Dilema e ligjit të audioviziveve, “ngjarja e madhe”

Nga: Luis Tanushi

Ngjarjet me rëndësi kombëtare i cakton Autoriteti (AMA) dhe  transmetohen pa pagesë, të hapura. Shqetësimi: Po sikur të tilla të quhen vetëm aktivitet qeveritare në kohën e fushatës elektorale?  

Pas një bllokimi pesëvjeçar në parlament, mazhoranca dhe opozita i janë rikthyer diskutimit të ligjit për transmetimet audiovizive. Demokratët dhe socialistët kanë rifutur në kalendarin e punimeve të komisioneve parlamentare ligjin aq shumë të debatuar që pritet të përmirësojë gjendjen e mediave elektronike në vendin tonë në drejtim të rritjes së garantimit të pavarësisë së tyre. Të dy palët shprehen parimisht dakord me miratimin e ligjit, për përmirësimin e të cilit kanë punuar ekspertë të BE-së dhe të OSBE-së. Në këtë kuadër ka ndryshuar mënyra e zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Publik dhe të KKRT-së. 

Ligji

Projektligji përcakton që të gjitha mediat audiovizive të kalojnë nga transmetimi analog në transmetimin dixhital, proçes që do të shoqërohet edhe me kostot përkatëse, për instalimin e teknologjisë së kërkuar. Periudha tranzitore, pas miratimit të ligjit pritet të jetë deri në pesë vjet. Gjatë kësaj kohe konsumatori duhet të ketë në banesat e tij aparaturat e një teknologjie, që të jetë e përshtatshme për marrjen e sinjalit. Nga ana tjetër, në projektligj thuhet se të gjithë operatorët që s’kanë kapacitete teknike dhe programesh të mos licensohen, dhe të ketë kufizime për dhënien e liçensave. 

Dilemat

Gjithsesi, ka ende disa pika për të cilin edhe ekspertët e OSBE-së dhe të BE-së shfaqin rezerva. Legjislacioni aktual nuk rregullon çështjet e transmetimit të ngjarjeve që konsiderohen me rëndësi të madhe për publikun, të cilat duhet të transmetohen në mënyrë të hapur. Parashikohet që “ngjarje me rëndësi” është një ngjarje me rëndësi publike në Republikën e Shqipërisë, në një pjesë të saj ose në vendet e BE-së, e organizuar nga një subjekt që ka të drejtën e shitjes së të drejtës së transmetimit për këtë ngjarje. Në projektligjin “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë” parashikohet që Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA), pas këshillimit publik përcakton ngjarjet me rëndësi të madhe për shoqërinë. AMA vendos kur një ngjarje me rëndësi të madhe duhet të transmetohet direkt, e regjistruar apo në të dyja mënyrat dhe në të gjithë ose një pjesë të territorit të vendit. Po ashtu në projektligj parashikohen procedurat për transmetimin e tyre, duke garantuar mbulimin e përgjithshëm dhe transmetimin pa pagesë nga ofruesi i shërbimit mediatik i kualifikuar për transmetim. Pikërisht kjo pikë pritet të që hapë debate se çfarë do të konsiderohen ngjarje me rëndësi, pasi në jo pak raste mund të konsiderohen vetëm aktivitet politike qeveritare veçanërisht në periudhën zgjedhore.

Ligji mbron fëmijët nga reklamat

Komunikimet me natyrë tregtare duhet të parandalojnë shkaktimin e dëmeve morale dhe fizike për të miturit, si dhe të mos i ekspozojnë të miturit në mënyrë abuzive në situata të rrezikshme për ta. Për këtë, ata nuk duhet të nxisin apo shtyjnë të miturit të blejnë apo të marrin prodhime apo shërbime, duke nxitur direkt ata për të kërkuar nga prindërit ose të tjerë persona të afërm, t’u marrin mallrat apo shërbimet e reklamuara, as të shfrytëzojnë pozitën e fëmijëve në raport me prindërit, mësuesit apo personat e tjerë të afërm të tyre, si dhe të mos i ekspozojnë të miturit në mënyrë abuzive në situata të rrezikshme për ta”. Projektligji cakton detyrimin e AMA – s për të përgatitur “kodin e transmetimit të reklamave” dhe “kodin për reklamat drejtuar të miturve”.

Deri më 2015 të gjitha transmetimet të bëhen dixhitale 

Sipas progres raportit të KE-së, janë mbajtur konsultime me aktorë të ndryshëm dhe partnerët ndërkombëtarë, duke sjellë disa përmirësimet në projekt-ligjin për Audiovizuale Shërbimet media, sidomos për sa i përket

pavarësia e autoritetit rregullator. Megjithatë, miratimi i këtij ligji në parlament është shtyrë dhe është ende në pritje. Në maj të 2012, qeveria miratoi një Strategji për dixhitalizimin dhe planin e veprimit, por zbatimi nuk ka filluar ende. Disa frekuenca janë përdorur ilegalisht nga një numër i lartë transmetuesish pa licencë. Sipas strategjisë, afati i fundit për plotësimin e kalimit dixhital është Qershor 2015. Ky afat i ri ngre shqetësime të mundshme për zbatimin në kohë të procesit të dixhitalizimit.

Anëtar i Komisionit Parlamentar të Medias

Mënjanohet kontrolli politik në RTSH dhe KKRT 

Ka 5 vjet që ligji është i bllokuar, çfarë ndryshimet sjell?

Sa i përket KKRT-së dhe RTSH-së futen elementë që politika e largon kontrollin sepse të dyja palët, edhe pse bëhet përzgjedhje nga shoqëria civile, janë të barabarta në fushë dhe ia lënë kompromisit të mazhorancës. 

Sa garanton ky ligj pavarësinë e institucioneve?

Në momentin që autoritetet janë me këtë formulë, pra që janë të barabarta, është përcaktuar që vendimmarrja kërkon shumicë të cilësuar, siç është rasti i Drejtorit të Përgjithshëm të Servisit Publik. Në këtë moment palët janë të interesuara për të zgjidhur dhe kërkuar konsensus. Ka një nen që do të jetë i diskutueshëm për rolin e AMA-a ( KKRTSH-së), siç është vendimmarrja për ngjarje me karakter kombëtar. Ajo vendos që operatorët të transmetojnë pa pagesë këto ngjarje. Edhe rekomandimet që ka bërë BE i ka parë me skepticizëm. Ne parimisht, deri sa është një gjë e asistuar dhe prej 5 vjetësh është e debatuar, do ta votojmë, ndërsa nen për nen sigurisht që do të kemi për të dëgjuar edhe aktorët. 

A do të jetë i shpejtë implementimi?

Ne e kemi deri në 2015-n. Afatet janë optimale duke marrë në konsideratë që disa operatorë janë futur në teknologjinë dixhitale. 

Kablli nënujor i internetit, opozita kërkon llogari  

PS kërkon sqarime për fatin e tenderit kombëtar për shtrimin e internetit

Komisioni i Integrimi u përfshi nga debatet e ashpra midis deputetëve të mazhorancës dhe opozitës gjatë shqyrtimit të projektligjit për transmetimet elektronike. Opozita ngriti shqetësimin e tenderit kombëtar për fibrat optike dhe shtrirjen e internetit, ku deputeti Taulant Balla kërkoi sqarime me fatin e tenderit kombëtar për shtrimin e linjave të internetit. Nga ana e saj, Ministria e Inovacionit deklaroi se nuk ka asnjë kontratë të lidhur me ndonjë firmë për ndërtimin e rrjeteve bazë në Shqipëri për internetin. “Ka dështuar në nëntor të 2011. Një kompani ka çarë të gjitha rrugët kombëtare për shtrirjen e fibrave optike, që nënkupton instalimin e internetit. Ju do të bëni një tender tjetër lidhur me këtë apo do të merrni të mirëqenë ekzistencën e një rrjeti kombëtar të bërë nga një kompani jo me licensë të dhënë nga Ministria juaj, që është autoriteti i autorizuar me ligj apo sipas të dhënave nga një leje e dhënë nga Ministrisë së Transporteve?” theksoi Balla. Deputetët e majtë ngritën shqetësimin e kabllove nëndetare për shtrimin e fibrave optike Itali -Shqipëri. “Shtrirja e këtij kabulli nënujor nuk ka filluar ende,kur e keni në plan?”, pyeti Balla. Përfaqësuesi i Ministrisë së Inavoacionit theksoi se kjo kontratë është deri në shkurt të 2013-s. 

Shërbime të reja për abonentët

Ndryshimet në ligjin për komunikimet elektronike, pritet që të sjellin shtrirje të internetit dhe të mbulimit me sinjal telefonik të gjithë territorit të vendit. Kështu, të gjitha kërkesat e arsyeshme për lidhje me rrjetin e komunikimeve publike në një vendndodhje fikse duhet të mundësohen nga, të paktën, një sipërmarrës. Agjencia Kombëtare (AKEP), merr masat e duhura rregullatore për përmbushjen e këtij detyrimi nga ofrues të caktuar për ofrimin e shërbimit universal. AKEP-i mund të detyrojë sipërmarrësit që t’u ofrojë pajtimtarëve informacion për tarifat e aplikueshme për çdo numër ose shërbim subjekt i kushteve të veçanta të tarifimit; lidhur me kategoritë individuale të shërbimeve, AKEP-i mund të kërkojë që ky informacion të ofrohet menjëherë para lidhjes së thirrjes; të informojnë pajtimtarët për çdo ndryshim të aksesit në shërbime të emergjencës ose të informacionit për vendndodhjen e numrit thirrës në shërbimin ku janë pajtuar; të informojnë pajtimtarët për çdo ndryshim të kushteve që kufizojnë aksesin në dhe/ose përdorimin e shërbimeve dhe aplikimeve dhe ku këto shërbime janë të lejueshme, sipas ligjeve në fuqi.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s