Brukseli: Po ndjekim shpërndarjen e reklamës shtetërore

Nga Arta Tozaj

Bashkimi Europian i është përgjigjur shqetësimit të ngritur nga “Top Channel” në lidhje me mënyrën e shpërndarjes së reklamave shtetërore. Në një letër në emër të Përfaqësueses së Lartë, Catherine Ashton, ambasadori i BE-së në Tiranë, Ettore Sequi, nënvizon fillimisht rëndësinë e lirisë së medias si element kyç i fushës së sundimit të ligjit. “Liria e medias është një shtyllë themelore për mirëqeverisjen dhe llogaridhënien në shoqëritë demokratike dhe një element thelbësor i kriterit politik të Kopenhagës për anëtarësimin në BE, që duhet përmbushur nga secili  vend që aspiron të anëtarësohet në BE. Si e tillë, ajo është dhe një prej sfidave kryesore në kuadër të sundimit të ligjit në strategjinë e fundit të Zgjerimit të Komisionit Europian. Prandaj, Komisioni Europian po monitoron nga afër zhvillimet në këtë fushë dhe ka zhvilluar një dialog me autoritetet shqiptare me qëllim mbështetjen e përpjekjeve të tyre për të arritur standardet europiane në këtë fushë. Në Paketën e Zgjerimit 2012, komisioni nënvizon rëndësinë e garantimit që të gjitha mediat, pavarësisht orientimit apo preferencave të tyre politike, të gëzojnë pavarësi editoriale, liri veprimi dhe mungesë presionesh të papërshtatshme ekonomike. Është thelbësore të garantohet respektimi i sundimit të ligjit dhe se legjislacioni aktual për reklamat publike zbatohet siç duhet”, thuhet në letër. Shqetësimi i BE-së për çështjen e reklamave shtetërore është përfshirë edhe në raport-progresin e fundit, në kapitullin e lirisë së shprehjes. “Pavarësia editoriale vazhdon të pengohet nga interesat politike dhe ekonomike. Ka shqetësime se reklamat publike u shkojnë kanaleve televizive që mbështesin qeverinë”, thuhet në raport-progres. Në letrën e BE-së shpjegohet se në muajin janar, gjatë një seminari të posaçëm për lirinë e medias, pritet të debatohet si për problemet ashtu dhe për zgjidhjet në këtë fushë. “Ky seminar do t’u japë mundësinë të gjitha institucioneve të përfshira nga liria e medias në Shqipëri, aktorëve madhorë ndërkombëtarë në këtë fushë dhe komunitetit të mediave shqiptare që të prezantojnë analizën e tyre për çështjet ngulmuese, si dhe pikëpamjet e tyre për rrugën që duhet ndjekur. Seminari do të adresojë disa çështje të nënvizuara në opinionin e Komisionit Europian dhe në raport-progresin e fundit si shpifja, transparenca dhe hapja e tregut, përfshirë reklamat publike dhe pavarësinë e transmetuesit publik”, shtohet në letrën e BE-së.

Në përfundim, Bashkimi Europian garanton ndjekjen nga afër të situatës me vëmendjen më të lartë, nëpërmjet Delegacionit të BE-së në Shqipëri, si dhe përmes dialogut të rregullt me autoritetet shqiptare.

 

Advertisements
nga moderatori Postuar te Shqip

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s