Shkishërim? Gazetarë që “flenë”

Nga Artan Fuga

Pa dyshim, lajmi kryesor social i javës ishte ai që raportonte se institucioni kishtar i Veriut, me anë të një deklarate solemne dhe zyrtare, vendosi të marrë dënimin e shkishërimit për të gjithë ata besimtarë që praktikojnë gjakmarrjen.

Prita nga shtypi dhe gazetarët e medies ta sqaronin dhe investigonin këtë ngjarje madhore, por mbeta i pangopur në kërkesën për informacion. Le që deklarata nuk pati mundësinë si duhet të botohet integralisht në të gjitha të përditshmet apo emisionet e lajmeve, sikurse do ta meritonte, por edhe raportime e komente të ndryshme lanë për të dëshiruar a raportuan gabim.

Është krejt triviale dhe e kotë të insistojmë që kjo deklaratë shumë e rëndësishme synon që institucionet e shenjta të ndikojnë për të ndaluar dukurinë e gjakmarrjes dhe kjo nuk ka mundësi tjetër të komentohet veçse me përgëzime dhe mirënjohje. Por, është një gjë e ditur dhe që nuk ka nevojë për komente.

Mirëpo u lanë pas dore anë që kanë të bëjnë pikërisht me shpjegimin e nëntekstit dhe të kontekstit të lajmit, çka në “gazetarinë e re”, përbën ndofta anë prioritare. Gazetari shpjegon, jo vetëm informon. Aq më pak i lejon vetes të interpretojë gabim.

Unë personalisht u detyrova të kërkoj me miq tekstin origjinal të deklaratës për ta kuptuar sa bukur e qartë ishte shkruar sepse nga raportimet e medies me thënë të drejtën u bëra “çorap”.

Dikush tha se ai që shkishërohet ndalohet të varroset në varrezat katolike! Çfarë? – thashë me vete. Por, varrezat nuk janë as të Kishës dhe as të Xhamisë. Por, në tekst ishte krejt ndryshe, korrekt. I privohen ceremonitë sipas riteve kishtare. Po ashtu, në një gazetë tjetër lexoj se shkishërohen ata që marrin gjak! Po pse vetëm ata ?. Duhet të shkishërohet, sipas kësaj logjike, kushdo që vret ! – thashë me vete. Por, në tekstin e deklaratës çdo gjë ishte e qartë : Njësoj trajtohet si një vrasës i zakonshëm ashtu edhe ai që merr gjak sipas Kanunit ose duke abuzuar me të. Pa dallim.

Prita të dija nëse shkishërohej vetëm personi që merr gjak apo edhe familja e tij, nëse është kryetar familje. Asnjë përgjigje. Një mik më çoi te dokumente thelbësore të Institucionit të Shenjtë për të më shpjeguar se në fakt dënimi bie vetëm mbi individin. Gjithsesi nëse atij i ndalohet martesa fetare, kjo i ndalohet objektivisht edhe gruas që ai do të martohet. Por, gjithsesi është një ndëshkim që bie edhe mbi të tjerë, por jo si qëllim më vete, por si pasojë e padëshiruar. Besoj. Qëllimi e justifikon. Po kështu pyetja që bëja është : Si e shkishëron? Po a mund të lihet kështu qoftë edhe një vrasës, pa mbështetje fetare? Asnjë gazetar nuk e pashë ta bënte këtë pyetje. Teksti e sqaronte bukur, por duhej gjetur me “mik”. I penduari mund të rifutet përsëri në gjirin e komunitetit, si edhe atij që i afrohet vdekja sigurisht i kryhen disa shërbime sepse fundja të gjithë para Zotit do të ishim njësoj. As nuk kuptova nga mediet se kush e merr vendimin për shkishërim dhe kush ka tagër të nxjerrë këtë dekret? Nuk është Selia e Shenjtë që aprovon këtë ndarje të kishës nga një kod zakonor vendas? M’u desh të shkojë pa fund nga njeri dokument te tjetri për të kuptuar se vendimin e kanë marrë ata që duhet ta marrin në fakt, por nuk e shpjegonin kompetencën e tyre. Kush jep aprovim për këtë deklaratë që ta shpallë mëkat një akt kanunor dhe kush ka kompetencë për shkishërim rast pas rasti? Janë dy gjëra të ndryshme. Ende nuk e di, por do ta gjej. Kam miq pa fund që më mbështesin.

Përse duhet që gazetarët apo komentuesit të vrapojnë pas “berihajt”, ndërkohë që lexuesi ka nevojë për të njohur thellë se çfarë kuptimi ka informacioni që jepet? Përse interpretohen gjërat keq? Përse nuk gjurmohen anët e pandriçuara të ngjarjes?

Me një fjalë na duhen gazetarë që të mos flenë!

Aq më shumë që më e rëndësishmja u la në heshtje. Me këtë deklaratë, pavarësisht si do t’i shkojë filli i aksionit sublim të Kishës në këtë fushë, ka ndodhur një ngjarje shumë shumë shumë e rëndësishme. Por, ne flemë, më duket. Nëse nuk gabohem. Për herë të parë kisha merr distancë nga një ndër pikat thelbësore të Kanunit, gjakmarrjes si ndëshkim rregullarizues i sigurisë së personit. Nuk po jap asnjë vlerësim për gjëra që vetëkuptohen se përse ndodhi. Histori e gjatë. Por, pas shekujsh bashkëjetese, (jo bashkimi), ku në ato zona nuk mund të kishte fe katolike pa Kanun që i siguronte një farë mbrojtje, dhe Kanun pa fe që bashkëjetonte me të, Kisha distancohet zyrtarisht, hapur, prerë, nga institucioni i gjakmarrjes. Ka ndodhur një divergim, një proces shkëputjeje në bashkëjetesë, ndofta pas disa qindra vjetësh. Është një dukuri madhore që ka të bëjë me rrjedhën në traditat kulturore të kombit. Ndërkaq gjumë. Dikush dyshon. Është gazetari që duhet të heqë dyshimet e të intervistojë. Por, ai nuk ka kohë. Në gjumë nuk ka kohë. Sado të flesh duket se ka fjetur vetëm një sekondë më parë. Gjumi është më i fortë se koha. Lexoni tekstin e deklaratës që unë e gjeta me “mik”. Vendoset shenja e barazimit mes një marrje jete me qëllim, kriminale, një marrje jete me abuzim me kulturën kanunore, dhe një gjakmarrjeje të mirëfilltë kanunore. Transformimi i thellë ka ndodhur në kontekstin kulturor shqiptar. Ndarje praktike mes një mesazhi universal fetar dhe një konteksti kulturor lokal dhe regjional.

Mos qofsha i gabuar.

Gjithsesi etërit e shenjtë e bënë punën e tyre. Ndofta do të ketë më shumë ditë të bardha për fëmijët e ngujuar. Ndofta do të ketë më pak gjak. Ndofta gjykatat që apelohen nga Kisha do të kenë më shumë ndërgjegje profesionale dhe qytetare. Por, ana praktike është tjetër gjë. Dokumenti është aq i rëndësishëm sa ai duhet të ruhet në origjinal diku në një muze me roje, me ajër të kondicionuar për pesëqind vitet e ardhshme…

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s