Bojkot mediatik shtetarëve harbutë

Nga Xhovani Shyti

Ditë më parë, jo për të parën herë, Kryeministri i vendit e hapi sërish magazinën e vet leksikore dhe nga raftet e painventarizuara përzgjodhi fjalë tepër të vrazhda për një tjetër tiradë sulmi ndaj dy politikanëve, të vlerësuar prej tij si “shemra”. Duke shfrytëzuar seancën plenare, ai cilësoi ish-Presidentin e vendit, Bamir Topi, dhe Kreshnik Spahiun, ish-numri dy i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, si njerëz të përfshirë në afera kriminale. Duke i veshur njërit qyrkun e përgjegjësisë për lirimin e vrasësit të komisarit të policisë së Shijakut, dhe tjetrit të vrasjes së ish-gjyqtarit të ndjerë Skerdilajd Konomi.

Pikërisht për këto krime Kryeministri i vendit bëri fajtorë dy personalitetet e sipërpërmendur politikë, duke mos kursyer madje as baltosjen e tyre me epitete nga më vulgaret, që i shkaktojnë gaz e hare atij vetë dhe sorollopit që e ndjek nga pas. Pa përdorur mjete të tërthorta, Topi e quajti kryeministrin Sali Berisha “stalinistin e fundit”, ndërkohë që drejtuesi i Aleancës Kuq e Zi, Kreshik Spahiu, nga ekrani i emisionit “5 pyetje nga Babaramo”, si kundërpërgjigje për gjithë sa kishte broçkullisur, e ftoi Kryeministrin dhe kryetarin dinastik të Partisë Demokratike, Sali Berisha, të pranonte ballëpërballjen në një tryezë debati televiziv.

Pra, as Topi e as Spahiu, nuk zgjodhën si armë kundërpërgjigjeje ndaj fyerjeve dhe akuzave të pabaza të Kryeministrit gjuajtjen me fjalë të pahijshme, shpifjen, baltosjen e personalitetit të tij, por të vërteta të vërtetuara. Një edukatë kjo përgjithësisht e shqueshme në debatet e fundit mediatike të personazheve politik të opozitës, por e munguar nga ata të mazhorancës qeverisëse, ku Kryeministri është më i thekshmi, por jo i vetmi.

Po të njëjtën tipologji sjelljeje manifeston edhe kryesuesja e Parlamentit, “kapja prej zhelesh” dhe përdorimi i pjesës më harbute të fjalorit të ëmbël shkodran, të së cilës janë bërë proverbiale. Kam parasysh këtu sjelljen dhe fjalorin e përdorur nga znj. Topalli, ndaj kreut të opozitës Edi Rama, Presidentit Topi dhe kryeprokurores Ina Rama. Harbutëria e shtetarëve të mësipërm nuk është sjellje e panjohur për shqiptarët. Ajo zë fill dy dekada më parë dhe vazhdon të jetë e qenësishme edhe sot e kësaj dite, kur, nga sa duket, as vizitat e kontaktet e tepruara me homologët perëndimorë, nuk kanë arritur t’i edukojnë sjelljen qytetare lidershipit në pushtet. Dhe ndërsa këta të fundit vazhdojnë të rendin furishëm me të njëjtin trokth të papranueshëm leksikor, ajo që bën përshtypje është sjellja mediatike. Fanatizmi me të cilin përfaqësuesit e pushtetit mediatik e ndjekin dhe e pasqyrojnë këtë kulturë të papranueshme politike, që vërtetë i adresohet dhe cenon individë të veçantë, por që nuk fyhen vetëm këta të fundit, por të gjithëve ne. E kam fjalën këtu për atë pjesë të publikut që mbart vlera qytetarie dhe i nxihet faqja nga fjalori dhe sjellja harbute e shtetarëve, të cilët, nga mëngjesi në mbrëmje ngjiren duke propaganduar futjen në gjirin e popujve perëndimorë, ndërkohë që vetë manifestojnë krejtësisht të kundërtën. Vulgaritetin në sjellje, vulgaritetin në fjalor, vulgaritetin në të bërit politikë…Vulgaritet pafund, që fatkeqësisht publikohet me qejf dhe në ngarendje garuese, në të gjitha edicionet e lajmeve, të gjithë televizioneve, radiove e gazetave, njësoj si të bëhet fjalë për xhevahire që bien nga qielli dhe jo për thasë të mbushur me harbutëri shtetarësh anadollakë. Që, përveç të tjerave, fyejnë, çedukojnë, acarojnë, tensionojnë situatat e vulgarizojnë sjelljen qytetare, por edhe mbjellin brutalitet social tek taksapaguesit.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s