Reklamat, Shalsi depoziton në prokurori padinë ndaj Olldashit

Opozita, reagon MMPT-ja: Edhe ne i jemi drejtuar organit të akuzës

Partia Socialiste depoziton dosjen e “Reklamave” në Prokurorinë e Përgjithshme. Nënkryetari i grupit të PS-së, Eduard Shalsi, dorëzoi dje paradite, dosjen me të cilën opozita pretendon se ministri i Transportit ka bërë shkelje në dhënien e reklamave qeveritare, duke shpërdoruar fondet, duke i dhënë gazetës “Rilindja Demokratike”, organ i Partisë Demokratike, 500 mijë dollarë. “Tashmë që kemi hequr imunitetin, e ftojmë Prokurorinë të bashkohet në një proces integrues dhe të japë prova integriteti, duke marrë menjëherë të pandehur Sokol Olldashin. Akuza jonë është e qartë, financim i Partisë Demokratike me paratë e popullit, nëpërmjet të ashtuquajturave njoftime në gazetën ‘Rilinda Demokratike’, 500 mijë dollarë, nga paratë e taksapaguesve shqiptarë për të financuar ‘Rilindjen Demokratike’ të Partisë Demokratike. 200 mijë dollarë për ‘Klan’-in e Frangajve, 100 mijë dollarë të tjera për ‘55’. Ne do të vazhdojmë të kërkojmë informacion nga ministri të tjera, nga kompani publike, nga institucione dhe drejtori në varësi të qeverisë. Gjithashtu do të thërrasim në interpelancë çdo ministër dhe në fund Kryeministrin për të dhënë llogari për këtë shpërdorim flagrant abuziv, skandaloz me paratë e popullit”, tha Shalsi. PS gjithashtu veç Olldashit, ka kërkuar ndjekje penale dhe për drejtorin e Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve, Andi Toma.

“Kërkohet fillimi i ndjekjes penale ndaj z. Sokol Olldashi, z. Andi Toma si dhe personave të kallëzuar akoma të paidentifikuar, për kryerjen e veprës penale të ‘Shpërdorimit të detyrës’ dhe ‘Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike’, të kryera në bashkëpunim, të parashikuara respektivisht nga nenet 248, 258 dhe 25 të Kodit Penal. Baza ligjore: Nenet 281 dhe vijues të Kodit të Procedurës Penale”, thuhet në krye të kërkesës së depozituar nga Shalsi. Në lidhje me këtë nismë të PS-së ka reaguar dhe Ministria e Transportit. “Në radhë të parë përshëndesim faktin që, më në fund, z. Edi Rama iu drejtua institucionit të akuzës, pasi për ditë me radhë është rrekur në mënyrë qesharake të bëjë edhe hetuesin, edhe prokurorin edhe gjykatësin, pa bërë dot në fakt asnjërin. Sqarojmë përsëri se nuk bëhet fjalë për reklamë, por për njoftime shpronësimi.

Së dyti, dua t’ju informoj se me të marrë njoftimin përmes medias, ministri Sokol Olldashi, i është drejtuar me një letër, që është protokolluar pak minuta më parë, Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor të Tiranës, për të kërkuar një hetim të plotë të kësaj çështje dhe për të shprehur gatishmërinë e tij dhe të institucionit që drejton për të vënë në dispozicion të organit të akuzës çdo dijeni dhe çdo dokumentacion që lidhet me çështjen. Vetëm një hetim i plotë dhe i shpejtë i çështjes së depozituar në prokurori do t’i hapë më tej rrugë vënies përpara drejtësisë për shpifje të imbecilëve politikë që përfaqësojnë vagabondazhin verbal në mjedisin publik”, tha zëdhënësja e MPPT-së, Qylafku.

Advertisements
nga moderatori Postuar te Shqip

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s