100 vite pavaresi, botohet koleksioni i gazetave

TIRANË- 100-vjetori i Pavarësisë dhe i krijimit të shtetit të pavarur shqiptar, përveçse një rast për të festuar, është edhe një rast për të reflektuar. Instituti Shqiptar i Medias, ka bërë me këtë rast një botim special me faqet e para të gazetave shqiptare në një shekull pavarësi. “100 vitet, në harkun kohor 1912 – 2012, janë padyshim vitet e një progresi të madh dhe të një mbijetese të vështirë, të luftërave heroike dhe vonesave të pakuptimta, të dramave europiane dhe skeçeve ballkanike”, shkruhet në parathënien e këtij libri-album. I promovuar dje pranë zyrave të Institutit të Medias, përveç drejtuesve të këtij të fundit, në takim morën pjesë opinionisti Andrea Stefani, diplomati Shaban Murati, redaktorë, kryeredaktorë e gazetarë, e po ashtu edhe pedagogë të Gazetarisë. Në kuadër të diskutimeve mes të pranishmëve, u tha se 100 vitet, që nga 1912-ta, janë të mbushura me ngjarje, të mëdha e të vogla, të cilat kanë ndikuar në historinë e shtetit dhe të popullit shqiptar. Në parathënien e botimit të 100 faqeve të para të gazetave në 100 vite, vihet re se këto ngjarje, padyshim, gjenden në tekstet e shkollave, në dokumentet e arkivave, në sirtarët e kancelarive. Sigurisht, madje para së gjithash, ato gjen-den në faqet e gazetave, brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Mediat
Titujt e mediave janë të shumtë, ashtu sikundër edhe llojet, gazeta e revista, të përjavshme e të përmuajshme, të lira e të varura, në demokraci, nën diktaturë, por edhe nën monarki, jashtë dhe brenda Shqipërisë. Gazeta e parë pjesë e albumit është “Zër’i i popullit”, dalë më 17 dhjetor 1912, në Nju Jork, me botues Kristo Floqin, për të vijuar më tej me “Atdheun”, botuar në Kostancë më 22 dhjetor. Përpos tyre, 24 gushti i vitit 1913 ka gjetur të botuar në Vlorë gazetën “Përlindj’ e Shqipnies”, ndërsa 1 marsi i 1914-ës, “Ushtimin e Krujës”, me drejtues atdhetarin Josif Bager, që lajmëron ardhjen e Princ Vidit. Më tej, po përmendim titujt e disa prej gazetave të botuara ndër vite, “Përparimi” 1919; “Populli” 1920; “Besa Shqyptare” 1920; është vënë edhe Fletorja Zyrtare e vitit 1922; gazeta “Koha” e Korçës e vitit 1920; “Posta e Korçës” 1921; “Shkumini” 1921; “Dit’e re” e majit të 1922-it; “Tirana” e qershorit të vitit 1924 që lajmëron fillimin e Revolucionit të Qershorit; “Shqipëtari i Amerikës” e qershorit 1924; “Skënderbeu” e vitit 1925 që lajmëron se Zogu u zgjodh president; “Kombi shqiptar” viti 1928, Zogu shpallet mbret; revista “Neo-shqiptarisma” e Branko Merxhanit e vitit 1930; “Besa” 1932; “Vullnetari i lirisë” 1937; “Tomori” 1940, dedikuar vdekjes së Gjergj Fishtës; dhe gazetat “Bashki”, “Drita” e “Zëri i Popullit”, që botohen për një kohë të gjatë. E veçanta e këtij albumi ka të bëjë me “Gazeta Shqiptare”, që shfaqet në kohë të ndryshme. Në këtë botim, vjen me numrin e saj të 84-rt, më 9 prill 1939. Në të lajmërohet se “Trupat italjane hynë në Tiranë” dhe pasqyrohet edhe ardhja me aeroplan e Kontit Çiano, midis manifestimeve popullore për Duçen dhe Italinë fashiste. Në këtë numër lajmërohet se “Shkodra me Elbasanin u pushtuan, ndërsa flamuri italian u vu mbi kështjellin e Krujës”. Numri tjetër i “GSH” i takon 30 marsit të vitit 1994, e lajmet kryesore janë: ndalimi i një ilaçi të dëmshëm dhe përgjigjja e “të akuzuarit” Fatos Nano. “GSH” rikthehet edhe me numrin e datës 30 qershor 1995, me kryetitullin “Strasburgu duartroket: Shqipëria në Europë. Arbnori firmos 9 amendamente, bllokohet dënimi me vdekje”. Më tej lajmet kanë të bëjnë me kompetencat e SHIK-ut dhe ngjarje të ditës. Numri i katërt dhe i fundit i “GSH” i takon 22 janarit të vitit 2011, një ditë pas ngjarjes së rëndë në të cilën protestuesit u qëlluan në shesh. Titulli kryesor është “Vrasje nga kryeministria. Bilanci, 3 të vdekur dhe 60 të plagosur. Shteti në alarm”. Duket se ky numër i dedikohet më së shumti ngjarjes së rëndë. Botimi pasqyron mediat e pas ‘90-ës, me pavarësinë e anësinë, gazeta që janë e nuk janë më.
Botimi
Ky botim është një koleksion i përzgjedhur i faqeve të para të gazetave shqiptare që nga Pavarësia deri më sot, që pasqyrojnë ngjarjet kryesore historike gjatë 100 viteve. Shpallja e Pavarësisë, Kongresi i Lushnjës, Revolucioni i Qershorit, vendosja e Monarkisë, pushtimi fashist, krijimi i Partisë Komuniste, Çlirimi i Shqipërisë, shpallja e Republikës, gjyqi i deputetëve, bomba në Ambasadën Sovjetike, prishja me Moskën, Letra e Hapur, vizita e Çu En Lait, dalja nga Traktati i Varshavës, prishja me Kinën, vetëvrasja e Mehmet Shehut, vdekja e Enver Hoxhës, ngjarjet e Ambasadave në korrik 1990, demonstratat e studentëve në 1990-ën, shpallja e Pluralizmit Politik, botimi i gazetës së parë opozitare, rrëzimi i statujës së Enver Hoxhës, vizita e James Bakerit, ngjarjet e 1997-ës, ngjarjet e shtatorit 1998, Lufta e Kosovës, sulmi terrorist i 11 shtatorit në SHBA, vizita e presidentit Bush, shpallja e Pavarësisë së Kosovës, anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, ngjarjet e 21 janarit 2011 dhe rekomandimi i BE-së për dhënien e statusit të vendit kandidat për në BE janë disa nga ngjarjet që ky botim i sjell nëpërmjet faqeve të para të disa gazetave shqiptare. 

Ndonëse Shqipëria, për arsye që dihen, nuk ka pasur një shtyp të zhvilluar si ai i vendeve të tjera, gazetat dhe revistat e botuara te ne, janë gjithsesi një pasqyrë besnike e historike. Jo vetëm shtypi i viteve ‘30-të apo shtypi i sotëm pluralist, por edhe shtypi i kontrolluar komunist gjatë diktaturës së Enver Hoxhës, me shabllonet propagandistike dhe heshtjen e tij, është padyshim dëshmitar i asaj periudhe.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s