Rasti i Assange – kundër qeveritarëve të korruptuar

Nga Pirro PRIFTI

Julian Assange, një nga themeluesit e Wikileaks u quajt ndryshe me një fjalë të çuditëshme anglo-amerikane: “whistleblower”, fjalë e cila përkthehet si: person i cili i tregon apo i zbulon  policisë, reporterëve, etj, për diçka (si p.sh., krime, korrupsione, veprime dhe aktivitete të paligjshme të padrejta në kundërshtim me ligjin, të korporatave, politikanëve, qeverive) që janë  sekret dhe janë fshehur nga vetë  drejtuesit dhe që janë të dënueshme nga ligji.

Rasti  i  Julian Assange është një nga rastet e pakta kurajoze të këtij përcaktimi, sepse Assange publikoi  si dhe  informoi publikun dhe botën për  punët e pista dhe jo ligjore që kryenin dhe vazhdojnë të kryejnë disa organizata, fondacione, madje dhe qeveritarë të veçantë të vendeve të ndryshme të botës në dëm të publikut dhe të popullit të tyre, e me këtë rast duke harxhuar paratë e taksapaguesve të popullit e vendit të tyre, e së fundi nëpërmjet publikimeve, nëpërmjet  të famshmit Wikileaks edhe rastet e fshehura të korrupsionit qeveritar dhe të privatëve në dëm të buxhetit. Kurajua e Julian Assange detyroi vende të njohura të mëdha por edhe vende të vogla (si p.sh, vendi ynë) që të marrin masa ndaj tij, duke e kanalizuar rastin e Assange si rast  në të cilin Wikileaks në mënyrë të paligjshme merr dhe publikon  informacione të rezervuara  dhe `top secret`, – si një rast i cili dënohet ligjërisht. Këtij kori të vendeve të mëdha  për daljen e paligjshme  të `top secret-eve` të tyre, u erdhi për shtat edhe vendeve të vogla si  vendi ynë kur u panë në këtë sit – veprime  jo të rregullta të disa qeveritarëve të ndryshëm  shqiptarë. Julian Assange lindur më 3 korrik 1971 ka qenë në rininë e tij  një aktivist i Hakerave (hacker – person i cili fiton në mënyrë të paligjshme akses apo hyrje edhe nga njëherë  duke ngatërruar informacionin në një sistem kompjuterik), u bë i njohur si themeluesi i WikiLeaks dhe si gazetar investigativ. Assange ka marrë disa nominime dhe shpërblime nga `Amnesty International Media Award` në 2009, nga `Time Magasine` Reader Choice në 2010 si: `Person i vitit`,  nga `Sydney Peace Foundation`  ka marrë medaljen e Artë në 2011, dhe  po në 2011 ka marrë çmimin për gazetari  `Martha Gellhorn Prize`. WikiLeaks u bë i njohur kur në 28 nëntor 2010 nxori në dritë kabllot diplomatike amerikane duke shkaktuar reagimin e SHBA në mundësinë e hetimit të këtij linku të internetit dhe të themeluesit të tij. Këtij kori, i u bashkua dhe qeveria shqiptare.  Meqenëse nuk kishte mundësi hetimi nga ana ligjore, sepse e drejta për të informuar dhe për t’u informuar janë të drejta ndërkombëtare- atëherë u gjet një artifice: Assange u akuzua  dhe u lëshua një urdhër arresti ndërkombëtar Evropian me kërkesë të qeverisë suedeze  ndaj tij,  sepse kishte përdhunuar dy femra suedeze 15 vite më parë. Për këtë arsye Julian Assange, i frikësuar se kërkesa për ekstradim në Suedi do të përbënte një rrezik serioz për të për shkak se Suedia mund ta dorëzonte në SHBA në të cilën ai mund të akuzohet si spiun dhe të dënohet me vdekje, u detyrua të kërkonte strehim në Ambasadën e Ekuadorit në Angli. Presidenti Ekuadorian ja dha me kënaqësi Azilin politik këtij njeriu guximtar i cili sfidoi  Perëndimin dhe çdo qeveri perëndimore dhe jo-perëndimore duke botuar sekretet e tyre para publikut dhe popujve përkatës aferat e qeveritarëve të tyre. Atëherë si qëndron problemi tek ne?  Denoncimi i Aferave  korruptive,  denoncimi dhe informimi  për shkeljet e ligjit,  e drejta për tu informuar  publikun nga ana e qeverisë shqiptare  për veprimet dhe aktivitetet e saj të çdo lloji, – janë një e drejtë dhe një detyrim i personave të zgjedhur me votën e popullit. Gjatë këtyre 22 viteve, me ndryshimin e sistemit është vënë re një rritje e lirive  dhe të drejtave të njeriut, është miratuar një Kushtetutë dinjitoze që respekton liritë dhe të drejtat e njeriut, të drejtën për të informuar dhe për t’u informuar, dhe mundësinë për të bërë transparence të ligjeve, vendimeve, udhëzimeve nga ana e qeverisë dhe e qeveritarëve për publikun, si dhe të drejtën për të parë se ku shkojnë dhe se si harxhohen paratë e mbledhura nga taksapaguesit shqiptarë, e drejta për t’u informuar për marrëveshjet, aksionet, dhe veprimet e qeverive të ndryshme të vendit nëse ato janë konform ligjeve të miratuara ose jo. Por për fat të keq, krahas përparimeve të dukshme  të vendit tonë, vërehen dhe  problem të ndryshme të cilat sa vijnë dhe po rëndohen duke vështirësuar dhe penguar deri diku integrimin e vendit në BE. Këtë e tregon dhe pamundësia për të plotësuar me sukses 12 kushtet e caktuar nga KE (faktikisht, 10 kushte kanë mbetur të parealizuara).  Pa i  hyrë hollësirave të cilat dihen dhe  flitet vazhdimisht në media, një nga kushtet e paplotësuara është mungesa e luftimit efikas të korrupsionit dhe mungesa e pavarësisë së gjyqësorit. Këto dy probleme madhore janë të pazgjidhura dhe vazhdojnë të rëndohen, me gjithë disa masa gjysmake të marra. Nëse goditen nga policia dhe bëhen probleme të prokurorisë raste të vjedhjeve dhe të ryshfetit, kryesisht probleme që nuk kapin shifra monetare të mëdha por që sigurisht goditja e tyre  përbën një aktivitet ligjor që mban të stabilizuar vendin, –  korrupsioni i rangjeve të larta  e bën të dyshojë publikun shqiptar kur shihet se shumë marrëveshje, afera politike dhe tekniko-ekonomike, nuk deklarohen dhe nuk bëhet transparencë, apo nuk lejohet të ngrihen komisione parlamentare për të hetuar dhe për të informuar parlamentin për aferat ushtarake të Ministrisë së Mbrojtjes, ose rastet e vjetra por që nuk harrohen si Gërdeci, 21 janari, problemi i arit të vjedhur shqiptar, disa  raste korruptive të zyrtarëve të lartë, aferat qeveritare të para `97, problemet e manipulimit të  votave dhe të votimit  gjatë zgjedhjeve, etj, etj, të cilat praktikisht nuk janë denoncuar. Rasti i Assange për zbardhjen, zbulimin dhe denoncimin nëpërmjet informimit të publikut duhet të preokupojë seriozisht gazetarinë investigative shqiptare, mediat fatkeqësisht të  politizuara, publikun shqiptar, elektoratin shqiptar, shoqërinë civile, të cilat praktikisht ashtu të përgjumura sic janë ngrenë dyshime se edhe ato janë të korruptuara dhe nxiten të ngrenë probleme vetëm kur `armiqtë` e pronarëve apo të qeveritarëve nga të cilët ata financohen –janë të shqetësuar. Në këtë rast për të luftuar këtë sistem dizinformimi kaq të madh që është  krijuar, ngritur në këmbë dhe vazhdon të dominoje skenën shqiptare të `informimit` në Shqipëri nga lobe të caktuara politiko- biznesmene, duhet që të reflektohet dhe të krijohen kushte për të luftuar këtë fenomen të rrezikshëm i cili mundëson drejtuesit që të mbijetojnë, të fshehin aferat, por dhe të  `kapin shtetin` për fyti, duke e drejtuar atë njëlloj si në kohën e Hoxhës.

 

Advertisements
nga moderatori Postuar te Sot

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s