“Çdo njeri – një gazetë”

Nga Monika Shoshori Stafa

Në fillim të viteve 1990 thuhej: “Çdo shqiptar – një kioskë”. Në fillim të dhjetëvjetëshit të kaluar thuhej: “Çdo shqiptar – një celular”. Në kohën e sotme thuhet: “Çdo shqiptar – një gazetë”. Madje ka prej atyre që kanë jo një, por dy, tri, katër e më shumë gazeta vetjake. Ky do të ishte përshkrimi më i shkurtër i raportit “media – publik” në kohën e sotme.

Gjysma e dytë e shekullit të 20 në botë njihet si epoka e revolucionit multimedial. Raportet midis mediave të printuara dhe atyre audiovizuale ndryshuan gjatë kësaj periudhe më shumë se gjatë pesë-gjashtë shekujve, qëkur lindi libri dhe Gutenbergu. “Malli i shtampës” e humbi kuptimin, sepse në një anë shoqëritë e mbyllura dolën në liri dhe në anën tjetër çdo individ mund të jetë autor dhe çdo autor mund të jetë botues e vetëbotues. Mjafton të kujtojmë ato që quhen “rrjete sociale”: “Facebook” dhe “Twitter”. Me mbarimin e luftës antifashiste njerëzimi zbuloi pasqyrën magjike për të parë botën, televizionin. Kjo kishte qenë ëndrra fëminore e njerëzimit. Kjo epokë në Shqipëri erdhi shumë vonë. Transmetimet zyrtare të televizionit shqiptar nisën në mënyrë eksperimentale në fundin e viteve 1960. Por në vitin 1971 një djalosh njujorkez do të shpikte një grafemë të panjohur të alfabetit tradicional, atë që zakonisht quhet “a-ja majmunkë”, me të cilën fillon epoka e multimedias. Nis përfundimisht telekomunikimi, transmetimi i kumteve dhe imazheve në distancë. Nis epoka e virtualitetit, mitit më të ri të njerëzimit. Nuk ka më opozicion midis mediave tradicionale dhe atyre televizive, por shkrirje të tyre. Gjithnjë e më shumë të përditshmet dalin në mënyrë virtuale, duke kursyer letrën dhe pyjet aq të çmuara. Ndërkohë dhe gazetaria televizive shfaqet në forma krejt të panjohura deri tri dekadat e fundme: si gazetari transmetuese e informacionit sinkretik në fjalë e imazh, si veprimtari televizive online, që mund të interceptohet kurdo, si veprimtari televizive live. Kjo është aq e vërtetë, sa, siç raportohej në vitin e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, imazhet e bombardimeve shiheshin më parë nga teleshikuesit mijëra kilometra larg, se nga pilotët që komandonin avionët.

Në epokën e virtualitetit shtypi i printuar iu përshtat teknikës së re: abonimet u kthyen në tele-abonime, gazetat u kthyen në tele-gazeta, tirazhet u rritën progresivisht në formën e numerizuar. Vetë fjala gazetë e humbi kuptimin e parë, e përditshme, sepse sot njeriu mund të këshillojë lirisht pa qenë nevoja të shkojë në ndonjë bibliotekë gjithë koleksionin e shtypit. Madje tani gjithnjë e më shumë po gjenden në formë të numerizuar edhe koleksionet para shpikjes së @-s dhe të komunikimit në internet.

Po le të kthehemi te gazetaria televizive sot. Kjo do të thotë te gazetaria multimediale. Sot çdo shqiptar ka gazetën e vet, siç përmendëm ka dhe nga ata që kanë edhe dy apo tri dhe më shumë. Për të mos folur për rastet e vjedhjes së identitetit, gjë kjo krejt e zakonshme sidomos për ata individë që kanë emër publik. Merret me mend se çfarë ndodh në këto raste. Zelli për të shumëfishuar vetveten, vjedhja e identitetit, mania për të krijuar bashkësi virtuale, ka krijuar edhe rekordet e veta, për shembull, me individë që kanë mbi 150 mijë pasues, lexues, komentues.

Sot madje jo vetëm çdo subjekt, por edhe çdo fushë veprimtarie, çdo zyrë, çdo institucion, çdo emision televiziv, ka gazetën e vet multimediale. Çfarë janë “Facebook”-u, forumet e shumta, blog-u, network-ët dhe shumë forma të tjera që shartojnë larmi mediash krejt të panjohura më parë. Ato janë gazetat e sotme të njeriut shqiptar dhe të njeriut në përgjithësi, ku shkruhet shqipe alfabetike dhe analfabetike, anglisht, frëngjisht, italisht, në të gjitha gjuhët e botës. Në këto gazeta ditë për ditë arkivohen miliona rekorde të kujtesës vetjake dhe kolektive. Në këto gazeta po arkivohet gjithashtu kujtesa e shoqërisë në mënyrë retrospektive: foto, kujtime, botime të rralla, kuriozitete. Në këto gazeta zhvillohen debate banale, por shpesh dhe debate shkencore më të kulturuara se ato të ekranit të madh, me moderatorë e animatorë. Njeriu i sotëm dëshiron ta shpallë veten: prej gjendjes shpirtërore me të cilën është zgjuar, urimeve, komenteve, zgjedhjeve muzikore e televizive, konsideratave për personalitetet dhe ngjarjet. Ky është kombinimi më i paimagjinueshëm disa dekada më parë: një gazetë multimediale me një emër e shumë kontribuues, që bëhet krejt vullnetarisht dhe që ka ndryshuar rrënjësisht raportet midis njeriut publik dhe atij privat. Imagjinoni sa shumë dhimbje shkaktonte jo shumë larg, por edhe dhjetë vjet më parë, refuzimi i një lajmi, një kronike, një artikulli, një poezie, nga ai që kishte në dorë botimin.

Sot ai që quhet në anglisht editing proccessus është decentralizuar dhe çdo njeri është editor, madje editor deri në shpërdorim. Dikur për këtë lloj veprimtarie publike përdorej termi “samizdat”, vetëbotim. Por “samizdati” kishte dy dallime themelore me gazetën e sotme vetjake pa editim mbikëqyrës: së pari, “samizdati” ishte një mënyrë për t’iu fshehur censurës; së dyti, “samizdati” mund të ishte një mënyrë botimi me sipërmarrje private kur shtëpitë botuese dhe gazetat e televizionet nuk hapnin udhë.

Po ta mendosh thellë, sot nuk ka më gazetari të printuar dhe gazetari televizive, ka vetëm multimedia. Cila gazetë nuk e ka dhe faqen e vet virtuale, njësoj si një televizion? Cila gazetë nuk e ndjek lajmin online njësoj si një televizion që transmeton lajme një herë në orë. Me sa duket, shumë shpejt e ardhmja do të jetë që njeriu të jetë regjisor – komandues jo vetëm i menysë televizive që propozojnë platformat televizive, por ai vetë do ta ndërtojë programin në ekranin që mban në çantën e shpinës, duke paracaktuar që në mëngjes ku do t’i shohë lajmet, çfarë muzike do të shohë e dëgjojë, cilët filma do të zbusin mbrëmjen.

Suksesi më i madh i epokës multimediale është se edhe veprimtaria njerëzore gjithnjë e më shumë po bëhet në distancë: prandaj ka e-finance, e-gouverment, e-book, gjithçka po shkon drejt numerizimit, multimedias dhe asaj magjie që duhet t’ia njohim si meritë djaloshit anonim njujorkez, që shpiku i pari e-në majmunkë dhe me këtë hapi epokën e kapitalit më të lirë dhe më ekspansiv të kohës moderne, të kapitalit që quhet internet.

“Çdo shqiptar – një gazetë” është një prej privilegjeve më të mëdha të teknologjisë së kohës. Secili mund të jetë zëdhënës i vetes. Po edhe dikush tjetër mund të bëhet zëdhënësi yt. Gjendja ligjore për nënshkrimet elektronike dhe rrjetet virtuale është krejt e parregulluar. Madje me sa duket do të duhet dhe jo pak kohë për të kuptuar se edhe ky rend i ri i komunikimit, kur skema tradicionale është shkatërruar, ka nevojë për paketë ligjore dhe rregullim europian.

Advertisements
nga moderatori Postuar te Shqip

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s