Femrat në botën e sotme dhe roli i mediave

Nga Luan KURTI

Femra gjithmonë ka qenë pjesë e debateve të nxehta në vende, kultura dhe qytetërime të ndryshme. Qysh nga fillimi ky debat është zhvilluar në dy rrafshe: atë horizontal (i brendshëm) dhe vertikal (i jashtëm). I brendshmi mund të jetë urban ose rural, i jashtmi rajonal, kontinental, ndërkontinental, madje më tepër lindor ose perëndimor. Secili rrafsh, secila njësi ka specifikat e veta, por nënndarja e fundit që sapo cekëm (Lindje-Perëndim) ka tërhequr më herët vëmendjen tonë dhe ende mbetet objekt studimi. Emancipimi shoqëror në përgjithësi kurrë nuk është parë i njëanshëm, i shkëputur, pa komponentin femëror. Madje, ky komponent ka qenë nga më të ndjeshmet dhe delikatët. Duelet për jetë a vdekje midis individëve të fyer, të prekur në nder që kanë pasur si objekt femrën, gjë që vazhdon edhe sot, kanë kulmuar me luftërat me përmasa apokaliptike midis kombeve në epoka apo periudha të caktuara. Kam parasysh këtu luftën e Trojës, e cila me gjithë kostot e mëdha që solli, vazhdon të trumbetohet edhe sot e kësaj dite si shkalla më e lartë e vetëdijesimit, e krenarisë, e karakterit të paepur të njerëzve të përfshirë në konflikt, për të cilët ideali është më i vlefshëm se jeta e tyre.

Edhe gjakmarrja me bazë Kanunin në vendin tonë ofron të njëjtën qasje për çështjen e femrës, duke shmangur çdo mundësi dialogu dhe tolerance. Pak ose aspak e ka tjetërsuar qytetërimi i sotëm këtë premisë; ajo fle në nënvetëdijen tonë si një formë atavizmi, e gatshme të zgjohet nga çasti ne çast dhe të shprazë gjithë dufin dhe mllefin shtazarak. Imazhi, ideali i femrës, konsiderohet ende tabu dhe s’mund të ketë ekspertë të kualifikuar që të jenë të aftë të japin gjykime dhe të merren seriozisht nga publiku. Më së pari duhen zhdukur mitet, duhet ndryshuar mendësia, sistemi i edukimit, duhet ribërë historia. Në kohët moderne dhe të zhvillimeve të vrullshme teknologjike, ku po jetojmë, mediet kanë luajtur dhe luajnë një rol parësor, përcaktues në perceptimin kolektiv të asaj që është “e drejtë”, “e pranueshme”, “bashkëkohore”. Kriteri i së vërtetës së tyre, parimet apo synimet nga të cilat nisen, mbeten gjithmonë të diskutueshme. Kurrsesi nuk mund të shmanget mundësia e manipulimit, e krijimit të një opinioni paragjykues aspak dashamirës; duke i hedhur benzinë zjarrit, i cili për mijëra e mijëra vjet ka bubërruar nën vete, por nuk është fashitur. Shpesh nëpërmjet inkuadrimit të episodeve apo sekuencave filmike, më tepër apriori se profesionalisht, ato krijojnë paralelizma, ballafaqime, ku koncepti i së mirës dhe së keqes shihet i ndarë me thikë apo i ngjyrosur bardhë e zi, i dhënë një herë e përgjithmonë. Kësisoj shmangin konceptin e relatives dhe përparësojnë absoluten. Kjo qasje ka mungesë të theksuar të dialektizmit. Në këta 20–30 vjetët e fundit duket se më tepër se me thelbin, debati për femrën është shndërruar në çështje simbolesh. Gruaja me shami apo gruaja pa shami?! Këto shihen si pjesë sistemesh apo ekuacionesh, të pavarura, që përjashtojnë njëra-tjetrën, që kurrsesi s’mund të integrohen. Përdorimi i këtij simboli si mundësi fshehje, maskimi nga terroristë të ndryshëm, kryesisht të Lindjes së Mesme, që kanë vënë në shënjestër ambasadat apo vendet perëndimore, e ka kthyer këtë çështje në emergjencë. Gruas me shami, që të imponon një lloj distance, që ka një jetë të programuar, monotone dhe beson me fanatizëm te dëlirësia e martesës, te produkti i krijuar prej saj, mediet i kundërvënë sistematikisht modelin e gruas moderne, të hapur, liberale, pa kode dhe norma sjelljeje fikse, pa paragjykime, për të cilën asgjë nuk është e pamundur. Ajo është atraktive, e suksesshme, seksi, flet në sheshe dhe podiume, luan pingpong apo tenis, shkon në party me miqtë, pi uiski apo brandi dhe gjysmë e dehur bën çapkënllëqe, flirte të vogla të padëmshme, fle në krahët e partnerit dhe, kur zgjohet në mëngjes, teksa hap gojën dhe shtriqet, gjëja e parë që i vjen ndër mend është se u bë vonë për në punë; i vesh rrobat në nxitim e sipër dhe te kabina në rrugë i lë bashkëshortit një mesazh në sekretarinë telefonike. Ajo s’ka bërë asgjë tjetër veçse është përpjekur të imitojë, të përcjellë frymën e kohës të diktuar nga reklamat, nga televizionet, nga yjet e spektakleve apo të kinematografisë, të jetë një Madonë, një ledi Diana, të cilat janë gjithë sharm, veshin rroba të modës së fundit, krijojnë lidhje jashtëmartesore, lënë fëmijët e ligjshëm nën kujdestarinë e shërbëtorëve apo dadove dhe birësojnë të tjerë publikisht nga vende të botës së tretë, madje dhe me ngjyrë, duke buzëqeshur përpara bliceve të kamerave televizive dhe aparateve fotografike. Ky lloj imazhi femëror liberal, që e ka tjetërsuar botën, është antipod i atij me shami, konservator, që priret nga mosndryshimi dhe në një rivalitet ose gjendje tensioni të vazhdueshme, në një garë ku pika e finishit është e ndryshme. Duke mos u ndikuar nga prirja, gjykimi personal që anon nga femra pa trysninë e çdo lloj sendi apo objekti që i privon freskinë, sharmin dhe krijon një lloj hendeku me pjesën mashkullore të shoqërisë, të rregullave të ngurta, asfiksuese. Gjithsesi, dua të theksoj se mbajtja e shamive nga një pjesë e madhe e grave myslimane është një atribut i vjetër, kurse rreziku që vjen nga kjo qasje është diçka e re, më tepër i krijuar, i imagjinuar, rezultat i fryrjes apo propagandës së shfrenuar të medieve. Përvoja na tregon se e keqja fshihet në mendjen e njeriut dhe jo në veshjen e tij apo simbolet që përfaqëson. Një kamikaz mund të dijë të flasë bukur, të jetë i shoqërueshëm, të vishet tepër shik dhe poshtë kostumit të shtrenjtë të mbaj gati fitilin e një bombe apo mine me fuqi të madhe shpërthyese. Në asnjë varg të Kuranit nuk justifikohet dhuna, aq më tepër kundër grave dhe fëmijëve. Përdorimi i citateve të librit të shenjtë nga terroristët nuk i bënë ata heronj të islamit. Edhe kryqëzatat në mesjetë u bënë nën frymën e mbrojtjes dhe përhapjes së krishterimit, por mund të akuzohen për gjakderdhjen e krijuar drejtuesit dhe jo ideologjia me të cilën ata motivuan barbarinë e tyre. Mediet e sotme, me gjithë meritën e padiskutueshme për zgjerimin e spektrit të lirisë për njerëzimin në përgjithësi, për çështje të caktuara dashur pa dashur kanë krijuar një lloj ndarje, ngërçi, psikozën e dy botëve të ndryshme. Modeli global i së sotmes dhe së ardhmes është ai i respektimit të vlerave, veçanësive dhe kulturës së tjetrit, i bashkekzistencës, rregull nga i cili nuk mund të bëjnë përjashtim as femrat.

 

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s