Lufta e Kosovës, Oktrova tregon të mbijetuarit e ferrit

Nga Alma Mile

Me duart e kapura pas telave që rrethojnë kampin, ata duket sikur janë kapur fort pas jetës. Ajo duhet të vazhdojë me çdo kusht, kudo që të jetë. E trishtueshmja është që rëndësinë e jetës duhet ta kuptosh vetëm në gjendje lufte. Për të tërhequr vëmendjen tek rëndësia e jetës, gazetarja Mirela Oktrova hapi dje në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar një ekspozitë me fotografi, që na kthen 13 vjet pas në kohë, në muajt e nxehtë të luftës së Kosovës. Janë rreth 120 fotografi nën titullin “Fate në luftë”, të realizuara në kampet e refugjatëve kosovarë në Maqedoni, ku zbulohet dhimbja që shkakton lufta dhe përpjekja mes jetës dhe vdekjes. Shumë janë portrete, kryesisht fëmijë dhe të moshuar, pjesa më vulnerabël e shoqërisë dhe më e zbuluar ndaj fatkeqësisë.
Foto-dëshmi
Qysh në fillim, Oktrova të informon se nuk bëhet fjalë për foto artistike, por për dëshmi, megjithatë nuk janë edhe aq të pamenduara. “Nëse do më pyeste ndokush si nisi kjo iniciativë për të marrë këto portrete, këto pamje nga lufta, nuk jam në gjendje ta përshkruaj momentin e parë. Mund t’ju përshkruaj se çfarë qe shtysa, që u nisa të shkoja në zonën e luftës. Ishte thjesht një telefonatë nga Ministria e Brendshme gjermane, prej së cilës u thirra të shoqëroja misionin që do të evakuonte të shpërngulurit e Kosovës nga Maqedonia për në Gjermani. Pranova, nuk hezitova, por nuk ishte as turizëm lufte dhe as kuriozitet. E ndjeva për detyrë të mos thosha jo. Dhe pastaj ngjarjet u rrokullisën, morën rrugën e tyre, por nuk mund të përshkruaj dot momentin e parë kur nisa të fotografoj”, thotë Oktrova. Kanë qenë ditë të mbushura plot dramacitet. Dita e tejmbushur me ngjarje ia linte vendin natës, e cila bluante të gjitha mbresat e ditës. “Në mënyrë krejt instinktive fillova të fotografoja ato fytyra që ose s’i lija dot, ose s’më linin dot. Janë foto-dëshmi, të shkrepura shpejt, të ndjesisë së momentit, nuk ka asnjë ndërhyrje artistike në to, pasi kishte mendime t’i bënim bardhë e zi, por unë mendova t’i lija ashtu siç kanë qenë. Janë foto që janë bërë pa më vënë re personazhet që po fotografoja. Nuk doja që ata të ndiheshin të përdorur në vuajtjen e tyre. Dhe mua do më dukej sikur po e shfrytëzoja vuajtjen e tyre, në momentin që po tentoja të fiksoja një dëshmi. Kështu nisi kjo rrugë. Diktova në fillim fytyrat, pastaj rrethanat, diku ngjarjet, diku u përballa me personazhe të tjerë, me ushtarët e forcave ndërkombëtare etj.”.
Në katër rrathët e ferrit
Fëmijë që vazhdojnë të jetojnë në botën e tyre dhe, pse jo në oborrin e shtëpisë, sahanë që ziejnë në kushte kampi, çadra, uniforma larushe… Pasi i është kthyer shkrepjeve të 13 viteve më parë, Mirela Oktrova e ka konceptuar ekspozitën në 4 pjesë, si 4 rrathë ferri dantesk. “Pjesa e parë është ikja e parë, ikja nga ferri i parë, nga zona e luftës për të shpëtuar jetën. Pjesa e dytë janë njerëzit. Janë portrete kryesisht fëmijësh dhe të moshuarish, në situata të ndryshme në kamp dhe shprehje emocionale të ndryshme. Dikush duket sikur e mbart vuajtjen, ca të tjerë duket sikur nuk kanë brenga, sidomos fëmijët duket sikur janë tërësisht të shkëputur, jetojnë në botën e tyre. Pjesa e tretë është largimi nga ferri i dytë, sepse aty nuk ishte parajsa, ishte shpëtimi i kokës, por jo i dinjitetit. Pjesa e katërt është epilogu. Pas evakuimit, ikjes nga kampet, erdhi ndërhyrja e forcave ndërkombëtare, me të cilët hyra në Kosovë. Në fakt, hyrjen në Kosovë e kisha përshkruar në shumë mënyra, por jo mbi një tank britanik. E solli momenti që të hyja kështu. Përjetimi i parë ishte sikur aty nuk kishte ndodhur asgjë, vetëm këshillat që na jepeshin herë pas here, që të kishim kujdes se ku shkelnim për shkak të minave, na bënin të ndërgjegjshëm që ishim në një terren lufte. Pastaj gjithçka e braktisur, automjetet në afërsi të Bllacës, rroba trupi të hedhura, karroca invalidësh. Të ngacmonte për të përfytyruar se cilët ishin njerëzit që i kishin pasur, ç’ëndrra kishin pasur, ç’kanë lënë pas, ç’rrugë kishin ecur, a jetonin, a i kishin gjetur njerëzit e tjerë…”, tregon Oktrova, e cila, teksa u rikthehet edhe një herë përjetimeve të asaj kohe, shkruar me të shpejt në faqe ditari, gjen rastin të ndajë me të tjerët atë çka kjo situatë i ka mësuar: së pari, lufta është dhimbja më e madhe që mund t’i shkaktohet njerëzimit, e dyta që vetëm lufta dhe vdekja mund ta mësojnë njeriun të dojë jetën, veten dhe gjithë të tjerët dhe se vetëm lufta e mëson gazetarin që nga pena e tij varen jetë njerëzish. “E hap këtë ekspozitë për të tërhequr vëmendjen tek njeriu, tek individi, personaliteti njerëzor, që në kohë lufte humbasin, pasi në plan të parë dalin interesat. Dhëntë zoti që të mos na duhet të përjetojmë luftë për të mësuar të gjitha këto!”.

http://www.panorama.com.al/2012/06/12/lufta-e-kosoves-oktrova-tregon-te-mbijetuarit-e-ferrit/

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s