Ndalohet gazetari

“Top Channel” do t’i drejtohet zyrtarisht autoriteteve më të larta shqiptare dhe atyre greke, për të kërkuar sqarime në lidhje me këtë incident të rëndë, që cenon jo vetëm personalitetin dhe figurën e gazetarit, por edhe atë të një shtetasi shqiptar dhe marrëveshjet për lëvizjen e lirë

Deklarata – AK: Të reagojë menjëherë qeveria

Aleanca Kuqezi reagoi dje ashpër ndaj ndalimit në kufirin grek të gazetarit Marin Mema dhe shpalljes së tij person “non grata” në Greqi. Sipas AK-së, autoritetet greke nuk kanë lejuar shtetasin shqiptar Marin Mema të kalojë kufirin, si rrjedhojë e objektivitetit dhe profesionalizmit në ushtrimin e profesionit të gazetarit, në përmbushje të misionit sublim të informimit të publikut. “Aleanca Kuqezi shpreh indinjatë të thellë për këtë sjellje harbute të autoriteteve greke, të cilat e kanë shpallur ‘non grata’ gazetarin Marin Mema, por mbi të gjitha dënon sjelljen e autoriteteve zyrtare shqiptare”, theksohet në deklaratën, e cila sulmon dhe qeverinë në kuadër të marrëdhënieve që ajo ka ndërtuar me palën greke. “Pushteti i Sali Berishës, i gjunjëzuar ndaj haraçit helen, në raste të tilla kur e drejta e lëvizjes së qytetarëve shqiptarë pengohet mbi akuza imagjinare është tejet e rëndë dhe e pafalshme. Kjo sjellje neglizhente e shtetit shqiptar tregon qartë për ekzistencën e një marrëveshjeje të fshehtë mes Berishës dhe Athinës, e cila në synim ka kërcënimin dhe mbytjen e zërit të qytetarëve dhe politikanëve që denoncojnë dhe kundërshtojnë shovinizmin grek”, theksohet në deklaratë.

Intervista

Mema: Po udhëtoja për pushime, më ndaluan si gazetar

Gazetari i “Top Channel”, Marin Mema, është ndaluar dje në mesditë të kalojë në kufirin grek, duke u cilësuar si person i rrezikshëm për shtetin fqinj. Ngjarja ka ndodhur në pikën kufitare të Qafë Botës dhe Mema, në një intervistë për “Shqip”, sqaron të gjitha detajet e saj.

Për ku ishit nisur dhe si ndodhi ngjarja në doganën greke?

Unë i shoqëruar nga dy persona të tjerë që kishim prenotuar për pushime diku midis Igumenicës dhe Pargës, në atë pjesë që quhet “Çamëria” në tokën greke. Dua të theksoj faktin se udhëtimi im drejt Greqisë nuk ishte për çështje pune, por thjesht për pushime, mbi bazën e një prenotimi që ishte bërë kohë më parë. U paraqitëm normalisht në sportel, siç ndodh rëndom në doganë dhe nëse për dy personat që më shoqëronin nuk pati asnjë lloj problemi, mua m’u refuzua kalimi. Nga pala greke pretendohej se unë përbëja rrezik kombëtar në Greqi dhe se kam bërë një sërë shkeljesh në këtë shtet, që sigurisht lidheshin me punën time si gazetar. Dua të theksoj faktin se në pasaportën time kam edhe një vizë pesëvjeçare franceze, ende të vlefshme, e cila është marrë në vitin 2010 dhe zgjat deri në vitin 2015.

A pati debate mes jush dhe doganierëve në lidhje me këtë qëndrim?

Absolutisht jo, u përpoqa të ruaja qetësinë, sepse e kuptova se çdo lloj reagimi i ashpër, do të ishte në dëmin tim. Sigurisht që kërkova një lloj shpjegimi, i cili nuk m’u dha. Ajo çfarë m’u tha nga doganieri në sportel, ishte fakti se vendimi ishte i Ministrisë së Brendshme greke. Ai tha se nuk mund të më jepte sqarime të mëtejshme, sepse të dhënat e mia dhe refuzimi për të mos kaluar i dilnin në sistemin kompjuterik. Më komunikoi gjithashtu që unë isha shpallur person “non grata” për “diçka” që kisha bërë vitet e fundit në atë vend. Duhet pasur parasysh se unë në Greqi, të paktën në tre vitet e fundit që kam kaluar, kam qenë për çështje pune dhe asnjëherë për çështje private. Njëra herë ka qenë për një reportazh në Çamëri, në zonën e Margëlliçit, Filatit, Igumenicës dhe kështu me radhë. Hera tjetër ka qenë vitin e shkuar dhe vizita ime ishte në fshatin Negovan, në fshatin e Papa Kristo Negovanit.Këto kanë qenë dy udhëtimet e mia të fundit drejt Greqisë, përpara këtij të sotmit, kur u shpalla dhe person “non grata”.

A pati ndonjë dokument shoqërues nga doganierët grekë në lidhje me refuzimin që t’u bë për të kaluar në anën tjetër të kufirit?

Po, pati një dokument të thjeshtë ku theksohet se: “Personi konsiderohet i rrezikshëm për rendin publik dhe sigurinë e brendshme, për shëndetin publik ose marrëdhëniet ndërkombëtare në shtetin grek dhe mbi bazën e këtyre elementeve, bëhet dhe refuzimi”. Pjesa tjetër e dokumentit pastaj është në gjuhën greke. Unë kërkova të dija nga pala greke se si mund ta apeloja dhe ku mund ta apeloja këtë vendim, por nuk mora asnjë sqarim. M’u tha thjesht: “Ne nuk dimë gjë, por dimë që ju nuk mund të shkelni më në shtetin grek”. Ndalimi i shkeljes sime në këtë shtet, për ta ishte një vendim i përhershëm. Dua të theksoj këtu, se sipas tyre unë isha një individ i lirë për të udhëtuar në çdo vend të Bashkimit Europian, por jo më në Greqi.

Cilat do të jenë hapat e mëtejshëm që ju do të ndërmerrni për të denoncuar këtë ngjarje?

Unë jam përpjekur të bëj hapat e parë në lidhje me këtë çështje. Sigurisht që nuk kam pasur kohë të mjaftueshme për të bërë një reagim më zyrtar. Duhet pasur parasysh se në momentet e para të ngjarjes isha i shokuar dhe i habitur, sepse përveçse një qytetar shqiptar, jam dhe gazetar. Në ditët në vijim, sigurisht që do të organizohet një reagim edhe më zyrtar, duke mos qenë thjesht një reagim i imi personal, por një reagim i organizuar nisur nga profesioni im si gazetar. Dua të shtoj se më vjen shumë keq për faktin se në tokën shqiptare arrijnë të hyjnë “sojë e sorollop”, të bëjnë gjithçka në këtë vend dhe pavarësisht kësaj, asnjë masë nuk ndërmerret ndaj tyre.

Mjafton këtu të kujtojmë se vetëm një javë më parë, një deputet grek hyri në mes të Himarës, bëri thirrjet e radhës se Himara është Greqi dhe se vorio-epirotët duhet të ngrihen dhe asgjë nuk ndodhi. Ndërkohë që nga ana tjetër e kufirit, ne na refuzohet dhe hyrja normale. Ky fenomen ndodh dhe për sa i përket gazetarëve grekë, ata në kufirin tonë hynë me lirshmërinë më të madhe, ndërkohë që ne si gazetarë shqiptarë s’na lejohet të kalojmë asnjë kamera në Greqi. Në reportazhet e mia, unë në asnjë rast nuk kam refuzuar të marr edhe reagimin e palës greke, pavarësisht se ky reagim është refuzuar në mënyrë të vazhdueshme prej tyre. Gazetari përmbush detyrën e tij, kur merr edhe reagimet e palës tjetër. Por kur ky reagim nuk vjen, nuk është më një problem i gazetarit.

Reagimi i fortë

PDIU: Panariti të bëjë notë proteste ndaj Athinës

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet shprehu dje nëpërmjet një deklarate shqetësimin për kthimin në kufirin grek të gazetarit Marin Mema. Sipas PDIU-së, veprimet anakronike të palës greke kanë nisur të bien dhe mbi gazetarët shqiptarë. “PDIU ndjek e shqetësuar veprimet anakronike të metodës bizantine që shteti grek përdor ndaj bashkëkombësve tanë. Pre e kësaj sjelljeje ka rënë edhe gazetari i mirënjohur Marin Mema, i cili është shpallur person i padëshiruar dhe i është refuzuar hyrja në Greqi, vetëm dhe vetëm për shkak të reportazheve të tij profesionale. Ky veprim i fundit vërteton atë çka PDIU ka deklaruar prej kohësh, se shteti grek mund të përfaqësojë gjithçka, përveçse vlerave europiane”, deklarohet nga PDIU dhe theksohet fakti se një shtet, i cili persekuton gazetarët, nuk mund të jetë trashëgues i mentalitetit të Sokratit. Në deklaratën e shpërndarë dje për mediat, PDIU bën të ditur se do të informojë menjëherë partnerët tanë ndërkombëtarë, kancelaritë europiane dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbi këto shkelje të vazhdueshme të të drejtave të njeriut. PDIU thekson gjithashtu faktin se mes palës shqiptare dhe asaj greke nuk ekziston reciprociteti, i cili duhet të jetë parim bazë për shtetet. “Është revoltues fakti që ky incident i rëndë e njëherazi i shëmtuar ndodh vetëm disa ditë pasi një deputet grek bëri thirrje antishqiptare e irredentiste në zemër të Labërisë, pa reagimin më të vogël të shtetit shqiptar. Reciprociteti duhet të jetë parimi bazë i raportit mes shtetit

shqiptar e shtetit grek”, theksohet në deklaratë. Po kështu, PDIU i bën thirrje ministrit të Punëve të Jashtme që të dërgojë një notë proteste mbi këto akte provokuese e të urdhërojë mospranimin në Shqipëri të asnjë zyrtari grek që ka bërë deklarata që cenojnë rendin kushtetues. “Nëse kjo nuk ndodh, çdokush do të mbajë përgjegjësi përpara historisë”, thekson PDIU.

Advertisements
nga moderatori Postuar te Shqip

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s