Arvizu: E drejta e autorit në Shqipëri si faturat e CEZ, gjysma e popullsisë nuk paguan

a-arvizuPirateria në pronësinë intelektuale në Shqipëri nga vit në vit nuk po njeh reduktim të përmasave, dhe po gllabëron miliona duke e vënë vendin tonë një prej vende më të rrezikuara sa i takon mosrespektimit të së drejtës së autorit. Në konferencën “Mbrojtja e pronësisë intelektuale/Përafrimi me legjislacionin e BE/Sfidat” u pohua se situata aktuale në Shqipëri tregon se patenta e një produkti në Shqipëri mund të vidhet dhe ai që e përvetëson nuk ndëshkohet nga shteti, duke treguar një panoramë të mjerueshme në mbrojtjen e të drejtave të autorit.

Përballë kësaj situate në vendin tonë ku pirateria është në nivele shqetësuese, biznesi i Dhomës Amerikane të Tregtisë kërkon nga qeveria shqiptare mbështetje me ligj në mbrojtje të së drejtës së pronësisë intelektuale. Nga ana tjetër zhvillimi ekonomik dhe integrimi në Bashkimin Europian ka kërkesë zbatimin e këtij kushti. Të pranishëm në konferencë ishin dhe ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu, ambasadori i BE-së në Tiranë Etore Sequi, ministri i Ekonomisë Edmond Haxhinasto, etj. Duke u ndalur veçanërisht tek televizionet kabllore që emetojnë transmetime dixhitale të vjedhura, ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu në fjalën e tij theksoi mungesën e një autoriteti që ndëshkon piraterinë. “Agjencitë përgjegjëse për mbrojtjen e të drejtës së pronësisë intelektuale na tregojnë se nuk kanë autoritet ligjor për të mbledhur gjobat dhe ndëshkuar kështu operatoret televiziv kabllorë lokalë që marrin transmetime dixhitale. Unë shoh shumë televizion dhe miqtë e mi shqiptarë gjithashtu ndjekin programe televizive, përmbajtja e të cilave është e vjedhur. KKRT-ja ka vendosur 58 gjoba dhe 47 paralajmërime në vitin 2011, por fatkeqësisht nuk ka asnjë mekanizëm për të mbledhur këto gjoba”, u shpreh ambasadori amerikan Arvizu. Duke iu referuar vjedhjes se produktit intelektual, ambasadori Arvizu bën një paralelizëm edhe me vjedhjen e energjisë elektrike. “Nuk dua të ndalem tek debati me CEZ, por siç e dini, problemi thelbësor me elektricitetin këtu është se gjysma e popullsisë paguan për elektricitetin, kjo përfshirë edhe agjencitë qeveritare. Dhe nëse vetëm 50 për qind e popullsisë paguan për elektricitetin kjo nuk vlen, nuk është një sistem i qëndrueshëm, dhe nuk mund të bësh biznes”, u shpreh ambasadori Arvizu. Por probleme në mbrojtjen e së drejtës së autorit në vendin tonë deklaroi dhe ambasadori i BE-së në Tiranë Etore Sequi. Në fjalën e tij ai theksoi se Shqipëria është hapa prapa në zbatimin e ligjit për mbrojtjen e së drejtës së pronësisë intelektuale. “Në MSA thuhet se Shqipëria duhet të zbatojë ligjin mbi respektimin e së drejtës mbi pronësinë intelektuale deri në vitin 2013, na vjen keq por ne nuk jemi ende në këtë fazë. Bashkimi Europian ka financuar 1.8 milionë euro për programin e 2010-2015 për Mbrojtjen e së Drejtës mbi Pronësinë Intelektuale”, pohoi ambasadori Sequi. E ndërsa pirateria vijon të jetë një problem shqetësues, tashmë prej kohësh po flitet dhe për ligjin e ri të së drejtës së autorit. Qeveria e ka hartuar një projektligj për mbrojtjen e autorësisë, por ai deri tani ka mbetur në letër, edhe pse më herët është pohuar së ai do të gjente miratim që në muajin shtator. “Është fakt që qeveria e Shqipërisë e ka miratuar që në vitin 2010 strategjinë kombëtare të pronësisë intelektuale dhe industriale, ndërgjegjësimi i publikut, është presioni i publikut, kërkesa e konsumatorit në fund të fundit, një nga shtyllat themelore për një konkurrencë të ndershme”, u shpreh Edmond Haxhinasto, ministër i Ekonomisë. Ndërkaq sipas të dhënave të biznesit amerikan, janë afro 800 çështje në gjykatë ku është shkelur e drejta e pronësisë dhe autorësisë dhe asnjëra prej tyre s’ka marrë zgjidhje.

E drejta e autorit, ZSHDA akuza ndaj agjencive
Problemet me të drejtën e autorit, tashmë prej vitesh të pranishme në terrenin shqiptar, duket se kanë sjellë dhe një përplasje mes disa agjencive të së drejtës së autorit dhe Zyrës Shqiptare për Mbrojtjen e së Drejtës së Autorit në vendin tonë. Akuzat dhe kundërakuzat me palëve kanë treguar se ligji shqiptar i deritanishëm jo vetëm që është i dobët në zbatimin e tij, por jo pak raste agjencitë që janë të licencuara nga MTKRS për mbrojtjen e të drejtës së autorit po nga vetë drejtoritë e ministrisë janë me shkelje gjatë aktivitetit të tyre. Në vendin tonë të licencuara nga MTKRS janë AKDIE, FMAA, “Albautor” dhe AMP. Në bilancet e fundit që ato kanë dërguar pranë ZSHDA, sipas zyrës kanë rezultuar me jo pak probleme në mbledhjen e të ardhurave, ndërsa nga ana tjetër jo pak autorë dhe krijues pohojnë se askush nuk kujtohet për mbrojtjen e të drejtës të autorit. E ndërsa problemet vijojnë çdo ditë, duket se dhe për shumë kohë nga e drejta e autorit do të humbin milionat e autorëve dhe krijuesve të veprave apo produkteve të ndryshme, pasi shteti shqiptar deri tani ka treguar se nuk ka fuqi jo vetëm ta ndalojë, por dhe ta reduktojë piraterinë në terrenin shqiptar.

 

Advertisements
nga moderatori Postuar te Sot

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s