Mirela Oktrova: 110 foto për dramën e Kosovës

Si reporterë lufte, Oktrova pa nga afër atë që ndodhi në vitin 1999. Pa dhimbjen e tyre, dëgjoi rrëfimet, i pa në kampet ku ishin vendosur dhe i fotografoi. Ka nxjerrë nga arkivi këto fotografi të realizuara më shumë se një dekadë më parë, për të ndarë me të gjithë përjetimet e asaj drame njerëzore, sot paksa e larguar në kohë. Janë 110 fotografi të zgjedhura mes shumë të tillave që Oktrova ka realizuar më 1999, të ekspozuara në Muzeun Kombëtar.

“Ishte e diela e Pashkëve e vitit 1999…Nga Ministria e Brendshme Gjermane më ofruan të shoqëroja misionin, që do të evakuonte refugjatët e Kosovës nga Maqedonia në Gjermani. Nuk hezitova! Nuk ishte turizëm lufte dhe as aventurizëm…Po nuk mund të refuzoja! Drama njerëzore, që kulmonte çdo ditë e më frikshëm në Kosovë, s’më linte të bëja sehir…”. Këto janë vetëm disa rreshta nga një ditar që Mirela Oktrova ka mbajtur 13 vjet të shkuara, si dëshmitare e fateve të shqiptarëve të Kosovës në kalvarin e gjatë të vuajtjeve: krimet e luftës, dëbimi nga vendi i tyre, kampet e rehabilitimit, rikthimi, dyshimet etj. Si reportere lufte, Oktrova pa nga afër atë që ndodhi në vitin 1999. Pa dhimbjen e tyre, dëgjoi rrëfimet, i pa në kampet ku ishin vendosur dhe i fotografoi. Në 13-vjetorin e hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, ka nxjerrë nga arkivi këto fotografi të realizuara më shumë se një dekadë më parë, për të ndarë me të gjithë përjetimet e asaj drame njerëzore, sot paksa e larguar në kohë. Janë 110 fotografi të zgjedhura mes shumë të tillave që Oktrova ka realizuar më 1999. Gjatë prezantimit të djeshëm të “Fate në luftë…” në Muzeun Historik Kombëtar, ajo theksoi se këto janë fotografi të bëra në mënyrë të rastësishme, pa dashur t’u veshë pikëpamjen artistike dhe pa dashur të përdorë dhimbjen e këtyre njerëzve. Në të gjithë ekspozitën, si një udhërrëfyes që mund ta lexosh në heshtje, gjenden rreth 20 tekste, pjesë të shkurtra të shkëputura nga ditari i Oktrovës, e cila ushtron tashmë detyrën si pedagoge e jashtme në Departamentin e Gazetarisë. “Unë nuk doja të përdorja dhimbjen e tyre, ndërkohë që po kërkoja të përftoja një dëshmi. Kështu nisi kjo rrugë, fiksova fillimisht fytyrat, pastaj rrethanat, dikur ngjarjet dhe kur ngjarjet ndoqën njëra-tjetrën, e pashë veten që të përballesha me personazhe të tjera, me ushtarët e forcës ndërkombëtare, me pjesëtarët e UÇK-së dhe kështu me radhë”, tregon Oktrova. Ndonëse e konceptuar në katër pjesë, të gjitha dëshmi e asaj kohe, në këtë ekspozitë spikasnin portretet. Janë pleq që rrudhat ua tregojnë edhe më shumë peshën e mendimeve, gra që shtrëngojnë fort në krah foshnjat dhe fëmijë që sfidojnë rrethanat për të gjetur diçka për të luajtur. “Pashë njerëzoren të përpëlitej nën vetvete: pleq që mallkonin veten se mbijetuan të bijtë, shtatzëna që fshihnin dhimbjet, të gjymtuar që u rëndej shpëtimi, të përdhunuara me sy të shuar, një popull të tërë që ikte kokëpas, pa ditur nëse do të rikthehej”, shkruan Oktrova. Pjesa e parë e kësaj ekspozite është pikërisht ikja nga zona e luftës për të shpëtuar jetën. Pjesa e dytë janë portrete të fotografuara në kamp, pjesa e tretë, largimi nga “ferri i dytë” siç e quan vetë Oktrova, sepse sipas saj kampi nuk ishte parajsa, por shpëtimi i kokës dhe jo i dinjitetit. Pjesa e katërt është epilogu pas ikjes nga kampet dhe ndërhyrja e forcës ndërkombëtare. “Lufta e bën njeriun të ndërgjegjshëm për rëndësinë e jetës dhe përpjekjeve që duhet të bëjë në emër të saj, por vetëm lufta mund ta mësojë gazetarin se sa fuqi ka fjala e tij, me çdo hollësi që thua, me çdo emër që përmend ose jo, me çdo intensitet të lajmit. Ndaj e hap sot këtë ekspozitë për të tërhequr vëmendjen për njeriun, individin, personalitetin njerëzor, i cili në luftë humbet sepse në luftë janë në radhë të parë interesat”, shprehet Oktrova. Në pjesën e fundit të ekspozitës shohim edhe ushtarët ndërkombëtarë që ecnin natën drejt kufirit, Mirela Oktrovën majë një tanku britanik që po e çonte në Kosovën e pasluftës dhe sërish portrete, tashmë në vendin e tyre. “…15 mijë palë këmbë i pashë mezi të tërhiqeshin drejt ikjes, 15 mijë palë sy më pyetën ato ditë nëse ishte i sigurt kthimi, 15 mijë herë dëgjova të psherëtinin: ‘s’kena dashtë me e lanë Kosovën’, 15 mijë duar të dredhura shkëputeshin vrik për të mbytur me zor ngashërimën që u zinte frymën…”, shënohet në një nga tekstet e saj. Ndonëse sot pas 13 vitesh emocionet që ajo përjeton mund të kenë luhatjet e veta, një mendim i cili mbetet i pandryshuar: “Lufta është dhimbja më e madhe që njeriu mund t’i shkaktojë vetvetes”.

Advertisements
nga moderatori Postuar te Shqip

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s