Mungesë garancie për vetë gazetarët

Nga Ilir Dhima

Në kuadër të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, ndonëse Brukseli ka thënë disa herë pa ekuivoke, mjaft qartë dhe prerazi se duhen marrë masa që liria e shprehjes dhe e medias të jetë komponent kyç, këtu në Tiranë duket që ende nuk ka një kuptim real mbi rëndësinë e këtij komponenti. Megjithëse aktualisht zhvillohen veprimtari të ndryshme në rrethe të ndryshme, madje edhe në komuna, si ajo e Shëngjinit, për traditat e shtypit shqiptar në këto 100 vjet Pavarësi, askush nga lektorët apo organizatorët e aktiviteteve të tilla nuk është në gjendje të sqarojë pjesëmarrësit, nëse edhe tani, në kohën tonë ka apo jo garanci për vetë gazetarët.
Ç’është e vërteta liria e shprehjes dhe e medias ka zënë një vend të rëndësishëm në pothuajse të gjitha dokumentet ligjore më të rëndësishme të miratuara dhe të ratifikuara nga Legjislativi shqiptar. Por ende vihen re aty–këtu mënyra kontraverse në këtë sferë. Dhe, ja sepse. Në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, posaçërisht në nenet 21 dhe 22 të saj përcaktohet se, liria e shprehjes është e garantuar; liria e shtypit, e radios dhe e televizionit, gjithashtu censura paraprake e mjeteve të komunikimit ndalohet, ndërsa e drejta e informimit është e garantuar etj.
Këto cilësime janë në të njëjtën linjë me parashikimet e nenit 10 të Konventës Europiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut, mbi bazën e të cilave Gjykata e Strasburgut ka pohuar pozitën e saj për rolin e së drejtës së lirisë së shprehjes dhe të shtypit në një shoqëri demokratike. Sipas vendimeve të saj, kjo liri “përbën një nga themelet më kryesore të një shoqërie të tillë, një nga kushtet bazë për progresin e saj dhe për zhvillimin e çdo njeriu… “, ajo “i jep publikut një nga mjetet më të mira për të zbuluar dhe krijuar një mendim përreth ideve dhe qëndrimeve të udhëheqësve politikë” etj.
Për të qenë në përputhje dhe në harmoni me parashikimet e këtyre dy akteve juridike prioritare për gjithë jetën e vendit, edhe legjislacioni ynë penal ka pësuar deri tani ndryshime të shumta, pothuajse në një të tretën e dispozitave, si të anës materiale, po ashtu edhe të fushës procedurale. Pra, ka pësuar amendime aq të shumta, sa që disa juristë doktrinarë janë shprehur me të drejtë që Kodi Penal dhe Kodi i Procedurës Penale erdhi koha që të punohen nga e para. Sidoqoftë, le të mbetemi te një rast konkret i asaj që në gjuhën juridike shpeshherë quhet ‘ndotje legjislative’, një rast që duhet të shqetësojë veçanërisht gazetarët profesionistë, sepse kërcënon veprimtarinë e tyre dhe mund t’i dekurajojë gjatë ushtrimit të detyrës.
Konkretisht, në nenin 159 të Kodit të Procedurës Penale bëhet fjalë për ruajtjen e sekretit profesional. Në këtë nen thuhet se, persona të caktuar nuk mund të detyrohen që të dëshmojnë për sa dinë, për shkak të profesionit, me përjashtim të rasteve kur kanë detyrimin t’ua referojnë autoriteteve proceduese. Këta persona mund të thuhet që janë avokatët, noterët, përfaqësuesit ligjorë, mjekët, farmacistët etj. Mirëpo, në pikën 3 të nenit 159 thuhet se dispozitat për personat e mësipërm zbatohen edhe për gazetarët profesionistë, që detyrohen të tregojnë emrat e personave nga të cilët kanë marrë të dhëna gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tyre.
Në këtë pikë të nenit përkatës thuhet gjithashtu shprehimisht, se: “Kur të dhënat janë të domosdoshme për të provuar veprën penale dhe vërtetësia e këtyre të dhënave mund të dalë vetëm nëpërmjet identifikimit të burimit, gjykata urdhëron gazetarin të tregojë burimin e informacionit të tij”. Kështu pra, i bie që gjykata mund të urdhërojë gazetarin të tregojë burimin e informacionit dhe nëse ky refuzon ta tregojë atë, mund të vihet përpara përgjegjësisë penale.
Ndërkohë, dihet që mbrojtja e burimeve të informimit përbën një nga kushtet themelore të lirisë së shtypit. Përveçse çka cituam nga dy aktet juridike më të rëndësishme, si: Kushtetuta dhe KEDNJ – ja, kjo çështje është theksuar gjithashtu edhe në dokumente të tjera të rrafshit ndërkombëtar apo rajonal, siç është bie fjala Rezoluta “Për liritë e gazetarëve dhe të drejtat e njeriut”, teksti i së cilës është pranuar në Konferencën Ministrore Evropiane të zhvilluar në Pragë (1994), si edhe Rezoluta parlamentare evropiane “Për sekretin e burimeve informative të gazetarëve”.
Janë këto dokumente që konfirmojnë legalisht, se pa ekzistencën e një mbrojtjeje të tillë, gazetarët do të trembeshin, ose do të tërhiqeshin dhe për pasojë, roli i shtypit si vëzhgues publik në një shoqëri demokratike do të dobësohej së tepërmi. Këtë shpjegim ka bërë edhe Gjykata e Strasburgut pas shqyrtimit të të paktën dy çështjeve në fillim të viteve ’90, pasi një kompani mediatike i ishte drejtuar kundër shtetit të vet kundër kësaj gjykate, e cila nga ana e saj kritikoi ligjin për shpifjen që ishte në fuqi në atë shtet dhe që i ngarkonte të akuzuarit barrën e provës për vërtetimin e pohimeve të tij.
GJEDNJ u shpreh se ai ligj binte ndesh me nenin 10 të Konventës Europiane dhe theksonte, se: “Duhet bërë një dallim i kujdesshëm ndërmjet gjykimit të fakteve dhe të vlerave. Ekzistenca e fakteve mund të demonstrohet, ndërsa e vërteta e gjykimeve për vlerat nuk u nënshtrohet provave”. Gjithashtu, GJEDNJ ka vënë në dukje se zbatimi i sanksioneve ndaj një gazetari, i cili ka kritikuar një figurë politike, mund të arrijë në një lloj censure që ka të ngjarë ta dekurajojë atë nga bërja e kritikave në të ardhmen. Në kontekstin e debatit politik, një debat i tillë ka të ngjarë që ta pengojë gazetarin të kontribuojë në diskutimin publik të problemeve, si edhe ta pengojë shtypin në përmbushjen e detyrës si dhënës informacioni.
Për të gjitha këto që u përmendën, e nevojshme është që të rishikohet pika 3 e nenit 159 e Kodit të Procedurës Penale, të zhvillohet nga vetë gazetarët dhe forumet e tyre një debat i hapur, apo në mungesë të një debati të tillë t’i dërgohet një ankesë Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë dhe Komisionit të Ligjeve të tij. Më së paku që kjo ankesë të justifikohet është kujtesa që mund t’u bëhet organeve të mësipërme, që në vazhdën e amendimeve që i janë bërë legjislacionit penal të merrnin mundimin që të bënin edhe këtë korrigjim. Në të kundërt, gazetarët mbeten të kërcënuar, qoftë edhe vetëm nga një dispozitë e veçantë, apo thjesht nga një pikë e një neni.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s