Ditari i Teodor Kekos për 365 ditët e fundit

“Ëndërr kisha një shtëpi në plazh, që s’e pata kurrë, ëndërr kisha një kalë. Letërsia ishte hobi im, më qetësonte shpirtin, kështu ishte për mua”. Kështu iku dhjetë vjet më parë shkrimtari Teodor Keko. Në dollapin e shtëpisë Xhuli i mban akoma rrobat e tij, ruan gjithçka që e lidh gruan me bashkëshortin dhe babain me dy djemtë. Teodor Keko u risoll në jetë përmes kujtimeve të miqve në një mbrëmje homazh në Teatrin Kombëtar. Miq që janë rritur me të kanë pirë nga një gotë në barin e preferuar, por dhe të tjerë që në mungesë të njohjes personale e  kanë njohur po njësoj përmes letërsisë së tij. Një shandan me qiri të ndezur, vendosur mbi një tavolinë prej druri qëndronte në anë të skenës, ku miqtë ndalnin hapin dhe linin një trëndafil të kuq për Dorin. Secili ka diçka për të thënë, dikush disa fjalë e një tjetër një poezi, një kujtim nga Dori i vogël (siç e thërrisnin). Besnik Mustafaj, Timo Flloko, Preç Zogaj, Natasha Lako dhe Bardhyl Londo e kujtojnë herë si mikun që u mungon e herë si shkrimtarin dhe poetin që mbeti në përjetësi. “Mall për Dorin”… kishin shumë. E kanë shprehur në fakt me fjalë e shkruar shumë prej miqve të tij, sidomos muajt e fundit. Më 20 gusht u bënë 10 vjet që kur Teodor Keko mbylli sytë në një spital në Selanik. Sëmundja e kishte mposhtur, por vdekja me sa duket jo. Familjarët dhe miqtë vazhdojnë ta kenë mes tyre me kujtime, poezi, shkrime, foto, por dhe imazhe. Ai ishte sidomos i pranishëm mbrëmë në atë sallë paksa të errët të Teatrit Kombëtar, ku shumë njerëz kishin ardhur për të kujtuar Dorin e vogël. Një ceremoni ku u rrëfye gjithçka për Dorin. Për ditën kur lindi, si u rrit mes librave dhe lojërave me zara dhe kopaca, si rastësisht u bë politikan, si nuk u nda kurrë nga dashuria e përjetshme letërsia, batutat me miqtë përpara një gote birre…e deri në ditën e fundit në shtratin e urgjencës në një spital në Selanik.

Një dokumentar “Për Dorin”

“Për Dorin…” shkrimtar, njeri, gazetar, rastësisht edhe politikan, dokumentari i realizuar nga gazetarja Beti Njuma dhe nga Digitalb u shfaq mbrëmë në 10-vjetorin e ndarjes nga jeta të Teodor Kekos. Një ecejake në jetën e Dorit, që ditën kur erdhi në jetë, deri në ditët e fundit mes Selanikut dhe Tiranës. “Një tjetër fëmijë prisnim të hynte në familjen tonë…Ishte koha kur në Shqipëri, Drajzeri ishte nga shkrimtarët më të preferuar dhe ‘Një tragjedi amerikane’, nga librat më të dashur për të rinjtë e moshës sime”. Beti Njuma ka shkëputur këtë kujtim të nënës Xhanfize Keko nga libri “Ditët e jetës sime”. Kështu ditë pas dite mes kujtimeve të nënës Xhanfize Keko, bashkëshortes Xhuli, miqve Besnik Mustafaj, Genc Ruli, Preç Zogaj, Vladimir Murtezaj, Shaban Sinanit etj. etj. rrëfehet jeta e Teodor Kekos. Imazhe të panjohura, intervista, rrëfime për veten dhe letërsinë janë shkëputur nga arkivi i familjes për këtë dokumentar. Momente nga jeta familjare, batuta me djemtë dhe përqafime dashurie me bashkëshorten. “Gjithçka tek ai më bëri për vete. Mënyra sesi fliste, mbase ngaqë ishim tipa të ndryshëm. Ai ishte i qetë, unë natyrë sanguine. Mendoj se natyrat e kundërta tërhiqen dhe kështu ishte për mua dhe Dorin. E kam pranuar ashtu siç është dhe ai më ka pranuar mua ashtu siç isha. Gjithmonë kam menduar se jeta përpara do të ishte sa e bukur edhe e vështirë. Gjithmonë i thoja do isha shumë e lumtur sikur të të kisha mbajtur të dashur gjithë jetën dhe të mos ishim martuar.” Xhuli akoma nuk është mësuar me ikjen e tij. Ruan gjithçka që ai la pas dhe duket se nuk ia fal dot ikjen aq shpejt. I vëllai i Dorit, Ilir Keko, ka kontribuar në realizimin e këtij dokumentari me foto dhe materiale filmike.

Një portret i pautorizuar nga 178 autorë

Në dhjetëvjetorin e ndarjes nga jeta të shkrimtarit dhe publicistit Teodor Keko, UET Press botoi “In Memoriam një portret i paautorizuar”.178 autorë, gazetarë, shkrimtarë, poetë, piktorë dhe politikanë, që kanë shkruar dhe kanë folur për  mikun e munguar Teodor Keko, janë përmbledhur në këtë vëllim. “Unë në këtë ceremoni vij duke përfaqësuar botimet UET press të Universitetit Europian të Tiranës, por dhe si një mik i ri atëherë i Teodor Kekos. Doja të ndaja një impresion. Sapo ceremonia filloi, nisa të numëroj personat që ishin përfshirë në këtë biografia të pautorizuar të Teodor Kekos. Ne kemi arritur të mbledhim çdo shkrim që është bërë për Dorin.”- tha botuesi i UET Press, Henri Çili. Libri është ndarë në katër pjesë; “Sytë e nënës”, “Shtypi dhe Media”, “Mendime mbi krijimtarinë dhe individualitetin”, “Poezia dhe Piktura”, në të cilat “vizatohet” portreti i njeriut, shkrimtarit dhe publicistit Teodor Keko. Një tjetër vëllim që u promovua në ceremoninë përkujtimore ishte dhe një përmbledhje e krijimtarisë së Teodor Kekos vitin e fundit të jetës. “Si breshka mbi shpinë mbaj një varr”, botim i Adelprint, sjell dorëshkrime të panjohura e të pabotuara më parë të vitit të fundit të jetës së shkrimtarit. E gjithë krijimtaria e tij e shkruar  në ecejaket Tiranë-Selanik, kur ai luftonte me vdekjen, por dhe foto dhe copëza kujtimesh nga jeta e tij. “Gjithkush që do të shfletojë këtë libër do të gjejë dashurinë e madhe të Dorit për librin dhe njerëzit”- u shpreh botuesi i AdePrint.

 

Presidenti Nishani i jep titullin “Mjeshtër i Madh”

Presidenti Nishani nderoi dje shkrimtarin Teodor Keko (pas vdekjes) me Urdhrin “Mjeshtër i Madh” me motivacionin: “Për kontribut të shquar në fushën e letërsisë dhe publicistikës, duke promovuar në kulturën kombëtare, risi dhe vlera autentike shpirtërore dhe intelektuale”. Kryetari i Shtetit vlerësoi kontributin e lartë të Teodor Kekos në letërsi dhe oratorinë e tij, duke u shprehur ndërmjet të tjerash se “Një njeri mund të jetojë dhe njëqind vjet dhe mund të mos lërë asgjë si shenjë të ekzistencës së tij. Teodor Keko jetoi pak, por la shumë”. Në ceremoninë zyrtare, ishin të pranishëm familjarë shkrimtarë, publicistë dhe miq të shkrimtarit Teodor Keko. Xhulieta Keko, tepër e emocionuar, shprehu mirënjohjen ndaj Presidentit të Republikës për këtë vlerësim që i bën veprimtarisë, përkushtimit dhe personalitetit profesional të Teodor Kekos.

 

 

Alfred Lela dhe Luljeta Lleshanaku vlerësohen ne çmimin “Teodor Keko”

Alfred Lela dhe Luljeta Lleshanaku janë vlerësuar me çmimin kombëtar për gazetarinë kulturore, “Teodor Keko 2011”, i cili akordohet nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Juria e përbërë nga Artur Zheji (kryetar), Fatos Baxhaku, Ben Andoni dhe Artan Fuga nuk e ka patur të lehtë për të shkuar tek emrat e fituesve. “Përpara se të dua të them dy fjalë, juria e pati shumë të vështirë për të arritur në këtë finalizim. Sistemi i përdorur ka qenë ai i votimit dhe kryetari i jurisë ka patur një votë si gjithë anëtarët e tjerët dhe them se kemi arritur në mënyrën më korrekte të mundshme në ndarjen e këtyre çmimeve. Shumë ishin ata që meritonin po aq këtë çmim, por numrat janë herë objektiv dhe herë subjektiv”- tha kryetari Artur Zheji, i cili më pas i dorëzoi çmimin për mediat elektronike shkrimtares Luljeta Lleshanaku, për kontributin e dhënë në realizimin e emisionit Orkidea. “Falenderoj televizionin ‘AlbanianScreen’ për mundësinë që më dha për ta kthyer fjalën në imazh” –tha ndër të tjera Luljeta Lleshanaku, duke falenderuar drejtuesit e emisionit të saj. Zv.ministrja e Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve, Suzana Turku, vlerësoi se me kontributin e çdo gazetari dhe me vlerësimet që ka dhënë juria, ky çmim do të arrijë në lartësinë e emrit që e përfaqëson. Zv.ministrja Turku i dorëzoi çmimin për median e shkruar gazetarit Alfred Lela, me motivacionin: Për kontributin në lëvrimin e gazetarisë së shkruar kulturore dhe paraqitjes para lexuesit shqiptar të profileve të personaliteteve të kulturës shqiptare. “Unë vij sonte këtu me mungesën e madhe të mosnjohjes personale me Teodor Kekon. Megjithatë, e kam njohur nëpërmjet letërsisë dhe gazetarisë së tij. Sa i takon këtij çmimi, do doja që të ishte, më shumë se për gazetarinë kulturore, për përmasën kulturore të gazetarisë dhe gazetarëve. Shpresoj, madje besoj, se këtë do të kish dashur edhe Teodori.”- tha Alfred Lela, një nga drejtuesit e Media Mapo-s.

 

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s