“Foli shoferit”! Studim për dëgjueshmërinë e radios në makina

Për herë të parë vlerësohet audienca mobile në 5 qarqet kryesore të Shqipërisë

Ndjekja e transmetimeve radiofonike apo dhe e burimeve të personalizuara audio (cd, mp3, audiokasetë etj.) në automjete është një proces që intensifikohet kohë pas kohe në Shqipëri, në radhë të parë për shkak të dinamizimit të qarkullimit në rrugë nga rritja sasiore e këtyre automjeteve. Me zhvillimin dhe modernizimin e infrastrukturës rrugore dhe me tendencën e natyrshme të qarkullimit qytetës ose ndërqytetës të njerëzve është rritur koha që ata kalojnë në udhëtim në distanca të ndryshme, për qëllime të biznesit, të angazhimeve personale dhe familjare, për qëllime zbavitje dhe relaksi etj.

Mjafton të përmendim shifrat zyrtare të numrit të automjeteve që rezultojnë se janë të regjistruara nga autoritetet në territorin e Shqipërisë: në periudhën kur u realizua ky studim sipas statistikave të muajit korrik të Ministrisë së Transportit dhe Punëve Publike në Tiranë janë 300974 automjete në të gjithë vendin. Kjo shifër konfirmon përmasën e konsiderueshme dhe potencialin që ka audienca mobile, ndjekja e transmetimeve radiofonike apo dhe e burimeve të personalizuara audio (cd, mp3, audiokasetë etj.) në automjete.

Radio në makinë, e pakonkurrueshme me mediat e tjera

Me duart tek timoni gjatë udhëtimit, për drejtuesin e automjetit dëgjimi i emetimeve radiofonike apo burimeve të tjera audio të personalizuara (cd, mp3 audiokasetë etj.), mbeten mënyra informative e argëtuese më e pakonkurrueshme brenda kabinës së automjetit. Këtë e garanton dhe Kodi Rrugor i Republikës, apo cilado rregullore e akt nënligjor dedikuar qarkullimit të automjeteve në rrugë, që e konsiderojnë të papranueshëm dhe të ndëshkueshëm ndjekjen e transmetimeve me pamje, komunikimin me celular, sikundër është nonsens dhe leximi i një gazete a reviste në kohën kur drejton automjetin në udhëtim.

Audienca mobile sado prezente dhe e shumëfishuar kohë pas kohe në Shqipëri nuk ka qenë asnjëherë më parë në fokus për studime të kësaj natyre, qoftë dhe për vrojtime ose analiza më modeste. Nuk ekzistojnë të dhëna pjesore ose të përgjithshme mbi nivelin e ndjekjes së programeve radiofonike dhe burimeve të personalizuara audio brenda kabinës së automjeteve, preferencat dhe pritshmëritë e drejtuesve etj.

Një studim i tillë u jep ekipeve të audioredaksive një projeksion mbi realitetin e audiencës mobile, i shërben përshtatjes së përmbajtjes e formës së transmetimeve, për të “ushqyer” dhe këtë kontigjent dëgjuesish – që janë jo pak – këtij fluksi njerëzish, që në distancë dhe në kohë të ndryshme presin të informohen ose argëtohen gjatë lëvizjes së tyre.

Të dhënat që përftohen nga studime të tilla japin dhe pamje të dinamikave e trendeve që ka audienca nën efektin e pashmangshëm të procesit të transformimit teknologjik e digjitalizimit të transmetimeve radiofonike dhe depërtimi gjithnjë e më i madh i burimeve të personalizuara audio.

Kampioni me karakteristike përfaqësuese

Në pamundësi për të realizuar një studim në të gjithë territorin e vendit, përzgjedhja e 5 qarqeve (Tiranë, Elbasan, Korçë, Elbasan, Shkodër e Vlorë) u bë jo në mënyrë rastësore. Por duke respektuar shtrirjen gjeografike, si dhe peshën e konsiderueshme specifike në dy treguesit kryesorë: numrin e banorëve në këto ndarje administrative, si dhe me numrin e automjeteve që qarkullojnë.

Në pesë qarqet e përzgjedhur sipas burimeve zyrtare të Ministrisë së Transporteve dhe Punëve Publike janë rreth 57 përqind e totalit të makinave të regjistruara nga autoritetet. Autori i studimit, gazetari dhe eksperti i medias, Arben Muka, thotë për gazetën TemA se kampioni i këtij studimi u përzgjodh me kujdes që të ishte sa më përfaqësues. “Për 1424 të pyeturit, drejtues automjetesh me patentë u respektua proporcionalisht raporti i moshës, gjinisë, arsimimit, vendbanimit në qytet a në komunë etj. Afati kohor i realizmit të plotësimit të pyetësorëve u bë në 3 muaj, nga data 7 mars deri më 7 qershor 2012. Nëpërmjet pyetësorit që plotësonin drejtuesit e automjeteve ata jepnin opinionin e tyre mbi cështje të tilla:

-Çfarë lloj programesh preferoni të dëgjoni kur udhëtoni me makinë?

-Ndiqni më shumë stacionet lokale apo të tjera?

-Cili është stacioni që parapëlqeni më shumë?

-A i ndiqni emisionet që emetohen njëkohësisht në radio dhe në TV?

-Çfarë tematike do të dëshironit të kishte më shumë në transmetimet e radios? Etj.”

Gustot e drejtuesve të automjeteve

Sipas rezultateve del se vetëm 64 përqind e shoferëve shqiptarë ndjekin gjatë udhëtimit programet radiofonike, kurse pjesa tjetër, në masën 36 përqind, preferojnë burimet e personalizuara audio, siç janë audiokasetat, cd a mp3. Sa i takon tematikës që i tërheq më shumë drejtuesit e automjeteve ajo është e ndryshme. Në kryeqytet dhe në Korçë më të ndjekura janë temat kulturore, në Elbasan dhe në Shkodër kanë interes më tepër temat sociale, kurse në Vlorë pëlqehet më shumë temat politike.

Afeksioni për stacionet lokale është më i madh në radhët e drejtuesve të automjeteve në qarkun e Korçës dhe të Shkodrës, në një kohë që interesim më i pakët është në Vlorë. Për shkak të vështirësive në përhapjen e sinjalit, por dhe për shkak të shijeve që kanë shoferët, rreth 7 – 8 % e tyre ndjekin vetëm stacione të huaja, italiane, greke, maqedonase, malazeze etj.

Stacionet më të ndjekura në makina për qarkun e Tiranës janë: Top Albania 12.2%, Club FM, 7.2%, Radio Tirana 6.7%, Plus 2 Radio 6.2 %, Vesa 6.1 % etj.

Në qarkun e Elbasanit ndiqen Top Albania 15.6%, Radio Klea 14.4 %, Radio Tirana 12.8, Club FM 10.6%, Albanian FM 8.3 % etj.

Në Korçë në krye të listës me 18.3% është Top Albania, pastaj vijojnë Club FM me 15%, ABC Radio me 14.4%, Radio Tirana 11.7%, Radio Logos 7.2 % etj.

Në Shkodër preferencat e drejtuesve të automjeteve janë për Top Albania 18.9%, Radio Tirana 10.6%, Top Gold 8.8 %, Radio Jehona 7.8 %. Në këtë qark bie në sy se 15 % e shoferëve janë shprehur se nuk ndjekin asnjë stacion radioje kur udhëtojnë.

Në qarkun e Vlorës janë 10.6 % e drejtuesve të makinave që pëlqejnë të dëgjojnë stacione të huaja. Kurse nga sinjalet shqiptare më shumë pëlqehen Top Albania 15%, Radio Tirana 11.7%, Radio Klan 10%, Club FM 8.8 % etj.

Advertisements
nga moderatori Postuar te Tema

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s