Oktrova: Si hyra në Kosovën e pushtuar mbi tanket gjermane

Rrëfimi i drejtoreshës së TVSH- së mbi eksperiencën e jashtëzakonshme gjatë luftës së Kosovës. Fatet e humbura të njerëzve. Jeta e vështirë në kampin e refugjatëve, ku Mirela Oktrova takoi më shumë se 15.000 njerëz, e ku kuptoi rëndësinë e një gazetari.

… në afërsi të Tetovës. Në atë kohë situata ishte drejt shkallëzimit maksimal sepse kishin filluar ndërkohë bombardimet, pra kishte dy faktorë që e ndiqnin popullsinë nga territoret e veta, faktori i parë ishin serbët dhe ndjekjet e njësive paraushtarake dhe faktori i dytë ishin bombardimet. Kështu që ishte kulmi i katastrofës humanitare. Ishin afërsisht 500.000 të stacionuar nëpër kampe, ndërkohë që po aq ishin të strehuar nëpër familjet shqiptare të Maqedonisë. Në këto kushte bëhej e domosdoshme ndërhyrja e bashkësisë ndërkombëtare për të lehtësuar situatën dhe një linjë e lehtësimit të situatës ishte evakuimi.

Unë vetë kam kaluar nëpër duar 15 mijë të tillë që shkuan në Gjermani Kur them “i kam kaluar nëpër duar”, dua të them që kam qenë e inkuadruar në përgatitjen e këtyre 15 mijë dosjeve. Gjë që i bën përshtypjet e mia shumë të gjera, dhe aq intensive saqë në një moment të caktuar, krejtësisht në mënyrë të paparashikuar e ndjeva të nevojshme edhe t’i fotografoja, sepse e kisha të pamundur të shkëputesha prej tyre. Nuk ka qenë e parashikuar kjo. Unë e kisha marrë aparatin me vete krejt rastësisht siç e merr çdo njeri kur lëviz, por duke qenë se përpunimi i mbresave të ditës që ishin shumë të forta bëhej natën, në mënyrë shumë më të mundimshme se sa ditën, sepse natën vinin të gjitha bashkë, në një intensitet, që nuk të linte të flije pasi të gjithë ato fate të rënda fëmijësh, grash, pleqsh, të humburish, të zhdukurish, të përdhunuarash etj setj, ishin prezente pranë meje. Atëherë aparati doli kështu si mjet për të më garantuar mua se nuk do të shkëputesha përfundimisht nga ato fate, të cilat as më lëshonin, e as i lëshoja dot.

Kjo eksperiencë besoj se ju ka shkaktuar edhe një shok emocional. Jeni përballuar me traumat e kaq shumë njerëzve, për më tepër të një popullsie që ishte gjaku juaj. Natyrisht. Për këtë po flisja. Ata që përballen me traumën janë dy kategori: Të traumatizuarit vetë, por edhe njerëzit që kanë të bëjnë me të traumatizuarit. Trauma e këtyre nuk krahasohet me traumën e të traumatizuarve vetë, por natyrisht edhe ajo ka shkallën e vet të thellësisë dhe ashpërsisë, sepse ti e ndjen veten në fillim krejtësisht të paaftë për t’ia zbutur vuajtjen atij që ke përballë. E dyta sado që të mundohesh, edhe sikur të kesh një aftësi të caktuar për ta zbutur këtë vuajtje, ose t’i ofrosh ndihmë siç ishte ajo për t’u larguar nga ferri i dytë ( ferri i parë ishte lufta, po ferri i dytë ishte kampi, ku ofroheshin vetëm elementët e ekzistencës), prapë se prapë e ndjen se ajo që mund të bësh ti është fare pak në krahasim me ndihmën, apo mbështetjen që i duhet dhënë ‘ viktimës’, apo që ajo ka nevojë. Në këto kushte, mbresat e ditës ishin aq të forta saqë unë personalisht e kisha të pamundur të flija në ato tre muaj. Megjithatë nuk do ta quaja këtë si anë negative sepse gjykoj që çdo njeri ka nevojë për mbresa të tilla të forta. Shpesh, ne të mësuar me shumë gjëra në mënyrë të vetëkuptueshme, nuk jemi të aftë të vlerësojmë se sa të rëndësishme janë: Jeta, njeriu dhe gjithçka që kemi. Humbasim vlerësimin për gjërat që kemi dhe ky është njëri prej mesazheve që unë në mënyrë këmbëngulëse e kam përsëritur gjithë këto ditë. Sigurisht sa herë përballem me këto foto emocioni është shumë i fortë. Nuk mund t’i shoh pa u rrënqethur, nuk mund t’i shoh pa u kujtuar për momente të caktuara të komunikimit me ata njerëz. Emocioni ka sigurisht zig zagun e vet, por mendimi është gjithmonë i njëjtë.

Mendimi i parë është që lufta është vërtet fatkeqësia më e madhe që njerëzimi mund t’i shkaktojë vetvetes, por nga ana tjetër, luftërat janë vërtet momentet në të cilat njerëzimi ridimensionon sistemin e vet të vlerave, verifikon se çfarë ka vlerë parësore dhe çfarë jo, dhe bëhet i ndërgjegjshëm për gjërat që janë vërtet të domosdoshme në jetë dhe për ato që janë të dorës së dytë, tretë, katërt e kështu me radhë. E treta që është shumë e rëndësishme sidomos për profesionin tonë, është se lufta i mëson gazetarit, ose ia tregon me fakte të gjalla që nga pena dhe fjala e tij varen jetë njerëzish.

Në kohë paqeje, sidomos në shoqërinë moderne të informimit, ku mënyrat e komunikimit janë sofistikuar në mënyrë ekstreme, ti e humbet kontaktin direkt me publikun, apo me targetin tënd. Dhe duke qenë kështu, i fshehur pas kompjuterit, radios, mikrofonit, kamerave dhe 1000 aseteve të tjera teknologjike, ti nuk i ke përballë njerëzit të cilëve u drejtohesh. Duke mos i pasur përballë e harron – profesionalisht nuk duhet ta harrosh asnjëherë – por emocionalisht dhe njerëzisht i ndodhur dhe në vorbullën e halleve personale, problemeve, ngarkesës së përditshme etj etj, e harron se çfarë efekti ka puna që bën dhe fjalët që thua ose shkruan ti për njerëzit që i lexojnë, apo i dëgjojnë. Ndaj dhe unë vazhdimisht bëj thirrje që të jemi ekstremisht të ndërgjegjshëm për rëndësinë e profesionit tonë dhe të përgjegjshëm për fjalën tonë. Lutem që të mos kemi nevojë të përballemi me luftën për ta parë këtë.

Unë vetë jam përballur me luftën. Jo se nuk i dija rëndësinë fjalës, por kam pasur rast ta testoj atë drejtpërdrejt. Më ka ndodhur p. sh në një rast, që për arsye logjistike të ndodhesha në kamp gjatë kohës që informoja për një media, për radion Deutsche Welle, e cila dëgjohej me altoparlant në kamp. Unë shihja njerëzit që kishin ndaluar përpara altoparlantit dhe dëgjonin fjalët e mia. Pashë reagimin e tyre, u shokova dhe në një farë mënyre pata frikë nga ajo që po thoja. Nëse unë thoja që disa vetë kanë ardhur mbrëmë nëpërmjet kufirit, atëherë gjithsecili prej tyre e përkthente që në këtë kontigjent që erdhi, unë gjej motrën, nënën, babain, vëllain, të cilët i kam humbur përpara kaq muajsh.

Nëse thoja u mbyll kufiri, për ata do të përkthehej, këta të afërm mund edhe të kenë vdekur. Nëse do të thoja ka apo s’ka ndihma, kishte prapë një përkthim në formë ekzistenciale për ta. Nëse unë thoja do të evakuohen kaq vetë në këtë kategori, kishte prapë një domethënie për ta. Unë shikoja se si pas çdo fjalie timen, atyre u ndryshonte fytyra e gjestikulacioni. Fillonin të komunikonin të shqetësuar ose jo me njëri – tjetrin. Ky është një rast, që shumë të tjerë mund të mos e provojnë kurrë. Ngaqë mua më ndodhi, dua që këtë përvojë ta ndaj me të gjithë, për t’i bërë të vëmendshëm për këtë aspekt. Megjithatë këmbëngul, që një përvojë e tillë nuk është negative. Një përvojë e tillë them se është pozitive edhe në një drejtim tjetër sepse njeriu ridimensionohet, ai rivlerëson pozicionin e tij ndaj frikës. Në fakt, sa më larg rajonit të luftës dhe krizës që është, aq më tepër frikë ndjen ai – sa më shumë afrohet, aq më e parëndësishme bëhet ajo. Kështu shpjegohet se si vazhdojnë jetojnë njerëzit që banojnë në zona të tilla. Sa më tepër afrohesh, aq më tepër je i tërhequr nga ngjarjet, nga faktet, nga fatet dhe aq më tepër del në plan të dytë dhe të tretë ndjenja e frikës që është me ty, por krahas saj shkon edhe ndjenja e shpresës që nuk do të të zërë ty kësaj here. Është një moment psikologjik që nuk mund të shpjegohet pa u përjetuar ose një ndjesi tek e cila nuk të shkon mendja sa kohë nuk e ke provuar. A vazhdoni të ruani me ndonjë prej këtyre familjeve? Jo. Më duhet të them që 15.000 vetë janë shumë. 500.000 vetë të tjerë, të cilat unë i shihja grupe – grupe janë tmerrësisht shumë.

 

 

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s