Shiritat filmikë, jemi vetëm dy vjet para katastrofës

Nga Valeria Dedaj

Efektet e klimës globale po ndjehen dukshëm në godinën e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit. Ajo nuk mundet të përballojë dimrin e ftohtë dhe verën e nxehtë duke u bërë kërcënim për pasurinë e mrekullueshme që ruan brenda saj.

Regina Longo, arkivistja amerikane që jep këtë raport, u njoh në distancë për tre muaj me AQSHF dhe këtë javë e preku nga afër. 

Është hera e parë që Arkivi Qendror i Filmit hap dyert, tregon gjendjen dhe kërkon ndihmë për të restauruar shiritat filmikë. U kërkon ndihmë jo vetëm institucioneve shtetërore por edhe burimeve të huaja.

Longo bëri të ditur dje që shumë shpejt 5 filma do të restaurohen nga arkivistë amerikanë, ndërsa dy filma të tjerë “Beteja e Algjerit” dhe “Furtuna” gjatë javëve në vijim do të promovohen edhe në Kosovë për të rritur ndërgjegjësimin për kushtet ku ruhet trashëgimia filmike. Specialistja Longo iu përgjigj disa pyetjeve “Shekullit”.

Ndër të tjera të bën përshtypje deklarata e Longos e pyetur për pasurin filmike të periudhës 1950-1990. Nga vëzhgimi në fondet e AQSHF-së, i rezulton se kopjet origjinale të filmave të kësaj periudhe nuk janë ruajtur asnjëherë, “janë djegur”.

Longo ndodhet në Tiranë pas ftesës që i është bërë nga dy bashkëpunëtorët e saj në këtë projekt, Thomas Logoreci dhe Iris Elezi.

Rexhina, tani që e patë gjendjen me sytë tuaj, jeni e zhgënjyer apo me shpresa për zgjidhjen e problemeve?

Në natyrën time jam gjithmonë optimiste. Natyrën e problematikës që mund të gjeja në arkiv e kam ditur përpara se të vija këtu. Prandaj është e rëndësishme që vetëm 12 punonjës kanë arritur të bëjnë punën e 50 njerëzve dhe kjo duhet respektuar. Ka shumë punë për të ardhmen për atë se çfarë mund të bëjmë për të mbledhur fonde me kaq pak vetë sa ne jemi. Dhe kjo do shumë kohë. Ky është një proces që do të vazhdojë mbi pesë apo dhjetë vjet sepse nuk ka zgjidhje të kollajta për të përballuar problematikat e natyrës së filmit.

Për çfarë ka nevojë arkivi? Si e gjetët gjendjen e negativave?

Është hera e parë që në po punojmë për një betejë, përpara se të bëhet betejë. Unë disa filma i kam gjetur në gjendje shumë të mirë, disa në gjendje mesatare dhe disa të tjerë që kanë shumë nevojë për ndihmë. Kjo është më se normale kur kemi një ndërtesë që është më e vogël se kapaciteti filmik që ne kemi. Një nga gjërat që ju duhet të keni vënë re dhe në lëkurën tuaj, kohët e fundit ngrohja globale ka ndikuar në jetën e të gjithëve, sikundër dhe në jetën e kësaj ndërtese. Kjo ndërtesë nuk ishte parashikuar që të përballonte një dimër shumë të ftohtë apo një verë shumë të nxehtë. Pra jemi duke e kapur situatën në kohë, që të zgjidhim problemin e kësaj natyre. Janë vënë re katër shenja të sindromës së uthullës dhe të myshkut dhe pse këta njerëz kanë punuar shumë mirë me pastrimin e shiritit filmik, për këtë nuk kemi humbje. Jemi dy vjet më përpara se ne të fillojmë të shqetësohemi, përpara se kjo gjendje të kthehet në krim apo katastrofë. Ne flasim gjithmonë për shiritin filmik si pasuri e madhe, por ajo që duhet t’i komunikohet publikut shqiptar është që në këtë arkiv ruhen partiturat e kompozimit të muzikës së filmit, ruhen fotot e kinoprovave, fotot e lokacioneve në vendet e xhirimit, pra nuk kemi të bëjmë vetëm me një film të përfunduar që ruhet diku në magazinë, por me çdo gjë që shkon përtej punës së regjisorëve. Për këtë arsye është një pasuri në të gjitha drejtimet.

Arkivi ynë ka një buxhet vjetor rreth 3 milionë lekë, që është qesharake, ku mund të gjejë ai ndihmë tjetër përveç shtetit?

Është e vërtetë që nuk ka fonde të mjaftueshme. Prandaj arsyeja që unë jam këtu së bashku me miqtë e mijë, është se duhet të shikojmë përtej formave institucionale si mund t’i ngremë këto fonde. Falë eksperiencës sime në Holandë dhe në Amerikë, disa miq nëpër arkiva të caktuara më kanë premtuar se pesë filma historik dhe artistik do të restaurohen pa lekë. Ju shqiptarët e dini se keni filma të mrekullueshëm, por bota nuk e di ende, kështu që ne do punojmë për restaurimin e tyre që të na mundësojnë dhe nëpër festivale filmash. T’i nxjerrim me anë të distribuimit nëpër dvd që ne të kemi interesin e historianëve të filmit dhe të kemi mundësi të ngremë lekë përtej lekëve të shtetit. Një nga iniciativat e AQSHF-së është shfaqja së afërmi e dy filmave nga fondet e veta, “Beteja e Algjerit” dhe “Furtuna” që do të ndihmojnë në rritjen e ndërgjegjësimit. Ky është vetëm fillimi dhe them se si fillim është i mbarë. Me problemin e fondeve nuk është se po përballemi vetëm ne. Armenia apo vendet e tjera që janë në zhvillim, por dhe vendet më të zhvilluara si Amerika, Gjermania apo Japonia kanë problemet e tyre. Shqipëria ndodhet në një pozitë shumë të favorshme, duke qenë një vend i izoluar dhe materialet filmike janë ende të panjohura. Historianët dhe pedagogët e filmit po “vdesin” t’i shikojnë. Ky është momenti që ne të zhvillojmë kërkimet, të kemi mundësinë që akademikë dhe pedagogë t’i shikojnë këto imazhe, por sidomos njerëzit e medias ata që duhet të bëjnë kronikat. Brezat e rinj kane nevojë që të mësojnë më shumë për eksperiencën tonë. Jemi ulur mbi një thesar që duhet ta duam dhe të bëjmë më shumë për të.

Dixhitalizimi, është rruga e duhur për të ardhmen e fondeve arkivore? 

Duhet të kuptojmë diçka që ka të bëjnë me vetë natyrën e arkivit dhe përse ne jemi këtu. Një prodhim që vjen në 35 mm është pothuajse e pamundur të krahasohet me një kopje në dixhital, janë të pakrahasueshme. Ajo që duhet të punojmë është që ta ruajmë shiritin filmik në të njëjtin shirit filmik, kjo është ajo për të cilën po punohet. Ne duhet të bëjmë dhe dy hapa të tjera që të kemi mundësinë e një ndërhyrjeje dhe t’i ruajmë në të njëjtin format. Sikundër thotë Thomas Logoreci “ti nuk mund të bësh fotokopje të një pikture”, mendojeni vetë. Kur flasim për dixhitalizim, flasim që publiku ta ketë më të lehtë për t’i parë. Por puna e mirëfilltë e një arkivi është ruajtja e imazheve në të njëjtin material në të cilën janë xhiruar. Çdo medium i ri është në zhvillim e sipër, nëse dikur xhiroja në një mini dvd, sot studentë të mi janë duke xhiruar me flesh discard etj., një kualitet tjetër figure. I bie që të gjitha këto xhirime t’i shpallim të pavlefshme? Duhet të kuptojmë është se shiritat filmikë, njëlloj si pikturat s’mund t’i fotokopjojmë.

Fondet e kronikave dhe të filmave të periudhës 1950-1990 janë më të shpërdoruarat sot nga televizionet. Si mund ta çojë në vend Arkivi këtë abuzimin të madh?

Kemi disa punonjës që janë në punë, dhe që nuk ankohen. Humbja e kësaj vlere është fatkeqësi dhe duhet luftuar për rikthimin e vlerave të saj historike. Këto vlera historike kanë humbur pasi censura nuk e ka lejuar ruajtjen e tyre. Po të jap një shembull. Një nga punonjësit e hotelit ku po qëndroj, është një djalë 21-vjeçar. Kur e pyeta se sa i beson medias ai mu përgjigj se nuk besonte fare, pasi imazhet transformoheshin. Prandaj mendoj se ne mund të vëmë në vend këtë abuzim duke edukuar brezin e ri me të vërtetën.

Thuhet se në këtë Arkiv ruhen kopjet origjinale të filmave shqiptarë të cilët ne i kemi parë në TV në versionin e censuruar. Çfarë mund të bëje Arkivi për ta zhvarrosur këtë anë të historisë?

Kopjet origjinale të filmave nuk janë ruajtur asnjëherë, janë djegur. Ato që ruhen janë vetëm pak imazhe që janë shumë, shumë pak. Por unë kam shpresë se dhe pse sot janë të zhdukura këto materiale, ndoshta dikush e ruan një shirit 35 mm në shtëpinë e tij, por për këtë nuk kemi akoma asnjë të dhënë.

Kush është

Regina Longo ka punuar për gjashtë vjet në Muzeun Memorial të Holokaustit në Uashington për restaurimin dhe rindërtimin e xhirimeve të Shoah-s të Claude Lanzmann-it si dhe për koleksionin e Bryan Julien-it. Ajo është anëtare aktive e Shoqatës së arkivistëve Association of Moving Image Archivists (AMIA) dhe punon për disa arkiva jo fitimprurëse dhe institucione për vlerësimin, dokumentimin dhe ruajtjen e koleksioneve të tyre filmike. Ajo është duke përfunduar një Ph.D. , me disertacionin “Plani Marshall për filmat në Itali: një projekt i konsensusit të pasluftës”, në Departamentin e Filmit dhe studimeve të Medias në Universitetin e Kalifornisë, Santa Barbara.

 

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s