Turdiu thërret në zyrë zëvendësambasadorin grek: Duam shpjegime

Nga Fatjona Mejdini

Ministria e Punëve të Jashtme shqiptare ka ndërmarrë dje hapa konkretë në lidhje me zbardhjen e motiveve të shpalljes “non grata” të gazetarit të “Top Channel”, Marin Mema, në Greqi. Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme, Gazmend Turdiu, ka thirrur në zyrën e tij dje në mesditë, zëvendësambasadorin grek në Shqipëri, Evangelos Tsolkas, në mungesë të ambasadorit të Greqisë. Pas takimit me dyer të mbyllura, ku është diskutuar në lidhje me rastin e gazetarit Mema, por dhe të qytetarëve shqiptarë që ndalohen të kalojnë në kufirin grek, ministria bëri dhe një deklaratë për mediat.

Sipas deklaratës, sekretari i përgjithshëm i komunikoi përfaqësuesit të ambasadës greke se Ministria e Punëve të Jashtme e ka ndjekur me vëmendje këtë rast dhe raste të tjera të mëparshme. “Ministria e Punëve të Jashtme gjykon se pengesat në realizimin e së drejtës për lëvizjen e lirë nuk janë në përputhje me vullnetin e shprehur nga të dyja palët, me nivelin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe japin një sinjal jo pozitiv”, theksohet në njoftim. Turdiu mësohet se i ka kërkuar diplomatit grek dhe arsyet e shpalljes së gazetarit Marin Mema si person të padëshirueshëm në territorin grek. Nga ana tjetër, Turdiu ka gjetur rastin t’i kërkojë përfaqësuesit të ambasadës greke dhe rishqyrtimin sa më të shpejtë të të gjitha rasteve të refuzimeve për kalimin që u kanë ndodhur qytetarëve shqiptarë në kufirin grek. “Sekretari i përgjithshëm kërkoi që ky rast dhe rastet e tjera të refuzimeve të mëparshme, të rishqyrtohen dhe të zgjidhen sa më shpejt nga autoritetet kompetente greke, si dhe të merren me urgjencë të gjitha masat që ngjarje të tilla të mos përsëritën më”, theksohet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme. Burime nga Ministria e Jashtme bënë të ditur se kjo çështje do të diskutohet edhe në fillim të muajit shtator në Athinë, kur ministri i Jashtëm, Edmond Panariti, është i ftuar për një vizitë zyrtare nga homologu i tij grek, Dhimitris Avramopullos. Ky i fundit, rreth një javë më parë, pati një bisedë telefonike me ministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Edmond Panariti. Të dy ministrat diskutuan për çështjet bilaterale dhe bashkëpunimin rajonal, si dhe perspektivën europiane të rajonit tonë. Gazetari i “Top Channel”, Marin Mema, nuk u la dy ditë më parë të kalonte në tokën greke, pasi u quajt një person i padëshirueshëm dhe i rrezikshëm për shtetin fqinj. Pavarësisht faktit se gazetarit nuk iu dha asnjë arsye për këtë vendim të marrë nga Ministria e Brendshme greke, vendimi mësohet se ka ardhur për shkak të dy kronikave televizive që gazetari ka realizuar në Çamëri. Në lidhje me këtë ndalim, pritet të ketë dhe qëndrime të tjera zyrtare nga televizioni “Top Channel”, si dhe strukturave të shtetit shqiptar.

PDIU

“Ky incident i shëmtuar ndodh vetëm disa ditë pasi një deputet grek bëri thirrje antishqiptare e irredentiste në zemër të Labërisë, pa reagimin më të vogël të shtetit shqiptar. Reciprociteti duhet të jetë parimi bazë i raportit mes shtetit shqiptar e shtetit grek”

Reagon opozita

Braçe: Shqipëria, nën drejtimin e Berishës, është katandisur një “palo shtet”

Deputetët e opozitës shqiptare reaguan ashpër ndaj kthimit të gazetarit Marin Mema në kufirin grek, duke akuzuar qeverinë Berisha për mosmarrjen e masave energjike ndaj këtyre rasteve. Deputeti i PS-së, Erion Braçe, deklaroi se së pari për Greqinë ky veprim ishte i turpshëm, por akuzoi ashpër Kryeministrin Berisha, duke e konsideruar neglizhent ndaj këtyre rasteve. “Dua të flas për këtë shtetin tonë, që ka në krye një plak të rrjedhur e qesharak, Sali Berishën! Tamam atë që dje bënte deklaratë për Ahmedinexhat, por që sot jam i bindur që qesh e zgërdhihet. Ja kanë ba mirë – jam i bindur kështu thotë”, theksoi Braçe, duke shtuar se Shqipëria me Berishën në krye është katandisur në një “palo shtet”. Edhe deputeti i PS-së, Taulant Balla, reagoi dje për rastin “Mema”, duke kërkuar shpjegime nga Ministria e Jashtme për këtë rast të turpshëm. “Është e papranueshme që një vend i BE aplikon në mënyrë zyrtare vendime abuzive që shkelin mbi parimet europiane të lirisë së medias”, thekon Balla.

Qëndrimi

Ministria ndryshon kurs

Qëndrimi aktiv i Ministrisë së Jashtme shqiptare në mbrojtje të të drejtave të qytetarëve shqiptarë, ra në sy dje, nisur nga fakti se kohët e fundit, qëndrimet e diplomacisë shqiptare kanë qenë të vakëta ndaj rasteve të kthimeve në kufi. Këto raste janë të përhershme sa i përket shqiptarëve që kanë lindur në Çamëri dhe deri tani nuk është marrë asnjë masë konkrete.

Advertisements
nga moderatori Postuar te Shqip

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s