Gazetari italian: Sequi negocioi për lirimin tim nga talebanët

Nga: RUDINA HOXHA 

Kur na duhet të përmbushim reformat e mbetura para daljes së Progres Raportit, duket qartë se negociatat midis dy partive kryesore në vend përbëjnë edhe kyçin e zgjidhjes së situatës së bllokuar.
Situata merr udhë me pak më shumë tolerancë e vullnet. Kujtoj një deklaratë të kohëve të fundit të Z. Ditmir Bushati, bashkë-kryetari socialist i komisionit për reformën parlamentare, i cili tha tekstualisht kështu: “Nëse do të ketë vullnet nga ana e mazhorancës, reforma parlamentare miratohet edhe brenda ditës”. Të njëjtën gjë nënkuptoi edhe Z. Jemin Gjana, kryetari demokrat i këtij komisioni. Pra kemi nevojë për negociata apo bisedime thënë thjesht. Nëse historia thotë se një qyp me flori gjendet në fund të ylberit, për ne Shqiptarët, fjala ‘negociata’ ndodhet në fund të ylberit. Sepse negociatat suksesshme kanë vetëm një rezultat: Konsensusin.
Një gazetar që jeton me fuqinë e kësaj fjale
Por ne nuk ia dimë shumë vlerën fjalës “negociatë”. Dikush e di ama. Ai është gazetari italian, Daniele Mastrogiacomo i cili jetën e tij që ia dha Perëndia për së dyti ia dedikon pikërisht fuqisë së ‘negociatorit’.
E kontaktova këtë korrespondent lufte me një eksperiencë prej 35 vitesh si gazetar të dielën e kaluar (30 shtator) dhe ai më tha se në këtë ditë ai mbushte plot 58 vjeç. Ishte një rastësi. Falenderonte Zotin që ishte mirë me shëndet. Nuk ishte në Romë, aty ku jeton, por po udhëtonte drejt Madridit për reportazhin e radhës për të përditshmen italiane “La Repubblica” për të cilën punon që nga viti 1980. Ai di shumë për Shqipërinë dhe situatën në të. Ekspert i politikës së jashtme, Mastrogiacomo ka raportuar nga fronti i parë i luftës në Afganistan, Iran, Palestinë, Irak, Somali, Kongo e Liban. E gjithë kjo eksperiencë e gjatë në këto vende të vështira e kanë bërë ta vlerësojë më shumë jetën, njerëzit, popujt, dashurinë, paqen si dhe të kontribuojë sado pak për to sipas mënyrës së tij.
“Më pëlqen puna që bëj, më bën të ndihem gjallë dhe më jep mundësinë të ndaj shumë gjëra me realitetin. Por di edhe të jem auto ironik dhe arrij të mos e marr punën që bëj shumë seriozisht. Do të ishte qesharake nëse nuk do ta kuptoja këtë gjë kështu”, – thotë Mastrogiacomo për “Gazetën Shqiptare”.
Aty ku jeta e tij mori një kthesë të paharrueshme
Pikërisht midis atyre maleve të larta dhe luginave të thella midis që të linin pa fjalë, ai u rrëmbye nga talebanët në Afganistan së bashku me një gazetar dhe një shofer afgan në një përpjekje për të marrë në intervistë të premtuar nga një komandant talebanas në mëngjesin e 5 Marsit të vitit 2007. Por premtimi ishte veç një kurth. Të 15 ditët e tmerrit që pasuan më tej, Mastrogiacomo i përshkruan në librin e tij, “I giorni di paura” (Ditët e Frikës). Përfundimi: Të dy shoqëruesit e tij afganë u ekzekutuan me prerje koke ndërsa Mastrogiacomo ishte i vetmi që u lirua gjallë. Ajo që ai tregon në atë libër nuk është thjesht historia e një pengu, por mbi të gjitha përshkrimi realist i dramës që kalon njeriu kur takon e bisedon me tjetrin. Megjithëse në ato kushte të tmerrshme, Mastrogiacomo përpiqet të bisedojë (të negociojë) me pengmarrësit dhe të kuptojë botën e mendimet e tyre. “Të negociosh është diçka e vështirë, duhet të hysh në këtë botë e ta ndjesh në thellësitë e saj. Por nuk ka rast që kjo të mos jetë e mundur”, – thotë gazetari. “Në fakt duhet të negociosh në çdo rrethanë, edhe kur e shikon se mundësitë të janë shteruar. Nëse nuk e bën, herët a vonë do të kuptosh se sa shumë ke humbur dhe sa shumë ka humbur njerëzimi”.
“Një negociator i madh”
Padyshim libri i tij 176 faqësh është frymëzuar nga kjo eksperiencë që i ndryshoi jetën në këtë vend ku sot gjenden rreth 330 shqiptarë në kuadrin e misioneve paqeruajtëse. Por kjo nuk është e vetmja fije që e ndërthur jetën e tij me Shqipërinë. “Unë librin tim ia dedikoj edhe Z. Ettore Sequi sepse ai bëri gjithshka që mundi për lirimin tim. Përveç se të njohur, ne ishim dhe jemi shumë miq. Ai dëshmoi se ishte një negociator i madh, shumë inteligjent, shumë i ekuilibruar dhe shumë i kujdesshëm ndaj kulturave të ndryshme të vendeve ku jetonte”, – ia pret Mastrogiacomo kur e pyes të më thotë diçka më shumë për librin e tij të cilin e kam lexuar së fundmi.
Në atë kohë, Z. Sequi, sot Ambasador i Bashkimit Europian në Shqipëri, shërbente si Ambasador Italian në Kabul. Shumë entuziast, gazetari italian e përshkruan Z. Sequi gjithmonë aktiv tek fliste me përfaqësuesit e luftës, me drejtuesit e grupeve të ndryshme, apo kur organizonte manifestime, momente lutjeje dhe nxiste pjesëmarrjeje. Ai arriti të vinte në lëvizje edhe popullsinë afgane. “Por përveç meje, ai negocioi për lirimin e shumë të rrëmbyerve të tjerë në Afganistan. Këtu mund të përmend rastin e Clementina Cantoni, një vullnetare e Care International apo të një përfaqësuesi të një OJQ amerikane që kishte përfunduar në duart e disa banditëve afganë”.
Imagjino, shton, “edhe sot e kësaj dite familjet e shoferit dhe përkthyesit afgan që u ekzekutuan marrin si kompensim një shumë parash çdo muaj vetëm në sajë të një sistemi të thjeshtë, por shumë efikas që Z. Sequi organizoi në atë kohë me bankat afgane dhe me gjysmë hënën e kuqe të Kabulit”. Po të njëjtin qëndrim duket se mban edhe sot e kësaj dite në Shqipëri fituesi i Medaljes së Ghazi Mir Bacha Khan, të dhënë nga Presidenti i Republikës Islamike të Afganistanit për kontributin e tij më të lartë ndaj paqes dhe sigurisë në këtë vend. Z. Sequi po gjendet kudo nëpër Shqipëri për të ndihmuar këtë vend të ecë përpara e të përqafojë integrimin. Nëse po jep një mesazh të fuqishëm ai është një: Negocioni që të arrini statusin.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s