Gani Vila: Si e ngrita Televizionin e Shqiptarëve të Amerikës!

Bisedoi: Raimonda MOISIU

Me mbështetjen e fuqishme e të përgjegjshme të komunitetit shqiptaro-amerikan dhe rrjetit të kolegëve në Detroit Michigan, i motivuar me dashuri e mirësi, i pajisur me individualitet profesional, z. Gani Vila, me mundim e sakrifica, duke sfiduar mes të bukurës e së përditshmes njerëzore arriti që brenda më shumë se një dekadë të ngrejë “Perandorinë Mediatike”, -nga më të shquarat të mediave shqiptaro-aemerikane të epokës postkomuniste në Diasporë -Televizionin e Shqiptarëve të Amerikës –ALBTVUSA! Në këtë intervistë për “Tirana Observer”, z. Gani VILA, aktualisht Drejtori i Televizionit të Shqiptarëve të Amerikës do të na dëshmojë për karakterin dhe cilësitë e ALBTVUSA, për jetën, sakrificat, sfidat e radhës, larmishmërinë, temave interesante social-kulturore–politike dhe veprimtarinë e palodhur në shërbim të komunitetit, ruajtjes të vlerave e identitetit kombëtar shqiptar në të gjitha trojet shqiptare dhe në Diasporë. 

Ç’mund të na thoni për mekanizmin që ju çoi në ngritjen e ALBUSATV? Si ju lindi mendimi se ka ardhur koha për ngritjen e një studio televizive në Michigan? Si morën udhë projektet tuaj në këtë drejtim?

Televizioni i shqiptarëve të Amerikës është hapur më datën 20 maj 2000, si rezultat i një boshllëku që ekzistonte gati prej një shekulli në Diasporën Shqiptare të e Amerikës. Pra qëllimi i vetëm i hapjes të këtij Televizioni ka qenë dhe është që ti shërbejë Diasporës shqiptare në të gjitha fushat e jetës së saj. Televizori është hapur nga një grup bashkatdhetarësh kryesisht malësorë të fismë, ku do të veçoja dy miqtë e mi Vatë Dedëgjonaj me origjinë nga Lezha i cili ishte edhe drejtor për disa vjet i këtij Institucioni si dhe sponsorizuesin patriotin dhe humanistin Nik Lulash Gojcaj nga Hoti i Malësisë i cili vazhdon edhe sot ta ndihmojë Televizorin. Unë i jam bashkëngjitur këtij grupi mbas disa muajve dhe fillimisht kam qenë zv/president i Televizionit. Kam rreth 8 vjet që jam Drejtor si edhe pronar i vetëm i ALBTVUSA. Nuk është ndonjë sekret znj. Monda t’ju them se krahas detyrës si drejtor, kam 12 vjet që punoj edhe si gazetar dhe me krenari të lartë them se jam i pari dhe i vetmi gazetar i mediave vizive deri tani jo vetëm në USA por edhe në gjithë botën shqiptare në emigracion që kam zhvilluar me mijra intervista të cilat i kemi transmetuar në Televizor. Kështu znj. Monda ndjehem tejet i kënaqur që ky projekt mori udhë të mbarë.

Si një President i Bordit Drejtues të TV, si e vlerësoni gjendjen kur e hapët përherë të parë dhe asaj aktuale?

Janë krahasime të paimagjinueshme në të gjitha parametrat, në kohë e në hapësirë transmetimi, në teknologji, në strukturën programore, në nivelin cilësor të personelit e të bashkëpunëtorëve, në konceptimin dhe orientimin e drejtimit të ALBTVUSA, si një media e pavarur politikisht dhe ekonomikisht duke plotësuar kështu një standard të një media me vizion dhe strategji të qartë për ti shërbyer mbarë çështjes tonë kombëtare shqiptare. Për të arritur këto nivele dhe standarde kemi patur dhe kemi një mbështetje masive të komunitetit shqiptar, veçanërisht të biznesmenëve shqiptarë, po ashtu na është dashur të përballojmë edhe të kalojmë me sukses pengesat e vështirësitë të cilat vazhdimisht janë të pranishme në punën tonë.

A ka ndonjë dallim mes medias së shkruar dhe asaj televizive? Janë këto të lidhura me njëra–tjetrën? Si morën udhë projektet tuaj?

Faleminderit znj. Monda, kjo është një pyetje shumë e mirë e zgjuar dhe do ta shpjegoj përse. Të gjitha mediat në pamjen e parë të duken ndryshe, por nuk është kështu, pavarësisht se ato tek njerëzit vinë, nëpërmjet shkrimit, filmit, dhe dëgjimit, mbreti i të gjithë mediave në të gjitha kohërat është media e shkruar. Shkrimi është arteria mediatike që pa të nuk do ekzistonte media. Mediat televizive e përdorin median e shkruar si ajrin për jetën, kanë lidhje organike të pandashme. Në pamjen e parë dhe veçanërisht në jetën e përditshme ekzistojnë mentalitete se këto dy media kanë dallim me njëra tjetrën. Shpesh nënvleftësohen gazetarët që punojnë në televizion dhe në një sallë të përbashkët në një eveniment letrar, gazetarët televiziv nuk respektohen si pjesë e medias së shkruar. Këtu qëndron paradoksi pasi media televizive nuk mund të bëjë as edhe një emision një minutësh pa përdorur shkrimin. Krijimtaria artistike në emisionet televizive përcillet domosdoshmërish nëpërmjet shkrimit. Një gazetar që punon rregullisht në një televizion shkruan më shumë se sa shkrimtarët që bëjnë romane, këtu duhet të shmangëni keqkuptimin me këtë krahasim. Ndryshimi ndërmjet medias të shkruar dhe medias televizive, por qe nuk cënon raportin thelbësor të bashkëpunimit mes tyre, në pamjen e jashtme duket i vogël, por në realizimin e punës është shumë i madh dhe i vështirë për median televizive, pasi gazetarëve televiziv ju mëngon ”liria…“ duke nisur që nga etika e të veshurit dhe e ambientit, pasi median e shkruar mund ta realizosh me pantallona të shkurtra dhe kanotiere dhe në çdo ambient, ndërsa të realizosh media televizive kërkon kollaro e komoditete të tjera dhe nuk realizohet në çdo ambient. Gazetari televiziv ka liri në ide por është në “censurë“ të vazhdueshme etiko-morale, veçanërisht në komunikimin me publikun në realizimin final, pasi Gazetaria Televizive e ka pjesë të saj median e shkruar dhe duke i bashkuar me median televizive shkrihen në një dhe prodhojnë produktin televiziv siç është emisioni, filmi, dokumentari, reportazhi, reklama etj.

Falë kujt ka ardhur një ngritje cilësore e tillë, kur ju vetë vini nga një fushë tjetër profesionale, dhe eksperienca juaj ka qenë ndoshta e pakët në median elektronike?

Po është e vërtetë, për shumë vite kam punuar oficer në sigurimin e ushtrisë në rrethin e Korçës, kam kryer Shkollën e Lartë të Ministrisë të Punëve të Brendshme dhe Fakultetin e Drejtësisë, por shkolla dhe veçanërisht puna që kam kryer në atë periudhë më kanë ndihmuar shumë në punën si gazetar, jo vetëm për komunikimin me njerëzit që është shumë i rëndësishëm, por edhe në skemën dhe strategjinë e ndërtimit të emisioneve, të pyetjeve dhe realizimin e bisedave. Në regjimin diktatorial komunist, talenti dhe pasioni për gazetari ka ekzistuar diku i ”strukur” në shpirtin tim. Unë nuk jam i veçantë sepse kështu ka ndodhur me të gjithë. Shqiptarët deri në vitin 1990 kanë studiuar dhe punuar atje ku i caktonte Partia dhe shteti shqiptar i asaj kohe. Ndryshimi i sistemeve solli lirinë dhe krijoi mundësinë që në sistemin e demokracisë secili shqiptar të studiojë, të jetojë dhe të punojë atje ku ka pasion, dëshirë dhe mundësi, ja kështu ka ndodhur edhe me mua. Atdhedashuria e pasioni të gërshetuara me punë të vazhdueshme dhe sakrifica të mëdha për të arritur objektivin që ALBTVUSA t’ju shërbejë sa më profesionalisht bashkatdhetarëve në emigracion. Janë kthyer në “magji“, që nuk të ndajnë për asnjë çast nga studioja ku punojmë nga 13 deri 18 orë në ditë, dhe ka raste që shumë net’ i gdhijmë aty duke punuar. Të gjithë shqiptarët kur mësojnë se ALBTVUSA-n e drejtoj unë që vij nga një profesion tjetër, këtë kontribut dhe sukses Ata ma faturojnë mua si vlerë, ndaj i falënderoj për këtë mirëkuptim qytetar e intelektual.

Mendoni se gjatë këtyre viteve të aktivitet tuaj televiziv nën drejtimin tuaj keni justifikuar jo vetëm përkushtimin, por edhe mesazhin që dëshironi të transmetoni nga ekrani në familjet e bashkëkombësve tuaj?

Të bësh televizion në Diasporë është një lloj sikur të mbjellësh portokaj në malet me dëborë, megjithatë ne me vizionin se: ”ne duhet të transmetojmë tek shikuesit programe televizive jo çfarë ne mendojmë se ata duan, por çfarë ata duan”. Me këtë parim ne vazhdojmë të punojmë për 13 vjet rresht. Kjo është një teori sa aktuale aq dhe e domosdoshme, por është shumë e vështirë për tu realizuar. ALBTVUSA është i pari dhe i vetmi televizor me një shtrirje në kohë dhe në hapësirë (24 ore live) i Diasporës shqiptare jo vetëm në SHBA, por në gjithë botën ku ka shqiptarë. Kjo është një iniciativë private dhe të ngresh një media të tillë në emigracion duhet shumë punë dhe mund, shumë sakrifica dhe veçanërisht duhet të kesh një vizion, një strategji dhe objektiv të qartë mbarëkombëtar shqiptar. Zgjidhja me kujdes e përcaktimit të strukturës programore të Televizionit në një komunitet tepër heterogjen, në kulturë, moshë, traditë, zakone, shtresat e ndryshme të ardhjes të Diasporës në USA, etj, kanë qenë sukseset e dështimet e punës tonë. Personalisht dhe familjarisht si punonjës në ALBTVUSA, duke nisur nga unë Gani Vila, bashkëshortja ime Valentina Vila (Redaktore e Televizorit ALBTVUSA) si dhe fëmijët tanë, Ermir dhe Blerina Vila pavarësisht humbjeve ekonomike, ndihemi krenarë për punën që kemi bërë dhe mendoj se së bashku me stafin tjetër të ALBTVUSA e kemi justifikuar përkushtimin e sakrificën tonë, ju kemi çuar shikuesve shumë gjëra që ju kishin munguar, duke bërë ndaj tyre jo gjithçka, por diçka.

Cilat janë raportet me stafin e TV-it dhe funksionit që ju keni në këtë institucion?

E çuditshme, por e besueshme si ka ndodhur. Raportet e mia me stafin e Televizionit janë të shkëlqyera, për 13 vjet rresht unë nuk kam bërë asnjëherë mbledhje zyrtare me ta, kjo vjen për dy arsye. Së pari : sepse të gjithë punëtorët kanë kontributin e tyre të pashlyeshëm në televizor, së bashku ne e kemi rritur atë si një fëmijë të përbashkët. Në studion e ALBTVUSA jemi si një familje të gjithë dhe e duan televizorin njëlloj si unë. Të gjithë punonjësit me kohë të plotë e kohë të pjesshme kanë shumë vite që punojnë në televizor, Rafael Floqi është kryeredaktor i ALBTVUSA që prej 9 vjetësh, ai ka dhënë dhe vazhdon të jap një kontribut të madh në televizor. Ai është krahu i djathtë imi. Valentina Vila bashkëshortja time redaktore ka 6-të vjet në ALBTVUSA, mbas Rafaelit vjen rëndësia e punës së saj të gjithanshme, në ndërtimin e programeve dhe të strukturave programore, administrimin e arkivës të ALBTVUSA etj. Ilir Myftari, manaxher i përgjithshëm për prodhimin e programeve është motori televizorit, Astrit Kalibaqi ka 5 vjet që pasqyron me shumë profesionalizëm Rubrikën Sportive, Gjovalin Kacori gazetar politik dhe analist për marrëdhëniet e Diasporës me vendlindjen dhe shquhet për nivelin e tij etiko-profesional, ka 4 vjet që punon në ALBTVUSA, Manol Xhafa montazhier dhe kameraman profesionist i talentuar në filmime ka 3 vjet që punon në këtë televizion, Manjola Tërshana (Degaj) gazetare dhe prezantuese e programit më të shikuar Hitpared është këngëtare, vazhdon traditën e familjes Tërshana ka 4 vjet që punon në ALBTVUSA. Korrespodenti në Shqipëri Agim Blloshmi, gazetar dhe kameraman i talentuar me një përvojë 20 vjeçare në punë me mediat, bashkëpunon që prej 5 vjetësh më ALBTVUSA. Gjokë Dukaj gazetar në Tuz të Malësisë, bashkëpunëtori i ALBTVUSA prej 4 vjetësh. Beqir Sina në New York korrespodent i prej 2 vjetësh e të tjerë korrespodentë e bashkëpunëtorë. Pra siç shikohet personeli është me një stazh të gjatë eksperience pune dhe bashkëpunimi në ALBTVUSA. Djali im Ermir Vila ka 10 vjet që punon part-time si kameraman, montazhier dhe marketing, po ashtu edhe vajza Blerina Vila ka 3 vjet që punon në zyrë si manaxhere për bashkëpunimet dhe lidhjet e ALBTVUSA me Institucione shtetërore dhe mediatike. Së dyti, nuk bëj mbledhje me stafin se unë personalisht punoj 16-18 orë në ditë pra jam i pranishëm po thuaj në të gjitha evenimentet e aktivitetet e ALBTVUSA gjatë gjithë ditës dhe çdo gjë e riparojmë në punë e sipër ndaj mbledhjet në televizion nuk janë të nevojshme. Kjo gjithashtu edhe për mëritë të personelit, të cilët punojnë gjithmonë me përkushtim dhe profesionalizëm te lartë, e duan televizorin, ne jemi miq dhe shokë me të gjithë dhe meqenëse mu dha rasti dëshiroj t’i përshëndes dhe t’i falenderoj bashkëpunëtorët dhe familjet e tyre për kontributin që kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin për ALBTVUSA, pasi sukseset e tij janë 100% suksesi, merita dhe kontributi i tyre. Këto dy fakte tregojnë marrëdhëniet e mira institucionale dhe shoqërore që ekzistojnë mes bashkëpunëtorëve të stafit të televizionit tonë.

Cili është reagimi dhe mbështetja e komunitetit shqiptaro-amerikan ndaj ALBUSATV?

Mbështetja e komunitetit shqiptaro-amerikan ndaj ALBTVUSA ka qenë dhe është i shkëlqyer. Komuniteti shqiptar i Michiganit e ka lindur dhe e ka rritur si fëmijën e vetë ALBTVUSA-ën. Suportuesit e parë dhe shumë të rëndësishëm për të kanë qenë dhe janë shikuesit e përditshëm të programit tonë, të cilët janë pjesë e komunitetit shqiptaro-amerikan. Ata janë të ndjeshëm ndaj programeve tona, kur nuk kënaqen na kritikojnë, na sugjerojnë dhe kur punët shkojnë mirë na lavdërojnë. Komuniteti Shqiptaro-Amerikan është trajneri dhe albitri i programeve tona. Mbështetje të fuqishme i ka dhënë dhe vazhdon ti jap Televizionit ALBTVUSA biznesi shqiptar që është në Michigan. Biznesmenët shqiptaro-amerikanë që bëjnë ose jo reklama në ALBTVUSA, ata e suportojnë që prej 13 vjet rresht televizionin tonë, andaj gjej rastin t’i falenderoj nga zemra në emrin tim dhe të stafit të Departamentit të ALBTVUSA, veçanërisht Malësorët e Malësisë së Madhe, të cilët e krijuan dhe vazhdojnë ta suportojnë atë, ndaj ju premtoj se çdo kontribut që do të japin për Televizionin do të shkojë në funksion të përmirësimit të programeve, në shërbim të çështjes mbarë kombëtare shqiptare. Për 13 vjet ju kemi shërbyer falas, për të gjitha shërbimet që kanë patur nevojë Institucionet Fetare të cilat në Michigan janë pesë, Kisha Shqiptare Ortodokse e Shën Thomait, Qendra Islame Shqiptare, Teqeja Bektashiane e Baba Rexhepit, Kisha Katolike Zonja Pajtore si dhe Kisha Katolike e Shën Palit e cila është institucioni më i madh shqiptar në emigracion jo vetëm nga numri i antarësuesve por edhe nga shkalla e zhvillimit të aktiviteteve me karakter fetar dhe atdhetar. Kemi mbështetur dhe do të mbështesim të gjitha organizimet artistike e shoqërore që janë dhe veprojnë këtu në Amerikë. Mbështetjen e komunitetit shqiptar për televizorin nuk duhet ta kuptojmë veç dollarë, por një vend të rëndësishëm zënë edhe suportet intelektuale, profesionale, vërejtjet, sugjerimet, kritikat me vend e pa vend, etj. Të gjitha këto ne i konsiderojmë si kontribute dhe dhurata që intelektualë e njerëz të thjeshtë të komunitetit shqiptaro-amerikan i bëjnë ALBTVUSA -s. Bashkëpunimi 13 vjeçar me komunitetin na ka dhënë një eksperiencë dhe zemër që ta shikojmë të ardhmen me optimizëm dhe të mos i zhgënjejmë asnjëherë shikuesit e veçanërisht ata që na rrinë më pranë. ALBTVUSA është televizion i pa varur ekonomikisht dhe politikisht, është një televizion që me transmetimet e tij programore ka pasqyruar veç dashuri, mirësi, suksese dhe vlera të shoqërisë shqiptarë veçanërisht të Diasporës. Strategjia, vizioni dhe qëllimi i programeve të ALBTVUSA-s është që t’i shërbejmë dhe të suportojmë të mirën. Por që të mbash një media televizive të tillë duhet punë e madhe që nuk mund të arrihet nëse nuk ke mbështetjen e teleshikuesve.

A keni patur mysafirë në TV tuaj, figura të njohura të fushave të ndryshme nga komuniteti shqiptaro-amerikan, por edhe personalitete të shoqërisë shqiptare dhe Diasporës të riprezantuar nëpërmjet ALBUSATV?

Po në ALBTVUSA kanë qenë të pranishëm personalitete te rëndësishme të politikës dhe të jetës amerikane e shqiptare. Le të përmend disa prej tyre: Zv. Presidenti Bajden, kongresmenët, Eliot Engell, Sandër Levën, Gery Piters, David Banjer, senatorët Karl Leven, Jozef Diguardi, gjenerali WEesley Clark, Nicholas Burns, Charles Schumer, Willson Kokalari, Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri…. Ish-presidentin Alfred Moisiu, President Bamir Topi, i ndjeri President i Kosovës Ibrahim Rrugova, President Fatmir Sejdiu, Kryeministri Sali Berisha, Kryeministri Hashim Thaçi, fotografi Fadil Berisha, modelistja Emine Cunmulaj, nobelisti Ferrit Murati, regjisori Sten Dragoti e shumë artistë të artit e të kulturës të kombit shqiptar, si këngëtarët Kastriot Tusha, Aurela Gaçe, Merita Halili, Eli Fara, Bujar Qamili, Sinan Hoxha, Artiola Toska, Gezim Kaso, Ylli Baka, Sherif Merdani, Ardit Gjebreja, Ledina Celo, Manjola Nallbani, Ermira Babaliu, Poni, Valbona Mema …. aktorët Fadil Hasa, Cekja, Bujar Mere, Rita Larti, Gëzim Kruja, Rajmonda Bulku, Parodistët e Vlorës, Sandër Ruci, Arben Dervishi, etj. Motoja në punën tonë është se ALBTVUSA është shtëpia e artistëve.
Keni bashkëpunim me TV-t e kulturave të tjera në komunitet?
Bashkëpunimi në punën tonë është shumë i frytshëm veçanërisht me televizionet tona në vendlindje, si Top Channel, Klani, TVSH, e me disa televizione lokalë në Shqipëri ku shkëmbejmë materiale. Po ashtu kemi marrëdhënie të mira edhe më televizionet e kulturave të tjera në SHBA, me TV italianë dhe TV amerikane, ku nga eksperienca e tyre ne kemi fituar shumë.

A transmetoni emision enkas për fëmijë në gjuhën shqipe, për ruajtjen e gjuhës, traditës, vlerave kombëtare dhe identitetit shqiptar?

I gjithë programi tonë, në kejbëll dhe programet 24 orë ka për qëllim dhe mision që ti shërbejë komunitetit shqiptar për ruajtjen, forcimin dhe trashëgiminë të vlerave tona kombëtare, si gjuhën, artin, kulturën, traditat, etj, veçanërisht këto tek brezat e rinj dhe sidomos tek fëmijët të cilët janë vazhdimësia e kombit tonë.
Programet për fëmijë i kemi transmetuar që ditën e parë që kemi filluar transmetimet tona. Ditën e hënë, të mërkurë dhe të shtunë kemi program për fëmijë. Ka programe televizive që vazhdojnë me javë ose me muaj si filma, përralla, emisione për probleme të ndryshme. Kemi tre vjet që ne transmetojmë për nëntë muaj rresht mësimin e gjuhës shqipe për fëmijë nëpërmjet televizionit etj. Shpesh bëjmë emisione në TV që nxisim dhe suportojmë familjet, prindërit të cilët janë të parët që janë të interesuar që fëmijët e tyre të mësojnë gjuhën, traditën dhe të trashëgojnë vlerat dhe identitetin tona kombëtar.

Si themelues i këtij Institucioni por edhe si shqiptar; A e shihni rolin e tij efikas jo vetëm në anën komerciale të tij por edhe atë të integrimit të kulturës shqiptare në Amerikë?

Mediat në përgjithësi në botë nuk janë biznes dhe aq më tepër televizionet. Thonë se media është fuqia e katërt në pushtet dhe kjo është e vërtet, por fuqinë media nuk e merr nga ekonomia. Pushteti mediatik vjen, si një fuqi mistike që kur ndeshet me karakterin dhe botëkuptimin e brendshëm njerëzor merr fuqinë “atomike“ e krijuar nga njeriu si domosdoshmëri për shoqërinë njerëzore. ALBTVUSA është një televizor i hapur në emigracion e për rrjedhojë që në fillim ka kufizimet dhe vështirësitë e veta pasi komuniteti shqiptar është i shpërndarë në të gjithë shtetet e Amerikës, kështu që fuqia e tij nuk është e madhe veçanërisht kur flasim për median dhe suportin e saj. Globalizmi si një fenomen i ri ju ka dhënë mundësi të mëdha njerëzve që të rrojnë me ngrohtësi shpirtërore edhe pa televizorët. Duhet të kuptojmë se ALBTVUSA së bashku me televizionet e tjerë në emigracion janë nisma dhe vazhdimësi 100% investim intelektual e shoqëror në shërbim të botës shqiptare, që nuk kanë lidhje aspak me fitime ekonomike. Ja p.sh një milioner në Detroit megjithëse me ndihmonte ndonjëherë, rrinte e rrinte e më pyeste po a fiton dollar ti Gani?! Ja shpjegoja dhe kur ishte me mua më besonte kur kishte kontakte me njerëz të tjerë i ndryshonte mendja nuk besonte megjithë se ne rronim me ndihma. Prapë se prapë nuk besonte se ne shqiptarët e ardhur mbas viteve ‘90-të investonim për çështjen kombëtare. Për të justifikuar në opinion hapjen e televizionit të tij para bashkatdhetarëve shfrytëzoi një ngjarje të ndodhur në Michigan në Mars 2010 e hapi dhe filloi luftën kundra televizionit tonë. Bleu aparatura moderne, disa punëtorë i solli që nga Shqipëria, fliste e propagandonte me të madhe se ai me atë televizion do të shpëtonte shqiptarët. Krijonte incidente në aktivitete të ndryshme me punëtorët e televizionit tonë etj, veprime të pa moralshme aspak qytetare. Çfarë ndodhi, milioneri i Michiganit, jo vetëm që nuk fitoi, por humbi edhe 400-500 mijë dollarë së bashku me to edhe ”lavdinë” e tij. Troç, komuniteti shqiptar në Amerikë, në vendlindje e kudo që jetojnë duhet të respektojnë kontributin e të gjithë televizioneve shqiptare, që janë si ALBTVUSA, pasi këto institucione mediatike janë ngritur dhe mbahen nga puna dhe kontributi në radhë të parë i familjeve tona si dhe nga biznesmenët e komunitetit shqiptar në emigracion. Përsa i përket efektivitetit të integrimit të kulturës shqiptare në botën amerikane mendoj se komentet janë të tepërta, ndiqni programet tona dhe konkluzionin do ta nxirrni vetë.
Dua të theksoj se ne si televizion duke u mbështetur nga bashkatdhetarët kemi fituar fizionominë sociale, pra jemi shumë afër halleve, problemeve dhe ngjarjeve të komunitetit. Para 4 Vjetësh ALBTVUSA mblodhi në komunitetin e Michiganit $ 50.000.00, për një djalë nga Hudënishti i Pogradecit Olgert Lena dhe ja çuam familjes për kurimin e tij. Shërbime të tilla nëpërmjet lajmërimeve të televizionit tonë deri tani janë mbledhur në komunitetin e Michiganit $ 320. 000. 00. Njoftimet për raste bamirësie apo ndihmash ne i transmetojmë falas. Të gjitha rastet e lajmërimeve mortore i kemi transmetuar falas. Shoqatave të ndryshme, individëve krijues në komunitet ju kemi shërbyer falas. Kemi marrë iniciativën dhe kemi mbledhur ndihma për raste të ndryshme fatkeqësish në vendlindje apo këtu në komunitet etj. Këto raste e të tjera përcaktojnë fizionominë sociale, bamirës të ALBTVUSA.

Z. Vila, ky vit është viti i 100 vjetorit të Pavarësisë. Çfarë përgatitjesh në programet tuaja televizive jeni duke bërë në vigjilje të kësaj feste kombëtare?

Është vit jubilar, transmetojmë çdo ditë siglën kushtuar 100 vjetorit. Kemi gati një vit që mbi 60% të emisioneve tona ja kushtojmë këtij jubileu. Transmetojmë historinë e popullit tonë nëpërmjet filmave, dokumentarëve, emisioneve, intervistave duke çuar mesazhin tek shqiptarët se 100 vjetori është festa më e madhe në tërë historinë ë popullit tonë, ajo është festa e çdo shqiptari e çdo familje në të gjitha trojet shqiptare dhe komunitet shqiptare në Amerikë e botë, jo vetëm zyrtare si në sistemin komunist. Sipas mundësive ne pasqyrojmë çdo aktivitet që zhvillohet në komunitetin tonë në Michigan e në shtete të tjera. Më këtë rast ju uroj gjithë lexuesve: gëzuar 100 vjetorin e Pavarësisë të Shqipërisë!

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s