Ministria e Mbrojtjes depozitë parash për TV Klan, Imami i fal Frangajt 310 milionë lekë për një spot publicitar

18 korrik, 2012, SOT. Nuk kanë të sosur skandalet e ministrit të Mbrojtjes Arben Imami. Pas skandaleve me reklamat qeveritare në njërin prej televizioneve që i bën fresk qeverisë, siç është Televizioni Klan, Imami vetëm dy muaj më parë ka dhënë një shumë të majme lekësh për financimin e këtij televizioni. Nuk ka mjaftuar fondi prej 700 mijë dollarësh, që Imami i ka dhënë këtij televizioni në muajin nëntor të vitit të shkuar për një spot publicitar, por tashmë kompania e drejtorit të Klanit, Aleksandër Frangaj , “Promo” sh.p.k ka marrë prej Ministrisë së Mbrojtjes një fond prej mbi 310 milionë lekësh ose rreth 227 mijë euro.

Ky fakt pasqyrohet në tërheqjet ditore në Thesarin e Shtetit, janë lëvruar në datën 17.07.2012, 310 milionë lekë  në emër të subjektit “Promo”. Ky fakt, është evident në faqen zyrtare të Thesarit të Shtetit, http://www.minfin.gov.al/minfin/Drejtoria_e_Pergjithshme_e_Thesarit_13_1php, ku mjafton të hapen lëvrimet e datës 17 korrik për të parë skandalin në fjalë. Kjo shumë është shpërdoruar nga ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, për të kënaqur klanet e qeverisë, ndërkohë që e gjithë kjo rëndon mbi kurrizin e taksapaguesve shqiptarë.  Këto para janë dhënë nga Imami pa asnjë tender dhe nuk dihet se kush është procedura e pagesës së kësaj sasie parash në favor të Aleksandër Frangajt. Një gjë është shumë e sigurt, që në Agjencinë e Prokurimeve Publike nuk ekziston tenderimi i parave publike nga Ministri Imami, i cili është shndërruar në një nga njerëzit më abuzivë në qeverisjen Berisha. Pasi kërkuam në Agjencinë e Prokurimeve Publike për tenderët e dhënë nga Reparti 6660, rezulton se për vitin 2012 ky repart ka publikuar vetëm tre tenderë, që janë: Botimi i gazetës Ushtria, dhe Mbrojtja me vlerë 2.319.240 lekë datë 16.03.2012, Blerje librash për pasurim Bibliotekash për FA me vlerë 2.860.500 lekë date19.06.2012, dhe sërish blerje librash për FA, me vlerë 2.860.500 lekë datë 12. 07.2012 . Siç rezulton nga publikimi në APP, nuk ka asnjë tender për vlerën e mësipërme të përfituar nga Frangaj, por ekziston vetëm blerja e disa librave që mund të jetë fituese një tjetër figurë emblematike në fitimin e tenderëve, Fahri Balliu. Shuma marramendëse e paguar nga Imami në adresë të një medie, e cila është simboli i trafikut të influencës pranë qeverisë për biznesmenët që e financojnë atë, tregon qartazi politikën e qeverisë për median e lirë në Shqipëri dhe financimet e pista në emër të taksapaguesve shqiptarë për klientët e qeverisë. E gjithë kjo shumë mësohet se është dhënë me prokurim të drejtpërdrejtë. Nga hetimet, spoti për të cilën është paguar është tërësisht joprofesional dhe me asnjë vlerë informative apo profesionale, përveç arsyes që Frangaj të merrte 227 mijë euro si shpërblim për përdorimin e medies së tij nga pushteti dhe interesat e ndërsjella mes tyre. Referuar Drejtorisë së thesarit në faqen e Ministrisë së Financave rezulton se ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, i ka paguar agjencisë publicitare “Promo” shpk mbi 300 milionë lek për spote publicitare. Për shkak të kufizimit të buxhetit dhe parregullsisë në prokurimin e tyre, Imami e ka bërë pagesën në emër të një reparti ushtarak me nr. 6660. Referuar po kësaj faqe janë bërë të ditura urdhër pagesat nga Thesari i Shtetit për kompaninë e Frangajt, të cilat provojnë se ai ka marrë 310 milionë lek sipas urdhër pagesave të mëposhtme. “Reparti ushtarak nr. 6660 ka paguar spot publicitar kompaninë e Frangaj, “Promo” me urdhër pagese nr. 680, datë 27.04.2012, për njoftimin nr 5827/1, datë 15.05.2012, kontratë nr. 524, datë 28.05.2012, me urdhër ministri nr. 810, datë 17.05.2012 dhe faturë nr. 55, datë 18.06.2012, seri 42678005. Urdhër xhirimi është bërë në adresë të kompanisë PROMO në vlerën 31.070.000 leke, në datë 03.07.2012, e cila është ekuivalente me 227 mijë euro”, thuhet në faqen e Drejtorisë së thesarit.
Skandali i radhës, Imami reklama të çuditshme TV Klanit, 700 mijë dollarë
Spotet publicitare të Ministrisë së Mbrojtjes, të shfaqura në mediat pranë qeverisë, u kanë kushtuar taksapaguesve shqiptarë plot 700 mijë dollarë. 700 mijë dollarë ka shpërdoruar ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, për të kënaqur klanet e qeverisë si dhe për të mbuluar degradimin e Ushtrisë Shqiptare. Ministri në fjalë ka sajuar reklama në kurriz të taksapaguesve, për t’i hyrë në zemër TV Klanit të qeverisë Berisha. Skandali nuk qëndron vetëm në faktit se reklama është dhënë me prokurim të drejtpërdrejt, pra pa garë, por se ministria po reklamon një punë të cilën e ka detyrim, për të cilën paguhet nga taksapaguesit. Megjithatë, skandali Ministrisë së Brendshme me shpenzimet për spotet publicitare, ishte dje objekt i një debati të ashpër në Komisionin e Sigurisë Kombëtare, ku i pranishëm ishte edhe ministri Imami. Nga diskutimi për projekt-buxhetin për vitin 2012, debati u zhvendos tek reklamat e Ministrisë së Mbrojtjen, të cilat shfaqen në televizionin Klan, i njohur si “pro” partisë në pushtet.

PS llogari Imamit për spotin publicitar
Vetëm pak muaj më parë, deputeti i Partisë Socialiste, njëherësh anëtar i Komisionit të Sigurisë, Gazmir Bizhga, i kërkoi Imamit sqarime mbi koston e kësaj reklame që ka kushtuar plotë 700 mijë dollarë dhe mënyrën e përzgjedhjes së subjektit mediatik. “Z. Ministër ka disa javë që në një televizion shfaqet herë pas here një spot publicitar për ministrinë që ju drejtoni. A mund të na thoni se sa është kostoja e këtij spoti publicitar? Çfarë reklamon Ministria e Mbrojtjes? Cilat janë procedurat e dhënies së kësaj reklama? A ishte parashikuar në buxhet kjo kosto?”, u shpreh deputeti socialist Bizhga. Nga ana e tij, i zënë ngushtë, ministri Imami iu shmang me takt pyetjeve, duke e zhvendosur debatin në çështje periferike, që nuk kishin lidhje me problemin në fjalë. Megjithatë, ishte nënkryetari i Komisionit të Sigurisë, Ilir Gjoni, ai që këmbënguli për një përgjigje të ministrit. “Meqë ju z. ministër nuk po përgjigjeni, unë kam informacion se kostoja e reklamës që shfaqet tek Klani, ka kushtuar 700 mijë dollarë. Pra ju shpenzoni 700 mijë dollar për reklama, ndërsa 85 për qind e buxhet shkon për paga, ushqime, karburant etj., çka tregon se synimi është vetëm ekzistenca e FA në rutinën e tyre. Por, ju keni para për reklama. Ky është koncepti i qeverisë”, theksoi deputeti Gjoni.

Akuzat e OSBE/ODIHR për Imamin
Vetëm një muaj më parë, gjatë një monitorimi të mediave në vendin tonë nga OSBE/ODIHR komisionerja e OSBE për Median, Dunja Miatoviç ka lëshuar deklarata të ashpra në drejtim të qeverisë shqiptare, përsa i përket klientelizmit të saj në shpërndarjen e reklamave qeveritare. Miatoviç akuzoi qeverinë për shpërdorimin që i bën parave të taksapaguesve për të mikluar dhe blerë mediat proqeveritare, të cilat ja shpërblejnë me mbështetje mediatike. Sipas deklaratave të kryetares së Komisionit të Medias, Valentina Leskaj, reklamat qeveritare i kanë kushtuar taksapaguesve shqiptarë 17 milionë euro dëm. Qeveria me taksat e shqiptarëve dhe fondet publike po shpërndan reklama në mënyrë të pabarabartë duke favorizuar mediat pranë qeverisë, si TV KLAN. Kjo ka bërë që qeveria të diskriminojë në mënyrë të hapur mediat e tjera të pavarura. Vetëm 700 mijë dollarë ka shpërdoruar ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, për të kënaqur shefin e tij, Sali Berisha si dhe për të mbuluar degradimin e Ushtrisë Shqiptare. Ministri Imami ka sajuar reklama në kurriz të taksapaguesve, duke i bërë qejfin Berishës. Skandali nuk qëndron vetëm në faktit se reklama është dhënë me prokurim të drejtpërdrejt, pra pa garë, por se Ministria ka reklamuar një punë, të cilën e ka detyrim, për të cilën paguhet nga taksapaguesit. Favorizimet e mediave të caktuara për t’i bërë reklamë punës së qeverisë, e ka ngritur si shqetësim edhe komisionerja e OSBE për Median, Dunja Miatoviç, e cila kritikoi ashpër mungesën e pavarësisë së KKRT së Endira Bushatit”, u shpreh Miatoviç.

Reforma Zgjedhore, Gjiknuri : Vota e hedhur gabim do lexohet
Deputeti i PS Damian Gjiknuri dhe njëherësh ish bashkëkryetar i komisionit parlamentar për Reformën Zgjedhore, duke vlerësuar ndryshimet e bëra në Kodin Zgjedhor, akuzoi kryeministrin Berisha se spekulon kur pohon se është i gatshëm të pranojë çdo kërkesë të opozitës. Sipas Gjiknurit, tashmë reformë zgjedhore garanton elementë që nuk kanë të bëjnë vetëm me votën, duke shtuar se në zgjedhje opozita konkurron me shtetin dhe kodi i ri balancon barazinë e garës. “Ka shumë element që nuk kanë të bëjnë vetëm me votën, por me shtetin. Pasi opozita konkurron me shtetin. P.sh si i shpenzon paratë e fushatave. Kjo është një pabarazi gare që ndikon në zgjedhje. Kjo kërkesë nuk u mor parasysh, por është përmirësuar në krahasim me atë çka qenë. Së dyti ka qenë detyrimi që zyrtarët publik të japin dorëheqjen para zgjedhjeve, ndërkohë sa i përket administrimit u arrit konsensus. Berisha spekulon kur thotë se do i plotësoj të gjithë kërkesat, pasi kjo është çështje e dy palëve. Lista e zgjedhësve ka ndryshim thelbësor se do bëhet publik çdo muaj. Pushteti vendor do ketë akses në regjistrin e gjendjes civile. Opozita do ketë njerëzit e saj në Ministrinë e Brendshme dhe do ketë akses në regjistër. Gjithashtu do të përdoren të dhënat e kartave të identiteti për të bërë pastrimin e listave. Ky është përmirësim goxha i dukshëm”, theksoi Gjiknuri. Gjiknuri vlerëson se ligji i ri jep garancinë për mos vjedhjen e votave, pasi të ofron mundësinë që të evidentosh vjedhjen dhe ta bësh transparente në kohë, ndërkohë nënvizoi se në ndryshim nga zgjedhjet e 8 Majit të vitit të shkuar, vota e hedhur në kutinë e gabuar do të numërohet, por me ndryshimet e reja në ligj. “Nuk mendoj se kreu i PS ishte euforik sa i takon deklaratave që tashmë garantohen zgjedhjet, pasi sigurinë ja jep kodi, nuk do thotë që meqë u shkrua ligji nuk do ketë shkelje, por ligji të jep mundësi të evidentosh dhe ti bësh transparente në kohë. Vota e hedhur gabim do të numërohet, por me ndryshimin e ligjit. Numërimi elektronik do të zbatohet në një qark, dhe kjo do arrihet me anë të njerëzve. Vota më maj u vodh në KQZ”,deklaroi Gjiknuri.

 

Advertisements
nga moderatori Postuar te Sot

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s