Televizionet te ne, si radio me figurë

INTERVISTA/ Flet regjisori i parë i telenovelave shqiptare, Ylli Pepo

Telenovelat janë kryefjala e grave në bisedat e çdo dite. Ndërrohen stacionet në emisionet e mbrëmjes për të kërkuar telenovelat. Në Shqipëri blihen telenovela nga të katër anët e botës dhe vetëm Shqipëria nuk prodhon telenovela. Kjo krizë vjen për shkak të mungesës së fondeve dhe jo për shkak të mos pasjes së skenarëve. Skenarët janë, por fondet jo. Telenovelat e para në Televizionin Shqiptar i përkasin viteve 1980 me serialin e bukur “Skllavja Izaura”, të blerë nëBrazildhe vazhdon deri më sot me “Ezel”. Por ajo që i mungon televizioneve shqiptare janë telenovelat Made inAlbaniakur dhe vendi i Zimbabve prodhon telenovelat e saj.

Kur ka filluar për herë të parë në TVSH, Ylli Pepo dhe cili ishte emisioni i parë?

Në vitin 1969, dhe tashmë mbush 44 vjet pa lëvizur asnjë sekondë nga TVSH. Emisioni im i parë ka qenë një cikël “Udhëtim në Lashtësi” , i cili është anuluar, nuk është transmetuar, pas i ftuar në studio ishin dy figura, njëri prej të cilëve ishte arkeologu Neritan Ceka, i cili, sipas mendimit  të politikës së atëhershme ishte i dyshimtë. Sipas orientimeve të Partisë ai nuk duhej të dilte në emision. Emisioni s’u transmetua kurrë. Isha skenarist, sepse atëherë s’kishin hyrë regjisorët në televizion.

Kohët e fundit shikohet se në televizionet shqiptare po mbizotërojnë telenovelat e huaja kryesisht ato turke. Cili është niveli i këtyre telenovelave?

Pas telenovelave shikuesi ka rendur gjithmonë, pra janë të dashuruar me to. Ka shumë vite që telenovelat zënë një vend të rëndësishëm në programet televizive, të cilat janë ndjekur me shumë interes. Për herë të parë telenovelat e huaja kanë hyrë në ekranin e vogël shqiptar në fund të viteve 1980, të marra nga Brazili siç ka qenë “Skllavja Izaura”,  e cila ka pasur një shikim impresionues, si nga meshkujt ashtu dhe nga femrat ndoshta se ka qenë telenovela e parë e shfaqur në ekranin e vogël shqiptar pra në TVSH (si i vetmi televizion i asaj kohe). Por duhet thënë se telenovela sot lëvrohet nga të gjithë televizioneve shqiptare.  Që nga Zimbabve deri në Korenë e Jugut, që nga Brazili, ku lindën telenovelat e para dhe deri në Siri, gjen telenovela të prodhuara enkas nga televizionet vendase për  publikun e tyre. Për fat të keq ne kemi zgjedhur rrugën më të lehtë, me më pak kosto  atë të importimit të telenovelave,  nga vende të tjera, ku herë dominojnë telenovelat latino-amerikane dhe herë- herë ato turke. Turqit hynë në tregun e telenovelave duke kuptuar, se telenovela është një gjini e domosdoshme për televizionet. Pra telenovela nuk duhet t’i mungojë televizionit ashtu sikurse lajmet.  A mund të parafytyrohet një televizion të mos japë lajme një natë? Është e pakonceptueshme, ashtu duhet të jetë për një programues televizioni edhe për telenovelat. Për një specialist të televizionit, telenovela është një gjini, e domosdoshme, pjesë përbërëse e skeletit, në programin e çdo televizioni të botës. Kjo për televizionet gjeneraliste, jo për televizionet muzikore, apo ato tematik. Pra për televizionet gjeneraliste telenovela është pjesë  e barabartë me lajmet e barabartë me aktualitetin.

Pse nuk lëvrohet telenovela në Shqipëri?

Edhe unë që jam marrë me këtë gjini nuk di se si t’i përgjigjem. Nuk kuptoj dot pse nuk lëvrohet apo prodhohet telenovela në Shqipëri.  Ndoshta se televizioni tek ne është kthyer në një radio me figurë. Të gjitha programet pas orës tetë e gjysmë, atë që gjithë bota e quan mbrëmja e parë e televizionit  (20-30 deri 22 e 30), tek ne janë të mbushura me biseda politike. Nuk ka televizion tek ne që pas kësaj ore të mos ketë një bisedë, debat, opinion vetëm e vetëm me politikë. Pra biseda të pafundme të gjata, ku për fat të keq dominojnë vetëm dhe vetëm politikanë. Politika është kthyer në sportin real të shqiptarëve. Përmbytja e ekranit me politikë në këtë orë, në orët më të mira për teleshikuesin, është një fatkeqësi kombëtare.

Ku është dallimi i telenovelës nga filmi artistik?

Telenovelat më parë janë quajtur serial. Dhe seriali ka lindur krejt rastësisht në vitin 1947, ku një televizion shfaqte një film artistik, por për arsye  të ngushtimit të programeve u detyrua që këtë film artistik ta ndajë në tre pjesë. U vu re se filmi artistik i ndarë në tre pjesë pati më shumë sukses se filmi artistik në kushte reale në ekranin e madh si film i plotë. Qysh nga ajo kohë programuesit televiziv synuan drejt filmave serial. Pjesë të programit. Pra lindën serialet e parë, që në Amerikën Latine u quajtën telenovela dhe në Japoni po ashtu. Mund t’ju them se Japonia mban vendin e parë në botë për  gjatësinë e një telenovele. Telenovelat në Japoni kanë lindur ën vitin 1952, dhe ka telenovela që vazhdojnë edhe sot edhe pse aktorët dhe regjisorët e fillimit të tyre kanë ndërruar jetë, të cilat vazhdojnë me aktorë dhe regjisorë të tjerë. Kjo ndodh sepse japonezët i quajnë telenovelat si një pjesë fondamentale të televizionit. Këto tregojnë se sa vend zënë vend zënë në programet televizive telenovelat, madje në oraret më shumë të shkueshme, më të ndjekura. Pra ndryshimi i një filmi të mirëfilltë artistik nga një telenovelë është se një film artistik jepet për një orë e gjysmë në kinema me ekran të madhe ndërsa telenovela ka një grep që jepet pjesë-pjesë dhe e mban në ethe shikuesin. Telenovela është më shumë me tema familjare, romantike, në përgjithësi me tema që kërkohet nga publiku i mesëm, dhe në mënyrë të veçantë telenovela ka si bazë dialogun,. Pra telenovela është një gjini mes teatrit dhe filmit, ndërsa filmi artistik ka veprimin në bazë të tij, ka zgjidhjen  e konfliktit për një orë e gjysmë duke mos lënë shtigje për interpretime të tjera. Pra këto nuk ndodhin në një telenovelë. Telenovela vazhdon me vite të tëra dhe duket gjithmonë e freskët sepse ecën paralel me problemet që ka koha, familja etj, që e bëjnë shumë të dashur për një publik shumë të gjerë.

Mund të na thoni diçka për telenovelën tuaj të parë dhe më tej, të dytën?

Deri më sot unë kam bërë dy telenovela dhe nuk di se për çfarë arsye absurde nuk vazhdojnë të lëvrohen. Telenovela ime e parë ka qenë “Njerëz dhe fate” me 20 seri, e cila do vazhdonte dhe më tej, pasi skenaristi Ruzhdi Pulaha e kishte përgatitur skenarin dhe për aq seri të tjera, por nuk u gjendën fondet dhe u la ne mes.  Me thënë të drejtën, si nga unë edhe nga skenaristi Pulaha ishte menduar që telenovela nuk do të ndalte kurrë, por ja që u la në mes…Telenovela për vetë natyrën e saj  do të ishte një përkrahje e madhe për të gjithë aktorët e rinj, që për fat të keq janë me shumicë dhe të papunë, pasi ato do të krijonin një mundësi të madhe punësimi për këtë kategori. Kështu telenovela do të nxiste dhe filmin artistik, që për fat të keq, si dhe futbolli janë në fund të tabelës së klasifikimit në rang europian. Telenovela e dytë, ku unë kam qenë regjisor ka qenë “Dhimbja e dashurisë”, një telenovelë me 10 seri e shkruar nga Bashkim Kozeli, e trajtuar me problemet e kohës, mbi një kastë aktorësh të vjetër dhe të rinj, një ansambël për nxitjen e të rinjve dhe konsolidimin e mënyrës së luajtjes të të vjetërve. Mendoj se,  pavarësisht nga niveli, telenovelat kanë luajtur një rol të veçantë në zhvillimin e televizionit tek ne, ku qysh në vitin 2001 që është realizuar telenovela e parë, është ritransmetuar thuajse në çdo 6 muaj, në televizion në orare të ndryshme, që nga orët e mëngjesit dhe deri në orët e vona të natës dhe gjithmonë kam vënë re se njerëz të veçantë më kanë përgëzuar sikur ajo të jetë realizuar sot. Kjo më gëzon se telenovela ka një mision dhe ky mision është që të ndiqet në popull dhe të trajtojë atohalleqë ka populli. Sot në mungesë të tyre, pra të telenovelave shqiptare, boshllëqet në televizionet tona mbushen me telenovela turke që kanë një nivel të mirë artistik, më të mirë se ato latino-amerikane, të xhiruara bukur, profesionalisht s’kanë asnjë të metë, por e meta e tyre e madhe është se nuk i përkasin interesave të publikut shqiptar, duke filluar që nga “Sulltani i madhërishëm” dhe deri tek “Ezel”etj…

Mos vallë duhet t’u mbyllet porta e telenovelave të huaja?

Jo! Aspak! Nuk jam i këtij mendimi, por ama t’u hapet porta edhe telenovelave shqiptare, se kanë pasur sukses.

Në kuadrin e 100-vjetorit të Pavarësisë, cilat janë objektivat e Pepos?

Kam një sërë dokumentarësh që kam bërë për këtë 100-vjetor, ku unë do të veçoj katër të tillë. I pari titullohet “Mure dhe ura”, një dokumentar për vlerat historike dhe arkitektonike që kanë katër qytete afër njëri-tjetrit, si Gjirokastra, Janina, Ohri dhe Prizreni, që përbëjnë një thesar Ballkanik. Një film tjetër është realizuar me skenaristen e mirënjohur, Zana Zyrakja,  mbi një grua mami në Malishevë të Kosovës, e cila ka pritur në male gjatë luftës së Kosovës rreth 100 lindje, ku të gjithë vogëlushët kanë jetuar, pa asnjë vdekje kur flasim në kushte lufte. Filmi quhet “një histori e rrallë’. Filmi tjetër është për luginën e Valbonës ku unë ftoj të gjithë shqiptarët  ta vizitojnë, pasi ka një pamje mahnitëse dhe një mikpritje po kaq mahnitëse. Nga ana tjetër kam një film për një nga figurat më legjendare të futbollit tonë, Refik Resmen, i cili ndodhet në tabelën e klasifikimit i pesti për golat që ka shënuar në një kampionat që vjen pas Messit dhe tre të tjerëve. Ky fakt nuk përmendet.

Cilat janë rubrikat më të domosdoshme për një televizion?

Todi Lubonja thoshte, tre janë shtyllat që e mbajnë një televizion: lajmet, sporti dhe filmi. Kjo është e pakundërshtueshme.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s