“Twitter” dhe TV, të gjitha gabimet që nuk duhen përsëritur

Rrëfimet e Zonjës së Parë franceze, në intervistën e saj të parë zyrtare që kur hyri në “Elize”. Gabimet e bëra dhe projektet për të ardhmen.

Përfundoi në ciklonin e polemikave për mesazhin e shkruar në “Twitter” kundër Segolene Royal. Në intervistën e parë si “premier damme”, Valerie Trierweiler pranon: “Nuk e kisha kuptuar që nuk jam më një qytetare e thjeshtë, bëra një gabim që nuk dua ta përsëris”. Në rrëfimin e parë zyrtar që kur hyri në “Elize” përkrah Presidentit François Hollande, Valerie Trierweiler flet për jetën e saj të re dhe për gabimet e bëra, por edhe për projektet e së ardhmes.

Zonja Trierweiler, ku përfundoi ideja për të bërë një emision në “Canal+”?

Pas një periudhe reflektimi, vendosa të hiqja dorë. Me rrjetin televiziv “D8”, ku punoja prej shtatë vjetësh, kisha folur për disa projekte ende në letër, jo për një transmetim të rregullt. Kishim imagjinuar për një apo dy dokumentarë në vit për çështje shumë të rëndësishme në botë, si shkollimi i vajzave apo problemet demografike. Ishte një projekt i bukur, me prirje humanitare, por kuptoj se për disa, fakti i të qenit gruaja e presidentit dhe njëkohësisht gazetare në televizion mund të shkaktojë “turbullira”. Për këtë arsye, vendosa që të mos e ndiqja më idenë. Jam e ndërgjegjshme që kam pasur fat në jetë. Tani mendoj se është momenti të kthej atë që kam marrë, duke u vënë në shërbim të të tjerëve e në veçanti, fëmijëve.

Duket e ndërlikuar t’i bëni të gjitha. Herët ose vonë duhet të merrni vendimin për të braktisur profesionin e gazetares?

Jam gazetare e “Paris Match” prej 22 vjetësh, drejtoj një rubrikë letrare që nuk ka lidhje fare me politikën. Fëmijët e mi i mbaj unë dhe nuk e di si mund t’ia dal pa një rrogë. Franca mban rekordin sa u përket grave të punësuara, rreth 85 për qind. Thjesht jam pjesë e këtij 85 përqindëshit. Pavarësia ime financiare më duket edhe më e “shëndetshme” për të qëndruar me këmbë në tokë.

 

Kishit thënë se donit të ishit ndryshe nga zonjat e tjera të para. Megjithatë keni bashkëpunëtorë në “Elize”, ashtu si paraardhëset tuaj. Nuk ishte rasti për ta refuzuar këtë ekip?

Ekipi me të cilin bashkëpunoj, është shumë herë më i vogël se ai i zonjave të tjera të para. Përbëhet vetëm nga tre persona, që kujdesen për postet dhe projektet tona. Të tjerat janë njëlloj. Në zyrën time në “Elzie” pres vizita. Ndërsa punën time si gazetare e bëj në banesën tonë, ku vazhdojmë të jetojmë.

Me fillimin e sezonit letrar, ka shumë vepra për ju në librari. I keni lexuar?

Ke të drejtë që flet për letërsi dhe sezon letrar, sepse shumë prej këtyre librave janë më afër romaneve se sa gjinive gazetareske. Përshtypja ime është se personat që i kanë shkruar nuk flasin për mua, por për një personazh të fantazisë, i krijuar posaçërisht për t’u bashkuar me klishetë e tyre.

Le të ndalemi tek ai mesazh në “Twitter” për kandidatin Olivier Falorni, i cili konkurronte kundër Segolene Royal në zgjedhjet legjislative. E konsideroni gafë? Jeni penduar? Çfarë ju tha për këtë François Hollande?

Ishte një gabim, për të cilin jam penduar. Ai mesazh u interpretua gabim. Unë ende nuk e kisha kuptuar që nuk isha më një qytetare e thjeshtë. Nuk do të përsëritet më. Porsa i përket asaj që unë dhe François kemi thënë, kjo hyn te çështjet private.

Sulmet e kolegëve tuaj në atë rast ju dukën të padrejta?

Sigurisht që mënyra se si u trajtua m’u duk e padrejtë. Disa gazetarë sot e pranojnë që e kanë ekzagjeruar.

Bëtë denoncim për fotot private të shpërndara në shtypin rozë. Të përgjohesh nga paparacët, është ky fati i personave të famshëm sot?

Prandaj duhet pranuar? Nuk besoj. Nuk kemi pozuar kurrë për foto private. Do të vazhdojmë të mbrohemi. Do them se të ardhurat që do vijnë nga kjo, do të shkojnë të gjitha për shoqatat e gazetarëve.

Keni bërë progres për idenë e një statuti të “premier damme”?

Me fjalë të tjera, si e imagjinoni këtë rol?

Për statutin jo. Nuk është nevoja për të krijuar një të tillë. Për rolin, po, kam bërë progres. Ndoshta nuk e kisha kuptuar deri në fund sa e komplikuar ishte kjo punë. Të jem në krah të presidentit më bën t’i vlerësoj ndryshe gjërat, të kem shqetësime më pak personale. Marr me mijëra kërkesa nga ana e organizatave por edhe nga njerëz të veçantë, e sidomos gra në nevojë. E quaj detyrë timen t’u kthej një përgjigje.

Keni deklaruar se doni të angazhoheni në fonacionin “Danielle Mitterrand”, që merret me demokracinë dhe të drejtat e njeriut: çfarë roli do të keni?

Të vazhdoj punën e nisur nga zonja e nderuar Danielle Mitterrand, më bën të ndihem e nderuar. Ato me të cilat merret ky fondacion janë çështje që unë i kam shumë për zemër.

Advertisements
nga moderatori Postuar te Shqip

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s