Bruksel. Tahiri: Media dhe opozita përndiqen nga Berisha

Akuza të ashpra në Parlamentin Europian ku u diskutua për statusin kandidat

Pavarësisht faktit se dy palët politike kanë gjetur konsensus për çështjen e reformës zgjedhore, delegacioni shqiptar në Bruksel që merrte pjesë në takimin e pestë të Komitetit të Stabilizim –Asocimit, takimi Shqipëri-PE është përfshirë në replika të ashpra. Nga ana tjetër, dy zyrtarët e lartë, Eduard Kukan i Parlamentit Europian dhe Stefano Sannino, drejtor i Zgjerimit në Komisionin Europian, i kanë kujtuar politikës shqiptare se reforma zgjedhore nuk ishte i vetmi kusht për marrjen e statusit të vendit në KBE, por nga pala shqiptare duheshin kryer dhe reforma të rëndësishme siç ishte ajo parlamentare dhe reforma në sistemin e drejtësisë.

Debatet PD-PS

Replikat sipas “Top Channel”, kanë lindur fillimisht mes socialistit Ditmir Bushati dhe demokratit Fatos Beja. Bushati ka theksuar se ndonëse reforma zgjedhore ishte kryer, duheshin marrë masa sa i përket implementimit të kushteve të BE-së në mënyrë që vendimmarrja të ndikonte në rritjen e cilësisë së jetës së qytetarëve. Por Beja e ka kundërshtuar duke theksuar se reformat që kishte kryer qeveria kishin pasur një impakt shumë pozitiv në jetën e qytetarëve. “Nëse themi se nuk kemi rezultate të prekshme për reformat në prioritetet kyçe, unë do thoja se kjo vështirë të besohet, sepse ne kemi shënuar hapa para për të gjitha prioritetet”, deklaroi Beja. Por debati është ndezur më tej nga deputeti socialist, Sajmir Tahiri, i cili ka theksuar se në Shqipëri deputetët e opozitës dhe mediat opozitare përndiqen nga pushteti dhe gjykatat. “Unë jam një nga dhjetë deputetët të Partisë Socialiste, që janë sot të dënuar ose në procese gjyqësore në gjykatat e Shqipërisë, për shkak të deklaratave në funksion të detyrës dhe ushtrimit të rolit tim si deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Sot që flasim ka 18 çështje gjyqësore ndaj 10 deputetëve të Partisë Socialiste, 3 prej të cilëve janë këtu, dhe dënimi i kërkuar prej nesh kapërcen shumën 1 milion euro. Në Shqipëri janë dy standarde, edhe pse të dyja janë pjesë e së njëjtës sëmundje: mungesës së pavarësisë së gjykatave, politizimit të gjyqësorit, nënshtrimit të gjyqësorit ndaj presionit politik dhe pushtetit të parasë”, theksoi Tahiri, duke folur për trajtime të veçanta nga ana e gjykatave për personat e lidhur me pushtetin dhe ata në opozitë.

Qëndrimet e europianëve

Bashkëkryetar i Komitetit PE-Shqipëri, Eduard Kukan, theksoi se Shqipëria kishte shumë punë për të bërë në kuadër të marrjes së statusit të vendit kandidat. “Shumë kohë është harxhuar tashmë, ndaj Parlamenti tani duhet të punojë vërtet në mënyrë eficente. Reformat e tjera si ajo për rregullat e procedurës së Kuvendit dhe reforma e gjyqësorit janë po ashtu reforma kyçe”, deklaroi Kukan. Ndërkaq, drejtor i përgjithshëm për Zgjerimin në KE, Stefano Sannino, theksoi se në javët dhe muajt që vijnë Shqipëria duhet të sjellë rezultate të tjera konkrete. “Gjatë konsultimeve tona të rregullta me autoritetet shqiptare, ne po shohim progres në disa fusha, por është e dukshme se kërkohen rezultate konkrete të mëtejshme në javët dhe muajt që vijnë. Dhe në veçanti, funksionimi i shtetit të së drejtës, depolitizimi i administratës publike, reforma në gjyqësor dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të gjitha këto përbëjnë sfidat kyçe për Shqipërinë”, deklaroi Sannino.

F.Mejdini 

http://gazeta-shqip.com/lajme/2012/07/13/bruksel-tahiri-media-dhe-opozita-perndiqen-nga-berisha/

 

 

Advertisements
nga moderatori Postuar te Shqip

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s