Abuzuan me paratë e të drejtës së autorit, gati heqja e licensës për “Albautor” dhe “AKDIE”

Problemet më të drejtën e autorit vijojnë të jenë një nga problemet më shqetësuese sot për autorët dhe krijuesit, ndërsa më herët nuk kanë munguar dhe akuzat ndaj Zyrës Shqiptare për të Drejtën e Autorit, për më tepër vëmendje ndaj pronësisë intelektuale. Përballë këtyre akuzave, duket se ZSHDA ka rritur punën e saj edhe në kontrollin e Agjencive të Administrimit Kolektiv të të drejtave të autorit dhe të drejtave të tjera të lidhura me të, të cilat janë 4 të tilla të licensuara nga Ministria e Kulturës me propozim të ZSHDA.

Agjencitë ushtrojnë një aktivitet menaxhues (mbledhin të ardhura nga përdoruesit dhe ia shpërndajnë këto anëtarëve të tyre) të drejtash sipas fushës së licensuar. Në bilancet e dërguara pranë ZSHDA, duket se ka jo mpak probleme të cilat kryesisht janë tek të ardhurat që mbledhin këto agjenci. Sipas drejtorit të ZSHDA, Mujë Buçapapaj, nga analizat e bëra janë evidentuar shkelje të theksuara në ligjin “Për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e tjera të lidhura me të”, mbi aktivitetin e agjencive “Albautor”( Agjenci e Administrimit Kolektiv të të Drejtave të Autorit)  dhe “AKDIE” (Agjencia e Administrimit Kolektiv për të drejtën e artistëve interpretë dhe/ose ekzekutues). Sipas tij, bilancet të cilat tregojnë për jo pak probleme sidomos sa i takon të ardhurave që mbledhin agjencitë, mund të çojë deri në propozimin e pezullimit të licensës së tyre. Buçpapaj thekson se nga analizat e mësipërme janë evidentuar shkelje ligjore në aktivitetin “Albautor” dhe “AKDIE”, si mospërmbushje e detyrimit për të mbledhur të ardhurat dhe shpërndarjen e tyre titullarëve të së drejtës së autorit dhe të drejtave të tjera të lidhura me të, mospërmbushjen e detyrimit për të depozituar në ZSHDA informacionin e kërkuar për veprimtarinë e tyre, mospërmbushjen e detyrimit për thirrjen çdo vit kalendarik të mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme, e cila duhet të miratojë buxhetin e agjencisë dhe listën e shpërndarjeve, etj. “Në këto kushte në ushtrim të kompetencave ligjore ZSHDA bazuar në VKM nr. 232 datë 19.4.2006 “Për organizmin dhe funksionimin e ZSHDA, përkatësisht, pika 14, neni 116 e ligjit nr. 9380 “Për të drejtat e autorit e tjera të lidhura me të”, mund të çojë në pezullimin e licensës së agjencive “Albautor” dhe “AKDIE”, për periudhën 6 mujore, parashikuar në nenin 116 si afat i fundit i agjencive për përmbushjen e detyrimeve ligjore”, thekson Buçpapaj. Sipas tij, agjencia “Albautor” nuk ka përmbushur detyrimet që burojnë nga ligji nr. 9380 datë 28.4.2005 dhe detyrimet statusore të vetë agjencisë. Konkretisht agjencia nuk ka realizuar shpërndarje të grumbulluara nga përdoruesit tek anëtarët, titullarë të të drejtave. “Kjo agjenci ka grumbulluar për vitin 2011 për llogari të anëtarëve 3.720.342 milionë lekë të reja. Bazuar në marrëveshjen ndërmjet agjencisë dhe autorëve apo titullarëve të të drejtës së autorit, depozituar në ZSHDA parashikohet se agjencia duhet të përdorë 25 për qind të të ardhurave, në shumën 930.085 lekë të reja, ndërkohë që shpenzimet e agjencisë për 2011 si shpenzime të personelit, shpenzime administrative, etj, rezultojnë në shumën 2.735.229 lekë të reja. Sipas përllogaritjes “Albautor” ka shpenzuar 1.805.144 lekë të reja, më tepër se sa limit i lejuar”, pohon drejtori i ZSHDA. Jo pak problematike në bilancet e punës së tyre, sidomos sa i takon shpërndarjes së të ardhurave, drejtori i ZSHDA shikon dhe agjencinë “AKDIE”. Sipas Buçpapajt, agjencia nuk ka realizuar shpërndarje të të ardhurave të grumbulluara nga përdoruesit te anëtarët. “Shuma e të ardhurave për 2011 sipas bilancit të “AKDIE” është 3.202.291 lekë të reja, nga të cilat shpenzimet e agjencisë për 2011 janë në shumën 2.020.030 lekë të reja. Ndërsa “AKDIE” duhet të përdorë për shpenzimet e veta vetëm 25 për qind të të ardhurave, pra 800.572 lekë të reja, ndërsa ka shpenzuar 2.020.030 lekë të reja, pra 1.219.458 lekë të reja më shumë”, pohon drejtori i ZSHDA.

FMAA dhe  “AMP”, më pak problematike në treg
Ndërsa ZSHDA tashmë ka nisur punën për të parë më tej problematikat që kanë këto agjenci dhe për ti dërguar këto probleme dhe në MTKRS, në treg janë dhe dy agjenci të tjera që veprojnë për të drejtën e autorit, por që sërish kanë probleme. Sipas drejtorit të ZSHDA, Mujë Buçpapaj, FMAA (agjencia për të drejtat e autorit në fushën e kinematografisë dhe veprave të tjera audiovizuale) edhe pse ka përmbushur pjesërisht detyrimet ligjore të agjencisë dhe detyrimet statusore të parashikuara sipas ligjit, kjo agjenci nuk e zhvillon aktivitetin e saj në përputhje të plotë me nenin 110 të ngjit 930, “Për të drejtat e Autorit dhe të Drejtave të  tjera të lidhura me të, duke mosrespektuar detyrimet ligjore që burojnë nga statuti i vetë agjencisë dhe duke operuar në mungesë të një administrate me staf të plotë në ushtrimin e veprimtarisë. Ndërkaq që agjencia “AMP”(agjencia e administrimit kolektiv të të drejtave të prodhuesve të muzikës dhe fono-videogrameve), është më e reja në tregun e vendit tonë, dhe si e tillë duket se ende nuk ka ato probleme që kanë pasur agjencitë e tjera.

Advertisements
nga moderatori Postuar te Sot

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s