Mijëra njerëz në këtë vend marrin bukën dhe ushqimet me listë

y-rakipiI penduari i medias komenton sot gjendjen socialekonomike të Shqipërisë / Një bisedë me Ylli Rakipin për median, politikën dhe pazaret e secilës, kompromiset që ai vetë ka bërë dje…

Ngjitemi në katin e fundit të një pallati pranë Stadiumit “Dinamo”. Aty ndodhet shtëpia e ish-komentatorit politik dhe botuesit të gazetës “Albania”, gazetë që sot nuk ekziston më. Banesa është luksoze, muret me tablo. Dy gjela në “dyluftim” janë varur mbi oxhak. Është një pikturë e Sali Shijakut. Shtëpia është në pritje të festave, e tregon pema e zbukuruar që përcjell atmosferë të ngrohtë. Zotëria, në të dyja duart kalon vazhdimisht dy cigare, por nuk janë nga ato të vërtetat, janë cigare false të cilave u merr vetëm nikotinën. Gjë që tregon se ky burrë babaxhan ka vendosur të lërë cigaren, por me sa duket ka krijuar varësi ndaj saj. Në “Shekullin e Fundjavës” kemi ftuar një “ish” të medias, komentator politik, botues, këshilltar i medias në një nga qeveritë “Berisha”, Ylli Rakipi. Me të filluar bisedën ai i lë “cigaret” mënjanë dhe tregon për gazetën e mbyllur, miqësinë me Berishën, problemet e shtypit dhe gjithçka mbi aktualitetin dhe hallet e sotme të shoqërisë sonë.
Gjatë gjithë rrëfimit kthehet pas në kohë. Kalon me ne disa foto të vjetra që i ka nxjerrë nga sirtarët dhe batutat nuk i mungojnë. “Kemi kaluar shumë ne”, thotë, “jemi kockë e fortë”… Ndërsa në dorë kalon disa foto të vjetra ku shfaqet Sali Berisha, Aleksandër Meksi, Mero Baze… Sapo përfundon bisedën me ne vishet me nxitim. I vjen vajza nga Londra, pika e tij e dobët, dhe i duhet të shkojë në aeroport ta presë. Ky është një rrëfim alla Ylli Rakipi!

Zoti Rakipi, pyetja e parë është: Ku jeni? Si është jeta pa gazetën? 

Sigurisht është një mungesë e madhe. Është… si të të mungojë një gjymtyrë. Gazeta është si një gjë e gjallë. Ajo nuk përbëhet vetëm nga njerëzit që kanë punuar apo punojnë aty. Ndonjëherë duke shfletuar faqet e gazetës ndiej të zgjohet brenda meje koha, dita kur ajo është bërë, njerëzit që e kanë bërë, por edhe njerëzit që lëvizin brenda saj. Në këto çaste, ajo vjen dhe bëhet siç thotë një poet “më e nevojshme se mungesa”.

Nxorët një mësim nga përvoja juaj si botues gazete?

Shumë. Ekzistenca dhe rritja e saj ditë pas dite, më mësoi mua të kuptoj se shtypi ishte vërtet një pushtet i rëndësishëm në shoqërinë e re. Më mësoi të kuptoj që kur ekzekutohej keq, sillte vetëm probleme dhe ishte një gjë krejt pa vlerë. Dhe raste të tilla nuk kanë qenë pak. Gjithsesi mendoj që shtypi është ai që ka ecur më mirë se çdo gjë në këto 20-vjet në Shqipëri. I ka shërbyer më mirë kësaj shoqërie. Shqipëria ka sot probleme të panumërta. Probleme të rëndësishme me ndërtimin e shtetit të së drejtës, probleme me korrupsionin etj. Dhe në të gjithë këtë problematikë shtypi ka denoncuar të keqen, ka qene më së shumti një avokat i njerëzve.

Përveç të mirave, cili është problemi më i madh i shtypit sot?

I pashërueshëm mbetet problemi i varësisë. Ndoshta background-i ynë është i tillë që na limiton së tepërmi. Ja për shembull, në vitet ’90, menduam se nisëm një shtyp ndryshe, një shtyp të ri, por nuk është tamam kështu. Ne menduam se rrëzuam dikë dhe erdhëm ne. Jo me idenë e qartë se ndryshuam sistemet. Sot pas 20 vjetësh është evidente një politikë klanore mes politikës dhe medias.

Mund t’i shpëtojë një botues bashkëpunimit me politikën?

Jo! Deri tani nuk ka ndodhur dhe për këtë ka një marrëveshje të të dy palëve, politikës dhe medias. Le të marrim si fillim Televizionin Publik. Politika e ka pronësuar këtë institucion edhe pse ajo është pronësi e taksapaguesit shqiptar. Dhe nuk është vetëm shërbëtor i politikës, por dhe qesharak. Ky televizion ka dy kanale dhe transmeton të njëjtin program. E mora rastin e televizionit publik për të thënë se sa serioze dhe e interesuar është politika, në rastin konkret qeveria, për t’i dhënë hapësirë medias publike. Qesharake! Sidoqoftë problemi më i rëndësishëm është raporti mes medias private dhe politikës. Është një raport totalisht në dëm të publikut të gjerë. Pjesa dërrmuese e botuesve është nën influencën e trafikut të influencave me qeverinë.

Nga ana tjetër kemi një shpërthim të gazetave para fushatës. A i duhen vërtetë politikës ato?

Jo vetëm gazetat. Këto ditë kanë shpërthyer edhe ethet e televizioneve të rinj, që do të merren me marketing politik. Ideja e gabuar se është media që do t’i japë politikës vota, është totalisht korruptive dhe shkatërruese. Dhe në këtë gjë, jo pak faj kanë edhe botuesit.

Ju gjatë kohës që keni drejtuar një media dhe keni qenë botuesi i saj, keni qenë i varur nga politika dhe në momente të caktuara keni bërë kompromise.

Sigurisht që kam qenë i varur. Nuk dua të justifikohem, por në vitet ‘90 media dhe politika ishin gati një. Ishim, si të thuash, si vëllezërit siamezë. Shtypi i majtë ishte i ndarë gati me thikë me shtypin e djathtë. Në fillim unë kam punuar në një gazetë të djathtë, gazeta “Republika” si kryeredaktor. Gazeta ime “Albania” ishte gazetë totalisht djathtas. Gjithsesi nuk mund të themi që shtypi nuk ka pësuar një ndryshim. Sot kemi një të ashtuquajtur pavarësi të botuesve, por jo të mediave që ata bëjnë. Me këtë dua të them që media sot është një armë në duart e botuesve për trafik influencash. Dhe politika duke e ditur këtë, luan me botuesit si macja me miun.

Nëse do të hapnit një gazetë tani, çfarë do të bënit ndryshe?

Shkurt dhe qartë nuk do ta hapja.

Pse?

Sepse vendet janë zënë, pozicionet janë marrë. Në fund të fundit sepse media nuk mund të ekzistojë pa klane, siç e shihni. Si në asnjë vend tjetër në botë këtu ka media edhe me emra të tillë. Këtu të gjithë bërtasin për lirinë, por nuk kanë asnjë lidhje me pavarësinë.

Pse shtiren atëherë?

Sepse nuk e pranojnë sistemin. Ne jemi një vend dhe shoqëri që pretendojmë se po bëjmë demokraci. Por ne kemi 22 vjet që nuk e pranojmë si sistem. Ne kemi 22 vjet që flasim për tregun e lirë, por ne nuk pranojmë garën. Besoj që 22 vjet pas komunizmit e vetmja gjë që është ndërtuar me shpejtësi të jashtëzakonshme është pasuria e politikanëve. E ç’lidhje mund të kemi ne me këtë sistem kur biznesi më i mirë për t’u pasuruar është politika?! A e keni vënë re se, që njeriu të punësohet në administratën publike duhet të jetë patjetër anëtar i një partie të maxhorancës? Ndoshta sivjet edhe këngëtarët për në festival do t’i zgjedhin partitë. Shikoni universitetet private! Shumë më poshtë se universitetet e Hoxhës. Sot ne kemi ndërruar Eqrem Çabej me Metin e Kristalit. Apo jo?! Këtu kryetarët e partive janë pronarë, si ndërmarrje ekonomike. Ata mund të largohen prej tyre vetëm kur të vdesin.

Jeni frekuentues i korridoreve të politikës, ju zoti Rakipi. Keni qenë mik i Berishës, si u ndatë me të?

Në fakt unë nuk është se jam ndarë me Berishën në kuptimin klasik të fjalës ndarje. Nuk ka pasur arsye të rëndësishme. Shumë njerëz që janë ndarë më Berishën sot nuk dinë ta thonë saktësisht se çfarë ka ndodhur. Edhe vetë Berishën po ta pyesësh nuk ka ndonjë qartësi të madhe rreth ndarjeve. Por kështu është në politikë. Berisha është njeriu që e ka zotëruar politikën shqiptare për 20 vjet, si të thuash, kur i është dashur, e ka tërhequr edhe zvarrë.

Ju çfarë keni humbur nga prishja e marrëdhënieve me Berishën?

Ndoshta vendin që ka tani Sandër Frangaj, atë të zëvendëskryeministrit (qesh). Çfarë kam humbur!? Besoj jo ndonjë gjë të rëndësishme. Ndoshta tani e takoj rrallë, fare rrallë, por këtë e kompenson fakti që Saliun e shikoj ditë-natë në të gjitha televizionet.

A ka ndryshuar Berisha gjatë viteve?

Vetëm në moshë. Kur u kthye në pushtet në 2005-n, disa nga kolegët e mi thoshin se Berisha ka ndryshuar. Partizanë të kësaj ideje ishin kolegët e mi të “Klanit”. Në të vërtetë ata thoshin se Berisha ka ndryshuar sepse ishin në hall. Ngaqë po ndryshonin vetë, po vinin te Berisha, donin të thoshin ka ndryshuar Berisha jo ne. Në fakt ishte e kundërta.

Keni përfituar financiarisht nga miqësia me të?

Po i ngatërroni gjërat. Unë kam qenë mik me Berishën e parë, me Berishën që po të blije një celular 300$, të vështronte me dyshim. Tani thonë që është një Berishë tjetër të cilin unë nuk e kam njohur…

Në ç’gjendje ju duket niveli jetik në vend?

Ç’të të them. Jetesa e brezit tim këtu është një nevojë. Vështirë të përshtatesh në një vend tjetër. Për shkak të fëmijëve shkoj dhe rri shpesh jashtë, por mezi pres të kthehem këtu, në vendin tonë të lodhur, qesharak, por dhe të rëndësishëm. Kjo sipas rëndësisë që ne kemi.

Si një njohës i mirë i përditshmërisë politike, çfarë po ndodh?

Qeveria thotë që jemi shumë mirë, pas Gjermanisë, por ne fakt mijëra njerëz marrin bukën dhe ushqimet me listë. Mendoj që ka një piramidalizim të jetës ekonomike, sociale, arsimore, kulturore… 22-vjet pas rënies së komunizmit në Shqipëri gjërat nuk duken mirë. Nga ana tjetër duket se opozita është e vakët. Aksioni i saj politik është i paqartë.

I paqartë apo i paaftë? Parashikoni rotacion politik më 2013-n?

Nuk e di. Ne një vend ku votat nuk numërohen nuk mund të thuash çfarë do të ndodhë.

Berisha nuk mund të largohet nga pushteti duke e luftuar me armët e tij. Ai ka 20-vjet që e bën këtë gjë dhe nuk ka zot ta largojë më armët e tij. Zgjedhjet e referendumit të 1994-ës ishin zgjedhjet e fundit të lira dhe të ndershme në Shqipëri.

Pra, po vini te një këshillë për kreun e opozitës?

Nuk e di cili nga politikanët shqiptarë dëgjon këshilla. Por në fund të fundit do t’i thosha që pushteti nuk merret për vete se nuk ka ç’të duhet.

Ka shanse të fitojë opozita më 2013-n?

Sigurisht, qeveria është mjaft e konsumuar. Berisha vetë në mënyrë të pakuptueshme përveç problemeve të mëdha të konsumimit i jep kundërshtarit edhe një shans që di ta japë vetëm Berisha. Kabinet ministror të mykur që kanë nga tetë vjet në karrige. A thua vallë Shqipëria ka vetëm këta dhjetë njerëz!

Zoti Rakipi, nga ana tjetër, drejtësia nuk po shfaqet gjëkundi, dhe kjo po duket kohët e fundit, sidomos me viktimat e Gërdecit. Si e shihni këtë sistem drejtësie?

Rasti që ju citoni është në fokus për shkak të përmasave të tragjedisë së Gërdecit. Jetën tonë të përditshme e përbëjnë qindra raste të tilla ku drejtësia nuk është dhe nuk sillet si e tillë. Ku drejtësia nuk ekziston. Nëse ne kemi institucione që janë vrarë, i pari është ai i drejtësisë. Gjykatat janë kthyer në fole pazaresh nga më të çuditshmet. Duke mos funksionuar drejtësia, ligjin ka filluar ta bëjë rruga e kanuni.

Megjithatë, pjesa më e madhe e shoqërisë shqiptare përpiqet të jetojë jashtë këtij rrethi vicioz që sapo përshkruam. Njerëzit jetojnë me hallet dhe shqetësimet e tyre. Por edhe deformimet janë të dukshme. Shpesh njeriu shqiptar vrapon çmendurisht pas anormalitetit. Nuk vrapon pas protestës së mungesës së gjërave jetike, por pas mitingjeve të politikës.

Cila është përditshmëria juaj?

Unë nuk kam një përditshmëri klasike. Jetoj me miq, shokë, udhëtoj shpesh me familjen time, lexoj. Sot mund të më gjesh duke lexuar një libër, nesër duke parë një ndeshje të Interit në Milano. Gjithsesi i lexoj shumë pak gazetat.

Nuk ndjehesh keq me këtë gjë?

Jo, përkundrazi…

Ju jeni baba i dy fëmijëve, për çfarë studiojnë ata?

Djali për Biznes dhe vajza për Ligj.

Si i ke marrëdhëniet me fëmijët?

Sa vjen dhe më pëlqen të rri më shumë me ta, natyrisht kur kanë kohë. Kanë temperamente të ndryshme. Djali pak dembel, vajza me e përpiktë seç duhet, por të dy janë njëlloj…

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s