Kultura irracionale socio-kulturore dhe massmedia…

Nga Artur Nura

Parimisht e gjithë tradita zakonore dhe kulturore e çdo shoqërie lind si një nevojë praktike e cila përshtatet me konturet e dinjitetit njerëzor.  Ky element i fundit është ai fenomen që shquan në fakt qënien njerëzore nga të tjerat qënie jo aq inteligjente sa ajo në rruzullin tokësor. Në fakt, ajo që e largon ose afron Njeriun nga qëniet e tjera të gjalla është pikërisht përdorimi i arsyes, apo inteligjencës së tij të cilën ja ka dhënë Zoti, apo Natyra.

Në rrethana të tilla racionale padyshim janë ideuar dhe aplikuar traditat dhe zakonet e lindjes, dasmës dhe vdekjes si institucione themelore socio-kulturore nëpër të cilat kalon eksperiencën personale shumica e individëve në çdo shoqëri. Ky zhvillim në tërësinë e tij dhe në zhvillim sjell edhe bazën juridike të një shoqërie. Sa më afër të jetë baza juridike me realitetin socio-kulturor, apo me zhvillimet zakonore dhe kulturore aq më e emancipuar është shoqëria dhe më efiçent funksionimi i saj. Kjo dinamike sigurisht që shoqërohet edhe me ndryshimin, përmirësimin  e traditave dhe si rrjedhim edhe ato juridike të secilës prej shoqërive dhe sigurisht familjeve dhe individëve të tyre. Mënyra adekuate e përshtatjes së këtyre elementeve socio-kulturorë tregon edhe kapacitetin intelektual të çdo shoqërie, i cili është parimisht motori kryesor e zhvillimit, apo emancipimit të shoqërisë. Përtej kësaj, çdo shoqëri ka zhvillime specifike të cilat lidhen me emancipimin ose jo të këtyre shoqërive dhe ndaj shquhen diferenca midis sistemeve ligjore dhe kulturore të ndryshme. Për fat të keq, historia e njerëzimit ka treguar që ka shoqëri që ecin përpara dhe emancipohen, ndërsa të tjera të cilat mbeten më të prapambetura, apo edhe demonstrojnë një regres të caktuar! Në zhvillime të tilla regresive në çdo shoqëri padyshim  përgjegjësinë më të madhe do të duhej ta ketë klasa intelektuale ose keq-funksionimi i saj…

Zhvillimet dinamike në rastin shqiptar…  

Në opinionin e fundit analitik për kulturën tone irracionale ndaj Jetës dhe Vdekjes ne trajtuam mënyrën si ne shqiptaret përgjithësisht e përcjellim ndarjen nga Jeta të të dashurve tanë nëpërmjet pjesëmarrjes masive në varrime si mënyrë për të demonstruar respekt-interes për të gjallët dhe jo për ata/ato që nuk kthehen kurrë më midis nesh! Besoj se ky moment ka rëndësinë e tij specifikisht për të kuptuar se nëse një traditë zakonore tejkalon momentin racional, ose me shqip të arsyeshëm, ka nevojë për ndryshim dhe përshtatje në dimensionin dinjitoz njerëzor. Kjo traditë irracionale vazhdon edhe në ritet (zakonet) të cilat shoqërojnë pas-funeralin. Familjet hapin dyert e shtëpisë nga mëngjesi deri në darkë për shumë ditë duke ndërprerë zhvillimin normal të jetës dhe punës. Ata që vijnë të ngushëllojnë e bëjnë këtë gjë kur munden dhe duke lënë pa kryer detyrime të tjera sociale dhe familjare. Ndërsa kryejnë vizitën flitet për gjithçka, por jo për atë për të cilën parimisht janë aty! Shtrojnë dreka të ndryshme për të ndjerin duke harruar faktin themelor se ato janë ideuar si nevojë praktike kur mikut që vinte nga larg për të të ngushëlluar, duhej domosdoshmërish ti ofroje akomodim dhe ushqim. Sot në to marrin pjesë deri njerëzit të cilët janë thjesht komshinj e të tjera. Pra në teori sigurisht relative personalisht më rezulton se në rastin tonë duket qartë që Arsyeja si institucion nuk është në lartësinë dhe përdorimin e duhur! Për më tepër kur e gjithë kjo traditë zakonore që sigurisht ka ndryshuar disi së fundi dhe që teorikisht është ideuar të bëhet për të demonstruar respekt ndaj të dashurive të larguar nga kjo Jetë, ajo kryhet vetëm si respekt interesi ndaj të gjallëve! Irracionaliteti ynë vazhdon edhe më tej deri në absurditet! Mjafton të vizitoni varrezat publike dhe do shikoni foto të shumë të rinjve të cilët janë larguar nga kjo jetë në mënyrë të dhunshme (një pjese e mirë me vrasje) dhe siç njihet në gjuhën zyrtare si  pasoje “e motiveve të dobëta”! Varret e tyre shquhen për mermer me përmasa të mëdha dhe shumë të kushtueshëm! Kujdesi ndaj këtyre varrezave është tejet i madh dhe jo pa kosto financiare! Por, për tu demonstruar të arsyeshëm dhe të përgjegjshëm a nuk duhet pyetur që nëse kaq shumë para do të ishin financuar nga familjet e tyre për edukimin dhe civilizimin e tyre, a do të ishin ata akoma në këtë jetë? Nëse shteti do të investonte më shumë se për politikën e përditshme abstrakte, për kultivimin e filozofisë racionale dhe qytetare në shoqëri dhe ndaj individëve në familje, shumë prej tyre a do të ishin akoma midis nesh? Sigurisht që probabilitetet teorike  rezultojnë pozitive, por që fatin e tyre të mos e ndjekin dhe të tjerë duhet reaguar në mënyrë individuale, familjare dhe institucionale nga organizma të ndryshëm shtetëror dhe individual. Qëllimi kryesor i punës se tyre duhet të jetë ndërtimi i institucioneve të cilat ndihmojnë njëra-tjetrën për ta njohur dhe aplikuar më shumë Institucionin e Arsyes si element bazë të zhvillimeve njerëzore dhe Jetës. Roli i individëve të emancipuar dhe i Masmedias, shkollës dhe instrumenteve të Qytetarisë për ta shpërndarë tek shoqëria modelin racional është thelbësor dhe absolutisht i domosdoshëm…

Masmedia duhet të ketë më shumë vëmendje për kulturën e Jetës…

Personalisht jam i bindur që shumëkush nga njerëzit e thjeshtë që mund të më lexojë do mendojë se kjo që po them nuk është ajo që na nevojitet dhe mund ta ngatërrojë qëllimin tim edhe me politiken e ditës apo religjionet e ndryshme. Atyre mund tu përgjigjem thjeshtazi duke u thënë se qëllimi im dhe filozofia racionale që unë mbështes ka të bëjë vetëm me përdorimin e arsyes e cila duhet aplikuar në të gjitha instancat, veprimet, reagimet apo qoftë edhe votimet politike. Arsyeja të bën të jesh dinjitoz dhe nëse është e nevojshme të kundërshtosh, apo ta thuash të vërtetën edhe kur e di që tjetri s’do e pëlqejë dhe i dëshiron më shumë të gënjehet se të mësojë. Të vërtetat e arsyeshme për të cilat kemi analizuar në shkrimet e fundit u duhen thënë vetes dhe të tjerëve ashtu siç janë që të mund të ndryshojmë dhe ti japim Jetës atë që është e Saj dhe Vdekjes, aq sa i takon! Ftoj përunjësisht të gjithë kolegët e Masmedias që të mos mendojnë vetëm për shitjen e gazetave, apo ndjekjen e emisioneve televizive, por edhe të përcjellin emancipimin e duhur që është detyrim etik, profesional dhe qytetar. Besoj se ka ardhur koha që Masmedia e cila është instrumenti më divulgativ i mundshëm nuk duhet vetëm të mbush faqet e para, edicionet informative me kronikën e zezë, por edhe të zbardhë “faqen e shoqërisë” duke u dhënë më shumë hapësirë atyre që punojnë (pa rënë shumë në sy) çdo ditë për Jetën në spitale, shkolla, rrugë, skena dhe familje. Atyre që qoftë edhe në mënyrë modeste arrijnë të mbjellin bazat e një shoqërie racionale dhe qytetare. Besoj se duhet që të mos flasim dhe pasqyrojmë vetëm atë që duan të dëgjojnë dhe shohin shumica sot, por të zbërthejmë dhe promovojnë vlera racionale të cilat nesër padyshim do i ndajmë në shumicë në një shoqëri më të emancipuar edhe pse sot kjo mund të kuptohet me vështirësi.

 

Advertisements
nga moderatori Postuar te Ballkan

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s