RTSH, televizioni publik që “ha” paratë e taksapaguesve me një drejtor pa mandat

Radiotelevizioni Publik Shqiptar vijon të mbetet një institucion që prej vitesh e ka humbur publikun, dhe kjo për shkak të programacionit të dobët dhe nivelit artistik që lë për të dëshiruar. Në ekranin e ish gjigandit RTSH ka humbur ai program që dikur e kishte publikun, pasi sot RTSH është kthyer në shërbim të pushtetit. Politika e ka dëshiruar RTSH gjithmonë si vetëshërbim për propagandën partiake-qeveritare dhe duket se këtë mision kjo media publike, e cila mbahet me lekët e taksapaguesve shqiptarë po e kryen shumë mirë në favor të qeverisë.

Ndërkaq që menaxhimi aspak i mirë dhe prapambetja krahasuar me transmetuesit privatë sot në vendin tonë, së bashku me mendimin e përgjithshëm që RTSH kontrollohet politikisht, janë ndër problemet kryesore të tij për përmbushjen e misionit të tij publik. Por në RTSH nuk është vetëm kjo, pasi që në nëntor të viti 2011 drejtorit të përgjithshëm të RTSH, Petrit Beci, i ka mbaruar mandati, ndërsa ai vijon akoma ta drejtojë sipas mënyrës së tij këtë institucion, që deri tani ka parë vetëm rrënimin. Paratë e taksapaguesve shqiptarë po shpërdorohen nga një drejtor pa mandat, i cili vijon të qëndrojë në krye të këtij institucioni. Në bazë të ligjit “Për radion dhe televizionin publik e privat në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar disa herë sipas ndikimeve politike dhe ndryshimeve të mazhorancës, mandati i drejtorit të përgjithshëm të RTSH është 5-vjeçar. “Drejtori i përgjithshëm është menaxheri i veprimtarisë programore, financiare dhe të biznesit të RTSH-së. Drejtori i përgjithshëm i RTSH-së zgjidhet me votim të fshehtë nga Këshilli Drejtues për një periudhë 5-vjeçare ndërmjet jo më pak se dy kandidaturave. Seleksionimi i kandidaturave bëhet nga këshilli drejtues mbi bazën e konkurrimit të hapur dhe kritereve të përcaktuara në statutin e RTSH-së”, thuhet në nenin 100 të këtij ligji. Petrit Beci është zgjedhur Drejtor i Përgjithshëm i RTSH në nëntor të vitit 2006, ndërkohë që mandati i tij ka mbaruar prej muajsh duke bërë që ai të drejtojë këtë institucion jashtë ligjit. Deri më tani është pohuar se kjo situatë ka ardhur dhe për shkak të pritjes së miratimit të ligjit të ri të medias, por gjendja e mjerueshme e RTSH po e rrënon nga dita në ditë këtë media publike. Petrit Beci u zgjodh drejtor i Përgjithshëm i Radiotelevizionit Publik Shqiptar në nëntor të vitit 2006, në atë kohë në mbledhjen e Këshillit Drejtues anëtarët e tij votuan Becin drejtor, i cili zëvendësoi në këtë post Artur Zhejin. Edhe pas kësaj zgjedhjeje, RTSH vijoi me problematika të cilat u thelluan dhe më shumë, ndërkaq që buxheti i shtetit shkon për një nivel të mjeruar në programacion, pasi duket se drejtori Beci më shumë ka menduar të rrisë fuqinë e tij në shërbim të qeverisë se sa të jetë më pranë publikut.

Panorama e trishtueshme e RTSH
Ndonëse një muaj më parë Këshilli Drejtues i RTSH-së u mblodh, asnjë nga pikat e rendit të ditës nuk kishte të bëjë me drejtuesin e ri të këtij institucioni. Rendi i ditës nga burime brenda Televizionit Publik kishte të bënte me ndryshimin e gjashte anëtarëve, pasi i kish mbaruar afati, me miratimin e programeve të reja në këtë televizion si dhe me miratimin e rritjes së pagave për një pjesë të punonjësve, për të cilat burimet thonë se nuk dihet se cila është ajo kategori që ka përfituar. Por, përveçse drejtorit të përgjithshëm edhe mandati i kreut të Këshillit Drejtues Agron Tufa ndonëse ka mbaruar vazhdon të drejtohet nga vetë ky i fundit. Si të mos mjaftojnë shkeljet brenda këtij institucioni të mbyllur hermetikisht, punonjësit na bëjnë të ditur se një sërë abuzimesh të vazhdueshme po ndodhin me trajnimet. Burimet pohojnë se ka trajnime që vijnë në TVSH nga televizione simotra për gazetarët, por që janë drejtuesit e drejtorive që shkojnë, duke përfituar dieta të majme, dietat qe i shtohen edhe rrogës së tyre të lartë në krahasim me punonjësit e shumë të këtij dikasteri apo edhe vetë të gazetarëve. Një shkelje e fundit që është vënë re nga kushdo dhe e ngritur nga Partia Socialiste është ajo e kronikave të stërzgjatura të aktiviteteve të kryeministrit Sali Berisha. Në krahasim me kohën e opozitës janë shumë larg. As 12% opozitë. Dhe për të shkuar më tej me gjithë këtë shëmbëlltyrë të së keqes ku abuzivizmi shikohet qysh jashtë ndërtesës, merr dhe 1 mijë lekëshin çdo muaj në faturën e dritave, për të cilën janë detyruar të shikojnë arritjet e qeverisë apo emisionet e dështuara, emisione të përsëritura ndër vite, ndonjë telenovelë që edhe kjo është nxjerrë nga arkivi i hershëm, e që të ndodh ndërsa sheh TVSH-në, që është aq pa ngjyra dhe herë-herë figura shtrembërohet. Ky është dixhitalizimi dhe transmetimi HD në Televizionin Publik Shqiptar, që trumbetohet shumë nga Petrit Beci si ”Shqipëria në moshën e internetit” nga kryeministri.

RTSH, i politizuar në lajme dhe programacion
Sot RTSH është kthyer në një bastion politik, i cili i shërben vetëm pushtetit qeverisës, në një kohë kur janë taksapaguesit shqiptarë që paguajnë për të dhe askush nuk ka të drejtë të shpërdorojë këtë fond. RTSH të ofron një panoramë të trishtueshme, pasi i vënë në shërbim të qeverisë, janë harruar programet për fëmijë, programet për të rinjtë, spektaklet që duhet të ishin në ekranin e tij si dhe shumë programe të tjera. Të vjen keq që sot në ekran shikon më shumë opera, ndonjë koncert simfonik, të cilat duhen por jo të humbin aktivitete e tjera muzikore. Në pjesën më të madhe programet e RTSH ngjasojnë si me ato të kohës së komunizmit, ndërkaq që filmat premierë pothuajse nuk janë fare, duke munguar dhe programet që publiku si fillim i ka parë në RTSH, ndërsa tashmë këto formate mund ti gjejë në ekrane të tjera. U deshën vetëm disa vite që ky institucion të rrënohej. Që nga koha si drejtues i RTSH, Petrit Beci është akuzuar jo pak herë për humbjen e cilësisë artistike në programacion apo dhe si një televizion në shërbim të qeverisë, akuzë kjo edhe e opozitës. Muaj më parë në Komisionin e Medias, deputetë të opozitës pohuan se RTSH është pjesë e korrupsionit qeveritar. “Nisur nga raporti i DASH, nga rezoluta e Raport Progresit 2011 dhe KKRT ne shikojmë që RTSH është një institucion i politizuar. Brenda 5 vjeçarit të parë të ligjit 84/15, RTSH duhet të mbulonte të gjithë territorin e vendit, e ka detyrim ligjor por se ka bërë”, ka pohuar deputeti Alfred Dalipi në ditën kur u bë dhe prezantimi i raportit vjetor të aktivitetit të RTSH në Komisionin e Medias. Ndërkaq që gazetarët, përveçse përballen me ndërhyrjet e shumta që i bëhen gjatë tekstit të kronikave (po të vesh re, kronikat për sa i takon aktiviteteve të kryeministrit janë në të shumtën e rasteve 10 minuta, gjithashtu edhe ato të kryetares së Kuvendit por edhe të krerëve të ministrive, ku nuk mungojnë edhe deklaratat nga fillimi e deri në fund të zëdhënësve të PD-së apo ministrive) iu duhet të punojnë edhe në fundjavë pa u paguar si dhe me orare të zgjatura. Burimet pohojnë se oraret dhe ditët e shtuna e të diela iu paguhen vetëm gazetarëve që ndjekin aktivitetet e kryeministrit Sali Berisha, kryetares së kuvendit apo gazetares që ndjek aktivitetet e presidentit të Republikës Nishani.

Teknologjia, e dobët në RTSH
Në vendin tonë televizionet private e kanë lënë shumë pas Radiotelevizionin Publik Shqiptar, duke e kaluar jo vetëm në programacion, por shumë dhe nga teknologjia që ato kanë. RTSH përballë tyre është shumë i dobët, ndërsa mungesa e teknologjisë vijon të mbetet një prej problemeve më madhore të këtij institucioni. Buxheti i RTSH nuk ka qenë i paktë, pa harruar dhe të ardhurat që janë nga reklamat, por ende gjendja e tij mbetet e mjerueshme. Projekti i dixhitalizimit të Radiotelevizionit Shqiptar kërkon përshpejtim të punës për këtë projekt, njëkohësisht dhe një kërkesë e Komunitetit Europian. Deri tani duket se nuk ka pasur projekte, ndryshime apo investime të mëdha, por vetëm është munduar të mbahet sistemi ekzistues, i cili në fakt ka jo pak probleme, dhe nuk dihet se kur do të përfundojnë, pasi drejtuesit e këtij institucioni duket se kanë bërë pak deri tani.

Festivali i Këngës Popullore, RTSH e shfaq me regjistrim
Festivali i Parë i Këngës Popullore Shqiptare që u zhvillua në sallën e Teatrit të Operës dhe Baletit, si një aktivitet nga RTSH nuk u transmetua live për publikun. Edicioni i parë i këtij aktiviteti u zhvillua për dy net, 4 dhe 5 tetor, por dhe pse ngjiti në skenë emrat më të njohur të këngës popullore qytetare, pasi këtë vit ai do ti dedikohet kësaj krijimtarie, sërish publiku nuk pati mundësinë ta shikonte drejtpërdrejtë. Më herët në media nuk mungoi jehona për këtë festival, por fatkeqësisht deri tani publiku as nuk e di se çfarë ka ndodhur në dy netët e këtij festivali, i cili sipas organizatorëve premton të kthehet në traditë. Në këtë festival interpretuan emra të njohur si Frederik Ndoci dhe Bujar Qamili, Liri Rasha, Artiola Toska, Valbona Mema, Shkëlzen Jetishi, etj, dhe dukej se këtë herë RTSH do të kishte në vëmendje publikun, por mosdhënia e këtij festivali deri tani në ekran duke e lënë vetëm për publikun që e ka ndjekur në sallë, tregon se RTSH duket se ka harruar se me taksat e taksapaguesve shqiptarë po zhvillon aktivitetin.

Advertisements
nga moderatori Postuar te Shqip

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s