RTSH në kaos, Petrit Beci prej 7 muajsh drejtues pa mandat ligjor

Nga Julia Vrapi

Petrit Beci vijon të mbajë postin e drejtorit të përgjithshëm të RTSH, ndërkohë që ai ka mbaruar që në nëntor të vitit 2011. Në bazë të ligjit “Për radion dhe televizionin publik e privat në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar disa herë sipas ndikimeve politike dhe ndryshimeve të mazhorancës, mandati i drejtorit të përgjithshëm të RTSH është 5-vjeçar. “Drejtori i përgjithshëm është menaxheri i veprimtarisë programore, financiare dhe të biznesit të RTSH-së. Drejtori i përgjithshëm i RTSH-së zgjidhet me votim të fshehtë nga Këshilli Drejtues për një periudhë 5-vjeçare ndërmjet jo më pak se dy kandidaturave.

Seleksionimi i kandidaturave bëhet nga këshilli drejtues mbi bazën e konkurrimit të hapur dhe kritereve të përcaktuara në statutin e RTSH-së”, thuhet në nenin 100 të këtij ligji. Petrit Beci është zgjedhur Drejtor i Përgjithshëm i RTSH në nëntor të vitit 2006, ndërkohë që mandati i tij ka mbaruar prej muajsh duke bërë që ai të drejtojë këtë institucion jashtë ligjit. Deri më tani është pohuar se kjo situatë ka ardhur dhe për shkak të pritjes së miratimit të ligjit të ri të medias, ndërsa gjithashtu mandati u ka mbaruar edhe disa prej anëtarëve të Këshillit Drejtues të RTSH. Petrit Beci, i cili u zgjodh drejtor i Përgjithshëm i Radiotelevizionit Publik Shqiptar në nëntor të vitit 2006, në atë kohë në mbledhjen e Këshillit Drejtues anëtarët e tij votuan Becin drejtor, i cili zëvendësoi në këtë post Artur Zhejin. Nga ana tjetër edhe Këshilli Drejtues i RTSH-së nuk është i plotë, pasi nga 11 anëtarë që janë sipas ligjit, aktualisht kanë mbetur më pak, pasi një pjesë kanë marrë detyra të tjera që iu bën të papajtueshëm detyrën, siç ishte rasti i kandidimit për deputet të Fatmir Toçit. Pjesa kryesore e këshillit, fillimisht me 7 anëtarë, u zgjodh më 28 korrik të 2006-s. Fillimisht me kryetar Fatos Lubonjën, i cili më pas dha dorëheqjen dhe pas këtij u zgjodh si kryetar Agron Tufa. Si organi më i lartë drejtues i RTSH, Këshilli Drejtues miraton rregulloren e veprimtarisë së tij, rregulloren e Bordit të Administrimit dhe çdo rregullore tjetër që e përcakton ligji apo statuti, statusin e RTSH-së, emëron dhe shkarkon drejtorin e përgjithshëm, emëron dhe shkarkon zëvendësdrejtorin e përgjithshëm, drejtorët e Radios dhe të Televizionit, si dhe drejtuesit e tjerë të njehsuar me ta, miraton anëtarët e Bordit të Administrimit, miraton platformën, strukturën organizative dhe strukturën programore të RTSH-së, mbikëqyr paanshmërinë, objektivitetin dhe tërësinë e informacionit radioteleviziv, këshillon drejtorin e përgjithshëm në lidhje me programet, ndihmon në caktimin e normave dhe të koncepteve programore në përputhje me ligjin, etj. E ndërsa njerëzit të cilët janë të zgjedhur për drejtimin e RTSH janë pa mandat, duket se zvarritja për ligjin e ri i cili pritet të miratohet ka bërë që ata të qëndrojnë në detyrë. Me miratimin e ligjit të ri për mediat elektronike, më pas do të procedohet me zgjedhjen e këshillit të ri të drejtues, por dhe të drejtorit të ri të RTSH.

RTSH nën drejtimin e Petrit Becit

Radiotelevizioni Publik Shqiptar prej vitesh e ka humbur misionin e tij ndaj qytetarëve. Nga kjo media publike, pothuajse nuk ka asgjë me vlera, ndërsa edicionet informative prezantojnë vetëm ato që qeveria i quan arritje. Të vjen keq kur e shikon sot këtë institucion kaq të mjeruar në programacion, në infrastrukturë apo dhe në teknikë, kur përballë mediave të tjera ai ngjan si një relike e vjetër. Përgjegjësia që sot ky institucion është braktisur nga publiku, i cili pothuajse nuk e ndjek aspak ekranin e tij, prej kohësh është pohuar  se i takon drejtorit të përgjithshëm Petrit Becit. U deshën vetëm disa vite që ky institucion të rrënohej, ndërsa tashmë nuk e meriton më emrin publik. Që nga koha si drejtues i RTSH, Petrit Beci është akuzuar jo pak herë për humbjen e cilësisë artistike në programacion apo dhe si një televizion në shërbim të qeverisë, akuzë kjo edhe e opozitës. E gjithë panorama që të ofron sot RTSH është shumë larg nga ajo që ka në misionin e tij një institucion i tillë. Opozita në akuzat e saj ka pohuar se keqmenaxhimi dhe përdorimi politik e ka lënë larg qytetarëve RTSH, dhe sot ky institucion është kthyer në një bastion politik, i cili i shërben vetëm pushtetit qeverisës, në një kohë kur janë taksapaguesit shqiptarë që paguajnë për këtë institucion.

http://www.sot.com.al/index.php?option=com_content&view=article&id=37047:rtsh-ne-kaos-petrit-beci-prej-7-muajsh-drejtues-pa-mandat-ligjor&catid=222:kulture-gazeta&Itemid=483

Advertisements
nga moderatori Postuar te Sot

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s