Fahreed-ët tanë

Nga Ilva Tare

Të flasësh për plagjarizëm dhe domosdoshmërinë e citimit të burimeve orgjinale duket e panevojshme dhe ndoshta edhe e parakoshme në Shqipëri

Fahreed Zakaria është gazetar, drejtues emisioni televiziv  dhe autor librash amerikan me origjinë indiane. Për teleshikuesit amerikan ai është një emër autoritar i rrjetit të fuqishëm ndërkombëtar CNN. Analizat e Zakaria-s dhe njohja e tij e thelluar e politikës ndërkombëtare ka rënë në sy gjatë transmetimeve të emisionit GPS në CNN, por edhe në editorialet që shkruan për revistën Time. Pa dyshim në suksesin e tij ka gisht edhe edukimi në universitetin e famshëm Yale e mandej doktoratura në Harvard. 

Por edhe të diplomuarit e Harvardit gabojnë. Javët e fundit Zakaria është përfshirë në një skandal të përmasave të pazakonta për profesionistë të kalibrit të tij. Ai u demaskua publikisht për plagjarizëm, një fenomen që merret shumë seriozisht në median amerikane. Zakaria kishte riprodhuar  një paragraf të autores Jill Lepore në një nga shkrimet e tij pa e cituar burimin dhe emrin e profesores së Harvardit. “Më falni, gabova pa dashje” ishte reagimi i Zakarias i cili nën presionin e medias u pezullua nga CNN dhe revista Time, fillimisht për një periudhë të pacaktuar.

Kaq mjaftoi që të fillonin spekullimet mbi të ardhmen e gazetarit të konsideruar nga disa kritikë si gjeni i analizës politike dhe nga disa të tjerë si gazetar mediokër i ngjitur në majat e karrierës për arsye të pashpjegueshme. E imagjinoni vetë natyrën e lincimit kur të rrëshket këmba dhe madje detyrohesh të pranosh publikisht se ke gabuar. Debati u ndez edhe më shumë kur CNN dhe Time vendosën ta pezullonin ndëshkimin për Zakarian pas dy javësh dhe të lejonin rikthimin e tij në ekran dhe në faqet e revistës. A mund të falet pa dëmtuar seriozisht karrierën një “gabim” i tillë sado i pafajshëm të ketë qenë?  Kolegët amerikanë kanë mendime të ndryshme dhe po zhvillojnë ende polemika të ashpra.

Po në Shqipëri? Cfarë ndodh me ata që ushtrojnë artin e plagjarizmit? Së pari, në median shqiptare kopjimi nuk është rast i vecuar, por rregull. Së dyti, mos vendosja në shkrime, artikuj, emisione i burimit dhe referencave nga janë marrë të dhënat është gjithashtu rregull. Së treti, edhe kur publikohen deklarata apo citime të marra nga një intervistë që e ka zhvilluar një koleg tjetër I një ekrani konkurrent thuhet vetëm në një emision televiziv, në rastin më të mirë. Së katërti, etika profesionale e gazetarëve shqiptarë është aq e kufizuar sa edhe kur kryeministri sulmon një koleg të tyre ata nuk zbatojnë një nga parimet bazë të profesionit, që është marrja e reagimit të personit të vënë nën akuzë. Dhe së fundi, media jonë është e mbushur me lajme të kopjuara, përkthyera ose përshtatura pa kurrëfarë citimi të burimeve origjinale pa të cilat cdo profesionist do të ndjehej i cunguar dhe cdo amator i plotësuar.

Tregu ynë është i mbushur me kategorinë e dytë.  Për rrjedhojë edhe të flasësh për fenomenin plagjarizëm dhe domosdoshmërinë e citimit të burimeve orgjinale duket e panevojshme dhe ndoshta edhe e parakoshme. Në fund të fundit po flasim për dy nivele të të bërit gazetari që të përbashkët kanë vetëm mbushjen e faqeve me gërma të zeza mbi të bardhë dhe hapjembylljen e gojës përpara ekranit. Fatkeqësisht.


 

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s