Identitete kombëtare, rajonale dhe periferike

Nga Roland Lami

Roli i teknologjisë në proceset komunikuese 

Falë teknologjisë, komunikimi sot ka thyer me kohë kufijtë, ndarjet e së shkuarës, barrierat institucionale e ligjore, duke ofruar tek qytetari mesazhe të pakufizuara në kohë dhe hapësirë. Për sociologun Marshall Mcluhan, ky realitet lidhet drejtpërdrejtë me perceptimin global dhe totalizues të përvojës njerëzore, si parakusht për të mbërritur në “fshatin global”, i karakterizuar nga ndikimi emocional dhe solidariteti mes aktorëve të këtij komunikimi.

Sipas tij, ndryshimet shoqërore kanë në themel transformimin e komunikimit me gojë dhe me shkrim në një komunikim me mjete elektrike. Një infrastrukturë komunikimi e mbështetur tek fjala e thënë me gojë dhe pastaj tek fjala e shkruar, shoqërohet gjithnjë nga një shoqëri e hierarkizuar në mënyrë autoritare, e mbyllur në vetvete, e izoluar brenda hapësirës së bazave të veta shoqërore dhe e traditave të veçanta.

Përkundrazi, në epokën e elektricitetit, dallimet kombëtare fillojnë të bien njëri pas tjetri dhe komunikimi kulturor, politik dhe ekonomik vendoset në një shkallë botërore. Bota e tërë gjen kështu një lloj uniteti global të vendosur mbi lidhje shoqërore të përshtatshme për këtë gjendje të re komunikimi në distancë dhe jashtëzakonisht të shpejtë.

Në këtë linjë arsyetimi, Fuga (2000) shpjegon se nën influencën e instrumenteve komunikuese në qytetet sikurse fshatrat, shoqëritë moderne sikurse shoqëritë që sapo janë futur në rrugën e modernizimit, zonat tejet të urbanizuara sikurse krahinat e thella dhe të humbura, pësojnë ndikimin e një procesi të vetëm komunikimi, të mbështetur mbi standardizimin, përsëritshmërinë dhe homogjenitetin.

Sigurisht, media elektronike vlerësohet si kontributori më i rëndësishëm në këtë proces. Roli i saj nga shumë specialistë të komunikimit lidhet me krijimin dhe shpërndarjen e dijes sociale në kuptimin më të gjerë. Imazhet dhe idetë që shpërndan, shërbejnë për një numër të madh njerëzish, si i vetmi burim ndërgjegjësimi në lidhje me një të kaluar të përbashkët (historinë) dhe pozicion aktual në hierarkinë sociale, duke u kthyer në burim të rëndësishëm rregullash, normash dhe modelesh. Jo pa qëllim Ëright Mills (1969)  thekson “midis ndërgjegjes dhe ekzistencës qëndron komunikimi që ndikon në mënyrën me të cilën njerëzit ndërgjegjësohen në lidhje me ekzistencën e tyre.” Kjo influencë rritet akoma më shumë në kushtet e një shkëmbimi ekonomiko – politik të zbehtë si dhe në mungesë të organizimit shoqëror solid dhe izolimit relative të individëve (Kornhauser, 1968).

Roli i medias në rrethanat e paraqitura nga autori i mësipërm, përveç ndikimeve me prirje homogjenizuese, mund të shërbej edhe si parakusht për të çliruar tensionet në drejtim të gjetjes së gjuhës së përbashkët në aksionet konkrete unifikuese me karakter politik, ekonomik dhe kulturor. Marshall Mcluhan (2004) këtë funksion kompensues të medias e shpjegon duke iu referuar natyrës njerëzore. Në këtë linjë shprehet: “…të gjitha veglat teknike që ka shpikur njeriu janë në një farë mënyre zgjatime të aftësive të tij psikofizike apo të organeve të trupit të tij. Në këtë mënyrë shoqëria në epokën e komunikimit vepron ashtu sikurse bën një organizëm njerëzor. Prekja nga kriza apo infektimi i një organi bën që ky të prodhojë zgjatime për të vendosur ekuilibrat e prishur.”

Kjo logjikë funksionimi vlen për Shqipërinë dhe territoret shqipfolëse përreth ku varfëria e shkëmbimeve me karakter politiko – ekonomik të shtetit shqiptarë me institucionet dhe aktorët kryesor të këtyre trevave si dhe izolimi social për një kohë të gjatë ka nxitur nevojën e zhvillimit të medias për ta kompensuar dhe përmirësuar këtë realitet.

Pikërisht, roli i medias elektronike në hapësirën shqipfolëse do të përbëjë boshtin kryesorë të analizës në këtë artikull. Në përpjekje për t’i dhënë përgjigje pyetjes kërkimore: Çfarë implikimesh sjell fabrikimi i mesazheve të prodhuara nga “qendra” për “periferinë” në kushtet kur instrumentet e tjera komunikuese janë “anemik”? do të evidentohen proceset socializuese që po ndodhin në hapësirat mbarëshqiptare falë qarkullimit të programeve dhe informacioneve të njëjta televizive, si dhe do të analizohen implikimet që rrjedhin nga ky proces.

Në këtë linje do të paraqiten përqasjet e disa specialistëve të njohur në fushën e komunikimit, të cilët theksojnë rolin shumë të rëndësishëm të medias në kushtet e mungesës së organizimit shoqëror dhe izolimi relative të individëve në drejtim të; kultivimit të standardeve të përbashkëta gjuhësore, produkteve kulturore me ngjyresë kombëtare, nuancave homogjenizuese të mendimit. Një zhvillim shumë pozitiv në drejtim të konsolidimit të identitetit kombëtar, sidomos në kushtet kur stadi i zhvillimit të institucioneve demokratike dhe influenca në rritje i faktorit ndërkombëtar zbeh deri diku intensifikimin e marrëdhënieve midis popullsisë shqiptare këtej dhe andej kufirit të Shqipërisë. Njëkohësisht, nuk do të mungojë kriticizmi në adresë të rritjes së influencës së disa televizione rajonal për nga frekuenca e transmetimeve me qendër në Tiranën, në raport me pafuqinë financiare, profesional dhe pa ndikim tek opinioni publik që shfaqin televizionet lokale që operojnë në Kosovë, Maqedoni dhe Mali i Zi. Pavarësisht, se këto televizione të fuqishme zhvillojnë një biznes me orientim të qartë gjeokulturor dhe gjeolinguistik, nuk shmangin dot realitetet hegjemonuese tek televizionet lokale. Pikërisht ky aspekt do të analizohet me synimin e ofrimit të disa sugjerimeve për të minimizuar efektet tek publiku.

Implikimet e mesazheve që burojnë nga “qendra”

Siç dihet, deri në vitet 1990 – 1991 Shqipëria dhe ish-Jugosllavia ndaheshin nga “mure të larta”, të cilët ishin praktikisht të pamundura kontaktet reale mes shqiptarëve të të dyja anëve të kufirit. Për dekada me radhë në mungesë të kontakteve, përfytyrimi reciprok mbeti më së shumti në një rrafsh imagjinar, romantizues, që herë – herë merrte një dimension gati mitizues. ( Misha, 2008)

Me shpërbërjen e Jugosllavisë dhe rrëzimin e regjimit totalitar nisën kontaktet reale ndërmjet shqiptarëve të shoqëruara jo për faj tyre me keqkuptime dhe zhgënjimet e ndërsjellta që sillte natyrshëm mungesa e informacioneve. (Kullashi, 2003) Por ç’është më e rëndësishmja, s’duhet harruar fakti që ishin katër shoqëri shqiptare të cilat në mënyrë të ndryshme përjetonin problemet, pasiguritë dhe kontradiktat e një periudhe të karakterizuar nga ndryshimet dramatike si dhe një rikompozimi identitar që në rastin e Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi ishte njëherësh sa pasjugosllav aq dhe paskomunist. ( Misha, 2008)

Në këto kushte, shqiptarët përtej kufirit me të drejtë e konsideronin Shqipërinë si pikë referimi nga pikëpamja identitare, pasi përfaqësimin e tyre e shikonin pikërisht tek shtetit shqiptar dhe simbolika e saj. Shteti shqiptar nga ana e tij edhe pse i dobët nuk refuzonte ta pranonte atributin e përfaqësimit të shqiptarëve përtej kufijve fizik. Por, kur vinte momenti për ta aktualizuar këtë gjë, niveli i artikulimit politik dhe aksioneve ekonomik konturoheshin jo në bazë të interesave mbarëshqiptare por në përputhje me orientimet e faktorit ndërkombëtar.

Nga një pjesë e mirë studiuesish u krijua bindja se proceset integruese do të sillnin një perspektivë të re për komunikimin e të gjithë popujve të Ballkanit me njëri – tjetrin dhe brenda këtij kuadri edhe një raport të ri midis popullsisë shqiptare këtej dhe andej kufirit. Mirëpo, këto çështje nuk mund të zgjidhen vetiu. Faktet treguan se jo të gjithë faktorët politik në Ballkan ishin gati ta pranonin krijimin e rrethanave demokratike, ku kufijtë ndërmjet shteteve ballkanike të kishin thjeshtë një vlerë simbolike dhe mundësia për bashkëpunimin intensiv kulturor, politik dhe ekonomikë, veçanërisht ndërmjet shqiptarëve të bëhej pjesë e pashmangshme e proceseve integruese rajonalizuese. ( Fuga, 2000)

Sot për sot, për shkaqe që kanë të bëjnë me demokratizimin e marrëdhënieve politike të vendeve fqinje me Shqipërinë, konkludohet se intensiteti i marrëdhënieve ekonomiko – politike ndërmjet aktorëve të rëndësishëm shqiptar shikohet me shumë rrezik. Frika se Ballkani mund të përballet me prishjen e ekuilibrave të brishtë gjeopolitike si dhe ringjalljen e histerive nacionaliste, ndikon në tipologjinë e komunikimeve me natyre ekonomike dhe politike ndërmjet shqiptarëve, duke kushtëzuar deri diku nivelin e komunikimit dhe integrimit ndërmjet tyre.

Mirëpo, logjika shoqërore dhe logjika politike nuk janë asnjëherë e njëjta gjë dhe nuk është aspak e thënë që ato të shkojnë gjithmonë bashkë. (Fuga, 2000) Në këtë kontekst, roli i medias si infrastrukturë integruese apo si i vetmi realitet i mundshëm i aftë të stimulojë një realitet të përbashkët në unifikimin e vizionit politik, shpirtëror dhe identitare merr një funksion parësor. Ndikimi i saj mund të shihet në prodhimin e hapësirës simbolike të përbashkët duke ndihmuar në çlirimin e shqiptarëve nga kufizime të llojit hapësirë dhe kohë si pasojë e funksionimit të zbehtë të instrumenteve të tjera integruese nga presioni i vazhdueshëm ndërkombëtar, që ato të mbesin në atë stad. Gjithashtu, mund të kontribuojë në tejkalimin e gjykimeve etnocentriste dhe ksenofobiste, që shpesh ndeshen në sisteme të mbyllura kombëtare duke krijuar një masivizimi kulturor mbarëshqiptare.

Zhvillimi i tregut të medias elektronike tek shqiptarët përtej kufirit filloj të shikohet si burim i promovimit të simboleve me ngjyrim kombëtar. Pavarësisht se zhvillimi i këtij tregut u kushtëzua nga infrastruktura e dobët, dukuri të zakonshme këto për vende me demokraci të brishtë e me ekonomi të dobët, disa operatorë për një kohë të shpejtë u shndërruar në burime parësore të rëndësishme të informimit mbarëshqiptar. Kompani të tilla si: Top Media, Media 6, Grupi Edisud sh.a, Media Vizion sh.a. në kushtet e një medie lokale dhe rajonale të dobët nga aspekti financiar dhe profesional u kthyen brenda një kohe të shkurtër në qendra të rëndësishme informimi brenda dhe jashtë territorit shqiptarë.

Këto media kapërcyen gap-in e formuar nga ndasitë e krijuara prej dekadash, të theksuara gjatë sistemit totalitar, duke arritur t’i përgjigjen interesit të përgjithshëm dhe edukimit të këtij interesi.“Kumtet e shpërndara me “kaq bujari” nga këto media dhe shkëmbimi intensiv i përvojave e ideve u gjykua si rruga më e efektshme për arritjen e qëndrime të përbashkëta, bashkërendimin e veprimeve, ofrimin e modeleve, dhe zgjidhjeve përballë sfidave të kohës në të cilën jetojmë.” ( Gjergji, 2009)

Këto kompani mediatike duke u bazuar në devizën: “Të mendojmë rajonalisht por të veprojmë lokalisht” filluan të zhvillojnë një biznes me orientim të qartë gjeokulturor dhe gjeolinguistik.” ( Gjergji, 2009) E gjitha kjo në një periudhë të shkurtër krijoi një model integrimi mbarëshqiptare duke kultivuar standarde të përbashkëta gjuhësore, produkte kulturore me ngjyresë kombëtare, stimulim të homogjenitetit të mendimit si dhe zgjeroi hapësirën simbolike mbarë shqiptare. ( Kallciu, 2009)

Ndodhi deri diku fenomeni i paralajmëruar nga Gerber (1967) ku media falë mekanizmave të saj rrit influencën në adresë të shndërrimit të sistemeve të njohura sociale dhe të orientimit në jetën e përditshme nga private në publike, duke nënkuptuar formimin e bazave të reja të mendimit kolektiv. Po në të njëtjën linjë arsyetimi Marshall Mcluhan, (1984) flet për konceptin “ritribalizuese” të televizionit, duke nënkuptuar formimin gjithnjë e më tepër të identiteteve të reja shoqërore dhe institucionale si pasojë e mesazheve sistematike dhe gjerësisht të pranuara nga publiku që media përçon. Dhe në fakt, këto procese socializuese në hapësirat mbarëshqiptare si pasojë e qarkullimi të programeve dhe informacioneve të njëjta sidomos atyre të mundësuar nga medias elektronike, filluan të krijojnë një medium të përbashkët: Tiranë – Prishtinë – Shkup si dhe një “rajonalizim shqiptar” në kuptimin e informacionit, ndjekjes së ngjarjeve, bashkëbisedimeve dhe perceptimeve të realitetit të sotëm.

Ky dimension komunikues, i mundësuar veçanërisht nga televizioni, në një farë mënyre rikrijon një lloj barazie të marrëdhënieve të qytetarit kudo ku ai banon, me ngjarjet dhe proceset kulturore dhe artistike rajonale dhe vendas. Brenda dhe jashtë territorit politik shqiptar audienca mund të shihte njëlloj të njëjtën veprimtari kulturore dhe politike. Për ilustrim vlen t’i referohemi transmetimeve dhe komenteve në kohë rekord të procesit të zgjedhjeve parlamentare të mbajtur në 2010 në Kosovë, për të kuptuar dimensionet e reja komunikuese të vendosura falë televizionit.

Pavarësisht se nga disa specialistë të komunikimit ky realitet mediatik me ngjyresë kombëtare konsiderohet si shumë pozitiv në aspektin e shkëmbimit të informacionit dhe të standardizimit të konvencioneve shoqërore, nuk mund të nënvlerësohen rreziqet që fshihen pas tij. Problematika lidhet kryesisht me rolin e kufizuar të sistemeve mediatike lokale, ndërkohë që sisteme rajonale në sajë të kompanive të fuqishme që qëndrojnë pas tyre pushtojnë hapësirat lokale. Një situatë e tillë në një farë kuptimi favorizohen informimi nga “qendra” në raport me “periferinë”, që ashtu sikurse vënë në dukje Michael Kunczik dhe Astrid Zipfel (1997), reflekton në të shumtën e herës, të ashtuquajturin deformim elitar dhe atë urban në fushën e medias.

Ndikim i “qendrës” drejt “periferisë“ vërehet tek struktura e ndërtimit të programacioneve televizive. Impakti i programacioneve të kanaleve të fuqishme me qendër në Tiranë si: “Top Cannel”, “Klan”, “ABC Neës”, “Vizion Plus”, “Ora Neës”, “Neës 24”,  kane ndikuar në strukturimin programor të medias në Kosovë e Maqedoninë Perëndimore. Madje mund të thuhet se shpesh formatet e emisioneve që transmetohen përmes ndonjë kanali në këto treva shqipfolëse duket si “copy paste” e kanaleve “Top Channel” dhe “Klan”. Ky ndikim është më i dukshëm në formatet e emisioneve politike. Siç duket fenomeni i imitimit i lidhur me nevojat për modele referuese zbret në formë “vale” nga televizione me influencë globale në ato rajonale dhe së fundmi lokale duke prodhuar implikime të caktuara.

Gjithashtu, influenca e këtyre operatorëve të fuqishëm me “qendër” në Tiranë nuk vërehet vetëm tek programacioni por edhe tek koha televizive që vendoset në dispozicion në adres të pasqyrimit dhe analizës së problemeve që lidhen me zonat “periferike”. Kjo hapësirë televizive dominohet për arsye të shpjegueshme komerciale dhe teknike deri diku me probleme që lidhen me “qendrën” dhe shumë pak  me atë të “periferisë”. Mjafton t’i referohemi shpërndarjes së kohës në pasqyrimin e problemeve që shqetësojnë “qendrën” dhe “periferinë” gjatë transmetimit të lajmeve qendrore në “Top Channel” dhe “Klan” për të kuptuar, asimetrinë. Nga vëzhgimet e drejtpërdrejta personale të këtyre kanaleve konstatohet se koha në dispozicion të pasqyrimit të tematikave që lidhen me zonat: Kosovë, Maqedoni dhe Mali i Zi, varion nga 5 min deri në 10 min.

Duhet theksuar se koha transmetuese kohët e fundit sa vjen dhe po rritet pasi rezultatet e sondazheve të kryera nga institucione ndërkombëtare dhe lokale, po nxjerrin në pah fakti se lajmet e  kanaleve si “Top Channel”  dhe “TV Klan” në orën 7.30 kanë një ndjekje audience që në Kosovë arrin 80 %, ndërsa në Maqedoni arrin 99%, në këto kushte kompanitë janë të detyruara të reagojnë. ( Gjergji, 2009) Dhe në fakt, reagimi nuk ka vonuar, janë hapur zyrat në Prishtinë e Shkup me qëllim intensifikimin e transmetimeve, si dhe zgjerimin e pasqyrimit të tematikave. Këto iniciativa, kanë rritur më tej audiencën dhe njëkohësisht, rolin e tyre si mjet mediatik ndikues dhe pasqyrues të informacionit, pavarësisht se nuk eliminojnë dot fenomenin e asimetrisë së ndikimit dhe tematikave të pasqyruara në këto media.

Vlen të nënvizohet fakti se ky impakt nuk është bërë akoma objekt i studimeve të thelluara dhe për këtë arsye baza empirike mungon. Të dhënat e mësipërm janë konsiderata të një numri të reduktuar gazetarësh dhe studiuesish dhe konstatime të mijat personale. Në këtë kontekst, analiza nga pikëpamja empirike lë shteg për subjektivizëm, por ama,  nuk sfumon dot prirjen hegjemonuese në rritje të televizioneve të fuqishëm në raport me ato të periferisë dhe njëkohësisht implikimet e tyre.

Në vazhdim të analizës,  kjo mënyrë komunikimi, nuk shmang dot procesin e etiketuar nga Stuard Hall (1986) të riprodhimit hegjemonik për shkak të efektit strukturës së fjalës nga ana e të fuqishmëve. Gazetarët duke qenë të parët në komentimin e ngjarjeve, kanë mundësi të imponojnë kode simbolike të caktuar. Kuptimi i fjalëve dhe i temave është në varësi të kuptimit që i shkon për shtat veprimit të gazetarit. Dhe në një periudhë të caktuar ndikimi i tij/saj dhe i medias ku ai/ajo bën pjesë, prodhon tendenca homogjenizuese të mendimit, duke vënë në rrezik ngjyresat kulturore të grupeve shoqërore të diversifikuara që përfshihen në këto procese intensive komunikimi. “Qendra në vija të përgjithshme ”fabrikon” standarde gjuhësore dhe kulturore, në adresë të “periferisë” duke i cenuar shfaqjen e nuancimeve, dialekteve, mentaliteteve e këndvështrimeve të ndryshme. Për këtë arsye njëra palë e shoqërisë, ajo që sundon nëpërmjet fuqisë së medias, konsideron dhe imponon si gjuhë universale të folurin e vet, duke privuar pjesën tjeter nga të folurit e vet adekuat. Kjo pjesë e shoqërisë detyrohet të adoptojë të folurin sundues pasi mbivlerëson burimin dhe vlerën e saj.

Jo pa qëllim Eric Maigret (2010) thekson se nëpërmjet media elektronike shprehet një dominim social, ai më të pasurve me “ kapitale gjuhësore” dhe “ kapitale kulturore”, ndaj më të varfërve, atyre që zotërojnë më pak nga këto kapitale.Pasi në këtë treg njerëzit përdorin kapitalin kulturor në vend të atij ekonomik.

Në këto realitete, individi apo grupi shoqëror në zonat periferike nën ndikimin e medias elektronike ka rrezik të shndërrohet vetëm në një telespektator pasiv të arritjeve kulturore dhe artistike. Modelet që i imponohen nga “qendra” bëhen objekt konsumi për banorët e “periferisë”.  Në në tilla rrethana, kultura dhe arti autokton lokal fillon të pësojë një tkurrje duke bërë të humbin me shpejtësi thesaret e kulturës vendas në të mirë të një informacioni dhe vlerash kulturore dhe artistike të fabrikuara nga “qendra”, pikërisht ato që janë mbizotëruese në ekran.

Fuga (2009) nuk e fsheh problemin që lidhet me shpërndarjen e kulturës, artit, politikës, informacionit ekonomik, etj me anë të televizionit. Sipas autorit, kultura e televizionit në një kuptim të caktuar nuk mund të përputhet me kulturën në përgjithësi dhe kultura e televizionit nuk mund ta lejojë këtë të fundit të bëhet plotësisht televizori i kulturës. Këto dy koncepte, me gjithë afërsitë që mund të kenë midis tyre nuk janë kurrë të barabarta. Nuk mund të lihet pa përmendur se i gjithë ky proces i shpërndarjes së kulturës nëpërmjet një rruge ekskluzivisht televizive dëmton ato prurje që mund të realizohen nëpërmjet librit artistik dhe shkencor, shtypit të shkruar dhe revistave të specializuara shkencore, praktikave pedagogjike të edukimit që kanë braktisur pothuajse fare zonat tona rurale dhe janë në një gjendje të mjerueshme në trevat shqipfolëse si Maqedoni, Kosovë dhe Mali i Zi.

Në këtë vorbull, me gjithë anët e veta pozitive, kultura e shpërndarë nga media për vet natyrën mbështetet kryesisht mbi figurën (imazhin) mbi tingullin muzikor (muzikën) duke neglizhuar shumë fuqinë transmetuese dhe formuese të fjalës, ç’ka prodhon një informacion sipërfaqësor të paqëndrueshëm dhe shpesh herë iluziv. (Fuga (2009) Jo pa arsye Jean Baudrillard në gjykimin e George Ritzer, (2008) e përshkruan këtë botë të prodhuar nga media si hiper – realitet. Sipas tij, “media rresht së qeni një pasqyrim i realitetit, pasi bëhet vet një realitet, madje më real se vet realiteti. E gjitha kjo lidhet me shpjegimin se mediat televizive të specializuara në transmetimin dhe prodhimin e një kulture standarde, funksionojnë me qëllime të tjera dhe ndjekin strategji që kushtëzohen nga logjika që ndonjëherë nuk kanë të bëjnë fare me problemet që flasim. Difuzioni i kulturës shkencore, kulturore, enciklopedike, në zonat rurale dhe urbane në kushtet kur aty është “tharë” rrjeti i institucioneve kulturore vendas, pothuajse nuk përbën aspak një shqetësim për menaxheret dhe krijuesit e emisioneve televizive. Logjika ekonomike, financiare dhe estetike të prodhimit televiziv, për më tepër kanë prirjen e natyrshme ta harrojnë disi telespektatorin e zonave rurale apo atyre periferike urbane.”

Aq më tepër, sikurse është thënë dhe stërthënë tashme shpesh herë, televizioni nuk mund të jetë as një institucion shkollor dhe as një qendër kulture dhe nuk mund t’i zëvendësojë këto të fundit. Zhvillimi i arsyetimeve mbi teknologjinë e informacionit ka vërtetuar se tjetër janë substratet materiale të komunikimit dhe tjetër gjë janë përmbajtjet semantike, kuptimore që ata përcjellin. “Identitetin e bartësit të mesazhit e krijon në radhë të parë përmbajtja kuptimore e komunikimit dhe jo thjeshtë teknologjia e tij, pra media si infrastruktura materiale.” (Fuga, 2009).

*Roland Lami është pedagog i Sociologjisë në Universitetin Europian të Tiranës.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s