Ismet Bellova, dëshmitar i shekullit sportiv në mikrofon

i-bellovaNuk ka njeri në Shqipëri që nuk e njeh Ismet Bellovën. “Mitiku” i radios, i komentimit sportiv, njeriu në kufijtë e legjendës, për çka i ka dhënë sportit. Janë qindra mijë shqiptarët që kanë marrë drejtpërsëdrejti emocione nga zëri i tij. 62 vjet në transmetim! Një rekord më vete. 16 vjeç ishte kur Anton Mazreku e tërhoqi në kabinën e transmetimit. Nga stadiumi dhe kabina e vogël në “Qemal Stafa”, “Selman Stërmasi”, apo në çdo stadium tjetër të Shqipërisë, ai ka përcjellë gati në nivelin e një shkrimtari të talentuar, përshkrime të mrekullueshme të momenteve sportive. Në një rrëfim për “Shekullin”, Ismet Bellova për momentet e mira dhe të këqija në mikrofonin e Radio Tiranës ku vazhdon të komentojë sot e kësaj dite.

Si u lidhët me sportin?  

Qysh në fëmijërinë e hershme, kur kam qenë 10 vjeç. Isha pak i brishtë, por i shkathët e i zhdërvjelltë, tip sanguin dhe tepër lojcak. Në shtatëvjeçaren “Hasan Prishtina”, rashë në sy për cilësitë fizike dhe hyra në rrethet sportive të shtëpisë së pionierit. I favorizuar nga miqësia me të paharruarin Petrit Caclli, vazhdova të stërvitem e të përparoj dita-ditës. Merresha me disa gara atletike, luaja mirë pingpong e, natyrisht, isha i dhënë pas futbollit, basketbollit e volejbollit.

Si vazhdoi karriera sportive? 

Duke pasur miqësi familjare me futbollistin e shquar të Kombëtares Zyber Lisi (Fagu) dhe falë ndihmës së Enver Maçit, nisa mësimet në Shkollën e Mesme të Fizkulturës “Vojo Kushi”. Këtu, ecuria ime ishte e mbarë. Futbolli ka qenë sporti më i preferuar, por kam ushtruar edhe atletikën, basketbollin, pingpongun, skitë e, bile, edhe hendbollin. Në volejboll kam luajtur me mjeshtrin Vangjel Koja dhe të paharruarit Pëllumb Pelivani e Andon Kona. Unë nuk arrita dot në nivelin e tyre dhe u mjaftova me pjesëmarrjen në veprimtaritë e të rinjve e pak më lart. Tek unë kishte lindur tashmë një pasion i ri, që më kishte gllabëruar tërësisht.

Me komentimin si nisi historia?

Që fëmijë më kishin hyrë në gjak transmetimet dhe komentet e gjeniut të mikrofonit sportiv, Anton Mazrreku. Në Shkollën e Fizkulturës fati e solli që ta gjej Mazrekun e të jem pranë tij. Shkolla ishte vetëm disa metra larg stadiumit dhe për çdo ndeshje, do isha në kabinën e transmetimit. Kulmi ishte kur Mazreku më dha mikrofonin dhe kam folur afro 10 minuta. Luanin dy rivaleve të vjetra e të denja, “Dinamo” e “Partizani”, ndeshje finale për Kupën e Republikës, më 29 Nëntor 1950. U mbyll me fitoren e dinamovitëve, 1-0.

Sa vjeç ishit?  

16 vjeç, 5 muajsh e 29 ditësh! Pra fare i ri dhe një rast i rrallë… mbase, për Gines.

Paskeni pasur përvjetor së fundi?

Pikërisht në ditën e shënuar të 100-vjetorit të Pavarësisë janë mbushur 62 vjet, që jam në mikrofon.

Nuk ka dyshim për kontributin tuaj, jeni nga zërat më popullorë në këtë vend. Mirëpo, i fshehur pas mikrofonit…  

Në hapat e parë të televizionit tonë, pra që në lindjen e tij, Mazreku dhe unë kemi realizuar transmetuar sportive, duke folur njëkohësisht në të dy mikrofona. Kur ai fliste në radio, unë isha në televizion e anasjelltas. Në pjesët e dyta, ndërsa skuadrat ndërronin portat, ne ndërronim kabinat. Kështu që atëherë dashamirësit e sportit në përgjithësi dhe, sidomos, të futbollit, na kanë dëgjuar, na kanë parë dhe na kanë njohur. Natyrisht, kanë ndryshuar punët kohët e fundit, sepse mosha dhe vitet kanë bërë të vetën. Madje unë jam përqendruar në radio dhe shumë pak e rrallë në televizion. Kështu që tani dëgjuesit e rinj, mbase, më njohin më shumë vetëm zërin.

Keni pasur rastin edhe të takoni lojtarë të mëdhenj, idhuj të futbollit. Na ndani ndonjë mbresë?

Në vitin 1983 u ristrukturua puna në radio dhe u krijua emisioni “Nga njëra ndeshje në tjetrën”, emision më modern, më tërheqës e më i lehtë, për dëgjuesin, ashtu edhe për ne. Përmes tij dëgjuesit kanë ndjekur e janë informuar për të gjitha ndeshjet, gjë që mungonte më parë. Njerëzit mësonin rezultatet tek Posta Qendrore. Më ka rastisur që të takohem me lojtarë të mëdhenj. Po kujtoj një nga portierët më të mëdhenj të botës: Lev Jashin, i ish-BRSS, që ka mbetur në kujtesën time, edhe si i thjeshtë e human. Kur kam mësuar për vdekjen e tij, si rrjedhojë e gangrenizimit të këmbës, kam qarë me dënesë. Mund të përmend yje të ndritshëm si Best, Krujf, Bekenbauer, Platini, Myler, Boniek e Rumenige të gati gjysmëshekulli më parë.

Ndeshje të pashlyera nga kujtesa? 

Janë shumë. Padyshim, njëra është ndeshja e përfaqësueses sonë me Gjermaninë në Hanovër, më 11 tetor 1997, në kuadrin e eliminatoreve të KB. Ka qenë dramë e vërtetë, plot ankth dhe emocione, sidomos, në fundin e saj. Deri në minutën e 91-të rezultati ka qenë i mbërthyer në 3-3. Pas një minute gjermanët shënuan me anë të Birhofit dhe na rrëmbyen fitoren, 4-3. Në Shqipëri, në ato çaste, ishin fikur dritat dhe njerëzit kanë gëzuar para kohe rezultatin e barabartë. Më vonë, unë kam dhënë një kronikë të zgjeruar dhe u mësua e vërteta.

Sa ndeshje keni komentuar deri tani? 

Deri në vitin 1983, kur ka filluar “Nga njëra ndeshje në tjetrën”, kam bërë diçka më shumë se 5.000 transmetime, më pas, ky “numërim” është ndërprerë. Edhe në këtë emision rreth 30-vjeçar unë kam pasur vendin e nderuar, i përqendruar kryesisht në radio, e duke i qëndruar besnik Radio Tiranës.

Si ju duket komentimi i tanishëm në radio? 

Është bërë një revolucion i madh e i vërtetë. Janë zgjeruar transmetimet, sidomos ato televizive e ndërkombëtare. Është rritur numri i kronistëve e komentatorëve dhe përfshirja gjeografike në transmetim, thuajse, e pjesës dërrmuese të qyteteve e krahinave të vendit që marrin pjesë në veprimtaritë e futbollit tonë të të gjitha kategorive, moshave e gjinive. Nga kronistët e komentatorët, me në krye profesorin Anton Mazreku, do të përmendja Skifter Këlliçin, Ahmet Shqarrin, Aleko Gjergon, Fatmir Mënerin, Frederik Ficon, Ymer Kurtin e Agron Kajën. Për vite me radhë kanë spikatur veteranët Ymer Striniqi, Veli Rada, Bujar Qesja, Piro Ruvina, Fatmir Efica e Moisi Dalipi. Në “horizont” janë shfaqur edhe pak emra të rinj, me të dhëna e të ardhme premtuese. Por, me gjithë këto përparime, kam përshtypjen se transmetimi e komentimi i tanishëm në Radio-Televizion sikur kanë dalë nga binarët. Nuk flasin mirë shqip. Kanë hyrë e përdoren shumë fjalë të huaja dhe është për ardhur keq se disa transmetues e komentatorë janë në garë për të ulërirë e për t’u çjerrë sa më shumë, deri në frikësimin e dëgjuesit apo të teleshikuesit.

Pra ka humbur magjia e komentimit në radio? 

Shumë nga qejflinjtë e diletantët e mikrofonit sportivë, jo vetëm që s’kanë asnjë lidhje me sportin, madje, një pjesë janë profanë, i kanë hyrë kësaj pune pa kurrfarë testimi. Si është e mundur që edhe një shitësi akulloreje i kërkohet licenca përkatëse e ushtrimit të profesionit, kurse për kronistët e komentatorët sportivë nuk “lipset” një kërkesë e tillë?! Komentet, bisedat e analizat shpesh janë pa bereqet e të një niveli të ulët, pa kompetencë tekniko-profesionale e kulturë gjuhësore, duke u ngjarë bisedave të kafeneve e të amatorëve të lotarive sportive. Kësisoj, magjia e transmetimit dhe komentimit në radio ka pësuar një rënie drastike. Sigurisht, për keq, ka ndikuar e ndikon, në radhë të parë, niveli i ulët i sportit tonë në përgjithësi e i futbollit në veçanti.

Veprimtaria juaj është e shumanshme, edhe publicist e shkrimtar, madje, edhe si kërkues e bashkëpunëtor shkencor. Si e keni përballuar gjithë këtë ngarkesë dhe si ju ka dalë koha për të gjitha këto dhe familjen?

Ka qenë ngarkesë e jashtëzakonshme, marramendëse. Edhe sot kur e sjell ndërmend, më duket e pabesueshme, e pamundur. Por ja që është e vërtetë dhe bash kështu! Natyrisht, që kam bërë sforcime të tepërta e sakrifica, falë edhe shëndetit të mirë e gjendjes fizike optimale. Më e keqja është se kam abuzuar në kurriz të familjes e fëmijëve, duke mos u kushtuar vëmendjen dhe kohën e duhur. Kësisoj u kam hyrë në hak, duke u mbetur borxhli. Ata kanë sakrifikuar më shumë se unë e janë privuar në mjaft drejtime. Hysnia e ndjerë dhe fisnikja Bukuroshe si dhe djemtë, Sokoli, Edi, Armini dhe Eni më kanë frymëzuar dhe mbështetur e ndihmuar pa masë, duke merituar falënderimet dhe mirënjohjen time të thellë e të përjetshme. Njëherazi, ju kërkoj edhe ndjesë, megjithëse me vonesë e, për më tepër, tani… “pas pilafi”.

A ju ka mbetur ndonjë peng? Çfarë do të donit të kishit bërë ndryshe? 

Kam një peng: që asnjëri nga djemtë nuk e ka ndjekur rrugën e babait. Sidoqoftë ka qenë zgjedhja e tyre. Ndoshta mirë kanë bërë, teksa kanë parë “privilegjet” dhe “përfitimet” e të atit në 62 vjet për sportin! Ose, kur kanë mësuar për veprën dhe madhështinë e Anton Mazreku, kanë parë se askush nuk është kujtuar për ta përjetësuar emrin e tij në një nga pesëqind mijë rrugët e kryeqytetit, edhe pse ka qenë nipi i patriotit legjendar Luigj Gurakuqi dhe i madh, thuajse, gati sa Daja i tij! Asgjë, mbase, nuk do të kisha dashur ta bëja ndryshe, në krahasim me ato që kam bërë, veçse duke rritur akoma më shumë nivelin e bukurinë e tyre, aq më tepër që jetojmë në kohën e fjalës së lirë dhe të mundësive të pakufishme. Gjithashtu do të luftoja për të përtërirë e pasuruar traditat e bukura në transmetimet radiofonike e televizive. Dhe sidomos, për të rikthyer rubrikën sportive të së dielës në radio dhe komentin e famshëm të futbollit, të “prishur” nga ndonjë i paudhë në radio!

Qejflinjtë e mikrofonit nuk i teston më njeri 

 

Edhe një shitësi akulloreje i kërkohet licenca e ushtrimit të profesionit, kurse për komentatorët nuk “lipset” një e tillë?!

Të intervistosh zotin Bellova nuk ke se si të mos i vjedhësh kujtimet më të bukura të sportit. Me qetësi ai rrëfen momentet më të bukura, ato të çuditshme që pati bujarinë t’i ndajë me ne.

Ndeshja më e bukur që keni parë e komentuar? 

Nuk mund të harrohet ajo që i jemi referuar për vite me radhë dhe që ka mbetur si një model i lojërave plot shpirt e temperament nga futbollistët tanë me të huajt. Fjala është për ndeshjen e 17 dhjetorit të vitit 1967 me nënkampionen e botës, skuadrën e RFGJ-së, në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa”, e mbyllur me rezultatin 0-0. Mund të veçohen fitoret e Kombëtares sonë me Belgjikën 2-0, në Tiranë, më 1984, me Rusinë 3-1 në Shkodër më 2003, me Greqinë 2-1, në Tiranë më 2004, disa ndeshje e fitore të “Shpresës” dhe të skuadrave të klubeve të vendit tonë si “Partizani” në Turneun Ndërkombëtar, në Lajpcig.

Më e keqja?

Të gjitha ato ndeshje, ku niveli i lojës është i ulët, ku dhuna e huliganizmi zënë vendin e bukurisë e të fisnikërisë sportive, ku shfaqet loja e pandershme, që të bëjnë jo vetëm të lësh mikrofonin, por të braktisësh edhe stadiumin, siç e ka bërë sportdashësi ynë këto 20-25 vitet e fundit. Është e kuptueshme që unë nuk mund të arrija kurrsesi deri në lënien e mikrofonit, sepse, si kuadër i vjetër i sportit dhe “babagjyshi” i mikrofonit. Dua të sjell ndërmend se disa vite më parë (1995-1996), kur tek ne sapo kishte lindur lëvizja e lojës së ndershme në sport, unë kam qenë kryetar i Komitetit Kombëtar të Tolerancës dhe Fair Play-t , ku kanë bërë pjesë emra dhe figura të mëdha e të nderuara, si Refik Resmja, Ela Tase etj.

A keni parë me sy e përjetuar ngjarje të çuditshme në futboll?

Po. Diçka më shumë se 60 vjet më parë, në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa”, Partizani-Dinamos. Gjatë një sulmi të “Partizanit” në krahun e djathtë, topi është përcjellë në zonën dinamovite ku ka hyrë në “dyluftim ajror” portieri ynë i famshëm Qemal Vogli me Loro Boriçi. Vogli humbi ekuilibrin, por edhe gjakftohtësinë, duke pretenduar për faull. Paskëtaj ai ka përplasur topin përtokë, e ka lënë afër pikës së 11metërshit dhe është drejtuar në qendër, tek gjyqtari Neshat Shuaipi, duke protestuar ashpër. Boriçi, me zgjuarsi, është shkëputur me shpejtësi, e ka goditur topin saktë dhe ka përshëndetur rrjetën. Shuaipi ka treguar qendrën dhe i ka urdhëruar dinamovitët ta shqelmojnë topin që andej.

Goli më i bukur që keni përshkruar në mikrofon? 

Gola janë me qindra e mijëra. Shumë prej tyre nga pozicione e largësi të ndryshme dhe me mënyra nga më të ndryshmet: në ecje e sipër dhe me goditje të forta, predhë; me goditje standarde mjeshtërore, me roveshiata roveshiata, me kokë etj.. Megjithëkëtë, më duket, se përshkrimi më i bukur i është bërë një goli të pashënuar, në një ndeshje midis “Partizanit” dhe Kampiones së Bullgarisë-CDNA, shumë vite të shkuara. Ja, përafërsisht ai koment brilant e letrar, i bërë gjatë një ndërprerjeje të ndeshjes: “Në minutën e 14-të Resmja nis të shkruajë një kryevepër. I tërhequr në gjysmëfushën e tij, merr një top nga shokët dhe niset revan drejt gjysmëfushës kundërshtare, ashtu si një flutur e bukur, me krahët e hapur në fluturim. Barriera e parë, që i del përballë, është i famshmi Stefan Boshkov, kapiteni i skuadrës dhe një nga futbollistët më të shquar të Kombëtares së vet dhe i Europës. Por Resmja nuk do t’ia dijë. Hyn në dyluftim me të dhe triumfon, duke e dribluar. Pastaj shmanget nga e majta. Po, ç’të shohë? Atje është një mal I madh, dymetroshi Rakarov, mbrojtësi i hekurt i Kombëtares. Resmja del fitimtar dhe i ikën bukur, duke u shmangur nga qendra, ku ka punë me një emër tjetër të njohur – qendërmbrojtësin Manolov. E driblon dhe atë. Është vetëm 7-8 metra karshi portës dhe portierit të Nacionales bullgare, Najdenov. I lë “shëndetin” edhe atij. Tashmë porta është e zbrazur. Stadiumi është në këmbë dhe, këtu, pritet të shpërthejë Vezuvi. Mirëpo Resmja këqyr punën e tij. I afrohet portës fare pranë dhe kur, kryevepra kërkon vetëm firmë e vulë, ai nxitohet e nervozohet dhe e shqyen kryeveprën me të dyja duart – gjuan jashtë!…

Po ndonjë gol a rast tjetër të çuditshëm?

Në vjeshtën e vitit 1984, në krye të Ekipit kombëtar “Shpresa”, kam qenë në Francë, për një takim miqësor me “Shpresën” e atij vendi, që kishte një ekip për t’u admiruar. Por ama, edhe ekipi ynë asokohe ka qenë mëse i mrekullueshëm. Nga Parisi kemi udhëtuar udhëtuar drejt qytetit Troyes, ku jemi pritur në mënyrë të ngrohtë e tepër miqësore. Edhe organizimi i ndeshjes është përshkuar nga e njëjta frymë, duke u etiketuar si një “ndeshje e madhe e miqësisë së madhe”. Loja ka qenë e bukur dhe publiku ka mbetur shumë i kënaqur, duke duartrokitur dhjetëra herë. Kur rezultati ka qenë i barabartë, 1-1 dhe ndeshja po i drejtohej përfundimit, në tribunën e spektatorëve është dëgjuar vërshëllima e një bilbili. Duke e kujtuar si bilbilin e gjyqtarit, mbrojtësi ynë i fortë e energjik, Zmijani, e ka ndalur topin me të dyja duart. Kësisoj, gjyqtari zviceran ka akorduar 11-metërsh dhe kështu francezët kanë fituar, me rezultatin 2-1.

Të gjithë ju kanë dëgjuar, por shpesh nuk kanë mundur ta kuptojnë se për cilën skuadër keni bërë e bëni “tifo”? 

Kam punuar për një kohë të gjatë në Shkollën Ushtarake “Skënderbej”, e cila ka qenë një “fidanishte” e vërtetë sportive, por edhe një “çerdhe” e “Partizanit”. Isha edhe trajner i ekipeve të “Partizanit” për të rinj. Në këto rrethana shumë njerëz kanë krijuar mendimin se unë kam qenë simpatizant i “Partizanit”. Atëherë, kjo skuadër, bashkë me “Dinamon”, i kanë dhënë tonin futbollit tonë. Kështu që, edhe fjalët më të mira janë thënë për ato skuadra. Më duhet të them se përpara fillimit të punës si radiokronist dhe, më vonë, si tele-kronist e komentator, jam betuar përpara Zotit (natyrisht në fshehtësi e me zë ulët) për të qenë “i ndershëm e korrekt në mikrofon”, “dashamirës e simpatizant me të gjithë dhe me asnjë”. Sa për fjalën “tifo” e “tifozllëk” i kam urryer tërë jetën këto dy fjalë dhe nuk i kam përdorur kurrë e asnjëherë gjatë 62 vjetëve në mikrofon, sepse, si njëra, ashtu dhe tjetra, nënkuptojnë një sëmundje dhe, për më tepër, nuk mund të krahasohen me fjalët e bukura shqipe “sportdashës” e “dashamirës”. Fakti që mijëra dashamirës e amatorë të lojës magjike nuk e kanë marrë dot vesh se me cilën skuadër jam, është një dëshmi e mirë e ndershmërisë dhe asnjanësisë time në mikrofon!

A mund të na thoni ndonjë nga batutat tuaja më të përzemërta në mikrofon? 

Janë përdorur terma sportive e figura letrare, janë krijuar fjalë e terma të reja, natyrisht pa harruar huazime e fjalë të huaja dhe të panevojshme. Më duket se figura të bukura, madje, nga më të bukurat e të preferuarat, kanë qenë ato, kur kemi dashur të paraqesim tejmbushjen e stadiumit me spektatorë; kur në një ditë dimri ka qenë kohë e bukur dhe kur mijërat e sportdashësve, me çadrat e hapura në kohë shiu, kanë krijuar një pamje me të vërtetë madhështore; “ Stadiumi është mbushur plot e përplot, sa nuk ke ku të hedhësh kokrrën e mollës”, “ Pranverë e vërtetë, e inkuadruar në zemër të dimrit“, “ … Panoramë ombrellash“

Olsi Avdiaj

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s