Mazhoranca bllokon ligjin e mediave për të uzurpuar radiotelevizionin, drafti peng në Kuvend që nga 2007

Mazhoranca qeverisëse ka bllokuar projektligjin “Për transmetimet me zë dhe/ose me zë e figurë në Republikën e Shqipërisë”, i quajtur ndryshe ligji i mediave. Ligji, i hartuar me ndihmën e Bashkimit Evropian dhe OSBE, duhet të miratohej që në vitin 2007, por është bllokuar sistematikisht nga demokratët. Pas presionit të ndërkombëtarëve, ligji i mediave u fut në kalendarin e punimeve të Kuvendit dhe filloi të shqyrtohej nga Komisioni i Medias,  por mazhoranca e bllokoi sërish me qëllim për të pasur nën kontroll radiotelevizionin publik.

Demokratët i dhanë disa kompetenca të paligjshme Genc Pollos në ligj, dhe drafti i bllokuar më ndërhyrjen e ndërkombëtarëve. Pas një tjetër ekspertize të OSBE dhe BE, ligji u kthye disa javë më parë në Komisionin e Medias, por mazhoranca e bllokoi sërish, pasi ligji i ri i heq nga duart kontrolli mbi radiotelevizionin publik. Alibia e radhës ishte se RTSH duhet të konsultohej me EBU, një organ ky pranë BE, kur vetë ligji është hartuar me ndihmën e BE. Sipas socialistëve, pas bllokimit të ligjit, fshihet strategjia për të pasur nën kontroll RTSH edhe gjatë zgjedhjeve të 2013. Mazhoranca duket se është e vendosur që ligji të miratohet vetëm pas zgjedhjeve të 2013. “Ata e bllokojnë sepse duan ta përdorin radiotelevizionin, siç po e bëjnë sot e kësaj ditë, në vitin elektoral që po vjen. Nuk janë dakord që të zbatohet ligji, të zbatohet Kodi Elektoral apo të zbatohen sistemet e ligjet e tjera në Shqipëri, që të bëhen zgjedhje të lira, prandaj bllokojnë. Gjejnë këtë rast e bllokoni ligjin e medias”, theksoi Agim Leka, anëtar i Komisionit të Mediave. Edhe kryetarja e Komisionit të Medias, Valentina Leskaj ka deklaruar se mazhoranca po sajon alibi për të bllokuar draftin e ri që konsiston në pavarësinë e RTSH. “Për sa i takon kërkesës së RTSH-së për të marrë mendimin e EBU-së, unë dua të them që drejtori i RTSH-së nuk ka bërë asnjë kërkesë, madje ka thënë: “E kemi konsultuar projektligjin me EBU-në”. Ka kërkuar reflektime për sa i takon Këshillit Drejtues, për sa u përket çështjeve të pronësisë dhe çështjeve të financimit. Tani, pasi ligji ka qëndruar 2 vjet këtu, kërkojnë që ta çojnë tek EBU-ja. Kjo mua më duket një sajesë. Projekti ka qenë te RTSH-ja që më 8 korrik të vitit 2008 dhe duhej ta kishte çuar te EBU-ja për shkak të detyrimeve, në qoftë se e shikonte të arsyeshme, por unë do të thosha se ka edhe një argument tjetër”, ka deklaruar Leskaj.

OSBE dhe BE
Kryetarja e Komisionit të Medias, Valentina Leskaj ka deklaruar se ky projektligj i ka kaluar të gjitha filtrat e institucioneve ndërkombëtare, pra ka kaluar në filtrin e BE-së, ka kaluar në filtrin e Këshillit të Europës dhe ka kaluar në filtrin e OSBE-së. “Tani ne kthehemi prapa dhe themi:Jo, nuk e ka parë EBU-ja. Nuk ka kohë grupi i ekspertëve. Kërkojmë përsëri kohë. Për të gjitha këto arsye që thashë, argumentet e shtyrjes nuk qëndrojnë. Është më e ndershme të themi: “Ne duam ta shtyjmë këtë ligj”, por kjo nuk është normale, sepse ka krijuar implikime shumë të mëdha në tregun mediatik. Një nga kritikat më të mëdha të BE-së është që tregu nuk është i rregulluar”, ka pohuar ajo.

Ligji i mediave kusht i BE

Kryetarja e Komisionit të Medias, Valentina Leskaj, ka deklaruar se një nga kritikat e BE-së dhe, siç u tha edhe në mbledhjen e fundit, në Bruksel, në Komitetin e Stabilizim – Asociimit, ishte që duhet të miratohet projektligji “Për transmetimet me zë dhe/ose me zë e figurë”. “Njëherë të themi që na duhet për integrimin dhe hajde ta mbarojmë, pastaj themi që ta fusim në kalendat greke, sepse RTSH-ja nuk ka pasur kohë, 2 vjet e ca nuk i kanë mjaftuar për ta konsultuar me EBU-në. Grupi i punës, i cili varet nga qeveria dhe duhet të punojë ditë e natë, nuk ka pasur kohe, duhet të gjejë kohë, për të reflektuar dy ndryshimet që kanë nevojë të merren nga strategjia dixhitale dhe të reflektohen te ky projektligj. Nuk e beson njeri që grupi i punës nuk ka arritur ta bëjë këtë gjë”, ka deklaruar Leskaj.

Raporti, mediat të kapura nga qeveria

Progres-raporti i Komisionit Evropian konstaton kontrollin e qeverisë mbi mediat dhe vonesat në miratimin e ligjit për mediat. Progres-raporti thekson se radiotelevizioni publik kontrollohet nga qeveria. “Kontrolli i qeverisë mbi transmetuesin publik është forcuar. Qeveria ndërhyn direkt me emërime menaxheriale në transmetuesin publik”, thuhet në raport. Progres-raporti i Komisionin Evropian pohon gjithashtu se qeveria ka rritur presionin ekonomik mbi mediat. “Presioni ekonomik mbi media është rritur më tej, rritur më tej, duke prekur tashmë kushtet e punës së gazetarëve. Pavarësia editoriale vazhdon të pengohet nga privatët për interesat politike. Ka shqetësime se reklamat u janë dhënë kanaleve që përkrahin qeverinë”, thuhet në raport.

Dalipi: PD skenar për të mos e kaluar ligjin deri pas 2013

Deputeti i Partisë Socialiste, Alfred Dalipi, ka deklaruar se mazhoranca, në bashkëpunim me RTSH, po gjen pretekste për të mos e kaluar ligjin e mediave deri pas zgjedhjeve të 2013.         “Për sa i përket shkresës së bërë nga Radiotelevizioni Publik, ky televizion ka sjellë në komision zyrtarisht kërkesat e veta në raport me sugjerimet që do t’i bënte draftit. Sugjerimet janë bazuar gjithmonë zyrtarisht në sugjerimet që ka bërë eksperti i Bashkimit Europian të EBU-së dhe sot po të thuhet që do t’i kalojë EBU-së, ne këtë e kemi të kaluar, sepse ky ligj e ka marrë ekspertizën e Bashkimit Europian, që është aureola edhe e këtij organizmi. EBU-ja është brenda BE-së, brenda këtij institucioni, dhe ne kemi ekspertizën edhe të Bashkimit Europian, edhe të OSBE-së. Nuk qëndron si arsye dhe duke mos qëndruar si e tillë, të dyja bashkë unë i shikoj si një institucionalizim të një linje për të mos e kaluar këtë ligj në këtë legjislaturë”, ka pohuar ai. Ai ka shprehur edhe shqetësimin për për alokimin e fondeve publike, të fondeve qeveritare në funksion të mediave të caktuara. “Në 3 vjetët e fundit të raport-progresit, por edhe të raporteve të Departamentit Amerikan të Shtetit dhe BE-së, është parë si një mundësi që qeveria të përzgjedhë media të caktuara, që i ka klasifikuar si media qeveritare. Në mbledhje e parafundit të Komisionit të Medias, Dalipi ka bërë edhe një kërkesë për të kërkuar informacion nga ministrat sa i takon dhënies së reklamave. “Konkretisht, dëshiroj t’i drejtojmë një kërkesë zyrtare ministrit të Brendshëm për ta na dhënë një informacion për procedurat ligjore që janë përdorur për prokurimin e fondeve publike qeveritare për reklamat që janë bërë tek operatorët radiotelevizivë, shumat që janë prokuruar, objektin për të cilin janë prokuruar, si dhe kriteret e përzgjedhjes së këtyre operatorëve. Kjo do ta ndihmonte shumë komisionin, meqë jemi komision përgjegjës, për të qenë sa më autoritarë dhe sa më profesionalë në konkluzionet dhe në deklarimet që do të bëjmë këtu, por edhe për të ndërmarrë ndonjë hap të mëtejshëm. Nëse janë bërë abuzime, lindin hapësira për komisione hetimore. E njëjta kërkesë për procedurat, për shumat e prokuruara, për objektin e prokurimit dhe për kriteret që janë përzgjedhur për këtë duhet t’i bëhet edhe Ministrisë së Mbrojtjes. Kjo bëhet edhe nga një shkak, pa pasur asnjë ngarkesë politike, sepse ne mund të ngarkojmë me përgjegjësi, pa pasur informacion zyrtar nga ata vetë”, ka deklaruar Dalipi.  Adriatik Doçi

Advertisements
nga moderatori Postuar te Sot

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s