Fahri Balliu: Botimet mbeten

Sot ndjehem më i fuqishëm dhe më i rëndësishëm

f-balliuAi është personazhi mediatik që është përplasur plot 136 herë me padi gjyqësore. Ndoshta sepse për mediat vazhdon të jetë pushteti i katërt. Në 15-vjetorin e gazetës “55”, themeluesi Fahri Balliu rrëfen se si pas kaq kohësh në treg ai ndjehet më i fuqishëm dhe më i rëndësishëm në tregun mediatik dhe jo vetëm.

Është përvjetori i 15-të i gazetës ‘55’. Si botues dhe themelues, si ju gjen ky 15-vjetor?

Janë tri institucione që në fakt kanë rritur njëri-tjetrin. E para ishte gazeta ‘55’ që u pasua nga Shtëpia botuese ‘55’ dhe libri solli nevojën e diskutimit më të gjerë të tij nëpërmjet Institutit të Kërkimeve Politike, Alcide De Gasperi. Misioni që ne kemi me këto tri sipërmarrje ngrihet mbi katër shtylla kryesore: mbrojtjen e Shqipërisë natyrale dhe të një shteti shqiptar dinjitoz. Antikomunizmi dhe zbulimi i dramës dhe krimeve të asaj periudhe 50-vjeçare dhe kjo shoqërohet me mbështetjen që i japin asaj force politike që e shembi komunizmin dhe lidershipit që projektoi reformat antikomuniste. E treta, është qëndrimi proamerikan ose më saktë euroatlantik për të përcjellë mesazhin se ky vend i përket Perëndimit, dhe e katërta është evokimi paraosman dhe bashkëjetesa fetare.

Ia keni dalë në këtë mision?

Sigurisht, sepse gazeta çdo ditë përcjell këtë frymë, botimet gjithashtu. Sot që flasim, ne botojmë 1 libër në dhjetë ditë, duke u bërë Shtëpia botuese më e madhe në Ballkan. Instituti, gjithashtu zhvillon konferenca me tematika që ngrihen mbi këto katër shtylla, në dy gjuhë, shqip dhe italisht.

15 vjet në treg jeni rritur, pjekur apo plakur?

Në këto 15 vjet, gjëja më e vështirë që mund të bësh në një vend si i yni është të ngresh një gazetë të djathtë. Në të gjithë botën raporti i gazetave është i tillë; një i shërben ideve të djathta dhe pesë ideve të majta. Të majtat janë më shumë, sepse baza e së majtës është punëtori, fshatari, minatori, pra është populizmi dhe i duhet të propagandojë që t’i bëjë ata për vete, prandaj gazetat e majta kanë tirazh më të lartë. Ndërsa gazetat e djathta kanë elitaritet. Ato i drejtohen personit që në komunitetin që jeton është më i rëndësishmi dhe i vlefshmi, i drejtohen elitës që është pakicë. Prandaj është e vështirë të bësh një gazetë të djathtë. Në Shqipëri një gjë e tillë është gati sakrificë, kjo jo vetëm për shkak të qasjes së përgjithshme, por edhe për shkak të 50 vjetëve izolim dhe traumës që ka pësuar e djathta në Shqipëri gjatë atyre të diktaturës. E djathta ka filluar të rimëkëmbet këto 20 vjet, ku sërish mori një goditje të rëndë, siç qe ajo e vitit 1997. Pas 15 vjetësh ne ndjehemi më të fuqishëm, më të rëndësishëm dhe jemi të shpërblyer në mënyrë të shkëlqyer nga opinioni elitar i brendshëm dhe i jashtëm. Jemi vlerësuar nga personalitete të rëndësishme brenda dhe institucione kombëtare e ndërkombëtare.

Po për sa i përket Shtëpisë botuese “55”, çfarë keni arritur?

Botimet i kam drejtuar në një linjë kryesore: nuk do të bëj kurrë botime për interes biznesi. Ky është parimi kryesor në mënyrë që të mos bjerë cilësia. Shtëpia botuese “55” ngriti një standard, e ka ngritur stekën e cilësisë në tregun e botimeve të librave. Kjo reflektohet si tek titujt, ashtu dhe autorët që kemi sjellë në tregun e librit shqip. Misioni i kësaj Shtëpie botuese është që të sjellë librat me gjithë filozofinë e kësaj fjale. Kemi sjellë në këto 15 vjet një prej penave më të njohura të publicistikës italiane, Indo Montanelli në Shqipërinë e viteve ‘30-të, fuqinë e Oriana Falaçit; kemi sjellë gjithashtu kujtimet e dëshmitarit të krimeve të komunizmit, At Zef Pllumit. Historiani i njohur anglez, Simon Sebag Montefiore është pjesë e vlerësuar e botimeve “55”; librat e Papa Benediktit XVI kanë folur shqip përmes botimeve “55”. Një kolanë e rëndësishme janë dhe librat biografikë të emrave më të njohur të politikës botërore, si Xhorxh Bush, Toni Bler, Donald Rumssfeld, Kati Morton, Dick Cheney etj.

Çfarë vështirësish keni pasur këto 15 vjet?

Vështirësi financiare që janë shfaqur sidomos këto 2-3 vjet. Por te gazeta për 15 vjet kam pasur 136 padi gjyqësore dhe 85 ishin vetëm nga Vlora, se gazeta bëri hetimin e ngjarjeve të vitit 1997. Pra, gazeta “55” është futur në zjarrin e përditshëm të politikës dhe konfliktit politik.

Sa gjyqe keni humbur?

Kam humbur vetëm një, për 50 000 lekë, dhe i kam fituar që të gjitha të tjerat.

Ku ndryshojnë njëra nga tjetra në misionin e tyre?

Gazeta “55” ka një karakter të veçantë krahasuar me gazetat e tjera. Përveçse është informative, ajo sjell dhe arkivin përmes dosierit, mesazhet historike aktuale, analizë. Gazeta përpiqet të mbështesë qoftë me temat aktuale, qoftë me ato të shkuara, rrugën perëndimore të qytetërimit perëndimor të shqiptarëve. Libri përpiqet t’i shërbejë opinionit dhe formimit kulturor shqiptar. Brenda filozofisë së gazetës vepron edhe Shtëpia botuese. Ndërsa Instituti organizon konferenca mbi këto tema, ku një prej tyre ka qenë dhe për Ibrahim Rugovën.

Gazeta ‘55’ kremton 15-vjetorin

Gazeta ‘55’ kremtoi dje 15-vjetorin e krijimit. Në jubileun e saj ishin të pranishëm Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, kryeministri Sali Berisha, kryeparlamentarja Jozefina Topalli, ambasadori i SHBA-së, Aleksandër Arvizu, Nunci Apostolik, ministra të kabinetit qeveritar, kryetari i Bashkisë, Lulëzim Basha, si dhe personalitete të fushave të ndryshme. Një ceremoni festive së cilës nuk i munguan as miqtë gazetarë, bashkëpunëtorë dhe lexues të saj. Pritja me këtë rast u zhvillua në “Hotel Tirana”, ku ishin mbledhur më shumë se 200 të ftuar, të cilët jo rrallëherë kanë qenë protagonistë në faqet e kësaj gazete. Në 15 vjet të jetës politike në vend një rol të veçantë ka luajtur në tregun mediatik dhe kjo gazetë e deklaruar e djathtë edhe nga vetë botuesi Fahri Balliu në këtë përvjetor të saj. Një gazetë, që sipas tij, i drejtohet elitës së politikës dhe mendimit. Një gazetë që guxoi të thoshte të vërtetat dhe të hetonte ngjarje të rëndësishme për historinë e vendit, një gazetë që u përball me presionin, por që mbijetoi dhe që sot pas 15 vjetësh ndjehet më e fuqishme, më e rëndësishme në raport me opinionin publik.

 

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s