja e gjobave të ZSHDA–së mbeti dhe mbetet problemi kyç i zbatimit të LDA-së. Projektligji “Për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Lidhura” parashikon ndryshime të funksioneve administrative të Zyrës Shqiptare për të Drejtat e Autorit. Sipas parashikimeve të këtij projektligji inspektimi nuk do të jetë më funksion i ZSHDA-së por do të kryhet nga Inspektoriati Qendror i Tregut në Republikën e Shqipërisë. Një detyrë e re Zyrës do të jetë ushtrimi i funksionit si sekratariat teknik, në zhvillimin e procedurës së ndërmjetësimit dhe arbitrazhit për tarifat e propozuara nga Agjencite e Administrimit Kolektiv. Gjatë vitit 2012 Zyra ka ndërmarrë disa fushata inspektimi për kategori të ndryshme të përdoruesve të veprave, objekt i së drejtës së autorit dhe të drejtave të lidhura në Tiranë, Durrës, Elbasan, Pogradec, Korçë, ku përveç informimit të subjekteve në lidhje me detyrimet ligjore, inspektorët kanë vendosur masa administrative me gjobë për subjektet që në mënyrë të përsëritur nuk kanë zbatuar Ligjin Nr. 9380, datë 28.04.2005 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me të”. Subjektet e inspektuara janë: qendrat tregtare, bar-kafe, club-e, subjektet tregtare të tilla si: kompani sigurimi, institucione bankare, distributorë, pika tregtimi të programeve komjuterike, etj.
Ambasadori Amerikan Arvizu, gjatë një konference të organizuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë u shpreh i shqetësuar lidhur me mbrojtjen e të drejtave të autorit në Shqipëri?
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Arvizu shprehu ndjeshmërinë që Qeveria Amerikane dhe Presidenti Obama kanë për problemet e pronësisë intelektuale dhe të drejtave të autorit sot në botë dhe në veçanti në Shqipëri. E falënderoj shkëlqesinë e tij dhe Dhomën Amerikane të Tregtisë për organizimin e një Konference të rëndësishme për problemet e të drejtës së autorit në Shqipëri, gjatë muajit të kaluar, si dhe për mbështetjen e ofruar për zyrën tonë. Problemi i pronësisë intelektuale për SHBA-të është shumë prezent, sidomos në tregjet e mëdha si Kina, Indonezia dhe ai aziatik në përgjithësi, por ne i shohim përgjegjësitë tona në raport me biznesin amerikan dhe produkteve amerikane në Shqipëri. Ne po punojmë për të garantuar brenda një kohe të shkurtër nivel të njëjtë mbrojtjeje të të drejtave të pronësisë intelektuale me ato ekzistuese në Komunitetin Europian, si dhe garantimin e vazhdueshëm të mbrojtjes së këtyre të drejtave në përputhje me të gjitha detyrimet ndërkombëtare dhe marrëveshjet që Republika e Shqipërisë është palë. E drejta e autorit nuk shihet sot thjeshtë si një problem moral apo ekonomik, por me ndikim edhe në maredhënjet mes shteteve e qeverive, përfshirë edhe për praninë e investimeve të huaja, pasi pirateria dhe përshtatja e dy standarteve ndaj biznesit të huaj shkel konkurrencën, dëmton barazinë para ligjit si dhe sjell pasoja të besueshmërisë edhe në raportet politike mes shteteve. Mund të them se edhe unë si drejtor i ZSHDA ndaj të njëjtin shqetësim me zotin Arvizu, të cilit i kërkojmë vazhdimin e kësaj mbështetje. Gjatë këtyre 5 muajve që jam në krye të këtij institucioni bashkë me stafin tim kemi evidentuar problemet që kanë çuar në këtë kaos dhe kemi filluar punën për zgjidhjen e tyre.
Nga njëra anë qeveria shqiptare ka bërë çdo gjë që i është kërkuar nga komuniteti i krijuesve dhe institucionet dhe organizmat ndërkombëtare, përfshirë hartimin e një projektligji të ri, ngritjen e ZSHDA-së, Strategjinë Kombëtare të Mbrojtjes së Pasurisë Intelektuale 2010-2015, si dhe përfshirjen e inspektimit në punën e Inspektoratit Qendror të Tregut, ndërsa mendoj se problemet kanë ardhur nga organzima të tjerë jashtë qeverisë. Mendoj se problemi i parë ka qenë vetë ZSHDA e cila ka deshtuar në vjeljen e masave administrative, e cila ka rekomanduar në kundershtim me ligjin riliçensimin e dy agjesive të administrimit kolektiv Albautor dhe AKDE, pavarësisht se nuk kanë realizuar prej 3-4 vjetësh shpërndarjen e të ardhurave të mbledhura nga përdorimi i veprave, tek titullarët e të drejtës së autorit dhe të drejtave të lidhura. Ky manipulim i rëndë e ka bërë të paqenë vetë ZSHDA e cila në vend të përballjes me aktorët dhe faktorët që kanë krijuar këtë gjendje ka zgjedhur ambientimin me këtë situatë, ku të ardhurat e mbledhura nuk shkojnë tek autoret e mbajtësit e të drejtës së autorit, ku disa agjenci nuk prezantojnë tek përdoruesit, fondin e veprave të administruara, tarifat për përdorimin e veprave që administron, rregullat dhe listat për shpërndarjen e të ardhurave të grumbulluara, informacion për mënyrën e përdorimit të këtyre të ardhurave, kontratën me shkrim të reciprocitetit me agjensi homologe të huaja për veprat që administron etj, funksionimin e agjencive përfshirë edhe mosmbledhjen e asambleve drejtuese prej disa vitesh. Ne jemi duke ju thënë të gjithëve se jemi të hapur për bashkëpunim për zbatimin e ligjit 9380, se kjo është gjendja e krijuar dhe se jemi duke marrë këto masa. Për shembull për agjencitë e manaxhimit kolektiv Albautor dhe AKDIE prej tre muajsh është bërë propozimi në MTKRS për pezullim të liçencës deri në momentin e shpërndarjes të të ardhurave të mbledhura për përdorimin e veprave, tek titullarët e të drejtës së autorit dhe të të mbajtësve të tyre. Qëllimi im nuk është dëmtimi i këtyre agjensive, siç përjetohet herë pas here, por imponimi i zbatimit të ligjit 9380 dhe i statuteve të tyre, rritjen e transparencës së veprimtarisë së tyre financiare dhe vetë besueshmërisë dhe kredibilitetit të tyre dhe të krejt sistemit të administrimit kolektiv të së drejtës së autorit dhe i të drejtave të tjera të lidhura më të, si dhe ecjes përpara. Unë si njëri prej krijuesve të njohur të këtij vendi, jam një avokat i vendosur i mbrojtjes të të drejtave të autorit. Ne e dimë mungesën e sensibilitetit të operatorvë përdorues, refuzimin qe u bëhet inspektorëve tanë dhe atyre të agjensive të administrimit kolektiv, ne e dime qëndrimin e gjykatave ndaj kallëzimeve të bëra nga agjensitë, si dhe vetë mangesitë juridike që kanë këto kallëzime, duke përfshirë së pari mungesën e barrës së provës e cila ka shërbyer në 1000 raste si shkak për hedhjen poshtë të kallëzimeve penale, por i kemi konstatuar edhe tarifat e larta dhe shpesh të papërballueshme nga operatorët përdorues, vendosjen e tyre pa negocim, dhe nganjëherë në mënyre selektive. Nga ana tjetër nuk janë të gjitha agjensitë problematike. Ne kemi konstatuar edhe punën e mirë të agjensive të administrimit kolektiv FMA dhe AMP të cilat kanë shpërndarë rregullisht të ardhurat e grumbulluara nga përdorimi i veprave tek titullart e të drejtës së autorit dhe të drejtave të tjera të lidhura.
Mendoj se koordinimi më i mirë i punës me të gjithë aktorët dhe faktorët e orientuar drejt problemeve të të drejtave të autorit, përfshirë edhe Dhomën Amerikane të Tregtisë, USAID-in nëpërmjet projektit Rritje Albania, BE-së, Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale etj, do të çojnë në një sensibilitet më të madh të operatorëve përdorues të produkteve që mbrohen nga e drejta e autorit dhe të gjithë organizmave të tjerë.

 

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s