Rreth Televizionit dhe Gazetarisë

Nga Pierre Bourdieu

Do të doja të shtroja këtu, në televizion, një sërë pyetjesh rreth televizionit. Qëllim disi paradoksal, sepse unë besoj që, përgjithësisht, në televizion nuk mund të thuash shumë, sidomos mbi televizionin. Nëse është e vërtetë që në televizion nuk mund të thuhet asgjë, a nuk do të duhej të refuzoja të shprehesha në televizion, ashtu si disa intelektualë, artistë, shkrimtarë, ndër më të shquarit?

Më duket se këtë alternativë nuk kemi pse e pranojmë si përjashtuese. Mendoj se është e rëndësishme të flasësh në televizion, por me disa kushte specifike. Sot, në saje të shërbimit audioviziv të Kolegjit të Francës, unë kam rastin të përfitoj nga kushte krejtësisht të pazakonta: së pari, koha ime nuk është e kufizuar; së dyti, tema e diskutimit tim nuk është e imponuar – e kam vendosur atë lirisht dhe mund ta ndryshoj atë përsëri –; së treti, këtu nuk ka njeri që të më tërheqë vëmendjen, si në emisionet e zakonshme, për radhën e gjërave, në emër të mundësive teknike, në emër të “publikut që nuk do të më kuptojë” ose në emër të moralit, etikës, etj. Është një situatë krejtësisht e veçantë pasi, për ta thënë me një gjuhë të dalë mode, unë kam në zotërim instrumente të prodhimit, gjë që nuk ndodh rëndom. Duke e theksuar faktin që kushtet që më janë ofruar janë krejtësisht të pazakonta, them diçka edhe në lidhje me kushtet e zakonshme në të cilat ftohesh për të folur në televizion.

Por, duhet pyetur, përse pranojmë atëherë të marrim pjesë në emisione televizive pavarësisht kushteve? Kjo është pyetje shumë e rëndësishme dhe megjithatë pjesa më e madhe e kërkuesve, dijetarëve, shkrimtarëve, për të mos folur për gazetarët, të cilët pranojnë të marrin pjesë në emisione televizive, nuk e shtrojnë fare. Më duket e nevojshme ta shtroj si pyetje mosshtrimin e kësaj pyetjeje. Në fakt, më duket se, duke pranuar pjesëmarrjen pa u shqetësuar nëse mund të arrijmë të themi diçka, zbulojmë në mënyrë shumë të qartë që nuk jemi aty për të thënë ndonjë gjë, por për arsye krejt të tjera, posaçërisht për t’u dukur dhe për t’u parë. “Të jesh, do të thotë të shihesh”, – thoshte Berkeley. Për disa nga filozofët tanë (dhe shkrimtarët) të jesh do të thotë të shfaqesh në televizion, pra më konkretisht, të jesh i dukshëm për gazetarët, të shihesh me sy të mirë prej tyre, siç thuhet (gjë që nënkupton bërjen e kompromiseve dhe komprometim) – dhe është e vërtetë që, kur nuk e lidhin vijimësinë e ekzistencës së tyre me veprën, ata nuk kanë tjetër rrugë veçse të shfaqen sa më shpesh që të jetë e mundur në ekran, pra të shkruajnë me intervale të rregullta dhe sa më të shkurtra të mundshme, botime, qëllimi i të cilave është, siç shprehej Gilles Deleuze, t’u sigurojnë ftesat në televizion. Në këtë mënyrë ekrani i televizorit është shndërruar në një lloj pasqyre Narciste, një vend i ekzibicionizmit narcist.

Kjo preambulë mund të duket pak e gjatë, por do të ishte e dëshirueshme që artistët, shkrimtarët dhe shkencëtarët ta shtronin pyetjen në mënyrë eksplicite – bashkërisht, po të ishte e mundur -, në mënyrë që të mos i mbetej secilit individualisht zgjedhja për të ditur nëse duhet t’i pranojë apo jo ftesat për të dalë në televizion, për të pranuar duke vendosur kushte apo pa imponuar kushte, etj. Do të uroja me të vërtetë (gjithmonë kemi mundësinë të ëndërrojmë) që ata ta merrnin në dorë këtë çështje, bashkërisht, dhe që të përpiqeshin të hynin në negociata me gazetarët, qofshin të specializuar ose jo, me qëllim që të arrinin një lloj marrëveshje. Vetëkuptohet që nuk bëhet fjalë as për t’i dënuar, as për t’i luftuar gazetarët, të cilët shpesh janë të detyruar të imponojnë kufizime. Përkundrazi, bëhet fjalë për t’i përfshirë edhe ata në refleksion, në kërkim të mënyrave për t’i kapërcyer bashkërisht kërcënimet e instrumentalizimit.

Basti i refuzimit të pastër dhe të thjeshtë për t’u shprehur në televizion nuk më duket i arsyeshëm. Mendoj madje, se në disa raste kemi një lloj detyre për t’u shprehur në televizion, me kusht që kjo të bëhet e mundur në kushte të arsyeshme. Për të marrë një vendim duhet llogaritur specifika e mjetit televiziv. Në rastin e televizionit kemi të bëjmë me një instrument që, teorikisht, na jep mundësinë t’u flasim të gjithëve. Pyetjet paraprake që shtrohen janë: a u intereson të gjithëve ajo që kam për të thënë unë? A jam unë në gjendje që fjala ime, në formë, të mund të dëgjohet nga kushdo? A meriton që të dëgjohet nga të gjithë? Mund të shkohet edhe më larg akoma: a duhet të dëgjohet nga të gjithë? Studiuesit kanë një mision, sidomos shkencëtarët, i cili mund të jetë veçanërisht urgjent për shkencat shoqërore – dhe që është t’ua bëjnë të njohur të gjithëve arritjet e kërkimeve të tyre. Siç thoshte Husserl-i, ne jemi “funksionarë të njerëzimit”, të paguar nga shteti për të zbuluar gjëra, qoftë në botën natyrore, qoftë në botën shoqërore, dhe duket se riprodhimi i asaj që ne kemi arritur të zbulojmë bën pjesë tek obligimet tona. Gjithnjë jam përpjekur që t’ia nënshtroj këtij filtri pyetjesh paraprake arsyet e mia për të pranuar ose refuzuar pjesëmarrjen në emisione televizive. Dhe do të dëshiroja që të gjithë ata që ftohen për të marrë pjesë në televizion t’i bëjnë ose të ndihen pak nga pak të detyruar t’ia bëjnë vetes këto pyetje, sepse teleshikuesit, kritikët e televizionit, i bëjnë për ata që dalin në televizion: a ka diçka për të thënë? A ka mundësitë dhe kushtet për t’i thënë? A është në vendin e duhur për t’i thënë? Me pak fjalë, çfarë do ai aty?

Një censurë e padukshme

Po i rikthehem thelbit: e nisa shtjellimin me konstatimin që aksesi në televizion ka për kundërpeshë një alamet censure, një humbje të autonomisë që lidhet, ndër të tjera, me faktin që tema është e imponuar, që kushtet e komunikimit janë të imponuara dhe mbi të gjitha, me faktin që kufizimi i kohës bën që mundësitë të jenë të pakta për të thënë ndonjë gjë. Kjo censurë që ushtrohet mbi të ftuarit, por edhe mbi gazetarët të cilët kontribuojnë në realizimin e saj, pritet që të jetë ashtu siç e quaj unë, politike. Është e vërtetë që ka ndërhyrje politike, kontroll politik (që ushtrohet veçanërisht përmes emërimeve në postet drejtuese); është e vërtetë gjithashtu dhe veçanërisht në momentin kur, ashtu si sot, ka një armatë rezervash në pritje dhe një garë shumë të ethshme për pozicione në televizion dhe në radio, që prirja drejt konformizmit politik të jetë më e madhe. Njerëzit vetë-censurohen në mënyrë koshiente ose jokoshiente, pa qenë nevoja që dikush t’ua kërkojë këtë.

Mund të përmendim gjithashtu censurimet ekonomike. Është e vërtetë që, në fund të fundit, ajo që rëndon më së shumti në televizion është censura ekonomike. Thënë këtë, nuk mund të mjaftohemi duke thënë se ajo që ndodh në televizion është në dorën e njerëzve që e kanë në pronësi, sponsorëve që financojnë reklamat, shtetit që jep subvencione, por nëse nuk do të dinim emrin e pronarit të një kanali televiziv, se çfarë peshe kanë sponsorët në buxhet dhe sasinë e subvencionimeve, nuk do të ishim në gjendje të kuptonim shumë. Pra është e rëndësishme t’i kemi këto informacione. Është e rëndësishme të dimë që NBC-ja është pronë e General Electric (gjë që do të thotë se, nëse ajo do të ndërmerrte realizimin e intervistave për rreziqet e një centrali atomik, është e mundur që… megjithëse askujt nuk do t’i shkonte ndërmend t’i futej kësaj teme në këtë media…), se CBS-ja është në pronësi të Westinghouse, se ABC-ja zotërohet nga Disney, që TF1 është pronë e Bouygues dhe kjo shoqërohet me rrjedhoja të drejtpërdrejta për këto media. Është evidente që qeveria do të tregohej e kujdesshme ndaj Bouygues duke ditur që pas TF1 qëndron pikërisht Bouygues. Të vërteta të tilla të hapura, të cilat mund t’i vërejë edhe kritika më elementare, fshehin mekanizmat anonime, të padukshme, përmes të cilave ushtrohen censurat e çfarëdo lloji, të cilat e bëjnë televizionin një alamet instrumenti për ruajtjen e rendit simbolik.

Duhet të ndalem pak më tepër në këtë çështje. Analiza sociologjike has shpesh një keqkuptim: ata që merren si objekt analize, në rastin konkret gazetarët, kanë prirjen të mendojnë që kërkime të tilla, zbulimi i mekanizmave, janë denoncime kundër personave, ose siç quhen zakonisht “atakime”, sulme personale, ad hominem (gjë që do të thotë se, nëse sociologu do të thoshte ose do të shkruante një të dhjetën e asaj që nënkupton kur flet me gazetarët, në lidhje me ‘bërjen’ ose ‘fabrikimin’ – kjo është fjala e duhur – e emisioneve, ai do të denoncohej nga vetë gazetarët për anshmërinë e tij dhe për mungesë objektiviteti). Njerëzit, përgjithësisht, nuk kanë aspak dëshirë të merren si objekte studimi dhe aq më pak gazetarët. Ata ndihen të shënjestruar, të shpotitur, ndërkohë që sa më shumë analizohet një mjedis, aq më e fortë është prirja për t’i zhveshur ata nga përgjegjësitë – gjë që nuk do të thotë se justifikohet gjithçka që ndodh – dhe sa më mirë të kuptojmë sesi funksionon, aq më shumë arrijmë ta kuptojmë që njerëzit e këtij mjedisi janë të manipuluar po aq sa edhe manipulues. Madje, shpesh herë, ata janë manipulues edhe më të mirë kur janë vetë të manipuluar dhe të pandërgjegjshëm për këtë. Ngulmoj në këtë çështje, duke e ditur që, sidoqoftë, ajo që unë them do të perceptohet si kritikë; reagim që është gjithashtu një mënyrë për t’u mbrojtur ndaj analizës. Madje, besoj që denoncimi i skandaleve, fakteve dhe shkeljeve të një gazetari apo një tjetri, ose diskutimi për rrogat stratosferike të disa producentëve, mund të lënë në hije atë që është më esenciale, për sa kohë që korruptimi i personave maskon këtë lloj korruptimi strukturor (po a mund të flitet për korrupsion edhe në këtë rast?), i cili ushtrohet mbi gjithë lojën përmes mekanizmave të tillë si konkurrenca për pjesë të tregut, dhe pikërisht këtë do të përpiqem të analizoj.

Do të doja pra të çmontoja një seri mekanizmash, të cilët bëjnë që televizioni të ushtrojë një formë dhune simbolike mjaft problematike. Dhuna simbolike është dhunë që ushtrohet me bashkëpunimin e heshtur të atyre që e pësojnë dhe shpesh edhe të atyre që e ushtrojnë, në kohën kur, si njëra palë ashtu edhe tjetra nuk janë të ndërgjegjshëm që e ushtrojnë ose që e pësojnë. Sociologjia, ashtu si të gjitha shkencat, ka për funksion të zbulojë gjërat e fshehura; duke bërë këtë, ajo mund të kontribuojë në minimizimin e dhunës simbolike, e cila ushtrohet në marrëdhëniet shoqërore dhe veçanërisht në marrëdhëniet e komunikimit mediatik.

Le të marrim më të thjeshtën: kronikën e zezë, e cila ka qenë gjithnjë gatimi i preferuar i shtypit sensacional; gjaku dhe seksi, drama dhe krimi gjithnjë kanë shitur dhe mbretërimi i audimatit bën që këto informacioneve të zënë vendin e parë, të hapin edicionet e lajmeve televizive, ndërsa shtypi i shkruar serioz ingredientë të tillë i kishte mënjanuar ose sfumuar. Por kronika e zezë është edhe një çështje shpërqendrimi. Prestigjatorët kanë një parim elementar, që është të tërheqin vëmendjen tek diçka tjetër nga ajo që bëjnë. Një pjesë e fuqisë simbolike të televizionit, për sa u përket informacioneve për shembull, qëndron në tërheqjen e vëmendjes drejt fakteve që u interesojnë të gjithëve, pra mund të themi që janë me interes të përgjithshëm. Faktet e përgjithshme janë faktet e jetës së përditshme, që nuk paraqesin rreziqe, që nuk krijojnë ndarje, që marrin konsensus, që u interesojnë të gjithëve por në një mënyrë që nuk prek asgjë të rëndësishme. Kronika e zezë është një mall i tillë elementar, rudimentar, i informacionit që është shumë i rëndësishëm, sepse u intereson të gjithëve dhe konsumon kohë, kohë e cila mund të përdorej për të thënë diçka tjetër.

Mirëpo koha është një mall jashtëzakonisht i çmuar në televizion. Dhe nëse përdorim minuta kaq të çmuara për të thënë gjëra kaq të parëndësishme, kjo ndodh pasi këto gjëra të kota janë në fakt shumë të rëndësishme për sa kohë që fshehin gjëra të tjera të rëndësishme. Po ngulmoj në këtë çështje, sepse dihet për më tepër, që ka një pjesë të konsiderueshme njerëzish që nuk lexojnë asnjë të përditshme; që janë të lidhur vetëm me televizionin si i vetmi mjet informimi. Televizioni është një lloj monopoli faktik në formatimin e mendjeve të një pjese shumë të madhe të popullsisë. Mirëpo, duke e vënë theksin tek kronika e zezë, duke e mbushur këtë kohë të çmuar me zbrazëti, me asgjë ose pothuajse asgjë, tkurren informacionet e rëndësishme që duhet të marrë qytetari për të ushtruar të drejtat e veta demokratike. Për shkak të këtij deformimi, kemi krijimin e një ndarjeje për sa i përket informacionit, ndërmjet atyre që mund të lexojnë të përditshmet, të ashtuquajtura serioze, për aq sa mund të mbeten serioze nga konkurrenca e televizionit; ata që mund të lexojnë shtypin ndërkombëtar, kanalet radiofonike në gjuhë të huaja, dhe, nga ana tjetër, ata të cilët kanë si të vetmin bagazh politik informacionin e dhënë nga televizioni, domethënë pak a shumë asgjë (përveç informacionit që siguron njohja e burrave dhe grave që shfaqen aty, fytyrat e tyre, shprehjet e tyre, gjëra të cilat mund t’i deshifrojnë edhe ata më pak të kulturuarit, – që nuk kontribuon pak në të huajësimin e tyre nga çështjet politike).

*Botohet me shkurtime. Përktheu nga frëngjishtja: Belina Budini.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s