Regina Longo: Do të restaurojmë falas pesë filma të komunizmit

Oliverta Lila

Pesë filma shqiptarë, kryesisht artistikë, por edhe ndonjë dokumentar, do të restaurohen falas. Janë filma të realizuar në kohën e komunizmit, të cilët pas restaurimit, do të shfaqen për një publik të gjerë ndërkombëtar, një formë sensibilizimi për të mbledhur fonde. “Tana”, “Fortuna”, “Ngadhënjim mbi vdekjen”, por edhe dokumentari mbi Shqipërinë e vitit 1945, janë titujt që po diskutohen. Regina Longo, specialistja amerikane e arkivave, e cila gjashtë vjet të punës së saj ia ka kushtuar restaurimit dhe rindërtimit të xhirimeve të Shoah-ut të Claude Lanzmann në Muzeun Memorial të Holokaustit në SHBA, ndodhet këto ditë në Tiranë për të parë nga afër gjendjen e Arkivit Shtetëror të Filmit. Në bashkëpunim me kineastët Iris Elezi dhe Thomas Logoreci, po vendosin bashkëpunime me arkiva të njohura botërore.

Fondacioni “Martin Scorsese”, aktorja e famshme Tilda Swinton, njëkohësisht aktiviste në fushën e kulturës dhe producente filmi, Libraria e Kongresit në USA, Mark Cousins nga MUBI, STIL casing solutions, si dhe njerëz e institucione të tjerë janë ofruar të dhurojnë për AQSHF, kuti filmi plastike dhe materiale të tjera të nevojshme për kujdesin ndaj filmit. Ky do të jetë një sensibilizim që do të zgjasë në kohë, për t’i paraprirë rrezikut që u kanosen shiritave filmikë në kohë dhe nga mungesa e kushteve klimaterike.

Ju i keni parë nga afër kushtet në të cilat ndodhet Arkivi i Filmit. Cilat janë problematikat dhe rreziqet që i kanosen fondit filmik?

Tre muaj më parë, unë u kontaktova nga Iris Elezi dhe Tomas Logoreci, të cilët më treguan për disa nga problemet e Arkivit të Filmit për të mirëmbajtur materialet filmike. Kështu nisi bashkëpunimi me disa nga arkivat më të njohura në botë, për të marrë prej tyre sugjerime dhe përvojën mbi ruajtjen dhe restaurimin e filmave. Tashmë jemi këtu dhe kemi filluar kontaktet edhe me institucionet shtetërore. Në arkiv është bërë një punë e mirë mirëmbajtjeje, ndërkohë që janë 12 punonjës që bëjnë punën e 50 vetave dhe janë të detyruar vazhdimisht të merren me pastrimin e filmave, pasi kjo godinë vuan nga lagështira dhe nuk ka kushtet optimale për ruajtjen e shiritave filmikë. Duke u marrë vetëm dhe vazhdimisht me pastrimin e shiritave, nuk kanë mundur të shkojnë më tej.

Cila do të ishte zgjidhja?

Restaurimi. Në këtë pikë as dixhitalizimi nuk do të ishte një zgjidhje përfundimtare. Ndonëse është pjesë e domosdoshme e procesit, është më shumë një lehtësi për përdoruesit. Për t’i paraprirë rrezikut të shkatërrimit të shiritit filmik, i cili ka një jetëgjatësi të caktuar, ne po përpiqemi që të krijojmë një bashkëpunim të domosdoshëm institucional, sepse të gjithë jemi të ndërgjegjshëm që këto imazhe filmike duhet të ruhen. Por shteti shqiptar nuk mund t’i përballojë i vetëm këto fonde, ndaj ne po përpiqemi të ngremë një bashkëpunim të qëndrueshëm në kohë mes Arkivit të Filmit Shqiptar dhe arkivave të tjerë në botë, të cilët mund të ndihmojnë si në pajisjet e nevojshme, por edhe në atë që ne na intereson më shumë, restaurimi. Do ta nisim me pesë filma. Falë kontakteve që kemi arritur me Holandën, Italinë, Francën dhe Amerikën, filmat do të restaurohen pa lekë.

Cilat janë filmat e përzgjedhur?

Jemi ende duke diskutuar, por do të jenë filma të rëndësishëm, me të cilët do të arrijmë të promovojmë kinemanë shqiptare në botë. Përveç filmave të realizuar pas viteve ’90, të cilët janë shfaqur në festivale filmi, gjithë pasuria e para viteve ’90 është e panjohur për arkivuesit, historianët dhe akademikët. Shqipëria nuk njihet si imazh filmik. Ta shfrytëzojmë këtë kinema për të gjeneruar interes dhe për të mbledhur fonde për të vazhduar restaurimin e filmave të tjerë. Ne synojmë që pas restaurimit, një kopje dixhitale e subtitruar në anglisht të shfaqet në festivale ndërkombëtare filmi. Nëse do të kemi sukses, do të marrim më shumë mbështetje dhe fonde për të vazhduar me restaurimin e filmave të tjerë. Por duhet të kuptojmë se ky do të jetë një proces që do të zgjasë në kohë.

Sa kushton restaurimi i një filmi?

Ka disa faktorë që përcaktojnë kostot. Gjithsesi një film bardhezi kushton më pak se një film me ngjyra, i cili ka një bashkësi procesesh, që nga ai dixhital për risjelljen e ngjyrës dhe atë që e nxjerr sërish në shirit filmik. Shuma mund të shkojë nga 5 deri në 52 mijë euro.

Sa kohë do të kërkonte restaurimi i një prej këtyre filmave?

Kjo varet nga niveli i dëmtimit të shiritit filmik. Nëse marrim rastin e një prej filmave që është në gjendje më të mirë dhe bëjmë detyrën e duhur, e çojmë në Amerikë ose Holandë, një nga pjesëtarët e arkivit shkon dhe e ndjek hap pas hapi se çfarë është duke ndodhur, ne mund t’ia dalim ta restaurojmë në 2 muaj që nga data kur arkivi i ka mbledhur të gjitha materialet për këtë film. Në një farë mënyre izolimi ju ka ndihmuar, pasi të gjitha materialet që mund të jenë të domosdoshme për një film, ruhen po brenda kësaj godine.

 

Koleksioni

Koleksioni i AQSHF-së përmban 6422 filma, ndër të cilat 4329 filma të vjetër dhe të rinj të prodhuar në Shqipëri. Ndërsa 2093 filma të huaj të prodhuar në vende të ndryshme të botës.

 

Logoreci: Martin Scorsese dhe Tilda Swinton, ndihmë për Shqipërinë

Thomas Logoreci, kineasti amerikan me origjinë shqiptare, është ai që po vendos kontakte me emra të mëdhenj të kinematografisë, si një garanci për të mbrojtur në të ardhmen filmat shqiptarë që ruhen në arkiv. “Një nga mbështetësit tanë është Martin Scorsese, shumë i interesuar për ruajtjen e filmave. Kemi kontaktuar me të përmes Mark Cousins, një nga filmëruajtësit më të njohur në botë. Po përmes tij kemi marrë kontakte edhe me aktoren Tilda Swinton, e cila është gati e fiksuar ndaj këtij misioni dhe do të donte të vinte në vjeshtë në Shqipëri për të parë arkivat, për të vizituar vendin. Ka dëgjuar shumë për këtë vend komunist dhe do të donte të shihte se si është ai. Mendonte që të vinte në “DokuFest: në Prizren, por tani është duke xhiruar një film në Pragë dhe e ka të pamundur. Mundësia e vizitës mbetet e hapur”, shprehet Thomas Logoreci. Me mbështetjen që po i japin Arkivit të Filmit, synojnë së pari promovimin e pasurisë kinematografike shqiptare e më tej sensibilizimin për mbrojtjen e saj. “Mendoj se duhet të kërkojmë ndihmën e vendeve të tjera, të cilët kanë kaluar nëpër këtë eksperiencë. Nëse ne nuk do të fillojmë të mendojmë që tani për ruajtjen e filmave, do të jemi në atë pozicion. Filmat janë kimikë, nuk jetojnë përgjithnjë dhe Shqipëria është në një moment që duhet të vendosë sesi do t’i ruajë ato që të mos shkatërrohen. Kur isha fëmijë në Amerikë, rreth 10 vjeç, kam dëgjuar Martin Scorsese-n të flasë për ruajtjen e filmave, pasi po shuheshin edhe filmat e Hollivudit që tani janë të sigurt. Në Shqipëri ka filluar të flitet tani për ruajtjen e filmave. E rëndësishme është të gjejmë se si t’i mbajmë gjallë këto imazhe, pavarësisht se cilës periudhë i përkasin, asaj komuniste, apo më parë. Edhe nëse janë të periudhës komuniste, prej tyre unë mund të kuptoj sesi Enver Hoxha e mbajti pushtetin”, thekson Logoreci.

 

Advertisements
nga moderatori Postuar te Shqip

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s