“Rrathë” Shpallen tre video-dokumentarët më të mirë

Nga Oliverta Lila

Pas një faze konkurrimi, përzgjedhje, realizimi dhe shfaqje për tetë javë rresht në ekranin e “Top Channel”, konkursi mediatik “Rrathë” ka zgjedhur më të mirët e 24 video-dokumentarëve (8-12 minuta). Financuar nga “Soros” dhe mbështetur nga fondacioni mediatik “Dritan Hoxha”, ky projekt u dha mundësinë shumë të rinjve të guxonin, për të sjellë në ekran problematika sociale nga e gjithë Shqipëria. Në një transmetim dymujor në “Top Channel”, publiku u njoh me prurjet e përzgjedhura në këtë konkurs, me personazhet dhe problemet dhe këndvështrimin e këtyre të rinjve mbi to, ndërsa dje janë shpallur edhe fituesit në një ceremoni të organizuar në kinema “Imperial” në “Sheraton”. “Shqipëria nën gërshërë”, realizuar nga Mirel Gjyzari, ka marrë edhe çmimin e parë të këtij konkursi. Një video-dokumentar që sjell atmosferën e berberhaneve në Tiranë, Pogradec e Shkodër, ku të vërtetat thuhen nën petkun e përditshmërisë, e ku përmes këtyre personazheve kuptohen edhe diferencat që ekzistojnë mes vetë këtyre qyteteve. Një juri e përbërë nga gazetari Enkel Demi, opinionisti Blendi Salaj dhe pedagogia Iris Luarasi, shqyrtoi të 247 projektet e përzgjedhura dhe përzgjodhi tre fituesit e çmimeve të para. “Dua t’ju falënderoj për këtë çmim. Nuk mund ta besoj që filmi im arriti të shfaqej kaq shpejt në ekranin e televizionit”, kanë qenë fjalët e para të fituesit Mirel Gjyzari, djali nga Berati, i diplomuar para tre vitesh për regji filmi e që sot punon në televizion. “Ideja për këtë film më ka lindur herët, pasi që kur kam qenë i vogël më pëlqente atmosfera që krijohet në berberhane. Mësoja shumë gjëra aty dhe mendoja se si nuk kisha mundësi t’i shkruaja apo t’i shfaqja diku. Vendosa të bëhem pjesë e këtij konkursi, pasi një pikë e rëndësishme e projektit ishte promovimi i 24 dokumentarëve të përzgjedhur dhe e shoh si një mundësi të mirë, si për mua dhe shumë të rinj të tjerë, që veprat tona ta kalojnë fazën e realizimit dhe të shfaqen e të shihen nga publiku, gjë që sot është shumë e vështirë. Kjo është një shtysë e mirë për të vazhduar”, ka thënë Gjyzari. Çmimi i dytë ka shkuar për Anis Lekën me “Painted Red”, një video-dokumentar që sjell në vëmendje rrezikshmërinë e përditshme të njerëzve që kalojnë në trasetë e hekurudhave, ndërsa çmimi i tretë ka shkuar për Gjergj Gjelin me “Ninullat”. Foshnjat e braktisura, trajtimi dhe birësimi i tyre, janë sjellë në vëmendje të publikut përmes realizimit të tij. Një çmim special është dhënë nga fondacioni “Dritan Hoxha”, si një vazhdimësi e misionit të tij për mbështetjen, motivimin dhe promovimin e të rinjve. Ky çmim i është dhënë Eriona Çamit me filmin “Agustini”, një djalosh i sëmurë nga poliomieliti, i cili, pavarësisht gjithë vështirësive që has çdo ditë në jetën e tij si invalid, ka forcën për të vazhduar. “Fondacioni ‘Dritan Hoxha’ iu bashkua nismës së fondacionit ‘Soros’, duke ofruar mbështetje mediatike me dëshirën për të promovuar punën e të rinjve që morën pjesë në këtë konkurs, por edhe për të promovuar format e reja të medias qytetare”, theksoi Vjollca Dako, drejtoreshë e fondacionit mediatik “Dritan Hoxha”. Ashtu siç bëri të ditur Brunilda Bakshevani, menaxhere e programit të medias, në këtë konkurs aplikuan 90 të rinj, nga të cilët u zgjodhën 24 projekte. Për t’i ndjekur, ndihmuar dhe këshilluar në punën e tyre, u ngrit një redaksi më vete e përbërë nga Fatos Baxhaku, Klodiana Kapo, Reard Xhermani dhe Brunilda Bakshevani. Drejtori i fondacionit “Soros”, Andi Dobrushi, shpjegoi edhe arsyen se pse i dhanë jetë një projekti të tillë. “Projekti nisi një vit më parë, për të komunikuar ndryshe, për të dëgjuar rrëfimet e komuniteteve të harruara, rrëfimet e të rinjve periferikë në zonat e thella që kanë nevojë për vëmendje dhe përkushtim, për t’i dhënë më shumë vend në hapësirën tonë të përditshme, që çdo ditë ngushtohet dhe mbushet me personazhe të politikës e ku shumë më pak zënë vend historitë e njerëzve të thjeshtë. Donim të sillnim një realitet bruto dhe ta ndanim atë së bashku, duke e përcjellë me kamerën e sinqertë të 24 të rinjve. Falënderojmë edhe fondacion ‘Dritan Hoxha’ për mundësinë mediatike që na dha përmes ‘Top Channel’, për t’i shfaqur këto video për dy muaj me radhë. Shpresojmë që këta të rinj ta vazhdojmë punën e tyre me aq sinqeritet dhe përkushtim siç realizuan këto dokumentarë”, është shprehur Dobrushi. Si pjesë e jurisë, gazetari Enkel Demi foli për prurjet e shumta cilësore të të rinjve dhe vështirësinë e përzgjedhjes së fituesve, por edhe rëndësinë e një konkursi të tillë në nxitjen e talenteve të reja. “Kjo nismë e ‘Soros’ u kanë dhënë mundësinë disa njerëzve që jo vetëm të afirmohen, por mbi të gjitha të nisin të bëjnë profesionin për të cilin janë diplomuar. Pjesa tjetër është ‘Top Channel’, që përmes fondacionit ‘Dritan Hoxha’ ka plotësuar një segment që në përgjithësi televizionet komerciale nuk e bëjnë. Duke transmetuar këto dokumentarë ka plotësuar kriterin e edukimit të publikut dhe ishte shumë e rëndësishme që një televizion kombëtar ta bënte këtë”, ka theksuar Demi. Si një nga ata që ka ndjekur nga afër punën e tyre, gazetari Fatos Baxhaku ka ndjerë edhe më shumë dëshirën e këtyre të rinjve dhe shpresën për të gjetur një mënyrë që të vazhdojnë të shprehen. “Ne e nisëm këtë projekt për të mësuar këta të rinj, por rezultati ishte që ne mësuam më shumë nga ata.

Uroj të ketë më shumë sipërmarrje të tilla dhe ky projekt të vazhdojë më përpara”, ka theksuar Baxhaku në fjalën e tij. “Rrathë” përmbylli kështu një projekt të parë mediatik, që u dha mundësinë të rinjve të krijojnë dhe të promovojnë krijimet e tyre përmes ekranit të “Top Channel”. Një nxitje e mirë për ata që u bënë pjesë, por edhe për të tjerët që do të guxojnë në të ardhmen.

 

Advertisements
nga moderatori Postuar te Shqip

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s