Autorët: RTSH nuk blen muzikë. Beci: Publiku nuk ju ndjek

Nga Valeria Dedaj dhe Elsa Demo

Në 50-vjetorin e Orkestrës Simfonike të Radio Televizionit Shqiptar shfaqen problemet e akumuluara në vite: shmangia e krijimtarisë kombëtare, e së drejtës së autorit dhe e arkivave që nuk shfrytëzohen. Petrit Beci: “Po ta fitoj prapë mandatin, do t’i siguroj fondet.” 

Orkestra simfonike e RTSh-së e themeluar në vitin 1962 bëri dje 50 vjeç. Prandaj u mblodhën në sallën e Orkestrës që mban emrin e Ferdinand Dedës, drejtues, krijues, instrumentistë. David Tukiçi ka katër vjet që e drejton Orkestrën, por ai ishte 14 vjeç kur shoqërohej nga ky ansambël në Festivalin e Dhjetorit për këngën “Globi rrotullohet” e Nikolla Zoraqit. “Jam i lumtur që po punojmë për këtë orkestër. Uroj që të arrijmë standardet e një orkestre evropiane, aty ku ka lindur dhe zhanri i muzike që ne luajmë”, thotë Tukiçi. Zhani Ziko cek fillimet. “Nuk mund të harroj ditët e para në ndërtesën e vjetër të RTSh-së, në sallën e regjistrimeve. Kujtoj të vetmin person me përvojë orkestrale koncert-maestron Cin Simoni”, tregon Ciko, sot drejtues i Teatrit të Operës e Baletit. Nisur nga hulumtimi i historikut të Orkestrës, dirigjenti Eno Koço përmend tentativat e para qysh në periudhën e Monarkisë, por vetëm më 1962 u themelua kjo orkestër me muzikantë që kishin studiuar në vend dhe profesionistë të specializuar në Pragë, Moskë, Lajpcig etj.. U quajt Orkestra Simfonike e Radios dhe Kinematografisë. Në koncertin e parë që u realizua më 20 gusht të atij viti, me dirigjent Mustafa Krantjen, u luajt muzikë nga Haydn, Mendelssohn dhe Mozart. U realizuan produksionet muzikore për shumicën e filmave shqiptarë dhe u regjistruan veprat e para të Zadejës, Harapit, Daijes, Grimcit, Çangut, etj., për të vijuar me më të rinjtë si Gaqi, Dizdari, Laro, Kushta, Peçi. Për çudi, kaq zgjati nostalgjia që i vel kësi takimesh. Hapjen e kartave dhe rrahjen e problemeve akute i provokoi më në fund kompozitori Shpëtim Kushta. Në panoramën e tij, Orkestrës ka 22 vjet që i mungon repertori me krijimtarinë e kompozitorëve bashkëkohorë shqiptarë. “Kam qenë pjesë e kësaj orkestre që në vitin 1962, teksa regjistroja së bashku me Ferdinand Dedën dhe Vaçe Zelën. Por përveç nostalgjisë së asaj kohe, duhet të përmend se prej 22 vjetësh nuk është bërë porosi për asnjë vepër shqiptare. Nëse çdo vit arkivit zanor do t’i shtohej të paktën një vepër e re, sot do të kishim për çfarë të ndiheshim krenar”, thotë Kushta. “Tani nuk ka më kompozime, nuk ka më studio regjistrimi, por kemi Universitetin e Arteve. Ndërsa dyert për kompozitorët e rinj, janë të mbyllura.” Akademiku Vaso Tole e shikon jetën e Orkestrës në krahasim me simotrat evropiane. Tipologjia e orkestrave si traditë e re lidhet me krijimin e institucioneve publike të radiove si p.sh Orkestra Simfonike e Radio Berlinit (1923), e BBC-së, e Radio Francës në vitin 1937. Nga ky krahasim Tole evidenton problemet dhe bën propozime konkrete. “Duhet që orkestra jonë të ripërmasohet në mision dhe në strukturë, i duhet njohur një status më i lartë ligjor që fillon me emërtimin: Orkestra Kombëtare e Radio-Televizionit.” Ky është propozimi më i rëndësishëm i Toles, që në sajë të bazës ligjore Orkestra të jetë institucion më vete brenda Drejtorisë së Përgjithshme të RTSh-së, siç janë Radio Tirana dhe Televizioni Shqiptar. Për këtë duhet bërë një shtesë në ligjin e vitit 2010 “Për Artin dhe Kulturën” që do ta njihte Orkestrën si institucion kombëtar. Ky status do t’i hapte rrugë një fondi të posaçëm për vepra instrumentale dhe simfonike të muzikës shqiptare, krijimit të formacioneve dhe ansambleve më të vogla brenda dhe jashtë formacionit të orkestrës të cilat japin mundësi mbajtjen e një kalendari artistik vjetor. E fundit, jo më pak e rëndësishmja në propozimin e Toles: publikimi i serive të zgjedhura në DVD dhe CD nga Arkivi Muzikor Simfonik. Drejtori i Përgjithshëm Petrit Beci dëgjoi sa dëgjoi dhe u ngrit e dha versionin e tij të “mbarëvajtjes” së kësaj pune. Një gjë e bëri të qartë: “S’mundet kurrsesi të krahasohen fondet e Orkestrës së RTSh-së me ato të Berlinit, pavarësisht se krahasuar me më parë fondet tashmë janë gjashtëfishuar.” Beci është në fund të mandatit të tij 6-vjeçar. “Më pëlqen të përmend një shprehje të cilën ndoshta do ta tregoj dhe pasi të mos jem më në këtë detyrë.” Dhe ai tregoi që kjo punë është si sanduiçi: “shtresa e parë është politika, e dyta paraja dhe e treta jemi ne njerëzit. Për këtë ka dhe shumë presion. Fondet që shpenzohen për orkestrën janë 560 milionë lekë të vjetra në vit, kur buxheti i RTShsë është 13 miliardë. Pra, orkestra ha bukë nga lekët që prodhon Televizioni, nga taksat e njerëzve.” Po kjo “akuzë” e Becit nuk e pengon kompozitorin Kushta t’i kujtojë që “… prapë Arkivi i RTSh-së është bosh, mungon krijimtaria shqiptare”. Edhe për këtë Beci e ka një “kundërakuzë”. Kur kompozitorët shqiptarë i kanë çmimet të larta, ka “plot” të tjerë që do t’i ofronin falas veprat e tyre. Ja për shembull, Kushta nuk do ta jepte një vepër pa 2 milionë të reja, duke llogaritur këtu vlerën e të drejtës së autorit për çdo përdorim të saj nga radiot, televizionet. Drejtori Beci i përgjigjet: “Ti krijon pa të kërkuar njeri që të krijosh. Në momentin që ti shkruan muzikë duhet ta shkruash si ta kërkoj unë. Nëse juve ju duhen 2 milionë lekë të reja për një kompozim, unë dua që të më shkruash për të gjitha veglat në simfoni, pa asnjë përjashtim. Mos të ketë kakofoni nga orkestra. Ti shkruan melodinë dhe e sjell për mua, por unë kam punë me publikun.” Duke e superpozuar veten si producent kryeneç me një fjalor termash jo kërkesë po ofertë, jo autorët duhet të ofrojnë atë që kërkon tregu, e të tjera si këto, Beci e mbylli fjalën e tij duke përdorur ca ujë të vakët. Po të ketë edhe një mandat tjetër në Televizionin Publik të Partisë, atëherë ai do ta vajisë problemin e Orkestrës, sepse ai mendon kjo është e gjitha “punë paresh”. Vizioni i Drejtorit të Përgjithshëm bie në kundërshtim me idetë dhe zgjidhjet që propozojnë njerëzit e muzikës. Në fjalën e tij akademiku Vaso Tole, theksoi se e ardhmja e Orkestrës s’mund të jetë kjo që është as në mënyrën se si administrohet dhe as në mënyrën se si financohet. “Shqipëria do të jetë vend kandidat i KE dhe kjo orkestër duhet të plotësojë standardet që i kërkohen RTSh-së si anëtar i EBU-së”, thotë Tole. Është i nevojshëm riorganizimi i strukturës së Orkestrës, rritja e vlerësimit financiar të instrumentistëve po edhe e numrit të tyre, 75-105. Duket të ketë një strukturë menaxhimi dhe të ndiqet një politikë bashkëfinancimi sipas përvojës evropiane nga institucione publike. Pra, buxheti i Orkestrës nuk mund të përballohet vetëm nga buxheti i Radios po edhe nga buxhete të tjera si Ministria e Kulturës, Bashkia e Tiranës etj. Formula evropiane e Toles duket e bukur por kaq e largët. Të mendosh që koncerte të shkëlqyera të Orkestrës sonë jepen falas. Nuk dimë një rast të jetë përdorur bileta për këto koncerte. Ky është nënvlerësim i punës së instrumentistëve të talentuar. Ata meritojnë ta shesin shtrenjtë punën e tyre e jo që drejtuesit e tyre t’i vënë në pozitën e lypsarit e t’i heqin zvarrë në një mandat të dytë, të tretë… politik.  

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s