Nga Siria te Fevziu: Si e prodhon media realitetin?

Nga Elvin Luku

Ndonëse lufta në Siri nisi si pjesë e të ashtuquajturës “Pranverë Arabe”, më 15 mars 2011, vetëm këtë fillimvit situata në Damask u kthye në kryeqendrën e vëmendjes së OKB-së. Kjo pasoi raportimet e vëzhguesve dhe medias për vrasjet masive dhe masakrat e kryera nga mbështetësit e Al-Assad-it, të cilët deri më tani raportohen të jenë mbi 20 mijë viktima. Pse nisi kaq vonë presioni ndërkombëtar – pyeste me të drejtë një media e huaj – kur shtetet perëndimore zotëronin të dhëna të përafërta në lidhje me krimet në Siri? Pse masa e parë e ndërmarrë nga OKB-ja ishte ajo e dërgesës së grupit të monitoruesve atje?

Përgjigja ishte e thjeshtë: Së pari, komuniteti ndërkombëtar u përqendrua tek Siria pasi vuri nën kontroll vatrat e hapura në Libi, Egjipt, Tunizi e Bahrein; së dyti, dërgoi median për të bindur mbarë opinionin botëror se regjimi i Assad-it duhet rrëzuar.

Për të legjitimuar ndërhyrjen e pritshme ushtarake në Damask, Perëndimit i duhet të ndërtojë realitetin tragjik sirian në sytë e botës. Dhe këtë realitet e ndërton përmes medias, pa praninë e të cilës ekzekutimet, vrasjet çnjerëzore, varrezat masive, janë ngjarje të rënda sa më s’ka, që duhen dënuar për krime lufte, por, fatkeqësisht, të destinuara të mbesin ngjarje lokale. Krimi në vetvete, pa median, humb mesazhin: 20 mijë të vdekur që janë ekzekutuar që prej një viti në Siri, për botën (deri vonë) nuk kishin asnjë domethënie, asnjë vlerë; një statistikë tragjike, që pa fokusin e medias, nuk ekziston.

Sakaq, për shkak të vëmendjes së madhe të medias, gjatë vitit 2011 bota ka ndjekur me interes martesën e Princit William, zhvillimet për krizën ekonomike, vdekjen e Elizabet Taylor, vrasjen e Osama Bin Laden, festimet për Krishtlindje dhe Ramazan, “Pranverën Arabe” (pak raportime për Sirinë), fituesit e çmimeve “Oskar”, kurorëzimin e skuadrave kampione në futbollin evropian etj…

Shprehja ku ka media, ka ngjarje, nuk nënkupton që mesazhi vjen nga lajmi por nga fokusi i medias. Një situatë, bie fjala një shpërthim, protestë, përleshje me policinë apo një vrasje, sado e rendë mund të jetë, pa median, është e destinuar të qëndrojë e tillë vetëm për një komunitet, aktorët pjesëmarrës, ose në rastin më të keq, pa jehonë.

Me “rastin sirian” kuptojmë që media nga mjet për të përcjellë mesazhin, – sikurse e kemi konceptuar deri vonë, është vetë mesazhi.

Kalojmë në një shembull tjetër, realitetin e të cilit shikuesit shqiptarë e kanë ndjekur me vëmendje. Kur në shkurt të këtij viti gazetari Ardi Bita i Vizion Plusit, transmeton kronikën e parë mbi problematkën e bllokimit të rrugëve në Lurë e më pas në Pukë, atje banorët, siç pohojnë vetë, kishin të paktën 10 ditë të izoluar…

Ndërsa shqiptarët në Pukë, Kukës, Tropojë e më gjerë jetonin të rrethuar nga bora, pjesa tjetër e popullsisë as që e kishte idenë se çfarë ndodhte me bashkëkombasit e tyre në veri. U desh vëmendja e medias që ky realitet të ndërtohej në rang kombëtar.

Media thjesht e pasqyroi situatën në veri, konstaton dikush, nuk e krijoi realitetin. Askush nuk e vë në dyshim synimin qëllimmirë të gazetarëve për të përcjellë realitetin ashtu siç është. Dhe, në fakt, ata këtë bëjnë. Por efekti që i jep media këtij realiteti, kalon fuqinë dhe mundësitë e gazetarit. TV-ja dhe gazeta e kthen lajmin në “çështjen e ditës”. Në rastin konkret nga një problematikë lokale, bllokimi i rrugëve u kthye në ngjarje kombëtare: U angazhua kryeministri, ministrat, ndërkombëtarët, të gjithë dikasteret u vunë në lëvizje, u dërguan helikopterë me ndihma, nisën të pastroheshin rrugët etj… Pasi publikua në gazeta dhe u transmetua në TV e gjithë Shqipëria fliste për bllokimin e qyteteve në veri.

Nuk është rastësi cilësimi “pushtet i katërt” që i bëjmë medias në tërësi. Me vëzhgimin, fokusin, dhe filtrimin e informacionit, televizioni dhe gazetat kanë mundësi jo vetëm të orientojnë opinionin publik, por të mbajnë në këmbë demokracinë. Madje, disa studiues të komunikimit shkojnë edhe më tej kur analizojnë median si prodhuese të realitetit dhe si biznes, duke e cilësuar atë (shpesh herë me prirje komerciale), si një kërcënim për shoqërinë.

Pa dashur të kalojmë në një temë më të gjerë gjykojmë se, ishte media ajo që prodhoi realitetin e reshjeve dhe bllokimit të rrugëve në veri të vendit. Pa fokusin e saj vëllezërit tanë atje, nuk do të kishin marrë as bukë, as ujë, as ilaçe, që ky shtet ia dha me aq kursim…

Le të marrim një tjetër shembull tjetër: gjatë kësaj periudhe kam punuar për një rubrikë me intervista të botuara në një nga të përditshmet tona. Si zakonisht, dërgoj intervistën për botim. Ndryshe nga herët e tjera, drejtuesi i gazetës nuk e boton intervistën duke më renditur një radhë të gjatë argumentesh, të cilat, unë, ndonëse i gjykoja absurde, nuk e kundërshtova. Në fund të fundit, ishte opinioni i tij…

Jo më larg se dy ditë më vonë, i intervistuari, një publicist dhe profesor i njohur, i dërgon drejtuesit të gazetës të njëjtën intervistë për botim…

Ndodhi çudia!

Drejtuesi i gazetës e falenderon përzemërsisht dhe të nesërmen publikoi intervistën, duke i kushtuar një hapësirë të lakmueshme në faqen e parë.

Pra, e njëjta intervistë e dërguar nga dy mediume të ndryshme (në rastin konkret unë dhe profesori im), ka mesazh tjetër për botuesin.

Po kështu ndodh edhe me lexuesin: ai do të joshej më shumë nga një shkrim, bie fjala i Mustafa Nanos, sesa i njëjti shkrim, por, këtë radhë, me emrin tim…

Meqë jemi te lexuesit, le të flasim pak për librin bestseller të Blendi Fevziut: Si dhe pse u kthye libri “Enver Hoxha”, në një kohë fare të shkurtër, në një libër kaq të shitshëm? Në pak muaj librin e Fevziut e blenë mbi 35 mijë lexues. Një bum i vërtetë. As Kadare, Agolli, Eko, Pamuk etj., apo edhe autorë me botime historike Puto, Frashëri, Duka, Fisher etj., nuk kanë pasur një shitje të tillë.

Të ketë ardhur ky bum nga cilësia e librit apo nga cilësia e autorit? Këtë nuk e dimë. Por dimë që autorët e tjerë të sipërpërmendur dhe librat e tyre, janë ndër më të mirët në qarkullim. Të ketë qenë fama e diktatorit Hoxha? Ndoshta, por nuk besojmë se jehona e diktatorit i ka shtyrë masivisht shqiptarët të blejnë këtë libër.

Atëherë çfarë e ka bërë Fevziun dhe Enverin kaq të shitshëm?

Me siguri, media.

Një kronikë për Kadarenë, Ekon, Puton, Fisherin janë shumë pak krahasuar me emisione, kronika të përditshme lajmesh, speciale, kritika e recensa në disa gazeta njëherësh në shtypin e përditshëm. Pa përmendur këtu reklamat dhe hapësirat publicitare, – që, disa herë, u bënë edhe të bezdisshme për shikuesin.

Nëse ia ka vlejtur ose jo gjithë ky publicitet, këtë e di vetëm lexuesi…

Me këtë rast, edhe unë po përfitoj pak nga fama e Fevziut. Titullin e këtij artikulli zgjodha ta vendos pak “pikant”, pikërisht sepse mediumi (në këtë rast titulli), ndërton mesazhin.

Advertisements
nga moderatori Postuar te Tema

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s