E vërteta e reklamave për shtypin

Nga: Arben Bllaci

Si në një valle të çmendur skandalesh, ku shaminë e dredhin, sot njëri e nesër tjetri, më i rëndë, më skandaloz se skandalozi paraardhës, më në fund radha i ka ardhur më të fundit, që po tund vendin dhe vallen. Financimi i shtypit. Gjëmojnë televizionet dhe gazetat “larg qeverisë”, bëjnë munxa mallkimesh të cenuarit e mbase thonë “obobo ç’na gjeti!” të përgojuarit.
Është rregull që pas çdo afishimi kësisoj, pëlcasin edhe diskutimet gjithandej.
Më duhet të them që në fillim se diskutantët kolegë nëpër ekrane dhe gazeta flasin ca havadan dhe lëvrojnë tjerrje teorike e politike, që nuk se njerëzve u interesojnë shumë. As e kuptojnë, xhanëm. Vetë e shoh nga tjetër kënd tërë këtë tollovi. Dhe jo për kushedi ç’arsye, po për një të thjeshtë fare. Për shumë vite rresht, rasti deshi që të jem kryesues i bordit drejtues të shtypshkronjës “Demokracia” dhe më vonë administrator i saj, në vitet më të vështira të shtypit. Duhet të theksoj se kjo shtypshkronjë ishte fillimisht e vetmja, dhe ca vite më vonë, vetë e treta ndërmarrje poligrafike ku shtypeshin të gjitha gazetat e vendit. Gjë që domethënë se ishte një indikator i saktë i gjendjes së shtypit dhe i bizneseve që lidheshin direkt me të. Në këto pozicione, jam dëshmitar i ecurisë drejt keqësimit të përditshëm të financave të pjesës më të madhe, deri në pikiata të plota, të shumë prej gazetave, gjatë viteve 1993 – 2006. Duke mos u marrë tani me ekzistencën apo jo të morisë së ligjeve dhe funksionimin apo jo të tyre në lëmin që diskutohet, dua të përqendrohem te paratë, sepse edhe thelbin e skandalit të radhës e përbëjnë pikërisht ato. Ngjyrosja politike e asaj që ka ndodhur është tjetër muhabet.
Hera e parë që unë e kam ndeshur paranë si mjet të tmerrshëm presioni mbi një gazetë ka qenë rasti i gazetës “Koha Jonë”, atëherë në pronësi të z. Nikollë Lesi. Ishte viti ’97, ose siç u quajt, viti i piramidave (çfarë emërtimi?!), hyrje protoverë, në mos gaboj. “Koha” atëherë ishte gazeta më e madhe në vend. Tirazhet e saj arritën në shifrat rekord gjer në 100 000 kopje të përnatshme. Ndërkohë, edhe detyrimet ndaj shtypshkronjës, për një mori arsyesh objektive dhe subjektive, kishin arritur po aq mijë dollarë, domethënë 100 000, shumë absolutisht e madhe për kohën. “Koha” e kishte tepruar shumë “zullumin” me mbështetjen e revoltave në të gjithë vendin. Ishte bërë promotore. I ndodhur në hall të madh, dikush shumë i fuqishëm, u kujtua për detyrimet dhe lëvizi mekanizmat e tij që gazeta “Koha Jonë” të mos shtypej. Shkaku zyrtar? Detyrimi financiar ndaj shtypshkronjës. Vendi ziente nga protestat në Vlorë e kudo, dhe “Koha” pritej e lexohej si “Kur’ani” nga turmat në protestë të armatosur. Urdhri i bllokimit, gojë pas goje, erdhi pasdite vonë gjer tek unë që duhej ta zbatoja. Nuk vonoi dhe Nikolla që e kishte marrë vesh ndalimin, më telefonoi duke shfryrë e duke bërë presionet e tij të njohura e sigurisht fare të padëmshme. Kushdo që ka pas rastin të punojë me z. Lesi, e njeh mirë aftësinë e tij të rrallë për të manovruar e për të dalë nga “balta”. Po erdhi një moment dhe ngeci edhe ai. Ama, për fare pak orë. Pastaj vuri në punë talentin.
– Po sikur t’i gjej lekët, ti ke b… ta shtypësh gazetën? – më shantazhoi aty për aty.
– Gjeji, bjeri dhe do shtypesh. – I thashë unë kot fare, i bindur se s’kishte kurrsesi ku t’i gjente një thes me lekë ndaj darke. Por ai i gjeti dhe afër mesnate, pikërisht me thes i flaku triumfator në korridorin e shtypshkronjës. Gazeta u shtyp mes peripecive të shumta. Në kontrast flagrant me atmosferën e natës së ndalimit të saj, të nesërmen, në një konferencë shtypi të autoriteteve më të larta, gazeta “Koha Jonë” u quajt “parlament i fjalës së lirë” dhe unë, pjesëmarrës në konferencë, fshehurazi, natyrisht, çora faqet nga turpi…
Revoltat e vitit ’97 sollën në pushtet socialistët. Nuk jam dëshmitar direkt, po fjalë nga brenda fare thanë që z. Lesi vërshoi në zyrën e Nanos, fare pak ditë pasi ai hynte në atë zyrë si Kryeministër, duke i kërkuar financim për “Kohën”, kontributi i së cilës ishte absolut në kurorëzimin e Nanos Kryeministër. Por euforik dhe arrogant siç njihet, Nano ia kishte prerë shkurt Lesit: “Nuk erdha në pushtet të mbaj me lekë ‘Kohën’ tënde. Dil jashtë!”. Pikërisht këtu besoj se zë fill krisja Nano-Lesi dhe s’do mend që arsyeja është më se e rëndësishme… Sidoqoftë, në dijeninë time, pas kësaj, askush nuk iu afrua Nanos për lekë gazetash.
Stafeta e pushteti socialist, pas ca kohësh, mbërriti te z. Ilir Meta, shumë i ndjeshëm në raport me shtypin, tërësisht në rënie gjatë qeverisjes së tij, po jo për faj të tij. Tirazhe gazetash të përgjysmuara, detyrime të tyre të shtuara në mënyrë drastike. Për këtë shkak, shtypshkronja thelloi detyrimet e veta ndaj të tretëve, gjer sa situata u bë shumë kritike. Nuk është vendi të them mekanizmin se si u lobua gjer te Kryeministri Meta. Rëndësi ka të thuhet se me vendim qeverie akordohet një shumë prej rreth 400 milionë lekësh të vjetër (s’na u nda ky saktësim) të ndarë ndershmërisht për të gjitha gazetat e vendit, pa dallim krahësh dhe qëndrimesh politike, duke pasur kriter proporcioni vetëm tirazhet e tyre, të cilat unë i konfirmova me shkresë zyrtare. Mekanizmi që u gjend për lëvrimin ishte plotësisht i justifikuar. Gazetat detyroheshin të botonin për një periudhë kohe, në faqen e fundit, një poster, me sa më kujtohet: “Jo armëve”. “Jo drogës” e ndonjë tjetër slogan për fenomene mjaft shqetësuese të shoqërisë së tronditur nga revolta e përgjakshme. Vetëm kaq, asnjë hosanna për qeverinë.
Gjithnjë më ka habitur shkalla e influencimit të njerëzve me pushtet gati të pakufishëm, nga njerëz të dorës së fundit, që dreqi e di si e zgjatin gjuhën dhe krahun gjer në kolltukun më të lartë të pushtetit. Po, me sa duket, kështu funksionon qeverisja.
Pikërisht kjo dukuri ndodhi edhe në këtë rast. Dy gazeta të sapodala dhe pa asnjë influencë në treg, por të rreshtuara në opozitën e atëhershme, ishin përjashtuar nga trajtimi i qeverisë, me reklama le të themi. Dy drejtuesit e tyre (edhe nëse nuk ua thamë emrat, nuk bëhet gjëma), shumë influentë te Berisha tanimë lider i stuhishëm opozite, i pëshpëritën atij në vesh se… qeveria po blinte median e lirë. Kaq u desh! Krisën rrufetë dhe bubullimat. Vendimi i qeverisë u shpall “katil ferman”. Gazetat e djathta të partive opozitare që përbënin gjysmën e listës që do trajtohej (tregu akoma nuk qe dyndur nga gazeta të pavarura) refuzuan të merrnin shumat e akorduara dhe e denoncuan gjatë e gjerë qeverinë “Meta”, e cila, megjithatë, nuk u tërhoq nga VKM e vet. Por skema e trajtimit u bë lesh arapi dhe fondi i akorduar, për fat të keq, nuk e kreu funksionin.
Ujët thonë, nuk shkon dy herë në një lumë. Por qeverisjet kanë tjetër logjikë; ato funksionojnë sipas parimit “në ato maja rripa-rripa…”. Dhe ja ku mbërrimë në të ndodhurën më të fundit, që opozita e sotme dhe shumëkush e përgojon si skandal të padëgjuar. Unë e njoh mirë nevojën e gazetave për mbështetje financiare. Edhe e mbështes, paçka se shtypshkronjës “Demokracia” nuk i ka mbetur më gur mbi gur për arsye që mbase i them në një rast tjetër. Por nuk arrij të kuptoj dot se cila ka qenë arsyeja e diferencimit që qeveria ka bërë për një sërë gazetash dhe televizionesh dhe pse ka zgjedhur variantin më të diskutueshëm, domethënë kalimet nëpërmjet ministrive secila për hesap të vet dhe jo me një VKM. Kjo gjë, lëvizjen e saj, nga kontribut që duhej të ishte, e ka shndërruar në skandal. Duke e njohur se si funksionon skema, jam gati të vë bast e ta fitoj, se shkak do jenë, me siguri, pëshpëritës të rinj në veshët e Kryeministrit dhe rregulli i artë “larg nga by… ime”.
Personalisht nuk besoj në blerje të tilla gazetash, kur bëhet fjalë për gjithë spektrin e shtypit. Është një tentativë e destinuar të mos realizohet dot, edhe nëse ndonjë i marrë kuturis ta bëjë. Ka shumë vende në Europë që e financojnë shtypin më përfaqësues, po askush nuk ndihet i blerë e as i shitur. Shqipëri zeza, as me 100 vjet pavarësi e, me sa duken bathët, as me 200 vite të ngjashme, nuk do ketë komoditetin të financojë zyrtarisht e tejdukshmërisht gazeta e televizione. Sidoqoftë, në këtë vend ka nevojë të thuhet, të ndihet fjala, e lirë fare, apo ca më pak e lirë qoftë. E vlen sakrifica, nëse bëhet ndershmërisht, ligjërisht dhe ditën për diell. Në një analizë pa hatër, gjithë kjo, ka shkak urinë e shtypit, shtrëngesën e madhe ekonomike që ka pjesa dërrmuese e tij. Nuk duhet harruar se një shtyp i uritur është si një kafshë e uritur që jeton e vepron në kaos dhe nën instinkte të pakontrollueshme e të korruptueshme urie…

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s