Gazetarët kundër Berishës: Nuk na jep dot leksione gazetarie

TIRANE- Drejtues të mediave televizive dhe të shkruar dhe gazetarë, ata të cilët prej vitesh punojnë për të pasqyruar realitetin shqiptar kanë reaguar sot ndaj akuzave të kryeministrit se mediat nuk po pasqyrojnë Shqipërinë e vërtetë. Dje pasdite, kryeministri Berisha pas i kishte thirrur gazetarët në një konferencë për shtyp u kërkoi “në mënyrë miqësore” (deklarata e tij) që të mos paraqisnin vendin si “Shqipëria e kronikës së zezë” por të kthenin sytë nga Shqipëria tjetër, me një realitet tjetër, me zhvillime të papërmbajtuar.

Aleksandër Çipa drejtuesi i Unionit të Gazetarëve dhe analist kujton se nëse Kryeministri i Francës i Britanisë do të merrte guximin ta bënte dicka të tillë para gazetarëve të vendeve respektive atëherë do të kishim tjetër qëndrim e tjetër pamje.

Alfred Peza, Drejtori i informacionit në tv Vizion Plus e thotë se deklarata tregon se kryeministri është i shqetësuar pasi nuk e kontrollon gjithë median shqiptare, të cilën po kërkon ta përdorë si një mjet për të krijuar një realitet virtual.

Ndërsa Anila Basha, drejtoreshë e Shqiptarja.com thotë se përpara se të merret me headline të gazetave, kryeministri duhet të analizojë çështjen e ndarjes së buxheteve të reklamave shtetërore që është kthyer në shqetësim madhor jo vetëm për komunitetin e gazetarëve brenda vendit, por edhe shqetesim për komisioneren e lartë të medias pranë OSBE.

Arion Sulo kryeredaktori i gazetës “MAPO” nuk e gjen të gjetur faktin që kryeministri apo politikanë të tjerë të këshillojnë edhe pse miqësisht mënyrën sesi trajtohen lajmet në gazeta, një debat i cili mund të zhvillohet mes gazetarësh. “Nëse vala e krimeve që kanë ndodhur muajt e fundit nuk do zinte vend kryesor në gazeta atëherë kjo do të tregonte mungesë profesionalizmi të vetë gazetarëve”- shton Arjon Sulo.

ALFRED PEZA, Drejtor informacioni në Tv Vizion Plus, thotë: “Deklarata e kryeministrit tregon ai është i shqetësuar në dy linja kryesore: E para sepse ai nuk e kontrollon gjithë median shqiptare dhe nëpërmjet saj linjën e tij politikë në opinionin publik. Ky është një lajm i mirë për ne gazetarët pasi tregon që media shqiptare është e lirë pavarësisht se nuk është e pavarur. Është e lirë sepse çdo lajm herët ose vonë del në sipërfaqe për opinionin publik pavarësisht nëse i pëlqen apo jo qeverisë apo opozitës.

E dyta: Berisha si çdo kryeministër i një vendi me demokraci të pakonsoliduar kërkon ta përdorë median si një mjet për të krijuar një realitet virtual gjë që mesaduket nuk ia ka arritur. Ky realitet virtual do të ishte një Shqipëri e cila lulëzon, ekonomia më e zhvilluar pas Gjermanisë që do të ishte një superfuqi energjetike me të ardhura për frymë më shumë se 5 vendet e Bashkimit Europian dhe një Shqipëri e mbushur me arra dhe gështenja. Në fakt Shqipëria reale është Shqipëria e papunësisë e krizës ekonomike e pasigurisë për jetën dhe Shqipëria ku biznesi është i paralizuar dhe në kolaps. Berisha më shumë se sa ti kërkojë gazetarëve të ndryshojnë Shqipërinë ka pasur 22 vjet koha të bënte këtë mesaduket më në fund ai e ka kuptuar që nuk ia ka arritur.”

ALEKSANDËR CIPA Drejtuesi i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë reagon:

“Në praktikën e shtypit modern këshillat deontoligjike që vijnë nga politika dhe për më tepër kryeministri shpesh shpërfillen. Gazetarët dallimin midis të mirës e të keqes e marrin si dijeni qysh në zanafillë të profesionit. Është e tepërt të pretendosh ta fitojnë atë dallim nga një konferencë shtypi e kryeministrit. Kontekste të tilla nuk vlejnë për përmirësimin e qëndrimit të medias apo gazetarit. Nëse kryeministri i Francës i Britanisë do të merrte guximin ta bënte dicka të tillë para gazetarëve të vendeve respektive atëherë do të kishim tjetër qëndrim e tjetër pamje. Në arsyetimin tim profesional problemi kryesor mes realitetit dhe medias nuk është vetëm ai që lidhet me prioritetin që ka kronika e zezë tek redaktorët e kryeredaktorët shqiptarë por janë aspektet e tjera të shoqërisë dhe sidomos detyrimet llogaridhënëse, të cilat politika i ka shpërfillur përgjatë gjithë tranzicionit tonë. Kryeministri nuk ka detyrim për edukimin profesional të redaktorëve dhe kryeredaktorëve. Ai ka detyrim të përgjigjet ndaj pyetjeve të tyre dhe sidomos për transparencën e përhershme të Ekzekutivit dhe veprimtarisë së tij. Sipërmarrja e këshillimit deontologjik nga Kryeministri sjell si pasojë përthellimin e ndarjes së mediave pro dhe kundër tij dhe shton efektet politizuese mbi mediat dhe raportimin e gazetarëve.

ANILA BASHA Drejtoresha e gazetës Shqiptarja.com thotë:

“Pikësepari, duhet të falenderojmë kryeministrin për interesin e treguar për median. Por përpara se të merret me headline të gazetave, duhet të analizojë imtësisht si qeveria dhe Parlamenti raportin e fundit të komisionit evropian e atë të Departamentit të Shtetit për gjendjen e medias në Shqipëri. Çështja e ndarjes së buxheteve të reklamave shtetërore është kthyer në shqetësim madhor jo vetëm për komunitetin e gazetarëve brenda vendit, por edhe shqetesim për komisioneren e lartë të medias pranë OSBE. Dhe nëse ka një shqetësim të madh ka të bëjë me favorizimin e medias qeveritare. E një tjetër aspekt i rëndësishëm ka të bëjë me presionin e madh të politikës e biznesit mbi median duke zbehur rolin që duhet të ketë si pushtet i katërt. Unë mendoj se këto janë çështjet për të cilat duhet të shqetësohet kryeministri i vendit tim për të rregulluar barazinë e medias në treg. E pas kësaj të flasim për profesionalizmin për të cilin duhet thënë se ka vend për diskutim. Më pas cështja e menaxhimit, distribucionit të medias shitja e gazetave nëpër tezga në mënyrë skandaloze, është një cështje që i përket rregullimit të dy paleve, si medias dhe pushtetarëve qendrorë e vendorë. Por të gjithë e dimë se metodat klienteliste e konkurenca e pandershme shkatërrojnë median e lirë e të pavarur. Cështja e krimit? Mirë është që kryeministri të merret me Ministrinë e Rendit dhe drejtorinë e policisë së shtetit të cilët me abuzimin mungesën e profesionalizmit heqjen e specialistëve dhe emerimin e militantëve në strukturat e rendit kanë çuar në këtë gjendje skandaloze të realitetit kriminalistik në vend.”

ARION SULO kryeredaktori i gazetës MAPO shprehet:

“Nuk e mohon kush që shtypi në Shqipëri ka problemet e veta, por mendoj se këto probleme, që nuk vijnë të tëra për shkak të tij , duhet të shtrohen për diskutim dhe zgjidhje nga vetë drejtuesit e shtypit dhe gazetarët dhe jo nga kryeministri. Nuk më duket e gjetur që kryeministri apo politikanë të tjerë të këshillojnë edhe pse miqësisht mënyrën sesi trajtohen lajmet në gazeta dhe cila ngjarje duhet të jetë titull i madh gazete.

Nëse vala e krimeve që kanë ndodhur muajt e fundit nuk do zinte vend kryesor në gazeta atëherë kjo do të tregonte mungesë profesionalizmi të vetë gazetarëve. Ka qene madje sensibilizmi nëpërmjet mediave ai që ka bërë që në shumë raste policia të veprojë me shpejt dhe më vendosmërisht. Nëse kryeministri e ka pasur fjalën për mënyrën e trajtimit të lajmeve të kronikës së zezë , nxjerrjen në publik të fakteve dhe dëshmive që ndriçojmë më shumë ngjarjen, por nga ana tjetër mund të shkaktojnë viktima të tjera, atëherë ky është një diskutim krejt tjetër shumë më i gjerë. Këtë debat që duhet ta bëjnë gazetarët. Ka të bëjë me kufirin që e ndan një lajm nga të qenit në interes të opinionit publik ose jo.”

Redaksia online

(sg/shqiptarja.com)

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s