Fenomeni Frangaj, jo si çështje milionash

Nga Mero Baze

Nuk më duket se ministrat e duan Aleksandër Frangajn. Kur flasin për të, shikojnë një herë rrotull dhe zakonisht shajnë me fjalët më të pista. Nuk më duket se as njerëzit më afër Berishës, si Topalli, Patozi, Bode apo Olldashi kanë ndonjë dobësi për të. Shpeshherë Berishës i duhet të justifikohet para tyre se raporti i tij me Frangajn është raport pune për nevoja të politikes. Nuk shikoj se as shumë biznesmenë që rrinë natë e ditë me të, të kenë ndonjë respekt për të, pasi sa ndahen nga ai, tregojnë historitë e pjesëve që duhet të ndajnë për të bërë punët e tyre. Nuk shikoj ndonjë gazetar apo pronar medie të ketë respekt për të, por vrapojnë të gjithë të shfaqen krah tij apo Doktorit, nëse ai sajon ndonjë “vaki” për tu dukur që është në pushtet. Pra, në gjithë mjedisin ku operon ky Klan qeveritar në adresë të të cilit faturohen miliona euro, nuk është një mjedis miqësor për të.

Atëherë si përfundojnë milionat nga ky mjedis në llogarinë e Frangajt?

Shpjegimi i parë është Sali Berisha. Kryeministrit të vendit i është dashur qoftë dhe një herë të marrë në telefon Lulëzim Bashën dhe Bujar Nishanin si ministra të brendshëm të çelin një fond reklamash prej 4.7 milion dollarë dhe t’ia japin kompanisë së Frangaj. Atij i dashur qoftë dhe një herë të marrë në telefon Arben Imamin dhe t’i përsërisë këtë gjë. I është dashur më tej ta bëjë këtë gjë me Genc Rulin, të cilin nuk do të ishte dashur ta telefononte kurrë. I është dashur t’i bëjë telefon Fatmir Mediut dhe Spiro Kserës, Majlinda Bregut dhe Ferdinand Xhaferit, Aldo Bumçit dhe Eduard Halimit… Në atë mjedis armiqësie dhe antipatie që rrethon Frangajn brenda pushtetit, vetëm ndërhyrja personale e Sali Berishës mund të bëjë që të çelen fonde reklamash propagandistike dhe thuajse të gjitha të kalojnë tek një kompani, e cila në të vërtetë nuk është kompani, por vetëm një NIPT dhe numër llogarie me një person në krye, pasi de facto është infrastruktura e TV Klan.

Pra, mjafton që Sali Berisha një herë të ketë marrë vetë gjithë ministrat për t’i urdhëruar si të kanalizojnë pare tek një klient i tij, për ta thyer mitin e tij në sytë e ministrave që nuk kanë shumë afërsi politike me të. Kjo përveçse i ka bërë nder Frangajt, i ka bërë një dëm të madh qeverisjes pa korrupsion, pasi ka inkurajuar precedentë të ngjashëm tek ministrat për prokurime të tjera.

Shpjegimi i dytë është kapja e medies nga pushteti dhe vetëdorëzimi i saj. Kur gjithë ky fond shtetëror reklamash, i cili është me funksion propagandistik, dhe biles mediokër, shpërdorohet në këtë mënyrë për qëllime klienteliste,  duhet të kishte përballë një betejë të ashpër të medies. Duhet të bënte betejë jo vetëm për prokurimin skandaloz, por dhe për cilësinë skandaloze me të cilin justifikohet harxhimi i pareve të qytetarëve shqiptarë nga Klani në pushtet. Bëhet fjalë kryesisht për miliona të harxhuara jo për reklama informative, por për produkte skarco propagandistike, nga ato që të vjen për të vjellë dhe t’i shikosh. Fjala vjen ka spote që tregojnë Mediun dhe flasin për mbrojtje mjedisi, apo tregojnë Imamin dhe tanket dhe flasin për një ushtri të NATO-s, apo tregojnë Nishanin dhe flasin për një polici energjike në mbrojtje të qytetarëve. Në gjithë këtë histori, e cila është një korrupsion dy shifror me miliona euro, nuk ka garë, nuk ka produkt, dhe natyrisht nuk ka nevojë për reklama, por nevojë për t’i dhënë para makinerisë së medies pro-qeveritare. Pjesa tjetër e medias, e cila është diskriminuar në këto fushata propagandistike, duhet t’i refuzonte ato me neveri dhe të godiste ashpër atë që po bënte qeveria me Klanin. Por në vend të kësaj, shumica e medies, bile dhe medie që janë kritike me qeverinë, zgjodhën pazaret e vogla gati poshtëruese me njerëzit e Klanit sa për tu bërë pis dhe për të legjitimuar këtë fenomen tërësisht korruptiv në shtetin shqiptar.

Një shpjegim i tretë vjen nga dorëzimi i biznesit para presionit qeveritar dhe imitimi i skarcitetit të reklamave dhe nga biznesi privat. Kam parë shpesh i çuditur reklama të biznesmenëve jo të afërt me pushtetin në TV Klan dhe në emisione që nuk kanë asnjë lidhje me biznesin e tyre siç është fjala vjen emisioni i Fevziut. I kam pyetur pse harxhojnë lek kot për reklama diku ku nuk kanë asnjë interes, dhe tregojnë se e përdorin atë reklamë për të përballuar presionin e tatimeve apo pengesat burokratike që u shpik administrata duke u prezantuar si biznesmenë që financojnë Klanin. Edhe pse ata kanë biznese që mund t’i reklamojnë në vende të tjera dhe segmente të tjera kohore për të qenë efiçient, zgjedhin falsitetin dhe reklamën e padobishme nga ana e marketingut, por që rezulton e dobishme në një shtet politik. As ata nuk e durojnë dot Frangajn personalisht, edhe ata shpërthejnë dhe e përflasin për “dorë të rëndë”, por ama njësoj si shteti bëhen fasadë e një ngrehine jokonkurruese për të justifikuar mbajtjen në këmbë të një makine propagandistike shtetërore. Janë të njëjtit biznesmenë që na ankohen për burokracinë, për korrupsionin, për ryshfetet, për gjobat e padrejta, për shtetin klasor, dhe që vrapojnë të parët të bëhen pjesë e kësaj fëlliqësire. Janë ata biznesmenë që kërkojnë konkurrencë të ndershme, që na zënë dyert e redaksive kur ndonjë biznesmen bëhet palë me pushtetin dhe u marrë tregun, janë ata që na bëjnë moral pse nuk denoncojmë monopolet dhe nuk bëjnë reklama as tek gazeta më e lexuar, as tek televizioni më i shikuar, as tek faqja online më e klikuar, por tek televizioni që e shikon vetëm Berisha dhe Familja në pushtet, duke ia shtuar shanset gjithë fatkeqësive të tyre. Ka prej tyre që na ofrojnë pare nën dorë me shumë sinqeritet si ndihmë, por nuk duan kurrsesi reklamë në faqe të medies kritike dhe kjo e bën dhe më dëshpëruese klimën e shtetit klasor që ka ngjallur modeli i Klanit në tregun e medies dhe në shtypin e lirë.

Opozita ka disa ditë që flet për miliona euro që kanë shkuar vetëm tek kompania e Frangajt nga fondet publike dhe Berisha hesht. Heshtin dhe deputetët e tij, bile dhe ata që nuk lënë gjë pa thënë kundër bëmave të tij rrugëve. Por kjo është e keqja më e vogël. E keqja më e madhe është se shoqëria ka legjitimuar fenomenin Frangaj si një e drejtë e pushtetit dhe në këtë batak nuk ka rënë vetëm Sali Berisha, i cili është themeluesi i këtij modeli, por dhe media dhe biznesi që duhet t’ia kishin shkurtuar jetën këtij fenomeni gjobëvënës në emër të pushtetit.

Sot gjendemi në një situatë absurde kur gjithë ministrat të shajnë Frangajn dhe i shërbejnë atij, gjithë mediat të shajnë Frangajn dhe janë kokulur krah tij, gjithë biznesmenët shajnë pushtetin e Frangajt dhe paguajnë të qëndrojë në këmbë ai. Është një sëmundje për të cilën askush nuk lufton të shërohet, por vetëm të transferohet. Është një hipokrizi që shoqëria jonë e ka brenda vetes, por Frangaj nuk ngurron ta ketë të shkruar në ballë dhe për këtë paguhet më shtrenjtë.

Advertisements
nga moderatori Postuar te Tema

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s