Ligji i ri për mediat audiovizive në Shqipëri

mikrofonat-mediaShqipëria, në prag të miratimit të ligjit të ri për mediat audiovizive dhe aplikimit të strategjisë sipas direktivës së BE-së: Kalimi në 2015-ën në gjithë Ballkanin Perëndimor, nga transmetimet kabllore në ato digjitale. Janë 137 nene në projektligjin e ri të mediave audiovizive dhe kalimin nga transmetimet kabllore në ato digjitale, që priten të miratohen në javët e para të vitit 2013. Palët kanë rënë tanimë dakord. Kryetarja e komisionit parlamentar për mediat dhe edukimin, Valentina Leskaj, thotë për DW se ligji i ri është hartuar me asistencë teknike nga BE, Këshilli i Evropës dhe OSBE-ja dhe është në linjë me standardet e BE-së në këtë fushë. “Është një projektligj që integron dy ligje ekzistuese: atë për mediat audiovizive dhe ligjin për transmetimet digjitale. Gjithashtu, në ligjin e ri pasqyrohen avancimi i teknologjisë si edhe direktivat e BE-së dhe të Këshillit të Evropës”,- thotë znj. Leskaj.

Konsensus mes palëve për një media të pavarur dhe të lirë

Projektligji i ri rregullon me konsensus mes palëve mënyrën e organizimit të medias audiovizive, entet rregullatore mediatike, Këshillin Kombëtar të Radio Televizioneve dhe Entin Rregullator për Mediat në Shqipëri. Në thelb të tyre është përzgjedhja e anëtarëve të këtyre dy enteve. “Përbërja e bordeve të KKRT-së dhe Entit Rregullator të Mediave ka një ndikim të madh në pavarësinë e dy institucioneve që aktualisht kanë probleme të mëdha me pavarësinë dhe lirinë e mediave. Mënyra se si operon sot KKRT-ja për procesin e dhënies së liçensave apo heqjen e tyre, në rast shkeljesh e monitorimit për të drejtat e njeriut, e reklamave, mendoj se është klienteliste”,- mendon znj. Leskaj.

Gjuha e shifrave

Raportet e hartuara nga Këshilli Kombëtar i Radio Televizioneve për kohën televizive që i jepet nga operatori publik RTSH-ja tregojnë se në vitin 2011 mazhoranca parlamentare ka marrë 85 , opozita 5% dhe 10 për qind të tjerët. Këto shifra , thonë raportet janë një përkeqësim nga viti 2008 kur 70% të kohës televizive e kishte mazhoranca dhe 30% opozita. Ndërkohë, në vitin 2004 kur mazhoaranca e sotme ishte në opozitë ajo kishte 48% të kohës televizive kurse mazhoranca e majtë, e atëhershme kishte 52%.

A e ndryshon situatën një ligji i ri konsensual?

Përfaqësuesit e mazhorancës dhe ata të opozitës kanë arritur konsensus që ligji i ri të sanksionojë përbërjen e KKRT-së me përfaqësues nga shoqëria civile. A mund ta ndryshojë situatën automatikisht ky konsensus? “Jo, nuk e ndryshon. Shqipëria vuan nga moszbatimi i ligjeve dhe jo nga mungesa e tyre. Shqipëria ka ligje shumë të mira por nuk i zbaton ato. Edhe ligji aktual thotë që KKRT dhe Këshilli Drejtues i RTV duhet të jenë të paanshme”, thotë Valentina Leskaj. Ajo thekson se pavarësia e të vetmit operator audioviziv në Shqipëri, RTSH, është e lidhur me financimin e tij. Fondet që qeveria vë në dispozicion janë shumë larg kërkesave të projektligjit, në buxhetin e sapomiratuar të shtetit për vitin 2013.

Fondet për digjitalizimin deri në vitin 2015

Operatori publik, RTSH, ka marrë prej tre dy frekuenca të transmetimeve digjitale. Por pa fonde nga qeveria, ato nuk mund të fillojnë nga aktiviteti dhe, në përgjithësi, mungesa e fondeve rrezikon digjitalizimin e gjithë transmetimeve audiovizive në nivel kombëtar deri në vitin 2015. Kalimi nga transmetimet kabllore në ato digjitale, nuk mund të ndodhë me një të shkelur butoni, thotë Valentina Leskaj. Ky proces do kohë. Së pari, bëhej pilotimi dhe pastaj kalohet rajon pas rajoni në gjithë vendin. Dhe ky proces ka një kosto financiare që përbëhet nga financimi i shtetit dhe taksat e qytetarëve”,- sqaron ajo.

Ligji i ri u pret rrugën monopoleve

Liçensimi për operatorët audiovizivë digjitalë në ligjin e ri i mbetet KKRT dhe jo subjekteve private. Leskaj: “Në bazë të këtij vendimi konsensual liçensimi jepet nga KKRT, që mbetet një ent rregullator i pavarur. Shqipëria është ende një vend me demokraci të brishtë. Nëse liçensimin e merr një kompani private, kjo do të bëhej në një kohë kur sektori privat nuk është i zhvilluar në standarde. Kjo krijon riskun e monopoleve. Kjo do të cenonte aksesin për ata që nuk kanë fuqi ekonomike.”

Ligje dhe reforma të qëndrueshme

Më tepër se miratim i këtij ligji, thelbësore është zbatim i tij. Në Shqipëri, në vitet e fundit ka ligje si ai për sistemin fiskal apo për arsimin e lartë që kanë ndryshuar gjashtë deri në shtatë herë. Kjo për Kryetaren e Komisionit Parlamentar për Mediat, Arsimin dhe Mjetet e Informimit publik është tregues i paqëndrueshmërisë së reformave dhe hartimit të ligjeve pa bërë vlerësimin e nevojave që ka vendi. Për rëndësinë që i jep BE-ja bazës ligjore për mediat audiovizive dhe transmetimet digjitale në ndërtimin e një demokracie funksionale në Shqipëri, si kusht për progres në procesin e integrimit europian, flet edhe një konferencë që BE-ja e organizon në mes të janarit në Tiranë, në vijim të konferencës “Speak up” të organizuar vitin e kaluar në Bruksel.

 

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s