Panorama bëhet 10 vjeç, katër presidentë ndajnë tortën e datëlindjes

Dhjetë vjet më parë, gazeta Panorama doli në treg me numrin e saj të parë. Për të shënuar këtë ditë, në ambientet e Hotel Rogner Europa Park u mblodhën dje rreth 600 të ftuar, gazetarë, analistë, kontribues dhe disa nga emrat më të njohur të politikës dhe të jetës publike në Shqipëri.
Në festën e organizuar nga Panorama Group, ishin Presidenti i Republikës, Bujar Nishani; kreu i LSI-së, Ilir Meta; kryetari i Bashkisë, Lulzim Basha; kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi; kreu i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu; dhe deputetë të opozitës dhe mazhorancës. Në dokumentarin e shfaqur në ceremoninë e djeshme zinin vend pamjet nga gazeta e atyre ditëve të para të tetorit 2002; stafi i parë dhe  kryeredaktorët e parë me dëshmitë e tyre. Botuesi i Panoramës, Irfan Hysenbelliu, në një prononcim kujtoi se “patëm një vëmendje të madhe për të gjetur një emër të përshtatshëm për gazetën që po krijonim. Menduam për Panorama, pasi ky emër përfshin më së miri gjithë aktorët dhe ngjarjet e jetës shqiptare e më gjerë.”

“Është e para që e lexoj në mëngjes. Edhe 10 vjet të tjerë më profesionalë.”- tha ministri i Inovacionit, Genc Pollo.
Ndërkaq, ish-presidenti Bamir Topi u shpreh se “10 vjet nuk janë pak, është një dekadë, gazeta me prestigjioze në Shqipëri, e pavarur, mjaft e ekuilibruar. I uroj edhe qindra vite të tjera. Është vetëm fillimi. Urime!”  Për të ndarë tortën e datëlindjes së gazetës, në mënyrë simbolike së bashku me botuesin Hysenbelliu u bashkuan edhe katër presidentët: ai aktual Nishani dhe tre të mëparshmit, Meidani, Moisiu, e Topi.

Berisha: E maturuar. Rama: Ka zë për të gjithë
Kryeministri Sali Berisha dhe kreu i opozitës, Edi Rama, kanë uruar datëlindjen me anë të videomesazheve, pasi për shkak të impenjimeve të paracaktuara nuk kanë pasur mundësi të marrin pjesë në festën e sotme.
“Urimet më të përzemërta, shëmbëllen si një 25-vjeçare, pra një gazetë e maturuar, falë përkushtimit, profesionalizimit dhe drejtimit të saj, e cila ia ka dalë të zërë një vend qendror në shtypin e shkruar shqiptar. Ndaj dhe unë me këtë rast, në këtë 10-vjetor, përcjell urimet e mia më të mira për të gjithë stafin. Të gjithë ata që me editorialet e tyre, me analizat kanë kontribuar në këtë gazetë në shtypin shqiptar”- tha kryeministri Berisha.
Ndërsa Edi Rama i mëshoi shumë karakterit të hapur të Panoramës, e cila, sipas tij, ka vend për të gjithë zërat dhe ngjyrat. “Çdo datëlindje që festohet nga një tribunë mediatike, pavarësisht në ç’pozicion qëndron ajo tribune në raport me politikën apo me opinionin publik, është gjithsesi një ditë e mirë për demokracinë. Unë do t’i uroja gazetës edhe shumë festa të tjera datëlindjeje. Vlen të thuhet edhe diçka më shumë për një gazetë e cila është ndër më të shiturat në treg. Panorama më kujton atë nocionin shqip të pamjes panoramike. Një pamje panoramike është një pamje që shkon nga një cep deri te një cep tjetër, ku syri e ka të vështirë të ndalojë për të thënë se ky është pozicioni ku pamja duket më mirë. Është një linjë editoriale e veçantë, jo domosdoshmërish e pëlqyeshme gjithmonë për çdokënd, jo domosdoshmërish në këto vite ka mëshiruar atë çka do donim. Por kjo s’ka pikë rëndësie. Larmishmëria dhe aksesi i të gjitha pikëpamjeve është më i rëndësishëm. Rëndësi ka që të ketë zë për të gjithë, dhe veshët të mos dëgjojnë të njëjtin zë.”- tha kreu socialist Edi Rama.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s