Dy fjalë lamtumire për Piladin tonë

Nga Shpendi Topollaj 

Kur bëhet fjalë për largimin nga jeta të një njeriu të rrallë si Agron Çobani, i cili me gjithë sjelljen dhe veprën e tij u bë personifikim e të mirës dhe virtytit, si në marrëdhëniet familjare, ashtu dhe me shokët e miqtë e tij të shumtë apo këdo që e njohu, e pa, e dëgjoi dhe e lexoi atë, nuk ia vlen të diskutosh në kishte të drejtë Lukiani kur e quante të pakuptimtë pikëllimin apo Homeri dhe Hesiodi që sajonin Fushat e Elizeut dhe mbretërinë e nëntokës, ku do prehej sipas vlerësimit, shpirti i të vdekurit. Të ndodhur sot në këto varreza për ne nuk ka ngushëllim, pasi jemi para një realiteti mjaft të trishtë: humbëm njeriun më të shtrenjtë, atë që përçonte te të gjithë optimizëm, shpresë dhe dritë dhe që me humorin e tij të pashterur, ngjiste me ata romakët e vjetër që kishin për moto sentencën Carpe diem!, pra Gëzoje ditën!

Por ashtu siç ndodh rëndom kur vesi i kërkon revansh virtytit edhe jeta e këtij burri të ndershëm, të kulturuar e zemërmadh do provonte kalvarin e brengave jo të vogla shpirtërore. Mes paradokseve të asaj kohe absurde, kjo duket e parëndësishme, se fundja vështirë të mbeste pa u prekur një njeri dhe kuadër si ai, ca më shumë i ndodhur fare rastësisht në rrethana fatkeqe. Por ajo që të bën përshtypje dhe ia lartëson emrin këtij njeriu me karakter e vullnet të hekurt është qëndrimi dinjitoz, krenar dhe i papërkulur kudo që e çuan për të punuar. Që nga shtatori i vitit 1965 kur ai, djalosh fare i ri dhe i papërvojë, i veshur me një xhaketë kadife pa rigeta, lisho, ngjyrë blu saks, por që tani ishte zbardhëllyer dhe një palë pantallona doku, të cilat nga që i rrinin të shkurtra mundohej t`i ulte poshtë te beli, ngjiste ato katër – pesë këmbë shkallë me ndrojtje, frikë dhe pasiguri, ka kaluar një kohë e gjatë. Ne e dimë mirë se në ç`maja u ngjit ai më pas, deri Drejtor i Përgjithshëm i RTV – së falë dëshirës për punë, aftësive të spikatura profesionale, talentit prej drejtuesi dhe organizatori që dinte të fitonte me sinqeritetin e tij, gojën e ëmbël dhe sidomos me dashamirësinë që e karakterizonte, zemrat e cilitdo. Dhe mbi të gjitha, ai si pak kush, ruajti në tërë dimensionin e tij intelektual modestinë dhe thjeshtësinë e trashëguar qysh nga familja e tij atdhedashëse.

Për analistët e sotëm dhe ata të së ardhmes, Agron Çobani do identifikohet si fytyra më domethënëse e tërë ecurisë dhe rritjes të Radios dhe Televizionit shqiptar që duhet pohuar se u bë njëkohësisht edhe shkolla prej nga dolën ata djem e vajza që kaq mirë shpalosin aftësitë e tyre në mediat pluraliste të një vendi  demokratik. Kur vështirësitë ishin të panumërta, mungesat teknike të dukshme, dhe censura shihte me gypin e sqarim – dyshimit edhe një fjalë të vetme, Agroni kishte arsye të mjaftueshme që të shqetësohej, të kalonte net pa gjumë dhe për pasojë t`i dobësohej zemra e tij bujare, duke ia rrezikuar seriozisht edhe jetën. Ai vetë ka pohuar pas gjithë atyre operacioneve se “Trupi im ngjan tani me një dyshek të qepur disa herë, i karfosur me sarkofag siç i thonë në Gjirokastër.” Stresi kishte bërë punën e vet. Por sëmundja dhe lodhja nuk ia shuan kurrë shkëlqimin e syve të tij të zjarrtë, që rrezatonin si gjithmonë çiltërsi, dashuri por edhe një hije ironie, se kjo botë ende nuk ishte bërë e përsosur siç e ëndërronte ai. Lexojeni edhe një herë o miq, librin e tij me kujtime “Ju flet Tirana…” Dhe do shihni sesa i vërtetë ishte ky njeri që nuk dinte të mburrej kurrë apo të merrte meritat e të tjerëve. E kush si ai pohon faktin se sido që hoqi e vuajti, nuk mund të shpallet disident, por deklaron se edhe unë e kam thënë ndonjë fjalë dhe kam bërë ndonjë shaka, por që të kem punuar për të përmbysur pushtetin popullor, jo nuk e marr përsipër këtë barrë. Agroni që me aparatin e radios apo me kamer i ra Atdheut kryq e tërthor, në radhë të parë, siç i përgjigjet gjatë një bisede miqësore ambasadorit grek që dyshon se mos është minoritar, deklaron me krenari se është puro shqiptar.

Duke folur për fatin e keq dhe masat e rënda dhe të pamerituara që u morën ndaj vëllezërve të tij, Hasanit, Melsit dhe Astritit, të cilëve ai po u shkon pranë në këtë rrugë pa kthim, duke përshkruar karakterin e këtij të fundit, shkruan “Nëse ka pasur në Shqipëri, apo në Botë, dhe me siguri që ka njerëz të ndershëm, të mirë, të drejtë, që nuk i kanë bërë keq askujt, jam i bindur se midis tyre qëndron edhe Astriti.” Ne që i njohim, shtojmë se të tillë kanë qenë dhe mbeten të gjithë pjesëtarët e familjes Çobani, motrat Majnur e Halime dhe gruaja besnike e tij Luli, po ashtu fëmijët dhe nipat e mbesat e tyre. Por vetë Agroni shkonte përtej kësaj mirësie e ndershmërie, prandaj edhe pikëllimi për humbjen e tij është kaq i madh dhe neve nuk na mbetet tjetër veçse të sjellim ndër mend fjalët e Aleksandës Dumas se: “Duke mbytur dhembjen, të vdekurit nderohen më mirë, sesa të qash.” Ja përse nuk ka fare rëndësi hamendësimi se ku do vejë shpirti i këtij Piladi pas vdekjes. Sa qe i gjallë ai u shndërrua në sytë tanë në një shpirt dhe i tillë do endet mes nesh edhe tani që fizikisht ai do të na mungojë.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s