Robert Fisk: Leksioni i “pranverës arabe”- Regjimet duhet t’i rrëzojë populli, jo ushtritë e huaja

Asad? “Një tiran, peng i regjimit të tij”. Bush dhe Bler? “Meritojnë të çohen në Gjykatën Ndërkombëtare”. “Wall Street Journal” dhe “New York Times”? “Pa dinjitet”. Një nga reporterët më të mëdhenj të luftës akuzon…

Në aeroport të pret një “Chrysler” për të të çuar drejt Dublinit, në vilën e tij buzë detit, ku këtë verë po pushon korrespondenti i Lindjes së Mesme, më i famshmi në botë, Robert Fisk. 66-vjeçarin, reporter i së përditshmes britanike “The Indipendent”, e njohin të gjithë.

Në 30 vitet e fundit keni jetuar në Bejrut. Jeni strehuar në gjirin e Dublinit për të marrë veten nga revolucioni arab?

Jo, jam këtu për të shkruar një libër të ri që pritet të dalë për Krishtlindje. Është më e lehtë të shkruash në Dublin se sa në Bejrut, ku ritmi është gjithmonë frenetik, ndërsa telefoni nuk rresht kurrë që rëni.

Ben Ali u arratis, Mubaraku dha dorëheqjen, Gadafi vdiq, por Bashar Asad nuk po lëviz: gjakderdhja në Siri vazhdon pa mëshirë…

Regjimi po përgjigjet ashtu si ka bërë gjithmonë: me dhunë, tortura, vrasje. Bashar mendonte se do t’i mbyste protestat, po kur e pa se kombi u çlirua nga frika, diktatori mori fund. Ekonomia siriane është në një gjendje kolapsi nga varfëria, e cila ka prekur pothuajse të gjitha zonat e vendit. Që në prill kam parë njerëz të armatosur, të cilët vinin nga Libani verior përmes kufirit me Sirinë. Protestat popullore paqësore u transformuan në një revoltë të armatosur. Një refugjat sirian në Bejrut më tha: Në fillim revolucioni ynë ishte i pastër, tani është i korruptuar. Ky pohim është i drejtë. Katari dhe Arabia Saudite mbështesin rebelët duke i furnizuar me armë. Po e shtyjnë situatën drejt një lufte civile që duhet ta fitojnë sunitët. Arabët e gjirit janë të terrorizuar nga ekspansionizmi shiit, në fillim në Iran dhe tani përtej kufijve të tij, falë ndërhyrjeve ushtarake të Bushit dhe Blerit në Irak. Duan ta ndalojnë me çdo kusht dhe për këtë disponojnë para e burime.

Në të kaluarën ke qenë relativisht tolerant për sa u përket çështjeve të Sirisë: e keni cilësuar si një gjysmëdiktaturë. Edhe regjimi është treguar i butë me ju: toleroheshit, sepse shkruanit me sinqeritet, ashtu siç pati deklaruar ministri i Informacionit.

Ishin shumë të bezdisur nga shkrimet e mia kritike, por kurrë nuk ma kanë mohuar vizën, sepse e dinin që punoja në mënyrë të ndershme dhe nuk isha spiun. Kam shkuar dhjetëra herë në Siri kur vija nga Londra apo nga Bejruti; Damasku për mua ishte kryeqyteti i një shteti policesk: kur vija nga Bagdadi gjatë regjimit të Sadam Huseinit, më dukej demokraci liberale. Gjithçka është relative. Në vitin 1982 shkrova për masakrën në Hama: në tri javë u vranë 22 mijë persona. Hafez Asad ishte një njeri brutal, por tani edhe djali i tij Bashar po tregon se është aq brutal sa i ati, edhe pse, sipas mendimit tim, në një farë pike duket sikur dëshiron të bëjë reforma, i nxitur edhe nga e shoqja e lindur dhe e rritur në Britaninë e Madhe.

Pra Bashar është “peng” i regjimit Baath?

E kam takuar pas vdekjes së të atit. Të gjithë shpresonin në një shtensionim politik, por Partia Baath, bankierët dhe të afërmit e korruptuar, nuk lejuan që të ndodhte. Kam marrë vesh nga disa burime se që kur vitin e kaluar nisi revolta, Maher Asad (komandant i trupave speciale) i tha të vëllait: “Më jep katër ditë kohë për të kthyer rregullin”, dhe Bashar e dëgjoi. Prej atyre katër ditëve ka kaluar edhe një vit tjetër. Megjithatë reagimi i tij i parë ishte shumë i moderuar. Protesta nisi pasi policia politike torturoi dhe vrau të rinj që kishin bërë grafite kundër qeverisë në një mur. Bashar pushoi menjëherë disa pushtetarë lokalë dhe në Damask ministri më tregoi se kishin marrë urdhër nga Bashar për të shkuar në familjet e të vrarëve dhe për të kërkuar falje. Nuk mund ta aprovoj, por mendoj se Bashar ka qenë me idenë për t’u rreshtuar përkrah njerëzve. Dyshoj se në realitet nuk e ka bërë, sepse nuk kishte mbështetje të vazhdueshme dhe i trembej një grushti shteti nga ana e vëllait Maher, apo disa anëtarëve të tjerë të familjes, të ushtrisë apo Partisë Baath.

Është shumë e vështirë të ndryshosh brenda një regjimi të dhunshëm. Çfarë pritet të ndodhë tani?

Revolucionet bëjnë që të humbin të këqijtë, por jo domosdoshmërish të fitojnë të mirët. Duhet një muaj, një vit apo më shumë, por është e pamundur të kthehet ashtu si ishte më parë. Edhe Bashar këtë e di. Vendi është në kaos të plotë. Dua të shkoj për t’ju treguar se çfarë po ndodh.

Nuk keni frikë për jetën tuaj?

Duhen vlerësuar rreziqet me kujdes. Kjo është arsyeja se përse vitin e kaluar zgjodha për të mos shkuar në Homs. Sa më e rëndësishme situata, aq më të mëdha rreziqet.

Disa specialistë thonë se korrespondentët e luftës janë 5 herë më të ndjeshëm ndaj problemeve që lidhen me shëndetin emotiv se të tjerët…

Me të vërtetë kemi një profesion shumë të rrezikshëm. Nëse për ne gjërat shkojnë keq, marrim avionin e parë dhe i drejtohemi shtëpisë. Personat që jetojnë në zonat me konflikte nuk e kanë këtë mundësi. Janë këta njerëz që duhen ndihmuar, jo ne gazetarët. Detyra jonë është t’i tregojmë botës atë që po ndodh, të tregojmë se kush janë të këqijtë, t’u japim zë viktimave, në mënyrë që askush të mos thotë që nuk e dinim se çfarë po ndodhte.

Libri juaj i ri flet për “pranverën arabe”?

Fusha e “veprimit” të librit është shumë më e gjerë: bëhet fjalë për një vepër me më shumë se 1000 faqe. Një nga temat kryesore është fakti se Perëndimi i ka bërë luftërat si diçka normale. Falë veprimeve të bëra nga Xhorxh Bush dhe Toni Bler, lufta është shndërruar në një opsion të thjeshtë politik. Le të mendojmë për Afganistanin dhe Irakun. Nëse një diktator bashkëpunon, është një burrë i fortë që ofron stabilitet, nëse jo, shndërrohet në një Hitler që duhet mundur. Bombardojmë objektiva jo ushtarake pa asnjë skrupull: centrale elektrike, hekurudha, ura, stacione televizive, madje edhe spitale. Dhe ne gazetarët kemi përgjegjësinë tonë në këtë normalizim të luftës, sepse duhet të pasqyrojmë anën më të errët të saj. Duke mos e treguar luftën siç është në të vërtetë, televizioni, në mënyrë indirekte, e promovon. Unë nuk jam me këtë mendim. Në shkrimet e mia shkruaj gjithmonë atë që kam parë: krimba që dalin nga kufomat, gjymtyrë të prerë etj.

Mohamed El Baradei, lideri i opozitës egjiptiane dhe ish-drejtor i AIEA-s, mendon se Gjykata Penale Ndërkombëtare duhet të ndërmarrë një hetim mbi përgjegjësit e vrasjes së 1 milion irakianëve gjatë sulmeve amerikane dhe angleze. Me pak fjalë do që Bush dhe Blair të përfundojnë në gjykatë…

Mendoj se është një debat qesharak: nuk ka për të ndodhur kurrë. Nga pikëpamja ligjore dhe teknike, sigurisht që Bler dhe Bush janë fajtorë për krime lufte, por të gjithë e dimë që në praktikë nuk do të çohen në gjykatë dhe as do të dënohen.

Ju nuk keni një opinion të mirë për median amerikane. Madje as për gazetat me një reputacion të mirë si “Wall Street Journal”, që e keni cilësuar si “e përditshmja e ekstremit të djathtë” dhe për “New York Times”, që ju e kritikoni rregullisht…

Nuk kanë dinjitet. Ky është opinioni im. Refuzoj të pranoj gënjeshtrat që na ofrojnë. Shumë prej kolegëve të mi amerikanë më evitojnë, sepse shpesh mendoj se ajo që shkruajnë është e rrezikshme për gazetën ku punojnë, për veten dhe gjithë Lindjen e Mesme.

Ajo që ndodhi në Egjipt në sheshin “Tahrir” ishte një surprizë edhe për një gazetar si ju?

Absolutisht po. Kam punuar gjithmonë në vende me regjime diktatoriale, me policinë sekrete që më ndiqte hap pas hapi. Fillimisht në Tunizi dhe pastaj në Egjipt portat u hapën për të “hyrë” pak ajër i freskët. Është diçka ngjitëse, që të bën të lumtur, të bën të shohësh që ekziston një brez i ri në gjendje t’i ndryshojë gjërat. Gjithçka u zhvillua shumë shpejt dhe pa gjakderdhje: 800 të vdekur nuk janë asgjë nëse e krahasojmë me mijëra viktimat e Sirisë. Më bëri shumë përshtypje që nuk pashë imazhet e Bin Ladenit apo flamurit të Al-Kaedës.

Por, ndërkohë, në Tunizi dhe Egjipt partitë fetare fituan zgjedhjet…

Po, por nuk mendoj se duhet të mësohemi shumë për këtë. Kjo është zgjedhja e lirë e popullit egjiptian. Shtypi perëndimor u trondit, salafitët u persekutuan dhe u torturuan nga regjimi i Mubarakut, kështu që është e kuptueshme që liderët e tyre të jenë kaq popullorë. Për shumë vite me radhë, Vëllazëria Myslimane ka qenë mjaft aktive në lagjet e varfra, ku kanë organizuar shërbime sociale të çdo lloji. Nëse sot shpërblehen, për atë që kanë bërë, është më se normale. Mendoj se partitë që marrin më shumë vota të ndershme duhet të qeverisin. Në këtë pikë të shohim se çfarë do të arrijnë të realizojnë. Mendoj se ata që duan një shoqëri islamike do të humbin.

Ju jeni 66 vjeç. Për sa kohë ende do të vazhdoni ta bëni këtë punë?

Sigurisht që nuk i bën mirë shëndetit tim. Por të ndjekësh ritmin e Lindjes së Mesme është sikur të lexosh një roman të bukur: edhe pse i lodhur, nuk arrin të heqësh dorë. Unë dhe gruaja ime ishim në sheshin “Tahrir” kur erdhi lajmi i dorëheqjes së Mubarakut. Gruaja ime xhiroi një video të mrekullueshme që tregonte gëzimin e njerëzve. Në ato momente thashë: Jam vërtet i lumtur që nuk kam dalë në pension dhe që jam ende dëshmitar i këtyre ngjarjeje të mrekullueshme.

Biografia

Është një nga gazetarët britanikë më të mëdhenj të të gjitha kohërave për ngjarjet në Lindjen e Mesme. Më shumë se gjysmën e jetës së tij, Robert Fisk e ka kaluar në Lindjen e Mesme, në Bejrut, ku u vendos në vitin 1976. Në vitin 1982 ishte një ndër të parët që vizitoi skenën e masakrës së Sabras dhe Chatilas në Liban, ashtu si atë të Hama-s në Siri, po në vitin 1982. Është një ndër gazetarët e paktë që ka intervistuar Osama Bin Ladenin. Pacifist i bindur, Fisk është prej kohësh shumë skeptik rreth politikës së jashtme amerikane. Po ashtu është një nga kundërshtarët më të mëdhenj të politikës së jashtme të Izraelit dhe luftës së Irakut në 2003-shin.

Advertisements
nga moderatori Postuar te Shqip

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s